Dritëroi e Sadija rrëfejnë jetën përmes fotove, nga rinia e dasma në 50-vjetorin e martesës
Është ora 11:30 në shtëpinë e Dritëroit. I ulur në kolltukun e tij, mban një cigare në dorë, ndërsa një gotë raki është vënë në tavolinën e madhe rrethore. Në shtëpi, me Dritëroin dhe Sadije Agollin, ka gjithnjë njerëz, miq, vizitorë nga të katërta anët. Këtë herë, miqtë janë nga Menkulasi. Agolli nuk i ka humbur asnjëherë lidhjet me fshatin e lindjes dhe shumë prej rrëfimeve të tij nisin aty. Me rastin e 85 vjetorit të lindjes, kemi marrë prej familjes Agolli fotografitë e një jete: Dritëroi dhe Sadija në imazhe, që prej fotove të fejesës më 1964, kur çifti qe i veshur bukur – të rinj e plot jetë, të qeshur, në biseda, të përqafuar, apo në vallëzim – mandej foto të dasmës, pushimeve, foto me fëmijët, foto kur punonin në makinën e shkrimit “Robotron”, e deri tek fotot e fundme, të 50vjetorit të martesës, kur Dritëroi i puth dorën, siç kish ndodhur dekada më parë, kur së pari vendosën të ndanin jetën së bashku.
Shpjegimin për secilën foto e japin vetë çifti Agolli, herëherë duke udhëtuar në kujtime të atyre kohëve, që u ndalën përmes këtyre imazheve të fiksuara. Të martuar më 4 korrik të 1965ës, tanimë, pesë dekada më vonë, festimet e përvjetorëve janë gjithnjë ripremtime – madje, edhe përvjetori i fundit është rikujtuar me një unazë të re, si në kohën kur ai qe 31 vjeç dhe ajo në të njëzetat e saja. Si në kohën, kur dilnin xhiro në bulevard, kur udhëtonin drejt Shkodrës, kur shkrepnin foto me nënë Hatixhenë, kur rrisnin fëmijët. Edhe tani, ndërsa zgjedhim foto, Agolli ndjek fjollën e tymit dhe kujton çastet kur u bënë foto, ndonjëherë është ai që i kujton, e Sadija që e plotëson, ndonjëherë është krejt e kundërta.
“Vijnë Dritëroi dhe Sadija. Ka vite që Dritëroi nuk shkon kund pa Sadijen. Ka vite që Sadija nuk e lë Dritëroin të shkojë askund vetëm pa të. E kuptueshme. Dritëroit i duhet shumë prania e Sadijes, kujdesi i Sadijes, kur është në Tiranë e jashtë Tirane, kur është në Shqipëri e jashtë Shqipërie, kur është vetëm e kur është në shoqëri. Dritëroi nuk bën hap jashtë shtëpisë pa Sadijen. Dritëroi dhe Sadija janë çifti i parë bashkëshortor, kujtoj emblematik në historinë e kulturës shqiptare përpos kur shkon”. Këto fjali të shkruara nga Rexhep Qosja për çiftin Agolli, për shumëkënd tregojnë lidhjen e tyre dhe imazhin që ata kanë krijuar së bashku.
FOTOT
Janë imazhe të rralla e të papublikuara më parë. Dritëro dhe Sadije Agolli me rastin e ditëlindjes së 85-të të shkrimtarit, çka përkon edhe me 50vjetorin e martesës së tyre, ndajnë me lexuesit e “GSH” çastet e ndaluara në kohë.
“Jemi në Divjakë, kur shkonim me pushime. Duhet të ketë qenë fillimi i viteve 1970”, thonë për foton ku Sadija është me shpinë, ndërsa Dritëroi ka vënë dorën mbi qafën e kalit. Më tej është një foto e vitit 1992, kur albanologia e mirënjohur Agnia Desnickaja vjen për vizitë në shtëpinë e shkrimtarit, pas shumë vitesh nga koha kur qe ndaluar. “E dinte shqipen shumë mirë. Ka shkruar edhe libër për dialektet e gjuhës shqipe. Na mblidhte disa njerëz bashkë, një nga Dibra, mua nga jugu e ndonjë tjetër, për të dëgjuar të folurat tona si tingëllonin”, thotë Agolli.
Në një foto tjetër ata shfaqen në shkallë dhe është viti 1996. Agolli është para me një vajzë të vogël përdore, ndërsa Sadija po zbret shkallët. Një tjetër imazh i sjell ata në shtëpinë e tyre në vitet 2000; Agolli po puth në faqe Sadijen. Në Shkodër fotot janë disa. Ende të fejuar dhe të rinj – është viti 1964 dhe janë të qeshur. Më tej është fotoja e 4 korrikut 1965 – janë ditën e dasmës. Dritëroi me kostum, Sadija me fustan nusërie. Me ta është edhe Nënë Hatixheja. E ulur në karrige, me portret të qeshur, duke parë nga aparati.
Për të Agolli ka shkruar edhe një poezi:
“Nëna ime, e bukura Hatixhe,/ më e bukura nga të gjitha fshatarkat,/ Atje në minder mbi një dysheme/ Më polli mua kur u kthye nga arat/. E britma ime u hap përmbi dhe/ bashkë me zërat e demit e kalit/ Nëna ime, e bukura Hatixhe,/ Heshtte e çlodhur dhe i gëzohej djalit/.
Në vitet 1970 ata shfaqen para makinës së shkrimit. Sadija është e ulur në karrige, ndërsa Agolli është pothuaj në këmbë, mbështetur në krahun e karriges. Në vitet 1973-1974 është një prej fotove të tyre më të bukura së bashku. Ndërsa Dritëroi shkruan mbi makinën e shkrimit, Sadija është pas shpinës së tij; ka hedhur mbi kraharorin e tij krahun e djathtë dhe ndjek me sy ato çfarë ai shkruan. Çasti ka fokusuar dy profile, që ndjekin njëherësh me sy shkronjat që vallëzojnë mbi makinë. Nga viti në vit emri i Agollit bëhej edhe më i njohur, ndërsa veprat e tij shkonin te lexuesit e shumtë. Në krah të tij, biblioteka e drunjtë rëndonte nga librat. Me Elonën e vogël, në krah ata shihen në fillimet e 1970-ës.
Më 1976, një foto i tregon bashkë me fëmijët: Elona dhe Artani. Ndërsa më tej, i shohim në një mbrëmje vallëzimi. “Aty afër nesh është Violeta Papuli. Kanë qenë të rralla ato mbrëmje vallëzimi ku kërcenim”, kujton Sadija. Në një tjetër imazh i shohim në vitin 1980, i shohim në rrugë, të ndaluar duke biseduar. Dritëroi mban dorën e djathtë në xhep dhe me të majtën mban cigaren. Ndërsa Sadija mban dorën e majtë në xhep dhe diçka i shpjegon Agollit me dorën e djathtë. Janë në rrugën “Mine Peza” ku ata shkonin shpesh, pasi banonte aty vëllai i shkrimtarit.
Në fotot e fundme janë jo vetëm ato të 50 vjetorit të martesës, por edhe imazhe të viteve 2000. Në një prej tyre, çifti Agolli shihet me Edi Ramën, asokohe, i sapozgjedhur në krye të Partisë Socialiste.
Një libër i ri me poezi do të dalë për publikun të enjten. Ai titullohet “Prit edhe pak” dhe sjell rreshtat e panjohur të shkrimtarit. Prej tij ne marrim një poezi, që mban titullin “Romantike” – Më ther e më djeg një dëshirë: Nën diell mes pemëve të eci/I madh, i shkujdesur, i mirë,/ Ku këmbët i shtyn karkaleci,/ Ku rrjetën e thur merimanga/ Dhe bishtin mbi gur ngre akrepi,/ Ku s’ka as qeli dhe as pranga/ As gracka që ngriti qyteti.
Më herët, ditën e hënë në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të kremtimeve për 85 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, u çel “Ekspozita Agolliane”, që sjell për të gjithë admiruesit e punës së tij krijuese një retrospektivë të shkrimtarisë së Agollit, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vite krijimtari.
Nga poezitë e para te vëllimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat te satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëherazi frymëzimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e suksesshme në dy epoka.
DITËLINDJA E FESTIMET
Në kuadër të kremtimeve të ditëlindjes së Dritëro Agollit, më 13 tetor 2016 do të ketë një shfaqje teatrore në Teatrin Kombëtar, me pjesë nga krijimtaria e tij dhe shfaqje në Teatrin e Kukullave me pjesë nga krijimtaria për fëmijët nga Dritëro Agolli. Ndërkaq, në AQSHF mbahen këto aktivitete:
“Makrobora” dhe “mikrobota” filmike, narracioni dhe karakteri i Mato Grudës;
“Apasionata: Proza lirike dhe dramaturgjia filmike” si edhe struktura letrare dhe struktura filmike tek “I teti në bronz”.
Dritëroi ka shkruar dhjetëra vepra e poezi. Po rendisim më poshtë disa tituj:
“Në rrugë dolla”, 1958
“Hapat e mi në asfalt”, 1961
“Zhurma e erërave të dikurshme”, 1964
“Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965
“Mesditë”, 1968
“Komisari Memo”, roman, 1969
“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, roman 1973
“Nënë Shqipëri”, 1974
“Njeriu me top”, 1975
“Fjala gdhend gurin”, 1977
“Trëndafili në gotë”, roman, 1980
“Fytyra e dytë”, dramë
“Mosha e bardhë”, dramë
“Udhëtoj i menduar”, 1985
“Njeriu i mirë”, tregime
“Kalorësi lakuriq”, roman
“I përndjekuri i dashurisë”, poezi. Etj. etj.