Albspirit

Media/News/Publishing

A po shkon Britania e Madhe drejt dështimit të radhës? 

A po shkon Britania e Madhe drejt dështimit të radhës ? 

Britania e Madhe ka qartësuar pozicionin e saj mbi rrugën, që do të ndjekë për t’u shkëputur nga BE. Kryeministrja britanike, Tereza Mei ka prezantuar në Kongresin e përvitshëm të konservatorëve edhe planin qeveritar në këtë kuadër. Një plan, që përfshin tre faza: kohën, procesin e aktivizimit për dalje, dhe vizionin qeveritar për Britaninë pas Brexit.

Në lidhje me momentin se kur do të tërhiqet Britania e Madhe nga BE, tashmë është bërë e ditur se, nuk do të ketë një tërheqje të njëanshme dhe të menjëhershme, por pritet që aktivizimi i nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, të kryhet deri në fundin e muajit mars, 2017. Kjo periudhë kohe, do të shërbejë për zhvillimin e strategjisë së negocimit, deri sa objektivat britanikë të kenë marrë një formë të qartë.

Procesi i aktivizimi të nenit 50, që mundëson procedurën e daljes, sipas kryeministres Tereza Mei, është kompetencë vetëm e qeverisë britanike. Duke përjashtuar në këtë mënyrë, jo vetëm parlamentin dhe rolin, që ai mund të luajë në interpretimin e rezultatit të referendumit, por duke kundërshtuar në këtë mënyrë, edhe atë pjesë të opinionit publik dhe politik, që kërkon një mënyrë për të reflektuar mbi vendimin për daljen e Britanisë, si edhe procedurat juridike në proces e sipër që janë ndërmarrë, për të bërë të mundur ndaljen e procesit të daljes.

Në momentin që procesi i tërheqjes nga BE do të aktivizohet, atëherë në Parlamentin britanik do të depozitohet Akti i Madh i Shfuqizimit, që nënkupton tërheqjen njëherë e përgjithmonë nga të gjithë aktet ligjore, që burojnë nga legjislacioni i Komunitetit Evropian, ku Britania ka aderuar në vitin 1972.

“Ligji historik, që do të përfshihet në Fjalimin e radhës së Mbretëreshës, do të thotë se akti i vitit 1972, legjislacioni që i jep efekt të drejtpërdrejtë të gjithë ligjeve të BE në Britani, nuk do të zbatohet më që nga data që ne, do të lëmë formalisht Bashkimin Evropian. Dhe efektet e tij do të jenë të qarta. Ligjet tona nuk do të bëhen më në Bruksel, por në Westminster. Gjykatësit që interpretojnë këto ligje nuk do të jenë të ulur në Luksemburg, por në gjykatat e këtij vendi. Autoriteti i ligjit të BE në Britani do të marrë fund.” (Fjalimi i kryeministres britanike, 2.10.2016)

Në momentin që legjislacioni që i jep efekt të drejtpërdrejtë ligjeve të BE në Britani do të shfuqizohet, trupi legjislativ i BE, do të konvertohet në ligjin britanik.

“Por, duke konvertuar trupin legjislativ të BE, në ligjin britanik, ne do t’i japim bizneseve dhe punëtorëve siguri maksimale, teksa do të lemë Bashkimin Evropian. Të njëjtat rregulla dhe ligje do të zbatohen mbi to, pas Brexit, njësoj si më parë. Çdo ndryshim në ligj, do të jetë subjekt i shqyrtimit të plotë dhe i debatit të duhur parlamentar. Dhe më lejoni të jem absolutisht e qartë: të drejtat ligjore ekzistues të punëtorëve  do të vazhdojnë të jenë të garantuara me ligj, dhe do të jenë të garantuara për sa kohë unë do të jem Kryeministre.”(Fjalimi i kryeministres britanike, 2.10.2016)

Vizioni, mbi Britaninë e pas Brexit, skicon një Britani Globale, që do të ketë “lirinë për të parë përtej kontinentit Evropian, në mundësitë ekonomike dhe diplomatike në mbarë botën.”

Ndërsa vizioni britanik mbi marrëdhënien e ardhshme, që do të krijohet me Bashkimin Evropian do të jetë një vizion i një vendi: “Tërësisht të pavarur dhe sovran, një vendi që nuk është më pjesë e një unioni politik me institucione mbi-kombëtare, që mund të kontrollojnë parlamentet kombëtare dhe gjykatat. Dhe kjo do të thotë se, ne do të kemi edhe një herë, lirinë të marrim vendimet tona, në një mori të tërë çështjesh të ndryshme, që nga mënyra se si i etiketojmë ushqimet tona deri tek mënyra që zgjedhim për të kontrolluar imigracionin. ”

Në fakt, vërehet se, Liria për të vendosur mbi mënyrën se, si kontrollohet imigracioni, vjen e  ritheksuar dhe e përforcuar disa herë në fjalimin e Kryeministres britanike. Një përforcim, që merr forcën e një interesi kombëtar, që do të jetë i rëndësishëm në procesin e negocimeve të daljes së vendit nga BE.

“Ne do të bëjmë atë që vendet e pavarura dhe sovrane bëjnë. Ne do të vendosim për vetveten se, si ne e kontrollojmë imigracionin. Dhe ne do të jemi të lirë të kalojmë ligjet tona.” …”Ne nuk po e lëmë Bashkimin Evropian, vetëm që të heqim dorë sërish mbi kontrollin e imigracionit. Dhe ne nuk po ikim, që t’i rikthehemi juridiksionit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Por, në ditët në vijim të Kongresit të Konservatorëve deklaratat e Kryeministres britanike, kanë shfaqur një qëndrim shumë më të ashpër për sa i përket politikës, që do të ndiqet në lidhje me imigracionin. Një gjuhë, që ka shfaqur shenja të përbashkëta me retorikën e partive ekstremiste të djathta, si UKIP në Britani.

“Nëse jeni pa punë apo nëse keni një rrogë të ulët për shkak të imigrantëve jo të kualifikuar, jeta nuk është e drejtë”, ka deklaruar ajo në hyrje të fjalimit të saj. Një komentim, që nuk ka qenë i vetmi në vazhdën e një sërë komentesh negative dhe armiqësore ndaj imigrantëve në vend, që janë bërë përgjatë kongresit jo vetëm nga kryeministrja britanike, por edhe nga një sërë ministrash të kabinetit të saj. Nga ku do të spikaste deklarata e Ministres së Brendshme, Amber Rud se do t’ua vështirësonte jetën atyre ndërmarrjeve që punësojnë punëtorë të huaj, duke i detyruar ato të publikojnë listën e të gjithë punonjësve të tyre.

Në fjalimin e saj, Kryeministria britanike, shpalosi dhe qëndrimin që do të mbajë qeveria e saj ndaj refuzimeve, që kanë ardhur nga kombet përbërës të Britanisë së Madhe, si Skocia, apo Irlanda e Veriut, për të mos e lënë Bashkimin Evropian. Duke konfirmuar se, i përket vetëm qeverisë britanike të kryejë negociatat dhe se, nuk do të ketë asnjë marrëveshje speciale për pjesë të ndryshme të vendit:

“Detyra e negocimit të marrëdhënies sonë të re është detyra e qeverisë. Sepse, ne votuam në referendum si një Mbretëri e Bashkuar, ne do të negociojmë si një Mbretëri e Bashkuar, dhe ne do ta lëmë Bashkimin Evropian si një Mbretëri e Bashkuar. Nuk ka asnjë opsion përjashtues nga Brexit. Dhe unë nuk do të lejojë kurrë që ndasi nacionaliste të minojnë unionin e çmuar mes katër kombeve të Mbretërisë sonë së Bashkuar.”

Arroganca e pushtetit

Fjalimi i Kryeministres britanike Tereza Mei, ka ngjallur një sërë reagimesh kundërshtuese, jo vetëm për mënyrën e të konceptuarit për dalje nga BE, duke shpërfillur tërësisht interesat që duhet të përfaqësoheshin në këtë fjalim, e të paktën 48% të popullsisë, që shfaqi dëshirën për të qëndruar në Union, duke përfshirë këtu edhe gjeneratën e re që votoi për qëndrimin, por edhe për huazimin jo vetëm të retorikës së ekstremeve të djathta por deri edhe të programeve të tyre, sidomos ato që lidhen me imigracionin, madje edhe ndaj pozicionimeve me tendenca të pastra nacionaliste.

Nëse rikthemi në kohë fjalimi i saj, risjell në kujtesë, fjalimin e mbajtur nga paraardhësi i saj Kameron në janar të vitit 2013, teksa shpalli ambicien e tij për zhvillimin e një referendumi për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, në rast se BE do të refuzonte të merrte parasysh rishikimin e interesave të caktuara të Britanisë së Madhe në Union.

Së pari, ky përngjasim vjen me mënyrën e konceptimit të fjalimit të saj, por edhe në deklaratat e ndryshme gjatë Kongresit, që po njësoj si edhe fjalimi i Kameron, synojnë një shuarje të përplasjeve mes dy rrymave ekzistuese brenda radhëve të konservatorëve, mes euro-skeptikëve të pa-kompromis dhe atyre të moderuar. Në një klimë politike, ku vendi është i përçarë mes dëshirës për qëndrim dhe dalje, me instanca që kanë nisur një proces juridik për të mundësuar bllokimin e rezultatit që imponon referendumi, por edhe me një situatë jo të favorshme që shkaktoi i gjithë ky proces në vend, tensionet, kundërshtitë dhe përplasjet brenda partiake nevojiten të shuhen apo të qetësohen momentalisht.

Së dyti, ky përngjasim vjen nëpërmjet një arrogance politike, që edhe pse mund të jetë e justifikuar në kuptimin e forcës që Britania e Madhe ka dhe mbart në skenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare, ajo ka rezultuar e dëmshme, sidomos kur vjen e kombinuar me elementë të kokëfortësisë të pajustifikueshme. Ishte kjo kokëfortësi dhe arrogancë politike, që imponoi tek Kameron çuarjen e vendit drejt kryerjes së referendumit, edhe pse shumica e kërkesave të tij u plotësuan nga Unioni dhe ai i kishte të gjitha mundësitë të mos e çonte vendin në kryerjen e tij. Të njëjtën arrogancë dhe kokëfortësi e gjejmë të reflektuar edhe në gjuhën e kryeministres britanike që konfirmon, se do të ndjekë një rrugë të “ashpër” në negocimet me BE, duke mos u tërhequr nga pozicioni politik për kontroll të plotë të imigracionit si edhe për të mos njohur Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Së treti, përngjasimi vjen nga rezultati i njëjtë, që mund të projektohet. Një projektim, që mund të rezultojë të ketë të njëjtin epilog, duke marrë parasysh disa faktorë. Fillimisht, nuk duhet harruar se, kur ish drejtuesi konservator Kameron shpalli ambicien për zhvillimin e një referendumi, dhe më pas u fut në një seri negocimesh me BE, në mbyllje të procesit, edhe pse nuk kishte marrë tërësisht atë që kishte kërkuar nga BE, në politikën e brendshme ai e përktheu si tërësisht të kënaqshme mbylljen e negociatave, duke deklaruar jo vetëm se, objektivat britanikë ishin plotësuar tërësisht, por edhe duke u angazhuar në një fushatë për qëndrimin e vendit në BE.

Aktualisht, Britania e Madhe, kërkon të jetë pjesë e Tregut të Përbashkët. Mirëpo ky Treg, funksion duke u bazuar në një sistem rregullash që përfshijnë sa sigurinë e të mirave dhe shërbimeve, por edhe konkurrencën, normat si edhe standardet e saj. Këto rregulla, standarde dhe parime, që duhet të zbatohen nga të gjithë vendet, që bëjnë pjesë në këtë Treg, mbikëqyren dhe arbitrohen nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Dhe ky Treg nuk mund të funksionojë në rast se nuk njihet autoriteti juridik që imponon roli mbikëqyrës i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Britania e Madhe kërkon të jetë pjesë e Tregut të Përbashkët, por të mos njohë Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Pra, është njësoj, si të jesh pjesë e Këshillit të Evropës dhe të mos njohësh autoritetin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ?!

Por, Britania e Madhe nuk i ndal këtu kërkesat e saj, pasi kërkon gjithashtu që të kontrollojë plotësisht imigracionin në vend. Tregu i Përbashkët, funksionon duke u bazuar në katër liri kyçe: liria e qarkullimit e të mirave, e shërbimeve, e kapitaleve dhe e personave. Në rast se njëra prej këtyre lirive pengohet Tregu nuk mund të funksionojë. E njëjta logjikë, vlen edhe për njohjen e autoritetit të Gjykatës evropiane të Drejtësisë, që Britania e refuzon.

Por, si do të pozicionohet Bashkimi Evropian ?

Reagimi i Kancelares gjermane Merkel ishte i menjëhershëm, këtë të mërkurë, duke theksuar se aksesi i plotë në Tregun e Përbashkët është i lidhur me pranimin e katër lirive themelore, duke përfshirë lirinë e lëvizjes së personave dhe nuk mund të ndahet nga kjo liri. Po në këtë linjë janë pozicionuar edhe krerët e institucioneve më të larta të Unionit. Në ndryshim nga klima e fillimit, të pas referendumit, që u shoqërua me një acarim të logjikshëm në BE, aktualisht kemi një lloj mirëkuptimi të pozicionit britanik, që vjen në kuptimin edhe të marrjes parasysh një pjese të mirë të publikut britanik (48%) që ka votuar për të qëndruar në Union, sidomos të gjeneratës së re.

Por, hapësira nuk është shumë e gjerë për të lejuar një plotësim tekash të politikës britanike, sipas oreksit të radhës. Një sërë vlerësimesh, konsiderojnë se në rast se do të ndiqet politika e një “vendi tërësisht të pavarur dhe autonom” në negociata me BE, atëherë Britania e Madhe duhet të pozicionet në rolin që ka aktualisht SHBA apo Kanada, në përpjekje për të nënshkruar marrëveshje tregtare. Përpjekje, që po rezultojnë të vështira dhe që zgjasin prej vitesh në kohë. BE e ka të pamundur të plotësojë kërkesat britanike për marrëveshje speciale më të, së pari në kuptim logjik pasi është e pamundur, të kërkosh të jesh pjesë e një mekanizmi, që nuk njeh autoritetin mbikëqyrës dhe rregullues të saj, së dyti në rast se krijohen rrethana të “çuditshme” përjashtuese, nuk është ky mesazhi që Unioni kërkon t’i përcjell vendeve të tjera, që mund të kërkojnë të njëjtën zgjidhje preferenciale në lidhje me BE. Është njësoj si t’i ofrosh një mekanizëm shkatërrimi dhe shpërbërje të shpejtë çdo vendi anëtar, dhe sidomos politikave ultra-konservatore, që e ëndërrojnë një gjë të tillë, pasi nuk do të ishte veçse fillimi i një fundi të pashmangshëm.

Please follow and like us: