Albspirit

Media/News/Publishing

Letër sime bije!

Nga Deborah Dirani

Përshëndetje vogëlushe,

Sot kam dëshirë të të tregoj një përrallë, por duhet ta dëgjosh me shumë vëmendje, pasi kjo që do të tregoj është një përrallë ndryshe dhe në të njëjtën kohë do të jetë përralla më e rëndësishme e jetës tënde. Është ajo përralla që unë dua që ti ta kujtosh gjithmonë, edhe kur unë nuk do të mund të jem me ty për të ta treguar sërish.

Atëherë kjo përrallë flet për një vajzë të bukur, e cila një ditë u dashurua me një djalë të bukur sa ajo, madje dhe më i bukur.

Fati, le ta quajmë kështu, deshi që ai të ndjente për të, një ndjenjë që ngjante shumë me dashurinë. Atëherë këta dy të rinj vendosën të fejoheshin, madje pas pak kohësh dhe u martuan.

Bënë një martesë shumë të bukur: ajo ishte veshur me të bardha, ndërsa ai kishte një kostum të errët; të gjithë i adhuronin, ishin çifti perfekt. Shumë të bukur, shumë të rinj, shumë të dashuruar!

Ai që e shihte i magjepsur, që e shtrëngonte gjithnjë pas vetes, duke i kaluar një krah rreth belit për ta pasur gjithnjë…gjithnjë…gjithnjë…pranë. Ajo e linte veten të përpihej nga ai përqafim, madje përkulej pak anash për të qenë sa më pranë atij krahu që e shtrëngonte.

Ajo që e shihte me sytë që i shpërthenin nga dashuria, ose nga diçka që ajo besonte se ishte shumë afër dashurisë. Ajo që prej pak kohësh kishte nisur të trukohej pak më shumë se zakonisht, që kishte nisur të blinte fondotinta shumë mbuluese.

E kishte vënë dhe ditën e martesës këtë fondotintën dhe grimierit që e kishte trukuar, duke buzëqeshur, i kishte sqaruar se atë shenjën pak të errët që kishte poshtë syrit të majtë e kishte bërë disa ditë më parë duke u përplasur në një qoshe: “kohët e fundit, jam kaq shumë e hutuar nga martesa…”, kishte pëshpëritur, duke ulur pak shikimin.

Nga ana tjetër, kjo vajza e bukur që do martohej kishte marrë një buqetë gjigante me lule me një pusullë nga i fejuari dhe nga burri i saj i ardhshëm ( e vërteta është që ajo shenjë e zezë që kishte poshtë syrit, ishte shkaktuar nga një goditje që ai i kishte dhënë gjatë një diskutimi).

Pusulla thoshte pak a shumë se i vinte keq për atë që kishte ndodhur dhe që nuk do të ndodhte kurrë më. Që pas martese, duke e ditur se ajo do ishte e tija përgjithmonë, ai kurrë më nuk do të zemërohej për shkak të gjithë dashurisë që ndiente për atë, e cila e bënte të çmendej nga xhelozia.

Kështu…çifti më i bukur i botës u betua për dashuri të përjetshme. Dhe kështu…ajo që të gjithë e kujtonin si një vajzë të bukur, plot jetë dhe alegri, ditë pas dite, u bë gjithnjë dhe më e mbyllur, dhe më e vetmuar. Kur mikeshat e telefononin për t’u takuar për kafe, nuk dilte asnjëherë, aq sa këto mikeshat një ditë nuk e telefonuan më.

“Do jetë shumë e impenjuar të bëjë gruan perfekte”- thoshin me njëra-tjetrën. E në fakt…ajo nuk dilte se nuk mundte, burri i saj nuk ishte i lumtur kur ajo dilte nga shtëpia pa të. Ishte ende shumë xheloz dhe ishte pa asnjë shkak, pasi ajo kishte sy vetëm për atë. Por…ai nuk kuptonte, ai shihte tek të gjithë njerëzit një farë kërcënimi për gruan e tij.

Nëse ajo e donte, ajo duhet të rrinte me të, vetëm me të. Ato herët e pakta kur ajo nuk e bënte këtë, ai mërzitej shumë, aq shumë sa ditën tjetër asaj i duhej të vendoste shumë fondotintë në fytyrën e saj.

Pavarësisht shkelmave, kjo vajzë e bukur, nuk donte ta linte burrin e saj “e dua kaq shumë- përsëriste një ditë do ta kuptojë dhe do të mësojë të kontrollojë duart dhe atëherë do jemi me të vërtetë çifti më i bukur në botë”.

Për fatin e keq të saj, gjërat nuk shkuan kështu; një ditë burri i saj pa një arsye të veçantë u nxeh më shumë se zakonisht dhe e rrahu kaq shumë, saqë vajza e bukur ngeli e shtrirë në tokë, pa lëvizur, e rrethuar nga gjaku i saj, i cili kishte ngjyrë të kuqe të ndezur dhe që i arriti deri tek këmbët, duke i mbuluar, si të kishte veshur një palë këpucë të kuqe.

Kjo vajzë vdiq nga dora e dashurisë të saj më të madhe, një dashuri aq e madhe sa i kishte zbehur forcën për t’u rebeluar dhe për të reaguar. Një dashuri të cilës i kishte falur dhunën, pasi kishte dashur të besonte që një ditë do të mbaronte.

Siç e sheh, dhuna e një burri kur rreh gruan, rrallë herë mbaron. Për këtë të kërkoj të mos e harrosh kurrë këtë historinë e kësaj vajzës së bukur, të dashurisë të saj të madhe dhe të këpucëve të saj të kuqe, pasi nëse ndonjë ditë ndonjë burrë do të të rrahë për shkak të dashurisë së madhe, ti as mos e beso dhe as mos e fal.

Dhe është pikërisht për këtë arsye që nëse do lindësh ndonjëherë, vogëlushja ime, këpuckat e para që do të të blej, do jenë të kuqe./L’Huffington Post

Please follow and like us: