Mos mi prek plehrat!
Valbona Nathanaili
Më vitin 2005, në ShBA, politikani Al Gore, mban një fjalim që ka hyrë në histori, rreth krizës globale klimaterike, fjalim që shumë shpejt u shndërrua në dokumentarin me titull Një e vërtetë shqetësuese. Ndonëse fjalimi ishte i mrekullueshëm, për Chris Anderson, autor i “Fjalimet TED” (Botimet “Pema”, Prishtinë, 2016), pati një problem: Politikani Al Gore i drejtohej një vendi ku gjykimi formohet mbi bazën e instinkteve partizane, të afta të ndërtojnë barriera të pakapërcyeshme për propagandën e anës tjetër. Në ShBA, gjithmonë sipas Anderson, gjysma e vendit u lidh më shumë se kurrë me Gore dhe përqafuan Të vërtetën shqetësuese duke ndryshuar, përgjithmonë, pikëpamjet për klimën, ndërsa gjysma tjetër thjesht mbylli çdo kanal komunikimi me këtë pikëpamje.
Më vitin 2016, 11 vjet më vonë, situata e mësipërme përsëritet në Shqipëri, ndonëse sigurisht jo në të njëjtat përmasa, sikundër drejtohet nga synime krejt të ndryshme. Politikani Edi Rama, përfaqësues i një grupimi të majtë, për më tepër në pushtet, flet, lart e poshtë, në çdo studio televizive të mundshme dhe çdo hapësirë me pak gjelbërim në sfond, – pavarësisht llojit të gjethes që i jep ngjyrë, – se nga dallojnë plehrat nga mbetjet dhe na akuzon ne, shtetasit e shtetit që është zgjedhur të drejtojë, sa pak plehra a mbetje bëjmë, aq pak sa nuk jemi në gjendje të kënaqim biznesin e kësaj fushe dhe, për këtë arsye, duhet të importojmë nga jashtë. Pjesa partizane e rreshtuar në krahun e kryeministrit dhe që i bashkohen toneve të larta të pakënaqësisë së tij edhe për këtë paaftësi tonën, janë, si në rastin e ShBA, krahu i tij politik, krah të cilit i janë shtuar edhe disa të ashtuquajtur specialistë që e vetmja gjë që i shtojnë tablosë së kryeministrit është se sa vjet i duhet një shisheje plastike të eliminohet në mënyrë natyrale, ndërkohë që të gjithë bashkë e bëjnë kauzën edhe më tepër dyshuese, në mos i japin përmasat e groteskut.
Në rastin e ShBA, faktori më i rëndësishëm që rezultoi në një mos-aprovim publik nga gjysma e popullsisë ishte vetë Gore, politikani, që e bënte kauzën të mos tingëllonte e vërtetë: “Klima, që duhej të ishte objekt studimi i shkencës dhe shkencëtarëve, tragjikisht, u bë vijë ndarjeje për rreshtim në këtë apo atë kamp politik, – argumenton Anderson.” Edhe pse Gore fliste në emër të përfitimit të publikut!
Në rastin tonë, faktori i vetëm që rezulton në një mos-aprovim publik të më shumë se gjysmës së popullsisë është vetë Rama, politikani, që e bën kauzën në rastin më të mirë sipërfaqësore dhe, në rastin më të keq, të dyshimtë. Në rastin më të mirë mund ta akuzosh për paaftësi; në rastin më të keq për devijim nga interesat e njerëzve që e kanë vënë në krye të vendit dhe kërkojnë prej tij ta drejtojë me përgjegjshmëri, sinqeritet e dashuri. Që kërkojnë prej tij të flasë edhe në emër të publikut dhe boll më në emër të privatit. Ose, përndryshe, ta japë me koncesion edhe postin e kryeministrit deri në zgjedhjet e ardhshme dhe shpëtojmë të dyja palët nga njëri-tjetri. Në këtë mënyrë, edhe teza e djathtë liberale “Partneritet privat-publik” bëhet perfekt.
Sigurisht që është tepër të thuash se ka shqiptar që nuk do riciklimin e ripërdorimin e çdo shisheje plastike që mbulon sipërfaqet e lumenjve dhe të çdo qeseje plastike që mbulon sipërfaqe të tëra toke, ose shndërrimin e çdo landfilli të qelbur në një pyll me pemë dhe zbatimin e çdo ideje tjetër inovative në këtë fushë. Por asnjë nuk e do këtë riciklim e ripërdorim në emër të kauzës që ka dalë të mbrojë e të promovojë kryeministri ynë i majtë.
Suedia është një nga vendet me përqindjen më vogël të depozitimit të plehrave e mbeturinave në landfill. Disa uebe japim shifrën 1%. Por ka disa vite që vendi ka ngritur duart lart: “I mbaruam të gjitha plehrat tona. Nuk ka vend ku mund të shohësh një mbeturinë a një mbetje, ose më mirë nuk ka mbeturinë a mbetje që nuk shkon atje ku duhet dhe ku shërben përsëri.” Suedia sot importon plehra e mbetje nga Britania dhe Italia dhe, përsëri, debati i publikut në lidhje me këtë procedurë është i hapur dhe i diskutueshëm (Të dy shtetet harxhojnë më pak duke i eksportuar plehrat në Suedi, se sa t’i depozitojnë në landfill në vendin e tyre). Është përsëri shumë e thjeshtë të heqësh paralele me vendin tonë: kur të mbarojnë të gjitha plehrat e mbetjet në çdo cep të Shqipërisë dhe kur çdo mbeturinë e mbetje të shkojë atje ku duhet e shërben, atëherë mund të shtrohet çështja: Do importojmë nga jashtë? Por, gjithmonë, nëse deri atëherë nuk do kemi korrupsion, pasi vetëm disa muaj më parë, i njëjti kryeministër uli kufirin e blerjes on-line të pataksuar, duke e bërë praktikisht zero, sepse nuk luftonte dot korrupsionin e disa tregtarëve të vegjël. Deri atëherë? Mos mi prek plehrat… sa më të vjetra dhe më shumë, aq më me vlerë. Çfarë nuk mëson nga një kryeministër!
P.S. Me më pak ironi dhe me më shumë metaforë
Vite më parë, ndërsa zhvilloja mësim me një klasë të vitit të katërt gjimnaz, – duhet të kishin kaluar disa muaj nga rënia e firmave piramidale, – i kërkoj mendim një nxënësi në lidhje me një temë të caktuar. “Nuk jam përgatitur sot, – më thotë, – dje kisha radhën e kryesimit të së qarës meohii.” Shumë kurioze për këtë arsye, fillon më shpjegon: “Kemi humbur shumë parà në firmat piramidale. Kështu që një herë në javë, mblidhemi të gjithë si fis dhe caktojmë njërin nga ne të udhëheqë të qarën me ohii. Dje e kisha radhën unë.”
ADD NEW COMMENT