Albspirit

Media/News/Publishing

Lëvizjet e deputetëve nga njëra barrikadë në tjetër gjatë viteve 2013 – 2016

Dy deputetë të parlamentit, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, deklaruan sot dorëheqjen nga Partia Socialiste dhe ecjen drejt një nisme të re politike.
Akti i tyre thellësisht politik mbetet unik në këtë legjislaturë parlamentare dhe reflekton krizat e mazhorancave qeverisëse në fundin e mandateve të para qeverisëse. Akti i tyre dallon nga tabela e dorëheqjeve dhe lëvizjeve brenda parlamentit përgjatë legjislaturës aktuale.
Tabela e Institutit të Studimeve Politike tregon se 22 deputetë ndryshuan parti ose dhanë dorëheqje nga mandatet e fituara më 2013. Gjashtë prej tyre konkurruan për kryetar bashkie më 2013 ndaj ishin të detyruar të jepnin dorëheqje nga mandati.
Katër prej tyre fituan dhe dy humben, duke humbur njëherësh edhe karrierën në nivelet e larta politike. Dy deputetë (Celibashi e Naço) dhanë dorëheqje nga posti ministror, pasi kishin dorëzuar mandatin parlamentar disa muaj pas emërimit ministër.
Në historinë e këtij parlamenti janë edhe gjatë raste të tjera të dorëheqjeve nga mandati pa kryer betimin, 3 (LSI Durrës), 2 (PS Lezhë), 1 (PD Lezhë), siç kemi edhe ministra të cilët mbajnë mandatin parlamentar pavarësisht se ishte rënë dakord më 2013 se nuk do ketë dy mandate (ish ministri Cani dhe ministri Klosi).
Disa deputetë, sidomos kryetarët e partive të vogla, ishin pjesë e listës proporcionale të PS-PD 2013, dhe pas fillimit të legjislaturës, u identifikuan me partitë e tyre politike. Zyrtarisht ata vijnë të jenë deputetë të PS-PD, jo zyrtarisht dhe publikisht, janë e mbeten kryetarë të partive (PR, PDIU, LZHK, PDK).
Këto janë statistika që kanë vlerë për analizë tjetër më të thelluar, por ajo që ka vlerë për lexuesin sot janë 6 të dhëna:
Disa deputetë ndryshuan parti nga opozita drejt pushtetit, kryesisht drejt LSI (PR kishte 4 deputetë, 3 u larguan, 2 drejt LSI, 1 deputet i PD kaloi tek LSI). Shumica e lëvizjeve kanë inspirim klientele, jo divergjencash në formim apo mendim politik.
Rasti Blushi – Hafizi nuk ka ngjashmëri për rastet e tjera sepse kemi të bëjmë me një lëvizje publike kritike ndaj formacionit politik, refuzim i pushtetit dhe kalim në opozitë politike me të.
Në kuadër të fushatës për dekriminalizimin disa deputetë ishin objekt arrestimi, por vetëm një deputet ka dhënë dorëheqje, dy të tjerë u përjashtuan por ende ndodhen në të njëjtën parti.
Deputeti P.Spahiu (LSI) u dënua një muaj me përjashtim nga grupi i LSI dhe aktualisht është një nga kandidatët për kryetar në këtë parti. Deputeti V.K osta (PS) deklaroi në media dorëheqjen nga grupi parlamentar, por zyrtarisht ende nuk ka ndodhur. Deputeti Ndocaj deklaroi kalimin me PDK, më pas ndryshoi qëndrim, dhe ende mbetet e paqartë pozita e tij zyrtare.
PDIU ka pasur një ikje dhe një prurje në grupin politik, kurse PAA në formatimin e ri pritet të jetë një konkurruese serioze për vendin e katër politik në zgjedhje, pra në rivalitet të fortë me PDIU, PR e nismat e reja politike që mund të formësohen në parti politike në të ardhmen.
E fundit, por me rëndësi, levizja Blushi – Hafizi është rasti i dytë i ikjes cilësore nga një parti e madhe politike, për shkak të vizionit të ndryshëm, pas grupit me 14 deputetë më 1997 dhe shumë më cilësore në teza politike sesa shkëputja nga PS e 8 deputetëve më 2004. Ka dallime? Po. Atëherë ekzistonte mundësia e konkurrimit individual ne zgjedhje (sistem miks votimi), me 2017 do vijohet me lista te mbyllura dhe prag zgjedhor te larte. A do jetë lëvizja e fundit në këtë legjislature? Jo, me siguri që jo. Janë të paktën 12 deputetë të tjerë që janë në fazë vendimmarrjeve personale për ndryshim partie ose krijim të një lëvizje të re politike, pjesa më e madhe e tyre tek partitë e mëdha PS-PD-LSI.

deputetet-qe-levizin-2013-2016

Please follow and like us: