Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë shkruan për Bob Dylan, përkthyesi shqiptar i tij, Edvin Shvarc

 

Qyteza e vogël e minatorëve të Duluthit, në Minesota ka hyrë në histori jo për shkëlqimin e vet të dikurshëm industrial, tashmë krejtësisht të venitur, por si vendlindja e Robert Alen Cimermanit, më 24 maj 1941 në Spitalin e “Shën Mërisë”.

Vetëm dy dekada më vonë, ai e ndërroi emrin e tij duke veshur përfundimisht identitetin e ri artistik në formën e Bob Dilanit dhe duke sajuar një histori pothuajse të pabesueshme përsa i përket jetës dhe origjinës së tij familjare për ta bërë sa më të pranueshëm imazhin e një këngëtari folk-u. Fryt i martesës së lumtur të dy prindërve hebrenj të amerikanizuar, Abramit dhe Beatrices, Bobi ishte fëmija i parë dhe njëkohësisht edhe brezi i tretë emigrantësh me origjinë nga Evropa Lindore.

I rritur në qytezën fqinje të Hibingut, në një kohë kur Amerika e pasluftës po ndryshonte pa e kuptuar edhe vetë, pavarësisht se ende nuk ishte gati shpirtërisht për ndryshim, Roberti i vogël i mori mësimet e para për jetën jashtë kornizave të provincës, për aktrimin dhe mrekullitë e artit duke parë me ëndje dhe admirim filmat që shfaqeshin në kinemanë e vogël të qytetit, e cila ishte pronë e familjes së tij nga e ëma.

Aty u dalldis pas personazheve të portretizuara nga Gregori Peku, Marlon Brandoja, por sidomos nga Xhejms Dini, jetën dhe fatin tragjik të të cilit u mundua ta imitonte me të gjitha mënyrat duke filluar që nga pasioni për motoçikletat, për xhinset dhe xhaketat e zeza prej lëkure e deri tek të jetuarit me shpejtësi marramendëse e pa ndonjë konsideratë të veçantë për anën sipërfaqësore e materialiste të jetës.

Në njërën prej këngëve të tij të mëvonshme në vitin 1965 e përcaktoi qartë filozofinë e vet: “Ai që s’e vret shumë mendjen kur lind, është tepër i zënë duke menduar për vdekjen”.
Poezinë e parë Bobi e qëndisi në fillim të viteve ’50-të duke ia kushtuar së ëmës, Betit, si dhuratë për Ditën e Nënës, ndërsa eksperimentet e para muzikore i provoi me pianon Gulbransen që i ati e kishte sjellë në shtëpi, por katërmbëdhjetëvjeçari nuk ishte nga ata që shtroheshin dhe merrnin mësime profesioniste muzike. Bobi kishte idetë e tij për muzikën dhe pianos donte t’i binte vetëm sipas kokës së vet.

Për këtë arsye ai nuk mësoi asnjëherë solfezh dhe nuk ia doli dot kurrë mbanë të lexonte notat muzikore e t’u binte pjesëve me partiturë. Pasi provoi edhe një bori, prej së cilës nuk nxori dot veçse disa tinguj të çjerrë, për t’u eglendisur më vonë për ca kohë edhe me një saksofon, ai mori me qera një kitarë spanjolle, që u shndërrua në armën e tij për të ndryshuar botën dhe të cilën edhe sot e kësaj dite, pas më shumë se pesëdhjetë vitesh nuk e ka lëshuar ende nga dora.

Bob Dilani gjatë gjithë jetës së vet artistike mundi të luajë e t’i bjerë mjeshtërisht kitarës, pianos dhe sazes, që e varte me një tel në qafë dhe prej së cilës hoqi dorë vetëm në vitin 1997, pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri, që për pak i mori jetën.

Ndikimet e para muzikore erdhën nga dëgjimi me përdëllim i Henk Uilliamsit, Litëll Riçardsit, Elvisit, Badi Hollit, Henk Tompsonit dhe më pas idhulli i tij u bë këngëtari i muzikës folk amerikane, Udi Gathri, i cili kishte vite që shkruante dhe këndonte këngë proteste. Ndërsa përsa i përket arsimimit, Robert Cimermani u mjaftua, pas diplomimit në shkollën e mesme të Hibingut, të ndiqte për pak muaj Kolegjin e Arteve Liberale të Universitetit të Minesotës.

Për një shpirt të lirë siç qe ai, që e kishte zgjedhur me vakt e me kohë rrugën e vet në jetë dhe që në kokë bluante një përfytyrim të qartë se çfarë, ku dhe si do të arrinte atë që donte të bënte, shkollimi nëpër auditorë nuk i hynte gjë në xhep.

E vetmja rrugë që mund ta nxirrte Bobin e ri nga monotonia gri e humbëtirës pa shpresë të një jete pa ndonjë të ardhme të lavdishme siç qe ajo që bëhej në Hibing apo kudo tjetër në Amerikën e thellë e të përgjumur, ishte Autostrada 61, e cila e lidhte Minesotën me pjesët e tjera të atij vendi të pamatë. Ajo ishte më e rëndësishmja, që do ta çonte drejt Nju-Jorkut, qytetit-djep të lëvizjeve artistike dhe muzikore, aty ku gjallonte jeta dhe ku skena, sado e vogël apo e madhe të ishte, i jepte gjallesës së artistit të ri e ambicioz një shkëlqim krejt të veçantë.

Në dhjetorin e acartë të 1960-s, Robert Cimermani u shfaq në Nju-Jork ku vetëm në saje të këmbënguljes dhe vullnetit të çeliktë, padyshim edhe në saje të dashurisë së pashtershme për muzikën si dhe talentit të një artisti të lindur për t’u falur kënaqësi spektatorëve, ai arriti të bëhej përfaqësuesi më i famshëm i kombinimit mes poezisë dhe muzikës folk nëpër baret dhe kafenetë e Greenwich Village-it.

Në këtë lagje artistësh dhe muzikantësh, e cila gëlonte nga idetë e reja për artin, jetën, lirinë dhe çdo gjë tjetër të rëndësishme për një shpirt të ndjeshëm e të shpenguar, shpërtheu dhe mori krahë e gjithë forca krijuese e një poet-këngëshkruesi të ri dhe të uritur për famë e vëmendje.

Gjatë kësaj periudhe, pasi ndërroi emrin duke e bërë edhe ligjërisht Bob Dylan, si dhe pasi u njoh më nga afër me poetët modernë francezë, me dramat e Brehtit, me folkun anglez, skocez dhe irlandez, ai regjistroi dhe nxori në treg më 19 mars 1962 albumin e tij të parë, të cilin e titulloi me shumë modesti Bob Dylan.
Që nga ajo ditë, krijimtaria artistike e Bob Dilanit nuk është ndalur më nga asgjë dhe nga askush: as nga aksidenti i frikshëm me motoçikletë më 1969-ën, as nga ndarja e tij tronditëse me të dashurën e parë të vërtetë, Suzi Ruotolon, apo martesa e mëvonshme me Sara Loundsin, natyrisht e pasuar edhe kjo me një fund aspak të lumtur; as nga asfiksia e padurueshme e mbulimit mediatik dhe analizat kritike pambarim të çdo hapi apo lëvizjeje artistike që ai ka ndërmarrë; as nga kurorëzimi si ‘’poet-profet’’ në vitet ’60-të apo edhe çmimi i pamatshëm që i është dashur të paguajë për shkak të famës së pamohueshme si një artist jashtëzakonisht i njohur kudo, që nga Torontoja e deri në Kairo, nga Nju-Xhersi e deri në Tel Aviv, nga Kopenhaga e deri në Tokio, nga Athina e deri në Lisbonë. Për mbi pesëdhjetë e ca vjet me radhë, Dilani jep me dhjetëra koncerte kudo në botë dhe galeria e personazheve të shumëllojtë të përfytyrimeve të tij pjellore sa vjen e shtohet, pa përmendur këtu versionet e panumërta të interpretimeve të këngëve dhe emrat e artistëve të vjetër e të rinj, të cilët vazhdojnë të këndojnë lirikat shpërthyese të një poeti, i cili thuhet se dikur u mësoi Beatles-ve se si duhet të shkruhej një tekst kënge vërtet përsëmbari, përveç sesi tymosej marihuana.
Në vjeshtën e vitit 1997, Papa Gjon Pali II organizoi në Bolonja një tubim madhështor me të rinj besimtarë nga e gjithë bota.

I Ftuari i Nderit në koncertin e asaj dite nuk mund të ishte askush tjetër veçse Dilani, një këngëtar, i cili u kishte kushtuar shumë kohë dhe mundime të panumërta temave fetare si dhe dilemave pa përgjigje rreth vlerave moralo-etike të njerëzimit në lirikat e këngëve të tij ku personazhet biblike, tundimet dhe vuajtjet e Krishtit e të pasuesve të tij, marrëdhëniet mes njeriut dhe Krijuesit, pikëpyetjet rreth gjallesës njerëzore dhe dashurisë së sinqertë për njëri-tjetrin zinin goxha vend.

Para se Dilani të luante e të këndonte me përdëllim, me mënyrën e vet aq karakteristike tri këngë, Papa Gjon Pali II përmendi këngën e tij të njohur Fërshëllitje nëpër erë (Blowin’ in the wind) duke u shpjeguar të rinjve se fërshëllitja vërtet ishte në erë, por jo në erën e zakonshme – ishte “në atë të shpirtit”. E kush tjetër mund të merrte përsipër me aq guxim dhe përunjësi njëkohësisht të luante rolin e zëdhënësit të Krijuesit të gjithësisë, përveç një artisti autodiktat, i cili nuk kishte pasur kurrë nevojë për përkthyes midis tij dhe të Plotfuqishmit?

Dhe Bob Dilani e kishte luajtur rolin e vet aq mirë, saqë në një intervistë të vitit 2004, në emision e CBS-së 60 Minutes bënte me dije publikisht që “…kishte bërë një pakt me Komandantin e Përgjithshëm të kësaj bote dhe të asaj që s’e shohim dot për të arritur deri aty ku ishte”. Ta ketë pasur në mënyrë figurative vallë apo ishte një rrëfim krejt i natyrshëm i një njeriu që i ka bërë dhe arritur të gjitha në jetë vetëm duke ndjekur me besnikëri dhe me stilin e tij origjinal dhjetë urdhëresat e veta?

Sot Bob Dilani njihet anembanë botës si një këngëtar i palodhur, shkrues këngësh të panumërta, muzikant i pashembullt, piktor dhe poet. Karriera e tij që shtrihet në gati pesë dekada e gjysmë ka njohur ngritjet dhe jo rrallë herë, edhe uljet e saj, ose më mirë kritikat e pafund për gjithçka që bënte duke filluar që nga akuzat për tradhti ndaj folk-ut kur la mënjanë kitarën akustike për të luajtur me një elektrike në Festivalin e Njuportit në 1965, braktisjen e këngëve të protestës e deri tek shndërrimi i tij në të krishterë apo rikthimi sërish në fenë e të parëve hebrenj. Si artist, Dilani ka prodhuar me qindra këngë, ka regjistruar rreth dyzet e gjashtë albume ku përfshihen pothuajse të gjitha gjinitë muzikore tradicionale amerikane qysh nga ajo folk-u, blues-i dhe country, për të vazhduar me rock and rroll-in, muzikën gospel, madje është shtrirë deri tek jazz-i dhe swing-u.

Përgjatë gjithë kësaj karriere të pakrahasueshme, Dilani ka fituar çmimet Grammy Awards, Golden Globe dhe Academy Awards (Oscar-in), është pranuar në Rock and Roll Hall of Fame, në Nashville Songwriters Hall of Fame, madje i është dhënë edhe Kennedy Center Honor në vitin 1997. Në vitin 2004 ai ishte kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi dhe emri i tij është përfolur gjatë si një fitues i mundshëm në vitet pasuese. Në vitin 2008, juria e Pulitzer Prize e nderoi me një çmim të veçantë me këtë motivacion:

“Për ndikimin e tij të thellë në muzikën popullore dhe kulturën amerikane, të karakterizuar nga kompozime lirike të një force të jashtëzakonshme poetike”. Për të janë shkruar me qindra libra, janë thurur legjenda të panumërta, i është dhënë titulli Doctor Honoris Causa dhe nëpër universitete, poezitë, efekti, muzika dhe krijimtaria e tij artistike studiohen në kurse të veçanta.

Jo edhe aq keq për dikë, që jo vetëm universitetin s’e mbaroi asnjëherë, sepse nuk ia deshi qejfi, por që dikur etiketohej si “kryepeshkopi i anarkisë”, “zëdhënësi i një brezi që ishte kundër çdo gjëje”, madje edhe si artisti që “ka bërë marrëveshje me Djallin”.
Shfaqja pambarim e trubadurit të palodhur, Bob Dilan vazhdon dhe nuk dihet se çfarë do të mbajë majë kokës personazhi që do të dalë herës tjetër në skenë: një kapele kauoboji, një palë brirë djalli apo një brerore engjëlli.

Është e sigurtë që poshtë saj do të vazhdojnë të xixëllojnë ata sytë e zi e bredharakë, që duket sikur të shpojnë tej e tej duke zhbiriluar deri në skutat më të fshehta e të pazbuluara të shpirtit dhe që kitara e tij do të vazhdojë të tringëllojë për t’i thurur himne të tjera mahnitëse bukurisë dhe shëmtisë së qenies njerëzore.

Please follow and like us: