Albspirit

Media/News/Publishing

Nipi i Mbretit, zbulimi i ri për Xhevdet Mustafën: E solli Enveri për të vrarë Kadri Hazbiun

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku, Skënder Zogu, nipi i Mbretit Ahmet Zogu, hedh dritë dhe në të vërtetat e protestës që Leka Zogu bëri pas humbjes së referendumit në korrik 1997, nëse vendi duhet të kishte sistem monarkik apo parlamentar.

Ai tregon se si pas ikjes nga Shqipëria, në prill 1939, Zogu i ka shkruar Kryeministrit të Francës që të lironin disa shqiptarë të burgosur, mes të cilëve dhe Mehmet Shehun.

Vazhdojmë me momentin kur më 7 prill Shqipëria u pushtua nga Italia dhe Mbreti u largua. A bëri mirë Mbreti që u largua?

Mbreti nuk pranoi ultimatumin e Duçes, ai nuk pati përkrahje nga Perëndimi e shtete të tjera. Ai u mundua të fitonte kohë. Kur e pa se nuk kishte rrugëdalje, si të gjithë mbretërit u largua, nuk kishte mundësi.

Pse nuk pranoi ftesën e ambasadorit amerikan, të paktën për Mbretëreshën dhe Princin.

Ai e shpëtoi Mbretëreshën dhe Princin. Ai doli jashtë për të forcuar forcat nacionaliste dhe të luftonte okupatorin. Ai nuk donte të fshihej në ambasadë, por të shkonte në Turqi të mblidhte shqiptarët dhe të vazhdonte aktivitetin.

Akuza më e madhe Zogut i bëhet nga komunistët se me këtë akt, Ahmet Zogu u bë tradhtar. Cilët janë kundërargumentet tuaja?

Kemi shembullin e Francës, u dorëzua dhe iku e luftoi nga Anglia. Mbreti doli jashtë dhe luftoi që andej okupatorit. Të gjitha mbretëritë e Ballkanit kanë shkuar në Londër. Mbreti ishte kundër fashizmit, ai thoshte atdheu mbi të gjitha, duhet të gjente një rrugë për ta luftuar okupatorin. Të gjithë ballkanasit kishin qeveri në mërgim. Fatkeqësisht, Anglia nuk na ndihmoi për një qeveri në mërgim. Mbreti u detyrua të largohej nga Anglia e të shkonte në Egjipt, sepse atje kishte shqiptarë. Ai mblodhi opozitën kombëtare. Thirri edhe kundërshtarët me të cilët bashkëpunoi. Zogu ka qenë i evoluar.

Komunistët thonë që ai duhet të rrinte e të vritej në Shqipëri…

Komunistët nuk janë në gjendje të na japin mësim. Ata sulmuan dhe vranë kosovarët. Ndërsa Mbreti i ka mbrojtur. Parlamenti i asaj kohe kishte dy deputetë përfaqësues të Kosovës, në kohën e komunistëve ata nuk kanë pasur përfaqësim. Komunistët nuk mund të na japin mend.

Si e kujtoni largimin me karvan?

Mbaj mend që ka qenë herët, ora 5 e mëngjesit, dhe ishte ende errësirë. Karvani ynë u nis për Pogradec, nga Pogradeci në Shkup. Në karvanin tonë kanë qenë disa personalitete. Ndenjëm 3-4 javë në Shkup. Mbreti me karvanin e vet doli në Greqi, nga atje u nis për në Stamboll. Ne u takuam me Zogun në Stamboll, në qershor të 1939-s. Mbreti e pa se nuk mund të vepronte në Turqi, bisedoi me tim atë për të shkuar në Europë. Im atë tha se do të rrinte në Stamboll, se kishte mbaruar Juridikun atje dhe kishte shumë miq. Ne mbetëm në Stamboll. Mbreti Zog lëvizi në të gjithë Europën, Rumani, Bullgari, shkoi në Paris. Atje iu afruan gjermanët. Kur ishte në Paris, një nga kushërinjtë e Mehmet Shehut shkoi dhe takoi Mbretin atje. I tha se janë disa shqiptarë në Jug të Francës dhe kërkoi ndërhyrje. Mbreti kërkoi t’i shkruante një letër Kryeministrit dhe i kërkoi t’i ndihmonte për t’i liruar. Mes tyre ishte edhe Mehmet Shehu. Edhe Enverin, bursa e shtetit e çoi të studionte në Francë.

Janë bërë shumë përpjekje për ta vrarë Mbretin, prej të cilave tri kanë qenë shumë serioze. Pse donin ta vrisnin?

Ai të gjithë rojet e tij i kishte matjanë. Ata ishin besnikë, sakrifikuan jetën e tyre për Mbretin dhe Mbreti nuk kishte frikë. Doja të thosha, kur ishte në mërgim, nuk kishte rrezik. Ka ardhur spiuni Isuf Mullaj, gjoja për të vrarë Ahmet Zogun. Ai e ka pranuar se ka punuar për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën. Unë e kam kërcënuar.

Çfarë ishte ai në Bruksel?

Ai ishte sekretar i degës së Legalitetit. Njëherë e ka takuar Mbretin, ka dashur ta puthte në ballë.

Pse e quani tradhtar?

Sepse merrte biografitë tona dhe i sillte këtu. Familjet e refugjatëve ishin persekutuar vetëm nga njoftimet e tij. Ka qenë edhe një spiun tjetër, Hasan Luçi, ai jeton akoma. Edhe ky kërcënonte shqiptarët. Thoshte do ktheheni ose do burgosim familjarët tuaj. Një nga të rinjtë tanë, Ylli Spahia, e rrahu keq atë.

Kur e morët vesh që në Shqipëri ishte botuar romani “Mërgata e qyqeve”, si e pritët?

Ai roman nuk kishte asnjë vlerë, të gjitha ishin shpifje. Efektin e ka bërë në Shqipëri.

A kishte mundur Sigurimi i Shtetit të afrohej te Zogu dhe të kërkonte eliminimin e tij?

Jo. Hasan Luçi shkroi se dy oficerët e Zogut ishin të Sigurimit. Njëri prej tyre gatuante për Mbretin dhe ai kishte mundësi ta helmonte, këto janë të gjitha përralla.

A pati pasoja Mbreti nga Sigurim i Shtetit?

Jo nuk ka pasur. Unë di vetëm diçka: Kam qenë në Prizren kur ka ardhur Lord Julian Emory. Ai i tha Mbretit pse nuk bashkëpunon me Titon? Mbreti tha se nuk kam punë me të. Tito po sulmon shqiptarët, në fund të fundit, Enveri është shqiptar, ai është yni, ju mos u përzieni. Anglezët nuk na kanë ndihmuar ne. Zogu e shprehu “Më mirë të rrijë Enveri, se të bashkëpunoj me serbët”. Anglezët asnjëherë nuk tregonin të vërtetën. E treguan më vonë me Filbin.

Si mbështetet teza se Kim Filbi spiunoi?

Sigurimi i Shtetit nuk ka pasur gisht aspak. Filbi ka qenë kryetar i operacioneve. Ai merrte planet dhe ua jepte sovjetikëve. Sigurimi i Shteti nuk ka ditur gjë. Rusët lajmëruan Sigurimin e Shtetit këtu dhe i kapën të gjithë.

Çfarë thoshte Mbreti për të?

Mbreti e zbuloi vonë këtë punë. Kur e zbuluan, kur i kapën dy oficerët Senet Shehun dhe një tjetër, atëherë e morën vesh. Ai kishte një sekret, një kod se si i binte telegrafit. I binte telegrafit me dorën e djathtë. Kur e kapën, ai tjetri i binte me dorën e majtë, nuk ishte i njëjti ritëm. Senet Shehu i kishte dhënë stolitë e veta Nënës Mbretëreshë dhe i ka thënë unë po shkoj, pyetni telegrafistin ku janë stolitë e nënës. Ai që u përgjigj i tha janë në një hotel në Paris. Atëherë e morëm vesh që nuk ishte ai. Ai duhet të thoshte janë te Nëna Mbretëreshë. Atëherë e zbuluam.

Si e pritët lajmin e vrasjes së tyre?

Me trishtim e pritëm. E dëgjuam në radio, nëna e shkretë e dëgjonte dhe nuk na thoshte gjë.

Po për rastin e Xhevdet Mustafës, a keni dijeni?

Ishte rast interesant. Unë nuk e njihja. Shkova në Zelandën e Re për punë. Përpara se të shkoja atje, në Paris erdhi një shqiptar, quhej Fadil Kaceli, ai ishte ballist. Më dha një zarf dhe më tha se kam ardhur nga Italia, më dha 110 dollarë për Lec Shllakun. Ai ka botuar librin dhe ka plotësuar dosjen për sheshin “Skënderbeu” në Paris. Pas disa muajsh, shkova në Zelandë, e telefonova zotërinë, më mori e më çoi te Besim Murati, një pronar i madh. Ai bënte tregti me Enver Hoxhën, shiste mish, lesh nga andej. Besim Murati më tha çfarë bën Leka Zogu, a nuk keni turp që luftoni Enver Hoxhën?! Unë u preka, dhe nuk ia piva kafen. Zbuluam më vonë që zbarkimin me Xhevdet Mustafën këta e kanë planifikuar, ai ka qenë i dënuar në Amerikë për drogë. Ka blerë armë në Belgjikë për të hyrë në Shqipëri. Kur e mori vesh Leka I, lajmëroi se ishte kurth për të pushkatuar Kadri Azbiun. Në Zelandën e Re kanë qenë të gjithë nacionalistët.

Si ju dukej Shqipëria që andej?

Ne rrallë kishim fotografi. Shikonim bunkerët në rrugët e Tiranës. Herën e parë që kam ardhur kemi bërë një tubim në Pallatin e Kongreseve. Atje ishte një arkëtar, një djalë i mirë, ka ndërruar jetë. Ai më nxori një dokument, që Mbreti në 16 vite ka bërë 2 mijë kilometra rrugë. Enveri në 45 vjet ka bërë 400 km rrugë. Rrugët që kam parë këtu kanë qenë që në kohën e Zogut.

Si e komentoi ngjarjen e 3 korrikut 1997?

Mua më kanë lajmëruar gazetarë të huaj në Francë, mendoj se ka qenë gabim, kurth i qeveritarëve këtu në atë kohë. Nuk mund të akuzoj njeri. Unë e pyeta mbretin Leka pse ke dalë si ushtarak? Më tha do protestoja se më kanë vjedhur votat. Por më lajmëruan se po të dalësh, do të të vrasin. Atëherë u vesh si ushtarak dhe tha le të më vrasin si të tillë. Njëri prej tyre shtiu në ajër. Ata të tjerët menduan se është sulmuar. Është vrarë një djalë dhe është plagosur një tjetër. Për mua ishte kurth dhe gabim.

Kush e futi në kurth?

Ata që humbën zgjedhjet. Më duket se i premtuan, protesto dhe do të jemi me ty.

Po thoni Berisha e futi në kurth?

Nuk po them atë, por disa e shtynë Lekën, ia vodhën votat. Vetë Berisha tha se referendumi është manipuluar. Por ai duhet ta thoshte që atëherë se ka fituar monarkia dhe i kanë vjedhur votat. Ai e tha më vonë. Të gjitha agjencitë e thanë se monarkia fitoi me mbi 50% të votave. Mbreti duhet të kishte çuar njerëzit e vet dhe të mos shkonte, sepse vuri në rrezik jetën. Trim ka qenë dhe nuk lëvizi hiç.

Please follow and like us: