Sadik Bejko: KADARE I DENONCUAR!
Nga Sadik Bejko
Sot ne hotel Tirana u be promovimi i librit Kadare i denoncuar i autorit Dashnor Kaloci, botimi i UET pres. Pas fjales se hapjes Nga Henri Cili thashe fjalet me poshte:
Të merresh me arkivat sekrete, aq më tepër me arkivat e një kohe të diktaturës është njësoj si të merresh me anën e errët të historisë së një vendi. Dhe për këtë anë të errët jemi një vend që mund të themi se jemi të pasur. Si në atë vargun “moj dasmë shkrepëti nga zija”… kohët e diktaturave shkrepëtijnë nga ligësia. Por mendoj se pikërisht, duke parë në këtë thellësi, në anën tonë të errët, mund të bëhemi më të mirë.
Ky vështrim i Dashnor Kaloçi në dokumentet sekrete të kohës së diktaturës për një shkrimtar të shquar , dhe, për më tepër në arkiva ku përmblidhet mbi 20 vjet një histori e shkrimit shqip, e letrave shqipe, e kulturës shqipe, e inteligjencës shqipe, për atë periudhë, është si të pasqyrohesh në anën e mbrapme, në anën e zezë të pasqyrës. Të merresh me letërsinë është si të merresh me pushtetin, letërsia gjithmonë ka qenë pushtet. Pushteti intelktual në konkurencë me atë politik. Dhe pushteti gjithmonë është ndjekur nga konkurrenca, është përcjellë nga paraskenat dhe prapaskenat e kohëve. Në këtë libër, futemi në një prapaskenën më të errët të një pushteti, siç është ai i intelektualëve në diktaturë.
Në qendër të ligësisë, të këtyre prapaskenave është një zë i shquar i letërsisë për atë kohë dhe për këtë kohë, ndoshta në të gjithë kohërat; Ismail Kadare. Kur thashë pak më parë se kemi hyrë në sferën e pushtetit, duhet të dimë që letërsia është pushtet, por ishte një kohë kur shteti nuk lejonte të kishte tjetër pushtet veç pushtetit të atij që sundonte . Ky pushtet i shkrimit, i inteligjencës ndiqej me xhelozi nga shteti. Ai duhet të mbahej nën kontroll. Prandaj ka intriga, spiunime, diversion, nxitje e ligësisë e armiqësisë e përplasjes së palëve.Prandaj kemi përndjekjen e intelektualëve, të kulturës shqiptare, përndjekjen dhe denoncimin e një shkrimtari si Ismail Kadare.
Denoncimi, që nga sa del në libër nis që nga sferat poshtë, nga kolegët, shkrimtarët, njerëzit e zakonshëm deri te autoritet më të larta të shtetit e deri te vetë diktatori shqiptar në atë periudhë. Ky libër bën një prerje tërthore të të gjithë asaj politike të kohës mbi kulturën shqiptare. Në një libër të tillë ka pjesën e vet jo vetëm politika, por edhe ana njerëzore. Lasgush Poradeci ka një varg: “Qëndroj në tmerr, Zili e botës” . Edhe zilia e shkrimtarëve me shkrimtarët ka çuar te denoncimi.
Edhe konkurrenca, edhe xhelozia. Këtu ka edhe një gjë tjetër që Kundera e përmend në shkrimet e veta: “Në Çeki u viheshin përgjues shkrimtarëve dhe kjo ndonjëherë jepej edhe në mediet”…dhe dihet, që është dhe ana e errët e njeriut. Njerëzit me njëri-tjetrin shfryjnë zili, shajnë ndonjëherë miqtë e ngushtë, thonë e çfarë nuk thonë. Libri ka pjesën e tij polikë, por dhe atë filozofike mbi veset e cenet njerëzore. Një libër me shumë vlera për antikulturën e errët tonën, për pjesën e kalbur të ndërgjegjes sonë njerëzore.
Këto thellësi të errëta kanë bërë që këto arkiva të mbushen plot. Ismail Kadare ka thënë “Për mua mund të jenë thënë shumë gjëra, po gjeni për mua dy gisht letër që unë mund të kem thënë për dikë”. Sa shkon koha, dalin çfarë janë thënë kundër tij, lart e poshtë në të gjitha nivelet e shoqërisë, por nuk del që prej tij në një mënyrë të fshehtë diku në ndonjë arkiv të jetë depozituar nga Kadare kundër ndonjë kolegu.