Fundoset prokurori: më kthe lekët, ose të nxjerr në gazetë
Prokuroria për Krimet e Rënda tha dje “fjalën e fundit” në procesin gjyqësor ndaj prokurorit të Fierit, Petrit Vukaj, duke i kërkuar Gjykatës deklarimin e fajshëm të tij për akuzën e “korrupsionit pasiv” dhe dënimin me 3 vjet burg.
Për shkak se i pandehuri vuan nga një formë e rëndë epilepsie, Prokuroria kërkoi pezullimin e dënimit me burg dhe vënien e tij në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.
Njëkohësisht iu kërkua Gjykatës për Krimet e Rënda detyrimi i të pandehurit për t’iu nënshtruar programit mjekësor, si dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet.
Vukaj u gjykua në masën e sigurisë “arrest shtepie”. Për tre të pandehurit e tjerë të dosjes të akuzuar për “korrupsion”, ish-oficerit të Policisë, Gazmir Nelollari, dhe vëllezërve Arjan e Elton Xhemali, Prokuroria kërkoi nga 2 vjet heqje lirie.
Duke iu referuar provave të shqyrtuara në gjykim, dhjetëra përgjime telefonike dhe vëzhgime ambientale, prokurori i çështjes, Gentian Trenova, tha se i pandehuri Arjan Xhemali i ka dhënë të pandehurit Nelollari një shumë prej 250 mijë lekësh për t’ia paguar si ryshfet prokurorit Vukaj.
Në këmbim të kësaj shume prokurori do të kërkonte në Gjykatën e Fierit lirimin nga qelia të Elton Xhemalit, i arrestuar për një aksident me pasojë vdekjen.
Gjykata nuk ka pranuar kërkesën e prokurorit Vukaj për dënim me 2 vjet burg dhe pezullim dënimi, duke dhënë dënim me 18 muaj burg. Kjo ka nervozuar Elton Xhemalin, i cili ka telefonuar vëllanë e tij dhe ndërmjetësin Nelollari t’i marrin lekët mbrapsht prokurorit Vukaj.
Gazeta “Panorama” ka siguruar përgjimet e bisedave telefonike dhe vëzhgimet ambientale të veprimeve të prokurorit Vukaj dhe të pandehurve të tjerë të dosjes, të cilat ishin prova kryesore e Prokurorisë në këtë gjykim.