Opinionistët grekofilë në sulm ndaj PDIU-së
Nga Arben Llalla
Vazhdojnë goditjet nën brez të opinionistëve dhe gazetarëve tiranas, të cilët janë trembur keqas se mos PDIU merr ndonjë portofol ministri.
Tani që në Dibër janë humbur shumë baste, ish-shefat e kuadrit të medias, më saktë çunat e ish-Bllokut kërkojnë të gjejnë fajtorët në skenarët e filmave action me mafiozë, kartel droge apo shitblerës vote. Në fakt, në Dibër ka ndodhur një humbje e rëndë dhe rianiminimi i kufomës politike të monstrës që polli në opozitë Lulzim Basha, ndihmon vetëm qëndrimin sa më të gjatë të Edi Ramës në pushtet.
Tashmë ngjajnë si hajgare vere përpjekjet e njërit prej matësve të sondazheve, i cili u përpiq ta nxjerrë PS dhe PDIU së bashku me 70 deputetë, duke pretenduar se pa LSI-në nuk mund të bëjë dot qeveri, as PS-ja dhe as PD-ja.
E vërteta është se askush nuk mund të parashikojë me siguri të plotë se cili fiton në zgjedhjet e vitit 2017 e jo më të parashikojë portofolet e ministrive.
Mediat e dorës së dytë që mbahen gjallë me të hollat e mafies politike duke botuar gjithnjë shkrime disinformuese shprehin shqetësimet herë pas here për përfshirjen e PDIU-së në institucionet shtetërore të Shqipërisë. Tashmë, edhe Athina zyrtare është pajtuar se PDIU është një forcë politike serioze, e cila luan rol të rëndësishëm në vendimmarrjet e Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë së sotme. Kanë qenë vetë zyrtarët e pushtetit vendor të Filatit dhe Thesporitsë (Epirit të Jugut), të cilët kërkuan të vendosin kontakte me drejtuesit e Bashkisë së Konispolit që drejtohet nga PDIU. Disa herë përfaqësues të PDIU-së që drejtojnë institucionet shtetërore të Shqipërisë janë ftuar zyrtarisht në Greqi dhe asnjëherë nuk janë shfaqur shqetësime nga Athina.
Dihet që në PDIU nuk ka vetëm anëtarë dhe drejtues që janë me origjinë nga Çamëria, por në këtë parti gjen shqiptarë nga Himara, Korça, Shkodra, Dibra e gjetkë. Është mirë që gjërat të thuhen ashtu siç janë dhe jo të deformohen, të hidhet baltë, të krijohen frikësime nga forcimi i kësaj partie, e cila nuk lindi si parti e interesave për punësimet momentale, as si ideologji partiake dhe as si një parti klanore e shkëputur nga partia mëmë. PDIU lindi si nevojë për zgjidhjen paqësore e çështjes së fundit kombëtare, ajo e shqiptarëve të Çamërisë, sepse pak a shumë shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë disa të drejta njerëzore të shkollimit dhe përdorimin e simboleve kombëtare.
Për ta pranuar lexuesit dhe servilat opinionistë tiranas të vërtetën në rradhë të parë duhet të çlirohen nga pafytyrësia, servilizmi, dembelizmi dhe hajdutëria, përndryshe asnjëherë nuk do ta shikojnë të vërtetën në sy. Të gjithë shqiptarët nuk duhet të tremben nga zëri për zgjidhjen e çështjes çame, askush nuk duhet të bëj ndarjen midis çamit, labit, dukagjinasit, sepse të tërë jemi shqiptarë dhe duhet të ndejmë të njëjtën dhimbje për çështjet e pazgjidhura kombëtare, në këtë rast ajo çame.
Për fat të keq si pasojë e deputetëve kriminelë, hajdutë, të pafytyrë, bota po na quan pa të drejtë popull legen, por në të vërtetë ky epitet duhet t’i shkojë për shtat klasës së lartë të politikanëve që ditën shahen me libër shtëpie, ndërsa natën puthen nëpër faqe si miq të ngushtë për të ndarë eurot e vjedhura nga arka e shtetit.
Në përfundim po u them të gjithë atyre që tremben nga forcimi i PDIU-së dhe fshihen pas gishtit, përdorin Athinën si karton frikësimi për qeverinë e Tiranës; Mos u shqetësoni shumë, pasi Athina nuk mund të imponojë politikë të jashtme apo të brendëshme Shqipërisë, por janë vasalët e Greqisë që po ju rrëshket karrigia dhe kanë shitur nderin e tyre familjar dhe kombëtar, teksa çirren kohëve të fundit.