Portreti i Putin shpaloset në urën e Manhatanit
Një baner gjigand i Presidentit Vladimir Putin është shpalosur në urën e Manhatanit në Nju Jork nga persona ende të paidentifikuar, për arsye të panjohura.
Portreti i liderit të Kremlinit kishte në sfond flamurin rus dhe atë sirian, si dhe poshtë tij, fjalën ‘peacemaker’ e cila përkthehet një person që sjell paqen.
Nisur nga këto të dhëna, në plan të parë duket se bëhet fjalë për mbështetje të politikave që ka ndërmarrë Putin në Lindjen e Mesme. Megjithatë, autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim zyrtar për të zbuluar më shumë detaje rreth këtij veprimi enigmatik.
Dëshmitarët raportuan se kishin parë dy persona teksa e shpalosnin banerin në urën e Manhatin, të cilët u larguan më pas në drejtim të paditur. Gjithçka ka ndodhur gjatë orëve të mesditës. Më pas, të pranishmit në afërsi të vendit të ngjarjes thanë se kishin njoftuar oficerët e Policisë së Nju Jorkut.
Këta të fundit mbërritën në urën e Manhatanit pas afro një ore duke e hequr portretin e Presidentit Putin. Aktualisht dy personat që mendohet të kenë kryer këtë akt janë shpallur në kërkim. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, por autoritetet kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë për më shumë informacion.
Kjo nuk është hera e parë që ura e Manhatanit përdoret për të përcjellë mesazhe politike. Në vitin 2014, një incident i ngjashëm ndodhi në këtë strukturë e cila lidh Manhatanin me periferinë e Bruklinit, ku disa protestues shpalosën një flamur gjigant palestinez.