Idrizi: Nuk është çështje pronash, por çështje atdheu

“Ne kërkojmë të gjithë të drejtat që shqiptarët e Çamërisë kanë patur përpara spastrimit etnik. Ne kemi qenë shtetas grekë me kombësi shqiptare.”
Çështja Çame nuk është çështje pronash, por çështje atdheu. Ky është qëndrimi i kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili thekson se popullsia çame kërkon të gjitha të drejtat që shqiptarët e Çamërisë kanë pasur përpara spastrimit etnik. “Ne kemi qenë shtetas grek me kombësi shqiptare”, tha ndër të tjera Idrizi i ftuar në emisionin “Tonight” me gazetaren, Ilva Tare”.
”Nuk është një çështje pronash, por çështje atdheu. Ne kërkojmë të gjithë të drejtat që shqiptarët e Çamërisë kanë pasur përpara spastrimit etnik. Ne kemi qenë shtetas grekë me kombësi shqiptare. Pra, të gjitha të drejtat që në mënyrë të padrejtë u janë marrës shqiptarëve të Çamërisë. Ne duam të kthehemi tek trojet tona, troje shqiptare që kur ka lindur bota. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kufijve.
Duke e konsideruar ngjarje historike deklaratën e komisionerit Johanes Hahn, kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi thotë se kjo ka ardhur si pjesë e një lobimi të fuqishëm të qeverisë shqiptare. “Futja e Çështjes Çame si një nga dy çështjet midis dy vendeve dhe mbi të gjitha përshëndetja që bëri komisioneri Hahn të mekanizmit të propozuar nga qeveria shqiptare për mënyrën e trajtimit të çështjeve të mbetura pezull pa dyshim janë një moment historik, por jo për të qenë euforik. Tani fillon puna e vërtetë. Për herë të parë kemi një qeveri shqiptare që ka Çështjen Çame në agjendën e saj. Për herë të parë, zoti Bushati, e ka vënë çështjen në një ndër dy-tre prioritetet.”
Kreu i PDIU-së mendon se shteti grek kërkon kohën e vet, i cili sipas tij është i vetmi vend që nuk ka pranuar dhe ka përzënë të gjithë minoritetet.