Albspirit

Media/News/Publishing

Punësonin vajzat si modele, e pastaj prostituta, rrëfehen motrat tutore

Ina dhe Armonela Qama, motrat e arrestuara pak ditë më parë nga operacioni policor i koduar “Rekrutimi”, do të hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”. Ato dyshohet të jenë pjesë e një rrjeti rekrutimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit brenda dhe jashtë vendit, duke iu premtuar atyre punësim në agjenci mode, apo në lokale nate.

Në seancat me dyer të mbyllura, të gjithë të arrestuarit e operacionit “Rekrutimi” mohuan të kenë lidhje me akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Seanca e parë në radhë ishte ajo në ngarkim të 25­ vjeçares Armonela Qama. Burime pranë Gjykatës konfirmuan se ajo e ka përjashtuar veten nga dyshimet e ngritura nga Prokuroria. Burime pranë Gjykatës pohuan se në sallën e gjyqit Armonela Qama mohoi të kishte lidhje me akuzën. “Unë jetoj në Poliçan, ku kam dy prindërit e mi të sëmurë. Vij në Tiranë për të takuar motrën time. Nuk kam shfrytëzuar ndonjë vajzë”, mësohet të ketë thënë Armonela, shkruan Panorama.

Po sipas burimeve, motra e saj ka pretenduar se nuk ka detyruar ndonjë vajzë të prostituojë, ndërkohë që nuk kanë komentuar njohjen me të arrestuarit e tjerë.

Gjithashtu, masë sigurie “arrest në burg” u caktua edhe për dy nga të arrestuarit e tjerë nga i njëjti operacion, Ledian Gjoni dhe Ardit Shmilli. Ndërsa për të dyshuarin Zamir Hodo, Gjykata vendosi lirimin e tij nga qelia, duke i caktuar masën “detyrim për paraqitje”. Hodo është shoferi i taksisë ku gjendeshin të dyshuarit e tjerë në momentin e arrestimit të tyre pranë pikëkalimit kufitar të Morinit, nga ku do të kalonin me destinacion Gjermaninë.

Please follow and like us: