Bob Dilan, legjenda e popit që fitoi Nobelin në Letërsi
Bob Dilan ka qenë për më shumë se 5 dekada një influence e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën popullore, jo vetëm me notat muzikore, por edhe me penën e tij. Sot ai fitoi edhe ccmimin prestigjioz: Nobelin për Letërsi.
Çmimi i lakmuar i dorëzohet pikërisht me këtë argument: krijimin e frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane. I lindur në 1941-shin si Robert Allen Zimmerman, karrierën e tij muzikore Dilan e nisi 1959, duke interpretuar nëpër kafenetë e Minnesota-s. Vitet ‘60 sjellin bumin e krijimtarisë së tij, një shkëlqim që erdhi bashkë me shndërrimin e këtij njeriu të madh në një historian informal të telasheve të Amerikës. Këngë si “Blowin in the Wind” dhe “The Times They are A-Changin” u kthyen në himne të antiluftës dhe të lëvizjeve për të drejtat qytetare. Ka shumë arsye se përse e quajmë një nga figurat më të rëndësishme të kulturës pop e madje përse e cilësojmë një kolos të jashtëzakonshëm. Ja disa prej tyre, që në fakt përbëjnë edhe thelbin e personalitetit dhe të veprës së Dilan.
1. Ai ka shkruar këngën “Blowin in the wind”. Ai është një nga 100 personat më të famshëm dhe me ndikimin më të madh të shekullit të kaluar.
2. Arriti që t’u zgjonte adoleshentëve sërish interesin te poezia. Ofroi një rrugë drejt simbolizmit si dhe Rimbaud, Verlaine dhe Baudelaire.
3. Kur Martin Luther King mbajti fjalimin e tij të famshëm “Unë kam një ëndërr”, Dilan jo vetëm që ishte pjesë e asaj audience, por ishte në skenë, pak hapa larg Martin dhe kishte kënduar të famshmet “Only a pawn in their game” dhe “Blowin in the wind”.
4. Dilan ishte krijuesi i folk-rokut.
5. Ishte njeriu që përdori pseudonimet më interesante. Ai e quante veten Robert Milkwood Thomas, Tedham Porterhouse dhe Blind Boy Grunt. Në kohën kur nisi që të prodhonte disqet e tij të para e quante veten Jack Frost.
6. Ai ishte njeriu që e shpëtoi muzikën folk nga “rrëmbimi” që donin t’i bënin “djemtë me mjekra”, të cilët kishin fantazi për t’u bërë ushtarë, apo marinarë. Sigurisht që kishte edhe të tjerë në këtë rrugë që kishin bërë për këtë muzikë, por ishte Dilan ai që arriti të demokratizonte formën e flokut, sepse kjo lloj muzike i përkiste më shumë shtresës së mesme, që në vitet ’50 përpiqej t’i ikte konformizmit periferik të Amerikës.
7. Ai ishte mjeshtër i të bërit bashkë të komedisë dhe dramës. Edhe në albumet ku përfshiheshin këngë shumë serioze për luftën si “Masters of War” dhe “ A hard Rain’s a-Gonna Fall”, kishte vend për këngë më të lehta, madje edhe këngë plot humor që flisnin për shakatë apo bluzin.
8. Ishte autori i këngës së parë antidashuri “It Aint me, Baby”.9. Kishte një grup mbështetës të jashtëzakonshëm të quajtur “The Hawks” dhe arriti që ta transformonte këtë grup, djemtë e këtij grupi, në më të famshmin grup të rokut të të gjitha kohërave, si dhe përmes tij hodhi themelet e shumë grupeve të tjera të suksesshme që do të vinin më pas. Ishin grupe që u shndërruan në emblematike dhe që të gjithë ia dinin për nder të madhit Dilan.
10. Ishte i madh, sepse shkroi “Mr. Tambourine Man”.
11. Ishte i madh, sepse bëri të pranueshme edhe tekstet e këngëve që ishin pak “të pista”. Deri sa Dilan nxori “Like a Rolling Stone” dhe “Positively 4-the street”, këngët pop kishin tekste shumë të ëmbla dhe pa nuancë seksi, por që i këndonin një dashurie të pastër dhe të panjollë. Befas pas kësaj hapjeje nisën që të dilnin edhe këngë të tjera me nuancë të ndryshme, që u shfaqën edhe te John Lenon.
12. Ai ishte shpikësi i “Country rock”. Para “Nashville Skyline”, muzika kauntri konsiderohej si një muzikë konservative në rrethet e muzikës rok.
13. Ai arriti që brenda hapësirës së një albumi të rrokte një tërësi temash dhe nuancash duke filluar nga “Harmond’s folley” te “The voice of a generation”. Kur albumi i tij i parë nuk pati sukses dhe nuk arriti që të bënte shitje të mira, ishin të shumtë ata që fajësuan producentin e famshëm që e mori përsipër, për besimin që pati te Dilani i ri. Vetëm një vit më pas, albumi i tij i dytë përfshinte kryeveprat e tij si “Blowin in the wind”, “A hard Rain’s a Gonna Fall”, “Masters of WËar” dhe “Don’t think it tëice It’s All Right”.
14. Ai i kushtoi të ardhurat e një albumi të tërë që nxori për Krishtlindje, për të pastrehët. Ndërsa shiste gjithmonë, ai nuk harronte kurrë që kur merrte para t’u jepte atyre që ishin në nevojë.
15. Ishte autori i njërit prej eventeve muzikore të drejtpërdrejta nga më të veçantit në të gjithë historinë e muzikës rok, me shfaqjen e tij të vitit 1965 në skenën e Festivalit të New Port me një performancë me volum të jashtëzakonshëm. Kombinimi i Dilanit mes muzikës rok dhe asaj folk shtruan rrugën për një rrymë të re, krejtësisht të re dhe të suksesshme.
16. Dilan iu dha edhe arteve të tjera. Muzika e jashtëzakonshme që ka krijuar nuk e ndaloi aspak që të pikturonte, të shkruante si në rastin e romanit “Tarantula” apo të bënte filma “Renaldo dhe Klara”.
17. Ishte i pari që pati guximin të krijonte dhe të performonte me këngë që i kalonin 6 minutat. E tillë ishte “Like a Rolling Stone” . Zakonisht deri në atë kohë këngët maksimumi arrinin një kohështrirje prej 4 minutash.
18. Ky njeri i jashtëzakonshëm u bë një nga ndikuesit më të mëdhenj që patën “Beatles” në këngët dhe muzikën e tyre. “Për javë të tëra kemi luajtur muzikën e Dilan. Ajo thjesht rridhte brenda nesh dhe ne nuk arrinim që të ngopeshim me të”, ka shkruar dikur i madhi tjetër i muzikës, Lenon.
19. Ai është i madh në vetvete, por edhe shumë i vlerësuar. Është artisti që arriti në karrierën e tij të fitonte çmime të tilla si “Oskar”, Golden Dlobes” dhe “Grammys”.
20. Dilan është i madh, sepse është “babai” i “Vizionet e Joanës”, që është edhe kënga më e madhe e të gjitha kohërave.
21. Në maj të vitit 1963, një natë para lançimit të “Freewheelin”, kur e vendosën në censurë në një shfaqje televizive të drejtpërdrejtë, ai në revoltë vendosi që të dilte nga studioja në vend që t’i nënshtrohej censurës së emisionit që i erdhi e papritur. E të mendosh se në atë vit ai ishte thuajse askush dhe se kjo shfaqje do të ishte shumë e rëndësishme për promovimin e tij të ardhshëm.
22. Dilan është i madh, sepse është edhe më punëtori dhe i palodhuri në të gjithë biznesin e muzikës me turne muzikore që vazhdojnë e vazhdojnë çdo vit në shumë vende të botës, në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë. Çdo vit të paktën organizon dy koncerte të mëdha.
23. Ai zbuloi një mënyrë të re dhe të zgjuar të komunikimit të artistëve me median. Ishte i pamëshirshëm ndaj atyre që i cenonin integritetin dhe kërkonin ta kanosnin me pa të drejtë, si edhe shumë elegant e plot humor me përgjigjet e tij para publikut dhe gazetarëve, por kurrsesi konsumues dhe ekzagjerues.
24. Është i madh, se është autori i albumit më të famshëm “Blonde on Blonde”.
25. Ai ripërcaktoi atë që ishte e pranueshme dhe e mundshme në këngën pop. Stili i tij ishte jashtëzakonisht i artikuluar.
26. Atij iu kërkua që të shkruante një këngë për një film uestern, në të cilin kishte një rol të vogël dhe kënga që solli është e famshmja “Knocking in the heaven doors”, një këngë që është shndërruar tashmë në një simbol të vërtetë muzikor.
27. Ishte muzikanti që e bëri harmonikën një instrument në modë dhe i tregoi kulturës pop se sa shprehës mund të ishte ky instrument.
28. Ishte njeriu që kristalizoi nocionin e protestës sociale si një mjet kulturor.
29. Në autobiografinë e tij “Kronika”, ai arriti në mënyrë mjeshtërore që t’i shpjegonte publikut edhe mënyrën se si funksiononte arti dhe krijimtaria e tij në vite.
30. Është mjeshtër në ndërthurjen e këngëve të vjetra me ato të reja në koncertet që jep.
31. Në turneun e tij të vitit 1970, me grupin “The Haëks” ai, mund të thuhet, se “shpiku” muzikën rok si një rrymë e veçantë e rock and roll. Nuk ishte dëgjuar kurrë më parë një muzikë me një volum dhe fuqi të tillë në skenë.
32. Kur në vitet ’70, një numër fansash të tij dhe kritikë e konsideruan të “tejkaluar”, ai befas doli me “Blood on the Tracks”, një këngë klasike me një forcë të padiskutueshme. Është një mënyrë, të cilën Dilan e ka përsëritur shumë shpesh, pra një lloj ringjalljeje muzikore pikërisht në momentin kur të gjithë kishin menduar se ai tashmë ishte një yll i shuar.=33. Me albumin e tij të fundit “Together through life”, ai u shndërrua në debutuesin më të vjetër në moshë në një premierë dhe mbi të gjitha me një album që zuri vendin e parë në klasifikimin amerikan për shumë muaj.
34. Kur ai shkruante një këngë proteste, ajo bënte dallim. Me “The lonesome death of Harriete Carroll”, këngën e fuqishme me të cilën në vitin 1964 protestoi kundër vrasjes së një gruaje të varfër e të zezë që ishte shërbëtore, ai arriti që të ngrinte peshë zemrat e njerëzve.
35. Dilan është i madh, sepse nuk u shkonte pas tendencave, por i krijonte ato dhe dinte që të tërhiqej në momentin e duhur. Kështu, për shembull, ndërsa rinia perëndimore kishte nisur që të jepej pas këngëve të protestës, ai nisi që të eksploronte një muzikë më personale, me një rikthim në shikimin e vetes dhe brendisë së shpirtit njerëzor./TO/