Odise Andruço nga Çamëria, heroi i revolucionit që u vra si “tradhëtar”

Odise Andruço (1790-1825): “Ç’turp për një trim që i kishte bërë vendit të tij shumë shërbime të shkëlqyera, të katandisej, të dilte dhe të përgjigjet si fajtor përpara gjyqtarëve.”

Nga Arben Llalla
Odise Andrea Andruço (Verushi) lindi në Livanat të Prevezës rreth vitit 1790. Ai është cilësuar si “Luani i Rumelis”, ishte biri i të mirënjohurit, kryekomitit Andrea ose Andruço Verushi nga Livanati i Lokridhës së Prevezës. Kur Odisea ishte 4 vjeç, babai i tij vdes në burg nga torturat e turqëve në Stamboll. Ali Pashë Tepelena, mik dhe bashkëluftëtarë i të atit, e mori pranë pas vdekjes së Andruços Verushit, Odisenë. Në oborrin e Ali Pashës, Odisea kishte të tillë pozitë që nuk e mbanin as djemtë e Aliut. Ai i shërbeu me besnikëri dhe krenari Ali Pashë Tepelenës. Ndihmoi Ali Pashën në të gjitha luftërat e tij ndaj turqëve, suljotëve dhe kardhiqotëve. Por, lidhja e ngushtë e Odosesë me Ali Pashën do ta dëmtonte shumë vite më pas.

Odeseja ishte frymëzuesi i “Këshillit të kapedanëve të Rumelisë”, të cilët kishin për qëllim bashkimin pa dallim feje dhe mbështetej tek Ali Pasha Tepelena në luftën e tij ndaj osmanëve. Këtë politikë Odisea u përpoq ta diktojë edhe pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës gjatë luftës për çlirimin e Greqisë dhe kjo i kushtoi jetën më akuzën “tradhëtar”. Në vitin 1821 Odise Andruço ishte Komandant i Përgjithshëm i Greqisë Lindore me gradën gjeneral, por nga mesi i vitit 1822, ai dha dorëheqjen me nder si Komandant i Përgjithshëm për arsye se nuk shihej mirë nga kundërshtarët e tij. Odise Andruço, pikturë
Bëma që i dha nam të madh Odise Andruços në vitin 1821 ishte qëndresa e tij në Hanin e Grabies. Odisea kishte një mendje politike dhe ushtarake të zgjuar. Vlerën e tij e njihnin të gjithë kapedanët e Rumelisë dhe e konsideronin udhëheqësin e tyre të natyrshëm. Gura, që u bë vegël e verbër në duart e politikanëve dritshkurtër, e lidhi emrin e vet me vrasjen e heroit, që ndodhi një natë korriku të vitit 1825 në Akropol, në burg ku e kishin mbyllur Odisean, lidhur me zinxhir. Odise Andruço u torturua për dy muaj rresht nga njerëzit e Jani Gures dhe më 5 qershor 1825, Gura i quajtur Mamuri bashkë me Trendafili, Papakostën dhe Theohari e mbytën Odisenë dhe trupin e tij e hodhën nga kulla që vrasja të ngjante si një tentative arratisjeje.

Odisa Andruço u vra me urdhër të politikanit Joani Koleti, i cili ishte vlleh nga Pindi. (Joani Koleti 1773-1847, është njeri që shpiku termin Idea e Madhe-Greqia e Madhe. Koleti është projektuesi që Greqia duhet të shtrihet deri atje ku shtrihet kultura greke, pra deri në Stamboll, Shqipëria e jugut dhe më gjerë. Joani Koletis, i cili pat’ qenë mjek dhe përkthyes i Ali Pashait, e kishte halë në sy Odisenë vite më pare, sepse ky i fundit gëzonte respektin e Aliut dhe djemve të tij)
Pasi e vranë Odisenë, Joani Koleti me vendim qeveritar e shpalli tradhëtar, por pas shumë vitesh Mbretërisë së Greqisë i duheshin figurat heroike të revolucionit të 1821 për të edukuar brezat që vinin dhe kështu e rehabilituan Odise Androçon, ashtu si shumë figura shqiptare që kishin dhënë kontribut në mëvetësinë e saj, duke e shpallur Hero Kombëtar i Greqisë. Duhet thënë se nga 100 heronjë që ka Greqia e revolucionit të 1821, 90 prej tyre janë shqiptarë.