Drejt Europës: Ju sillni plehrat, ne ju sjellim maturantët më të mirë!
Diku nga fundi i korrikut, një mikja ime më kërkoi ta këshilloja se ku do të ishte më mirë të ndiqte studimet e larta i biri, nisur nga rezultatet që kishte arritur në shkollën e mesme.
E bindur se i biri i saj, një maturant shumë i mirë, do të ishte i çmuar për çdo universitet në Shqipëri, e këshillova që studimet bachelor t’i kryente në Tiranë, edhe pse ai tashmë kishte fituar të drejtën të studionte në një universitet të Vjenës, aplikim të cilin e kishte bërë që në janar.
Diku nga fillimi i shtatorit mikja më telefoni përsëri.
– Im bir nuk fitoi në asnjë nga degët e zgjedhura, ndaj po e regjistroj në Vjenë. Të falënderoj për këshillën.
U ndjeva sa s’ka më keq!… Keq që shkëmbeva Tiranën me Vjenën, që e këshillova të studionte në një vend ku nuk ka as rregulla e as ndershmëri, ku të rinjve të shkëlqyer nuk u jepet mundësia të ndjekin ëndrrat e tyre, paçka se zyrtarisht “të mirët zgjedhin të parët”.
Kam vite që jam e përfshirë në këshillim karriere për maturantët, por nuk jam ndjerë ndonjëherë më keq se sivjet. Ka qenë krejt e pamundur t’i orientosh. Rrëmuja e krijuar nga zbatimi i gjoja reformës së arsimit të lartë, e plotësuar me një sistem dështak aplikimesh në shkollat e larta—rezultat i paaftësisë së shkëlqyer të administratës “rilindase”—në fund rezultoi kundër maturantëve.
Sigurisht, çdo vit ka pasur rreth 2-3 mijë maturantë që aplikonin në universitete jashtë Shqipërisë, por këtë vit ky numër u dyfishua. Sepse gjendjes së pashpresë që ka mbërthyer gjithë vendin e veçanërisht rininë, qeveria “u kujdes” t’i shtonte edhe pasigurinë dhe paqartësinë për shkollimin e lartë.
Nuk do jetë habi që vitin tjetër numri i të rinjve që do të duan të largohen me shpresën e shkollimit jashtë do të rritet; kush do luante sërish me të panjohurën? Përse të rrish në këtë vend ku shpresa vdes përditë dhe t’i shtosh kësaj edhe mohimin e të drejtës për të zgjedhur nga një sistem që prodhon kaos? Kaos për maturantët dhe familjet, por edhe për universitetet pritëse, që të zhytura në paqartësinë e udhëzime të vonuara në kohë, e urdhrave kohë e pa kohë nuk arritën as të sqarohen e as të sqarojnë.
Ndërkohë që po protestojmë për plehrat…. nuk duhet kurrsesi që skandali i radhës të na e largojë vëmendjen nga maturantët dhe drama që iu shkaktua atyre sivjet. Shifrat në rritje të maturantëve që aplikojnë për studime jashtë vendit, tregojnë se Shqipëria po duket gjithnjë e më e pasigurtë për shkollimin dhe të ardhmen e tyre.
Mbi 6 mijë maturantë të këtij viti plotësuan dokumentacionin dhe kanë konvertuan diplomat e shkollës së mesme për vende të huaja ku do të nisin studimet. Janë të rinj, janë më të mirët, ose siç quhen rëndom “ekselentët”—janë ato me të cilët Shqipëria do krenohet një ditë se janë Shqiptarë, por pasi ata të kenë kryer universitetet e Europës dhe të ndrijnë me mendimet dhe novacionet e tyre në vende të tjera, ndërsa Shqipëria do të vazhdojë të lëngojë edhe sepse nuk shfrytëzon dot “të shkëlqyerit” në favor të zhvillimit të Shqipërisë.
E ndërsa një pjesë e mirë e maturantëve që aplikuan jashtë tashmë kanë filluar shkollën…miqtë e shokët e tyre në Shqipëri enden mes raundeve të pashpresa për të marrë një shkollim universitar në vendin e tyre. Asgjë nuk është zgjidhur, as me raundin e parë mashtrues, as me raundin e dytë zhgënjyes, dhe as me zbritjen e vijës së kuqe që do të prodhojë kaos me qëllim korrupsionin.
Hartojmë ligj për të sjellë plehrat e botës, dhe si shkëmbim… hartojmë ligj e vendosim sisteme që të detyrojmë më të mirët e maturantëve që të lënë vendin, e mashtrojmë deri në dëshpërim maturantët që zgjodhën të shkollohen në vendin e tyre. Çfarë cinizmi!
Qeveri që si kurrë më parë kujdeset për të ardhmen e shqiptarëve: Plehrave zgjidhje po! Maturantëve zgjidhje jo!