Albspirit

Media/News/Publishing

Shpërblim i merituar për Frank Shkrelin

Nga Gjekë Gjonaj/

2-frankuPuna e suksesshme e gazetarit, analistit dhe  publicistit të njohur shqiptaro-amerikan, Frank Shkrelit,  nga fshati Amull i Komunës së Ulqinit, më ka ngjallur një respekt të jashtëzakoshëm shumë më heret se sa fillova lundrimet e mia të para në ujërat e gazetarisë.  Dhe nuk më mbetet asgjë më shumë se sa fjala – Respekt!  Këtë fjalë jam i bindur se e meriton  nga të gjithë kolegët, nga të afërmit, nga miqtë, nga  të njohurit dhe nga  të panjohurit. Pa dashur  t’i thurë  lavdërata  këtij njeriu të vlerësuar të shkrimit, respektivisht të penës (lapsit), i cili edukimin, pasionin, kohën, mundin me dekada ia kushtoi dhe po ia kushton  punës profesionale  në fushën e gazetarisë,  e them sinqerisht  se në  detin e madh e të egër të konkurrencës, ka krijuar autoritetin, besueshmërinë, sigurinë dhe jetëgjatësinë e punës, duke u mbështetur e bazuar  mbi të gjitha në  të vërtetën, kodin e etikës  dhe standardin e profesionit që e ushtron me profersionalizëm   më së  katër dekada.  Përmes zotëri Frank Shkrelit njoha:   Seksionin shqip të Radios  “Zëri i Amerikës”,  vlerat më të çmuara të njeriut publik dhe atij të thjeshtë.

Gjatë jetës dhe karrierës sime kam patur fatin e mirë që Frank Shkrelin  ta takoj vetëm një herë dhe atë spontanisht në  kremtimin e 15- vjetorit të themelimit të Fondit Humanitar” Malësia” në Nju-Jork. Edhe pse ky ishte një takim vëllazëror shumë i shkurtër në prani të miqve të tij me të cilët shoqërohej atë mbrëmje më la përshtypjen e një njeriu modest, serioz, të thjeshtë,  të matur, të aftë  e mjaft njerëzor.

Emrin e kolegut të nderuar Frank Shkrelit e kam të njohur   qysh se  ka qenë gazetar dhe redaktor në Zërin e Amerikës, seksioni shqip nga viti 1974 -1984. Por edhe më vonë gjatë viteve 1984- 1985 kur  zotëri Shkreli, po tek kjo medie e fuqishme botërore ka qenë shef i seksionit shqip.  Me  interesim e kënaqësi  herë pas here, e kam ndjekur  nga larg punën e tij  edhe në periudhën  1985-1990, kur ka shërbyer si këshilltar i lartë  programacioni për  Divizionin Evriopian të Zërit të Amerikës, pastaj nga vitet 1990-1994, kur ka qenë  zëvendësdrejtor i Euroazisë në Zërin e Amerikës, për të vijuar më pas  në vitet 1994 – 2003, kur ka qenë drejtor i Divizionit Europian i Zërit të Amerikës , deri në ditët e sotme , kur  është ndër gazetarët më aktiv shqiptarë në shtypin e kohës.   Analizat e tij lexohen dhe vlerësohen shumë nga lexuesit dhe ekspertët e çështjes kombëtare  për faktin se  mendoj se është një vëzhgues dhe një analist i regjur mirë  dhe shumë i vëmendshëm  i zhvillimeve politike dhe  çështjeve  shqiptare  dhe  ballkanike .  Një arsye për lexueshmërinë e madhe të shkrimeve  që Shkreli  publikon mund të jetë edhe fakti se ai bazohet në informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të gazetarisë në botë.

Gjatë kryerjes së detyrave të larta në Zërin e Amerikës të besuara nga shteti amerikan, zotëri Shkreli  u rreshtua  në mesin  e emrave më të shquar të fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit  nga radhët e komunitetit shqiptar në botë. Dhe jo vetëm kaq por falë veprimtarisë së tij të palodhur atdhetare për çështjen kombëtare, kontributit të tij të çmuar në fushën e të drejtave të njeriut si dhe forcimit të lidhjeve  miqësore  shqiptaro –amerikane,  u bë një shembull i lartë për t’u ndjekur.

Zotëri Frank Shkreli, edhe pse në pension, ai ka shërbyer si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

Për këto vlera,  merita e arritje  të tjera të pakontestueshme profesionale e morale,  Presidenti i Republikës së Shqipërisë  Bujar Nishani  e   dekoroi  para pak ditësh me plotë  të drejtë, Frank Shkrelin  me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, me motivacionin: Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.

Ky nderim  i lartë   nga kreu i shtetit shqiptar e  nderon në radhë të parë vetë laureatin, por edhe të gjithë komunitetin të cilit ai i takon. Andaj, ne shqiptarët me të drejtë duhet të mburremi dhe të krenohemi me personalitete të këtilla, të cilët gjithë jetën e tyre punojnë në heshtje, pa bujë, me përvujtëri, duke mos pretenduar  për vlerësime e shpërblime për merita të veçanta si ky.

 

Please follow and like us: