SHBA e shqetësuar me lirinë e medias në Kazakistan
Ambasada e SHBA-së në Astana ka shprehur shqetësimin mbi dënimin e kreut të Unionit të Gazetarëve në Kazakistan dhe djalit të tij.
Seitqazy Mataev dhe djali i tij Aset, që është drejtor i agjencisë së lajmeve KazTAG, janë dënuar me gjashtë, respektivisht pesë vjet burgim.
Të dy janë gjetur fajtor për shpërdorim të fondeve dhe evazion fiskal.
Përmes një deklarate për media, SHBA ka shprehur shqetësimin se dënimi i tyre “tregon” për pengesat ndaj “mediave të pavarura dhe për lirinë e shprehjes në Kazakistan”.
“Ne ndajmë shqetësimin ndërkombëtar mbi ngushtimin e hapësirës për media të pavarura në Kazakistan. Në frymën e partneritetit mes SHBA-së dhe Kazakistanit, ne i bëjmë thirrje qeverisë kazake që të mbështesë lirinë e shprehjes dhe të mbajë procese të rregullta për të gjithë qytetarët, si një e drejtë themelore demokratike”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane në Astana.