SHBA, Kerry: Rusia e Siria të hetohen për krime lufte
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërkoi këtë të premte një hetim për krime lufte ndaj Rusisë dhe Sirisë, për shkak të sulmeve të tyre ndaj civilëve sirianë, duke shfaqur edhe më tej shenja të spirales së errët të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës.
Kerry u shpreh se forcat siriane kanë shënjestruar një spital gjatë natës, duke lënë të vdekur 20 persona dhe plagosur 100 të tjerë, duke e përshkruar këtë si sulmi i fundit i Moskës apo aleatit të saj, Damaskut, ndaj shenjestrave civile.
“Rusia dhe regjimi sirian i detyrohen botës më shumë sesa një shpjegim se pse po vijojnë të godasin spitalet dhe godinat mjekësore, përfshi këtu edhe femrat e fëmijët”, tha Kerry për reporterët, gjatë një konference bashkë me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, i cili mbërriti në Uashington menjëherë pas takimit me zyrtarë rusë në Moskë.
Kerry shtoi se akte të tilla “lipsin të ndërmerret një hetim për krime lufte”.
“Tashmë ato shkojnë përtej një rasti aksidental, shumë më larg sesa kaq”, tha Kerry në atë që konsiderohet si një prej kritikave më të ashpra deri më sot. Ai akuzoi Rusinë dhe Sirinë se po ndërmarrin një strategji shënjestrimi me synim “terrorizimin e civilëve”.
Ayrault, nga ana e tij, foli për një përpjekje të re franceze për një armëpushim të mundshëm në Siri. Por, ende mbetet e paqartë se çfarë avantazhesh do të kishte plani i tij mbi procesin e udhëhequr nga ruso-amerikanët, që u shemb muajin e kaluar.
Marrëveshja e 9 shtatorit mes Kerryt dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duhej të kishte krijuar një aleancë të re antiterrorizmi në Siri, të ndaleshin luftimet për një javë dhe të dërgoheshin ndihma humanitare për civilët e dëshpëruar në zonat e kontrolluara prej rebelëve në Aleppo, por edhe qytete të tjera të rrethuara. Asnjë prej këtyre kushteve nuk u përmbush ndonjëherë.
Armëpushimi u shkel tërësisht kur Siria dhe Rusia rikthyen ofensivat e tyre ushtarake në Aleppo. Kerry i dha fund diskutimeve dypalëshe me Rusinë mbi partneritetin ushtarak më herët gjatë kësaj jave.
Lufta civile në Siri ka vrarë më shumë se gjysmëmilioni njerëz që prej vitit 2011, duke shkaktuar edhe krizën më të rëndë të refugjatëve në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore, si dhe duke lejuar grupin e Shtetit Islamik të shtinte në duart e tyre territore të tëra për t’u kthyer në një kërcënim terrorist global.
Ndërkohë që Kerry dhe Ayrault flisnin nga Departamenti amerikan i Shtetit, dhoma e ulët e Parlamentit të Rusisë ratifikoi një traktat të ri me Sirinë, që i lejon ushtrisë ruse të qëndrojë për një kohë të pacaktuar në vendin arab. Duma votoi në unanimitet, duke dhënë kështu sinjalin e një mbështetjeje të pakompromistë ndaj qeverisë së presidentit sirian të Bashar al-Assadit.
Rusia e nisi fushatën ajrore në Siri mbi një vit më parë, duke kthyer fatet e luftës civile dhe duke ndihmuar forcat e Assadit të korrin fitore të rëndësishme në terren.