Parlamenti polak refuzon ligjin për abortet
Ligjvënësit në Poloni votuan të enjten kundër planit për ndalimin e pothuajse të gjitha aborteve, pas protestave masive që nxitën shumë syresh të ndryshojnë qëndrimin.
Vendimi erdhi pasi një komision parlamentar hodhi poshtë projektligjin për ndalimin e abortit të mërkurën dhe i kërkoi shumicës së djathtë të parlamentit që të ndjekin shembullin e tyre kur të votojnë të enjten.
Parlamenti votoi 352-58 kundër projektligjit për abortin.
Polonia e ka të ndaluar abortin përveç në rastet kur flitet për përdhunime, inceste, kërcënim të jetës së nënave dhe dëmtime të pariparueshme të fetusit. Ligji i refuzuar do të ndalonte abortin në të gjitha shkallët dhe parashihte dënime deri në pesë vjet heqje lirie për gratë dhe mjekët që do të sfidonin atë.
Dhjetra mijëra gra morën pjesë në tubime të hënën, të veshura me të zeza, duke demonstruar nëpër rrugët e qyteteve të Polonisë për të protestuar kundër propozimit.
Jaroslaw Gowin, ministër i Shkencës dhe Arsimit të lartë, tha se protestat “bënë që të mendojmë dhe të përulemi”. Ai i tha agjencisë Associated Press se “nuk do të ketë një ndalim të plotë të abortit”.
Kisha katolike polake me shumë ndikim, i dha vulën e kësaj nisme më herët gjatë vitit, ndonëse peshkopët e saj kundërshtonin burgosjen e grave.
Propozimi për ndalimin e plotë të aborteve pasoi një peticion me nënshkrimet e 450 mijë vetave, ndonëse shumica e 38 milionë banorëve të Polonisë ishte kundër.