Albspirit

Media/News/Publishing

Rexhep Meidani: Në PS janë shtuar biznesmenët- politikanë

Meidani kritika Ramës: Në PS janë shtuar biznesmenët- politikanë

Kërcënimi kryesor për zgjedhjet e ardhshme është moszbatimi i procesit të dekriminalizimit. Ky ishte qëndrimi që ish-presidenti Rexhep Meidani mbajti në një tryezë të organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, mbi financimin e partive politike.

Sipas Meidanit, është e nevojshme që përzgjedhja e kandidatëve të bëhet në mënyrë të hapur dhe transparente, shkruan “Panorama”.

“Problemi kryesor për të ardhmen e qeverisjes është përzgjedhja e kandidatëve, madje detyrimi ligjor për një përcaktim apo përzgjedhje publike, të hapur e transparente të tyre. Gjatë regjistrimit të kandidatit, krahas kërkesave të ligjit të dekriminalizimit, duhet të përfshihen dhe kërkesa shtesë, të lidhura me elementë etikë e moralë të tij, me vetë integritetin e kandidatit, me deklarimin e pasurisë, të biznesit (nëse ka të tillë) dhe të ardhmen e tij në angazhimin e ardhshëm publik në respektim të ligjit. Kjo deri me përgjegjësi ligjore të drejtuesit apo strukturës që ka mbyllur sytë për kandidatë që nuk plotësojnë nene të caktuara të ligjit të dekriminalizimit”, u shpreh Meidani në fjalën e tij.

Për ish-presidentin, një deklarim i tillë nga të gjithë ata që shprehin dëshirën për të kandiduar në zgjedhje, do të shërbejë si një vetëdeklarim për pasurinë dhe konfliktin e interesit. Sipas Medianit, vota është i vetmi mjet në duart e qytetarëve për të larguar të korruptuarit nga pushteti.

Meidani nënvizoi edhe faktin e krijimi të një kategorie “biznesmeni-politikan”, fenomen që sipas tij është i dukshëm në Grupin Parlamentar të PS-së.

“Qytetarët në krijimin e qeverisjes qendrore e vendore, sidomos në luftën kundër korrupsionit, kanë votën për ta ndryshuar atë, dhe për të larguar të korruptuarit nga pushteti. Në fakt, një pikënisje e kësaj lufte janë zgjedhjet, sidomos financimi i tyre. Po ashtu, janë shfaqur “teprime” në përfshirjen në politikë të shumë biznesmenëve, jo thjesht për financime fushate, por në mënyrë të drejtpërdrejtë, me anë të kandidimit të tyre. Madje, është rritur dukshëm një kategori e re e llojit: “biznesmen-politikan” apo “politikan-biznesmen”, deri me të dhëna të dyshimta morale-financiare të disave prej tyre. P.sh., në Grupin Parlamentar të PS-së kjo ka qenë krejtësisht e dukshme”, shtoi Meidani.

Për ish- presidentin, financimi i fushatës nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me etikën e moralin politik të partisë ose kandidatit, për besimin ose mosbesimin e qytetarit ndaj tyre, por është një domosdoshmëri e kohës që jetojmë, sepse me të lidhet ngushtësisht lufta ndaj korrupsionit politik, administrativ e kapilar, sidomos për të mos lejuar atë që quhet “State Capture”.

Please follow and like us: