Albspirit

Media/News/Publishing

Dijetari Kolë Ashta

Kole Ashta, Kolë Ashta

Kolë Ashta ka qënë një nga dijetarët e mëdhenj të Shkodrës, intelektual me formim të thellë e vizion të gjerë perëndimor, që dijet e tij të shumta i vuri në shërbim të ndriçimit të pikërisht atyre anëve të historisë së gjuhës shqipe që ishin më të errëta…. (Gjovalin Shkurtaj)

Urdhnimet e poezìs – Kolë Ashta (“Balli i Rinisë”, Tiranë, 5 dhjetor 1942)

Mos harrò se poezija të nalton me kundrue heroizmin e jetës. Shqiptari bashklindet me ket heroizem. Ai jeton me krye në rrezik tue luftue e tue vuejtë. Jetën e kupton porsi nji perpjekje të vijueshme. Kush nuk perpiqet, kush nuk punon do te deshtojë, pse jeta e patrazime, e qetë, e pamendime, e papunë të plakë menden, të kalbë zêmren, të mbytë ndjenjat.

Mbaje në mend se poezija i flet ndjenjave breshnorake, shllimeve të nalta, shpirtenve djalosharë. Ajo ngjallë ngazullimin kundra jetës mkatnore, hovin krijues kundra lakmimit landuer. Poezija çpallë vlerën e naltë të shpirtit, qi përbuzë sendet e landshme, fuqizimin e virtyteve të pambarueme, qi dermojnë lakmimet landore. Poezija ngjallë naltimin e virtyteve kundra jetës së shkatrrueme e mkatnore. Kujtò se poezija përpiqet për ringjalljen e zêmrës shqiptare, e vetdijes kombëtare, e ndjenjes atdhetare. Dueje ringjalljen e ndergjegjes, qi i don të mirët, qi i beson ati qi e don, qi e ndihmon ate qi e mëson, qi lufton për doket ilire.

Veshtrò mirë se poezija nuk këndon paren, se ajo të djegë dorën, të vërbon syt, të prishë menden, të helmon jetën. Naltoje shpirtin, se parja nuk merret në vorr. Shpirti jeton mbas vdekjes e parja shuehet. Njeriu i dhanun mbas ktì mkati nuk shef heroizmin e jetës e prà do të ndalet. Kush ndalet ka me u dukë porsi hije ndër të tjerë, porsi nji kufom e gjallë me sy të gropuem, porsi gjethi i pêmës i sjellun prej ere.

Mos e përbuz poezìn, pse ajo kundron zêmrat djaloshare ku levizë gjak fisnik, nji hov ilir i rì, i vërtyteve shqiptare të pasterta, të drejta, fatosore, qi përfaqsojnë cilsìt rracore të njeriut shqiptar. Ajo këndon pafajsìn, qi bjen pranverën ndër zêmra.

Ta dijsh se poezija rikrijon zêmrat, zhdukë dyshimin frigacak, mbytë gënjeshtrat munduese. Poezija i çpallë luftë zêmërkqive, shfrytzuesave mendengushtë, shpirtligjve.

Ta dijsh se urdhnimet e poezìs të freskojnë thellsìt e shpirtit me ujin dikues, ulin pezmin, njomsojnë ndiesìt. Por ta dijsh se të këqijt, qi flasin mbrapshtë, njerzit qi s’kan besim, qi s’dijnë çka âsht shpirti,nuk e kuptojn poezìn; por ta dijsh edhe se ajo i flet zemrave të nalta, shpirtenve djalosharë, ndjenjave fisnike, të denja, të pasterta, të këthillta. Mbaje në mend se poezija ngjallë hovin e virtyteve dhe dermon veset kapërthyese, epshet vdeksore, mkatet verbuese.

Please follow and like us: