Vepra e Migjenit tani edhe e dixhitalizuar për lexuesit
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në 105-vjetorin e lindjes së Migjenit surprizon të gjithë lexuesit duke bërë të mundur dixhitalizimin e veprës së tij.
Vëllimi i tij poetik “Vargjet e lira”, që do t’i serviret publikut do të publikohet në trajtë dixhitale. Botimi i vitit 1944 gjendet tashmë online në faqen zyrtare të BKSH-së (www.bksh.al). Ai mund të shfletohet online dhe të shkarkohet në çdo pajisje elektronike si kompjuter, laptop, kindle, book reader, smartphone, tablet, kudo dhe kurdo.
Migjeni lindi më 23 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël. Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare.
Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.
Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë. Ai ndërroi jetë në një moshë të re, vdiq më 26 gusht 1938 në sanatorium në Torino, në moshën 27-vjeçare nga një sëmundje e rëndë në mushkëri.