Albspirit

Media/News/Publishing

Sturgeon sfidon May me projektligjin e ri për referendumin për pavarësi

mat– Nga Mark MCLAUGHLIN dhe Ouerdya AIT-ABDELMALEK – 

Shefja e qeverisë rajonale të Skocisë, Nicolas Sturgeon sfidoi kryeministren britanike, Theresa May me njoftimin e publikuar sot për një projektligj të ri për organizimin e një referendumi për pavarësi, përballë një çështjeje Brexit me të cilën nuk bie dakort dhe nuk pranon aspak kushtet e vëna për të.

”Projektligji do të publikohet javën e ardhshme”, deklaroi Sturgeon duke hapur kongresin e partisë nacionaliste Scotish National Party (SNP) në Glasgou.

Përpara daljes së këtij njoftimi edhe një kërcënim në adresë të Theresa Mayt se “nëse edhe për një sekondë të vetëm të vini në diskutim faktin se nuk po bëj sa duhet për të mbrojtur interesat e Skocisë, gaboheni”.

Një paralajmërim në përgjigje të papajtueshmërisë së shfaqur nga Theresa May 15 ditë më parë në prani të delegatëve të partisë së saj konservatore.

“Brexit nuk është opsional. Për këtë arsye nuk do t’i lejoj nacionalistët të krijojnë ndasi dhe të minojnë unionin e çmuar midis katër kombeve të Britanisë së Madhe”, u shpreh ajo.

”Ne votuam në referendum si pjesë e Britanisë së Madhe, ne do të negociojmë si Britani e Madhe dhe ne do të largohemi nga Bashkimi Evropiani si Britani e Madhe”, shtoi ajo.

– ”Akt vandalizmi kushtetues” –

Përveç faktit se Skocia votoi 62 për qind për të qëndruar në Bashkimin Evropian, ndërsa Britania e Madhe votoi në total vetëm 52 për qind për t’u larguar, konsiderohet se sot as këndvështrimi dhe as interesat e Skocisë nuk po merren në konsideratë nga ekzekutivi britanik.

Dhe se SNP-ja, pavarësisht votës kundër të skocezëve në 2014, nuk heq dorë se një ditë mund të shohë një Skoci të pavarur.

Për Sturgeon, Brexit është një mundësi e artë për ta parashtruar si çështje në tryezën e bisedimeve.

Sot ajo sqaroi se e konsideron si një rast të volitshëm refuzimin e Theresa Mayt për t’i dhënë Parlamentit të Westminster dhe parlamenteve rajonalë shprehjen me votë për kushtet e divorcit nga Brukseli.

“Zgjedhësit nuk votuan që zëri i skocezëve dhe i Parlamentit tonë të injorohen”, pohoi ajo duke denoncuar perspektivën e një akti të vandalizimit të kushtetutës.

Ajo akuzon gjithashtu qeverinë britanike se po lejon lulëzimin e partive eurofobe dhe antiimigracion UKIP me fjalime që nxitin ksenofobinë kundër imigrantëve evropianë dhe rrezikun për të ndarë vendin nga tregu i përbashkët evropian, në dëm të interesave ekonomike.

– 80 000 vende pune të kërcënuara –

“Nuk besoj se qytetarët votuan për këtë platformë. Ata nuk votuan për të hedhur tej racionalitetin ekonomik. Ata nuk votuan në mënyrë që kompanitë tonë të përballen me barrierat doganore dhe që turistët tanë të kenë nevojë për viza”, pohoi ajo duke konfirmuar se Brexit do t’i kushtonte 80 000 vende punë Skocisë.

“Nëse ju nuk mundeni apo nuk dëshironi të mbroni interesat tona në një Britani të Madhe, atëherë Skocia zotëron të drejtën për të vendosur sërish nëse dëshiron për të marrë një drejtim tjetër”, përfundoi ajo.

Downing Street është shprehur i hapur për të ripërsëritur kërkesën e shfaqur në mënyrë konstante në lidhje me ambiciet e SNP-së për organizimin e një referendumi të ri.

”Çështja u trajtua në vitin 2014”, deklaroi një zëdhënës.

”Duhet të përqëndrohemi në detyrën tonë të përbashkët për të përfituar marrëveshjen më të mirë për Britaninë e Madhe me BE-në”, theksoi burimi i Downing Street.

Në referendumin për vetëvendosje në shtatorin e 2014, skocezët votuan 55 për qind kundër pavarësisë.

Për të organizuar sërish një proces të dytë, Parlamenti i Westminster duhet të japë miratimin  e tij.

Please follow and like us: