FERDINAND GJYLI, MEKANIKU DUARARTË DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I “VATRËS” NË TAMPA BAY
Jeta e Ferdinand Gjylit, lindur dhe rritur në qytetin e Vlorës, me madhështinë e gjelbërimit të përhershëm të ullinjve dhe lartësisë së Kus Babasë, mbrujti cilësitë e respektit dhe dashurisë për njerëzit dhe punën, trashëguar nga prindërit e tij të nderuar, Llazar dhe Gjinovefa Gjyli.
I rritur në një familje punëtorësh, zanatçinjsh dhe njerëzish fisnikë, Fedinandi qëndroi pranë të atit, të cilit i “hanin” duart për punë. Ai mishëroi tek i biri dashurinë për profesionin e bukur dhe interesant të elektroudit.
Pas përfundimit të shkollës së mesme të përgjithshme “Ali Demi”, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat, krahas pasionit për t’u bërë basketbollist, falë shtatlartësisë, duke fituar përditë fansa, nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur, Vladimir Mustafaj, shumë shpejt brenda tij, po rritej dhe hidhte shtat dashuria për profesionin e elektroudit.
Në fillim ai nis punën si motorist në parkun e bonifikimit, duke mësuar shumë shpejt të fshehtat e këtij profesioni. Shpesh, Ferdinandi apo Fredi siç e njohin tashmë të gjithë në zonën ku shtrihen qytetet Tampa, Saint Petersburg, Largo, Clearuotër, Nju Port Riç… qëndronte, studionte dhe vinte në praktikë të rejat e elektroudit deri natën vonë, pranë të atit të tij, Llazarit.
“Dardha, bie nën dardhë” thotë populli. Aftësitë e këtij profesioni, të cilin e zotëronte me shumë pasion djaloshi 24 vjeçar, e bënë të njohur shumë shpejt në mjedisin vlonjat, duke fituar dashamirësinë dhe fjalët më të mira të banorëve të këtij qyteti.
Në moshë fare të re, Ferdinad Gjyli, njihet si novator i talentuar, duke befasuar madje mjaft mjeshtra të këtij profesioni. Ai nderohet me titullin “Mjeshtër”. Nga duart e tij të arta, prodhohet e para bankoprovë në Shqipëri për profesionin e elektroudit. I ati bëhet me krahë dhe i lumtur që profesionin e tij, tashmë po e trashëgon i biri.
Pas viteve 90-të, si shumë bashkëmoshatarë të tjerë, Fredi shkon për të punuar si emigrant në Greqi. Por, të ardhurat financiare që fitonte, nuk e përballonin jetesën e familjes së tij. Në këto kushte ai arriti të sigurojë një vizë pune për në SHBA. Ishte vjeshta e vitit 1999, kur ai largohet nga familja, të afërmit, shokët… nga Shqipëria, për t’u vendosur përfundimisht në qytetin Clearuotër, të shtetit të Floridës, ku më pas integrohet familjarisht në jetën amerikane.
Aty nis të punojë si mekanik. Puna cilësore, përkushtimi dhe korrektësia e treguar ndaj klientëve, bëjnë që ai të hapë servisin e tij, madje të punësojë edhe zanatçinj të profesionit të mekanikut, si dhe shumë shqiptarë. Krahas shqipes, ai zotëron mjaft mirë greqishten, anglishten dhe spanjishten, çka bëjnë që të komunikojë mjaft mirë me klientë të kombësive të ndryshme. Prej dhjetë vjetësh ai punon në këtë servis duke synuar që çdo klienti të mos i mungoj as “maja e gjilpërës” dhe të jetë i kënaqur me punën që ai kryen.
Ndërkohë, në këtë servis, të tërheqin vëmendjen dhe dy djemtë e tij, Mario, i cili po studion në vitin e fundit inxhinieri elektronike dhe kompjuter, si dhe Antonio, i cili studion për inxhinieri elektrike. Të dy ndjekin këshillat dhe sugjerimet e atit të tyre, duke i qëndruar punës te koka. Por, Fredi kurrsesi nuk harron të thotë fjalë mirënjohje e respekti edhe për bashkëshorten e tij të nderuar Kozeta, e cila jep një ndihmesë të pakursyer ndaj familjes.
Kudo, në rrugë, në kafe Star baks, në vende pune apo në kohën e lirë, kur jo pak shqiptarë mblidhen në mes tyre, padyshim që biseda do të rrokë dhe emrin e mekanikut duarartë Ferdinand Gjyli, duke e pagëzuar atë si “doktor” të makinave. Mjaft klientë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia, Kuba e vende të tjera, të thonë se makinën për çdo defekt e çojnë te Fredi, sepse aty kanë siguri, cilësi, korrektësi dhe nuk është i shtrenjtë si në serviset e tjera. Gjithçka për këtë ecuri të suksesshme, Fredi ja dedikon mbi gjithçka trashëgimisë së të atit, Llazarit, por njëherazi synon që ky profesion të jetë i suksesshëm dhe te dy djemtë e tij.
Vitet ikin duke ndjekur njëra-tjetrën…ndoshta tek ai qëndrojnë si prush i ndezur, malli, nostalgjia… Zemra ndien qytetin ku u rrit dhe hodhi shtat, për t’u kthyer një ditë përfundimisht. Për ndjenjat që i trazojnë shpirtin, i gëzuar ai tregon foto nga shtëpia e re që po ndërtohet sapo kalon tunelin e Ujit të Ftohtë, buzë bregut, me shikim nga deti.
Në qytetin e Clearuotërit, ku prej dymbëdhjetë vjetësh Fredi ka shtëpinë e tij, përherë është mes miqve e shokëve, madje nuk mungon në çdo aktivitet artistik e përvjetor. Ai është i kudondodhur në komunitetin shqiptar të Floridës, në veçanti të degës së “Vatrës” në Tampa Bay. Nuk harron të shprehë respekt e fjalë mirënjohje për drejtuesit e kësaj dege nën përkushtimin e të cilëve, u hap e para shkollë shqipe në Florida, si dhe përgatitjet që kanë nisur qysh tani për festat e Nëntorit, ku shqiptarët do të festojnë si gjithmonë së bashku, ku vallen e këngën shqiptare, do e pasurojë edhe më shumë prania e këngëtarëve të njohur, si: Irma Libohova, Ylli Baka etj.
Ferdinand Gjyli, njeriu fjalëpakë, i çiltër, njihet në veçanti dhe për vlerat e tij bamirëse e humanitare. Kryetari i degës “Vatra” Tampa Bay, Tasim Ruko, flet me optimizëm për vlerat që mbart Fredi, të cilat me të drejtë e kanë bërë të njohur në mjaft qytete të shtetit të Floridës. Ai është i kudondodhur si anëtar, aktivist, njeri me zemër të madhe dhe human. I gatshëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë, si moralisht dhe financiarisht me një fisnikëri të adhurueshme, pa zhurmë e bujë. I tillë është Ferdinand Gjyli, vlonjati me duar të arta, njeriu i mirë, human, bamirës, aktivisti i palodhur i shoqatës “Vatra” në Tampa Bay, në Shtetin e Floridës.
FADIL SHEHU, FLORIDA