SHBA, akuzë Rusisë për sulme me ndikimin në zgjedhjet presidenciale
Qeveria amerikane ka akuzuar edhe formalisht Rusinë, mbi atë që e konsideron si një fushatë sulmesh kibernetike kundër organizatave të Partisë Demokratike. Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo gjë është bërë me qëllim që “të ndërhyhet në zgjedhjet presidenciale të Amerikës”. Sulmet e fundit kibernetike, përfshi ato ndaj “e-mail”-eve janë “në përputhje me metodat dhe motivimin e përpjekjeve të drejtuara nga Rusia”, bëri të ditur Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
Zyrtarët amerikanë thonë se gjatë muajve të fundit, sulme kibernetike që besoheshin të ishin kryer nën orkestrimin e “hacker”-ave të mbështetur nga qeveria ruse, kanë pasur objektiv ndërprerjen e zgjedhjeve, ku kandidatja demokrate Hillary Clinton do të përballet me kandidatin republikan Donald Trump. Disa shtete kanë kapur tentativa “skanimi dhe kontrolli” të bëra ndaj sistemeve të tyre “të lidhura me zgjedhjet”, shton më tej “DHS”. Një numër “e-mail”-esh shqetësuese kanë ardhur vetëm gjatë fushatës presidenciale të këtij viti.
Akuza e drejtpërdrejtë dhe formale vjen në vazhdën e përshkallëzimit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Moskës, mbi një sërë çështjesh dhe mosmarrëveshjesh ndërkombëtare, përfshi këtu edhe akuzën e Amerikës se, sulmet ajrore ruse në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Assad kanë goditur spitalet dhe objektiva të tjerë civilësh në zonat e kontrolluara prej rebelëve në Aleppo, duke nxitur edhe ndërmarrjen e një hetimi për krime lufte.