Albspirit

Media/News/Publishing

4 Sonete të Shekspirit shqipëruar nga Iva Cipuri

shakespeare1

Iva Cipuri.

 William Shakespeare (1564 – 1616) (i njohur në shqip si Shekspiri) është shkrimtari dhe dramaturgu më i madh në gjuhën angleze dhe dramaturgu më i shquar në botë. Shpesh quhet Poeti Kombëtar i Anglisë.

Veprat e tij janë përkthyer në mbi 100 gjuhë të botës dhe vihen në skenë më shpesh se veprat e çdo dramaturgu tjetër, klasik apo modern. “Hamleti”, “Makbethi”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Otello”, “Jul Cezari”, etj., janë disa prej veprave më madhështore të letërsisë botërore të të gjitha kohërave.

Nga jeta private e Shekspirit nuk dihen shumë fakte, gjë që ka çuar në spekulime e hamendësime të shumta. Data e saktë e lindjes është e pasigurtë, por nga dokumentet e kishës nga ajo kohë, njihet data e pagëzimit në Stratford-upon-Avon më 26 prill 1564, ndaj studiuesit mendojnë se duhet të ketë lindur më 23 prill 1564.

Në vitin 1582, në moshën 18 vjeç, martohet me Anne Hathaway, 8 vjet më e madhe se ai dhe 3 muaj shtatzënë. Pas 6 muajsh u lind vajza e parë, Susanna dhe pas rreth 2 vjetësh, vajzë dhe djalë binjakë, Judith dhe Hamnet (i cili vdiq në moshën 11 vjeç nga shkaqe të panjohura).

Për vitet pasues nuk ekziston pothuaj asnjë dokument rreth jetës së Shekspirit, derisa në vitin 1592 përmendet emri i tij në skenën teatrore të Londrës, ku ishte bërë i njohur si autor dhe si aktor. Më 1599 bashkëthemelon Teatrin Globe në Londër, ku u vunë në skenë dhe shumica e veprave të tij.

Shkroi 38 drama historike, tragjedi dhe komedi (përfshirë edhe bashkëpunimet me autorë të tjerë), 154 sonete, 2 poema të gjata rrëfimtare dhe vargje të tjera.

Kritikët i vlerësojnë Sonetet e Shekspirit për meditimin e thellë mbi natyrën e dashurisë, pasionit seksual, lindjes, riprodhimit, vdekjes dhe kohës. Pothuaj në të gjitha Sonetet e tij, Shekspiri shkruan për efektin e kohës dhe për imortalizimin e bukurisë dhe dashurisë në veprat letrare.

 

 

Soneti 23

Si një aktor i ri, në skenë i pamësuar,

Me frikën mbarsur, fjalët i harron,

A si një bishë me tërbim ngarkuar,

Që tepri e forcës zemrën i rrënon,

Ashtu dhe unë, se s’kam besim, harroj

Ritualin e fjalëve t’dashurisë t’kryej,

Dhe nga pesh’ e vrulltë e dashurisë, shikoj

Se si fuqia ime merr të thyer.

Le t’jenë, pra, librat e mi, elokuencë

Dhe orakuj t’pagojë të gjoksit tim që flet,

Që luten për dashuri dhe presin për shpagesë,

Shumë më shumë se ç’gjuha mund të shprehë!

Mëso, t’ lexosh ç’ka shkruar heshtj’ e dashurisë:

Të dëgjosh me sy është maja e mençurisë!

 

 

Soneti 65

 

Kur bronzi, guri, toka, deti pa kufi,

Para fuqisë së vdekjes krejt përkulen,

Ç’të bëjë bukuri e brishtë në k’të furi,

Kur ajo s’është më e fortë se një lule?

Ah, si mund frym’ e mjaltë e pranverës

Sulmin e vrazhdë të ditëve të mposhtë,

Kur dhe shkëmbinjtë me Kohë mpaken erës

Dhe çeliku thyhet prej s’ashprës Kohë?

O mendim i friktë! Ku, nën këtë diell,

Rubini m’i çmuar i Kohës, Kohës mund t’i fshihet?

Ç’dredhi e hollë mund ndaljen e saj të ndjellë?

Me ç’barna prishj’e bukurisë mund të mpihet?

Ah! S’ka shërim, veç në ka fuqi kjo mrekulli,

Që n’shkrime t’bëj të ndrijë, timen dashuri!

 

Soneti 75

 

Si ushqimi për jetën je ti për mua,

A si shirat e ëmbël për tokën e shuar;

Dhe për paqen tënde n’varfëri vuaj,

Si një dorështrënguar me pasurin’e pashijuar;

Shijues krenar jam një çast, por çastin tjetër,

Dyshues se koha, si kusar, vjen rrëmben thesarë;

Parajsë është t’jem me ty vetëm për vetëm,

Po Qiell m’i Epërm, kënaq’sinë po t’ma shohë bota mbarë;

Nganj’herë ngopem n’gostinë e pamjes tënde,

Por prapë pas pak uritem gjer në deje,

As zotëroj, as ndjek nga pas, jo, asnjë ëndje,

Veç asaj që vjen a vij ta marr prej teje.

Kështu lëngoj për ty e velem ditë për ditë,

Herë uritur pa ty, herë duke të t’ngrënë t’gjithë.

 

Soneti 138

 

Kur e dashura m’betohet se thotë t’vërtetën,

Unë e besoj, dhe pse e di që po mashtron,

Që t’më mendojë djalosh t’parrahur me jetën,

Që s’merr vesh nga mashtrimet fallco në kët’ botë.

E duke menduar më kot se të ri m’shikon,

Dhe pse e di që dit’t e djalërisë m’kaluan,

Me buzëqeshj’e besoj gojën e saj që mashtron,

Me gjuhën e dashurisë t’metat duke mbuluar.

Po pse m’thotë e dashura që ësht’ e re fare?

Dhe pse nuk them unë që jam i regjur?

Ah, e mir’ e dashurisë ësht’ gjuha lajkatare,

Dhe mosha n’dashuri do që vitet t’i mbajë fshehur.

Ndaj shtrihem me t’dashurën, dhe ajo me mua,

Se t’metat dashuria, ja, kështu i shuan.

Please follow and like us: