Miku i Putinit kërcënon SHBA-në: Nëse nuk zgjidhet Trump, luftë bërthamore
“Nëse amerikanët nuk votojnë Trump, shpërthen lufta bërthamore”. Këshilla në formë paralajmërimi vjen nga Moska. Politikani ultranacionalist Vladimir Zhirinovski, që njihet për deklarata kontroverse e të cilit i pëlqen të krahasohet me kandidatin republikan thotë në një intervistë për “Reuters” se Trump është i vetmi kandidat që mund të ulë tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës.
Për Hillarinë të cilën e etiketon “një vjehrrë të ligë” thotë se mund të çojë botën drejt Luftës së Tretë Botërore. Ndërsa për komentet seksuale të Trump thotë se ato janë vetëm biseda normale siç flasin burrat mes miqsh.
“Amerikanët që do të votojnë më 8 nëntor duhet ta kuptojnë se po votojnë për paqen në planetin tokë nëse e japin votën për Donald Trump. Por nëse votojnë Hillarinë do të ketë luftë. Ngado do të ketë Hiroshima dhe Nagasaki. Nëse Hillari fiton, do të jetë presidenti i fundit i SHBA-ve dhe këto do të jenë zgjedhjet e fundit për Amerikën”, deklaroi kreu i Partisë Liberal Demokrate, Vladimir Zhirinovski.
Zhirinovski njihet si aleat i madh i Putinit. Partia e tij pro-Kremlin doli e treta në zgjedhjet ruse muajin e kaluar. Përveç moshës, ai lëshon edhe të njëjtat deklarata si Trump në lidhje me emigrantët apo myslimanët.
Aq shpesh e ka identifikuar veten me kandidatin republikan për të cilin thotë se meriton “Nobelin e Paqes”, sa që ka deklaruar se duhet të bëjë një analizë ADN-je për të parë nëse ka lidhje farefisnore me Donald Trump.