Albspirit

Media/News/Publishing

BE: Zgjedhjet e lira më 11 Dhjetor, kusht për zgjidhjen e krizës

CADCC8ED-374B-44BB-9CD4-DED24D821C8F_cx0_cy6_cw0_w987_r1_s_r1

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parashikuara për më 11 Dhjetor, janë thelbësore për të ardhmen e Maqedonisë dhe ato doemos duhet të mbahen, në atmosferë të lirë dhe demokratike. Kështu kanë porositur përfaqësuesit ndërkombëtarë duke komentuar informacionet jozyrtare rreth mundësisë së shtyrjes së zgjedhjeve për herë të tretë gjatë këtij viti.

Përplasjet mes partive politike për punën e Prokurorisë Speciale, e cila po heton dhjetëra zyrtarë të lartë për vepra të rënda penale dhe një nismë në Gjykatën Kushtetuese për shuarjen e këtij institucioni, kanë ngritur dilemat se partitë në pushtet, për t’i ikur përgjegjësisë para këtij institucioni, po përgatiten për një shtyrje të re të zgjedhjeve.

Një fushatë fer me zgjedhje të besueshme në dhjetor janë kushti kryesor dhe hapi i parë i zgjidhjes së krizës së gjatë politike. Kjo krizë ka goditur seriozisht jo vetëm sistemin politik, por edhe themelet e sundimit të së drejtës dhe të rendit demokratik, duke paralizuar vendin një kohë të gjatë”, ka deklaruar shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Maqedoni,Samuel Zhbogar.

Mesazhe për rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve pritet të përcjell edhe komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë i BE-së, Johannes Hahn, gjatë vizitës që pritet të realizojë nga fundi i javës së ardhshme në Shkup.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se vizita e komisionarit Hahn mund të jetë vendimtare në vulosjen e datës së zgjedhjeve.

“Komisionari Hahn vjen me qëllim të përforcimit të datës së zgjedhjeve në dhjetor, pasi dy partitë qeverisëse, VMRO dhe BDI, tashmë kanë filluar me obstruksionet e tyre të njohura kundër procesit të zgjidhjes së krizës. Pra, vlerësoj se janë paraqitur shenjat e para se ato ndoshta nuk janë të kënaqura me datën 11 dhjetor, duke tentuar që zgjedhjet parlamentare t’i bashkojnë me ato lokale, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”.

“Por, nga ana tjetër është e qartë se opozita nuk ka asnjë interes për shtyrjen e mëtejme të zgjedhjeve pasi tani janë plotësuar kushtet që janë paraparë me aneksin të fundit të marrëveshjes që u zyrtarizua në takimin e partive politike”,thotë për Radion Evropa e Lirë, Stevo Pendarovski, profesor universitar dhe ish-kandidat për president të Maqedonisë.

Ndërkaq, ish-diplomati Alajdin Demiri, thotë se ndërkombëtarët, si garantues të marrëveshjes politike, do të përcjellin ndoshta mesazhin e fundit për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe zgjidhjen e krizës politike, pavarësisht se kjo mund të mos u shkojë për shtati partive të caktuara.

“Është alarmi i fundit që duhet t’u jepet partive politike në Maqedoni që më në fund të kthjellohen që t’i realizojnë qëndrimet e Marrëveshjes së Përzhinës. Nuk e di a do të insistojë në mbajtjen e zgjedhjeve më 11 dhjetor, por gjithsesi se kjo është ngushtë e lidhur me punën e Prokurorisë Speciale. Shkurt thënë kjo do të jetë ofensiva e fundit që politika maqedonase të mbledhë mendtë dhe të nxjerrë vendin nga kriza”, vlerëson Demiri.

Por, si Demiri, ashtu edhe Pendarovski vlerësojnë se pavarësisht mesazheve të tilla, partitë në Maqedoni, e në veçanti ato në pushtet, nuk do të ndalen në krijimin e, siç thonë, pengesave në punën e Prokurorisë Speciale, e cila për momentin është armiku i tyre më i madh.

Gjendja politike tani një vit e gjysmë është e tensionuar dhe ndoshta edhe më e tensionuar do të jetë deri më 11 dhjetor pasi është i qartë qëllimi tyre, që të vazhdojnë me pengesat në Punën e Prokurorisë Speciale, pasi ky institucion është armiku i tyre më i madh dhe jo opozita. Nga Prokuroria Speciale ato shohin rrezikun më të madh për të gjitha punët që kanë bërë, e të cilat i kemi dëgjuar nga afera e përgjimeve”, thekson Pendarovski.

I të njëjtit mendim është edhe ish-diplomati Alajdin Demiri.

“Kjo është një strategji e partive politike e pushtetit që të shpëtojnë nga ndjekja. Pra, logjika e sulmeve qëndron te paniku i këtyre dy partive që të shpëtojnë nga ndjekja reale, pasi ato e dinë se çfarë krimesh kanë bërë dhe Prokurorinë Speciale e përjetojnë si rrezik të madh”, pohon Demiri.

Edhe pse partitë si datë të zgjedhjeve kanë caktuar 11 dhjetorin, megjithatë, kjo duhet të dekretohet nga Kuvendi i Maqedoni, i cili vendimin duhet ta sjellë pas datës 12 tetor, apo më së voni 60 ditë para zgjedhjeve, nëse si datë përfundimtare caktohet ajo për të cilën janë marrë vesh partitë, më 31 gusht.(REL)

Please follow and like us: