Albspirit

Media/News/Publishing

Anastasi, Dhimitri, Jovani, Jorgji, Petroja…bamirës të keqpërdorur deri në dhimbje: pasuria e tyre nuk shkoi kurrë në destinacion

anastas-lakce


Nga Vepror Hasani

Anastas Lakçe (foto kryesore), Dhimitër Lakçe, Jovan Banka, Jorgji Banka, Petro Kostandin Tokli etj., njihen si bamirës të mëdhenj të Korçës. Emrat e tyre përmenden shpesh në simpoziume, konferenca, leksione, studime filantropike etj. Referuesit u rendisin shumë bamirësi, përpiqen t’i prezantojnë sa më lart të jetë e mundur, por e vërteta nuk është aspak kështu. Ata u keqpërdorën kaq shumë dhe kaq pa mëshirë nga Kisha, shteti dhe Banka Kombëtare Greke sa ndjen keqardhje të thellë kur lexon për jetën e tyre. Kjo gjë vërehet më së miri në testamentet e hartuara nga vetë ata. Gjithë pasurinë që do t’u mbetej pas vdekjes e linin me testament të investohej në Greqi, ndërsa për Korçën, qytetin e tyre të lindjes, gjithnjë u mbetej një shumë e vogël, aq sa edhe mund të mos shërbente për asgjë, (sepse të tjerët i kishin zhvatur me kohë), por ata, gjithsesi, çdo qindarkë e dhuronin me shpirt. Edhe pse dhuratat për Korçën ishin kaq të vogla, sërish ato nuk mbërritën kurrë në destinacion. Të hollat ose investoheshin në Greqi, ose, si gjithnjë, shpërdoroheshin atje. E vetmja ndihmë që i ofrohej Korçës, ishte çelja e shkollave greke. Në këto raste ata orientoheshin nga Kisha dhe shteti grek, pasi rritja e numrit të shkollave greke ndihmonte ne helenizimin e banorëve të Korçës dhe krahinës së saj, por bamirësit gjithmon mendonin se ishin duke bërë gjënë e duhur dhe Zoti do t’ua shpërblente

Anastas Lakçe lindi në qytetin e Korçës më 1820. Emigroi në Rumani ku u mor me tregti. Në vitin 1863, së bashku me vëllanë, Dhimitrin, i dhuruan Llasos, (arkës publike të komunitetit ortodoks të Korçës), 300 lira turke për ngritjen e një shkolle të re greke. Gjithashtu la me testament, që pas vdekjes pasuria e tij të depozitohej në Bankën Kombëtare Greke të Athinës. Vdiq më 1890. Porosia për depozitimin e pasurisë në bankë iu plotësua. Sipas testamentit, pasuria e tij do të përdorej për qëllime filantropike: do të ngrihej një spital në Athinë, do të mbështetej kleri ortodoks në Korçë, do të ngrihej një shkollë profesionale në Korçë, objekte kulti në në Bukuresht e në Korçë dhe do të ndihmonte çdo vit 7 vajza të varfëra të Korçës për t’u martuar. Të gjitha sa premtoheshin për Korçën mbetën në letër:“Dëshira e Anasatas Lakçes nuk u vërtetësua asnjëherë pasi paratë e lëna prej tij humbën në të njëjtën mënyrë si edhe ato të shumë shqiptarëve të tjerë. Në fakt bankat greke bënin të pamundurën për të penguar investimin e këtyre të hollave në truallin shqiptar pasi një gjë e tillë binte ndesh me qëllimet dhe politikat e Athinës zyrtare”. (Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, f. 26).

Për pasojë, u harruan të gjithë premtimet e Lakçes që nga ndërtimi i spitalit të Athinës e deri te objektet e kulteve në Korçë. Vetëm një gjë nuk u harrua kurrë: fjala e dhënë se do të martonte çdo vit 7 vajza të varfëra. Ishte i vetmi lajm që u prit nga njerëzit me lot në sy. Edhe sot e kësaj dite banorëve të Korçës u pëlqen ta rrëfejnë si një amanet të përmbushur, sikur Lakçe e mbajti fjalën dhe për disa vite me radhë martoi nga 7 çupa të varfëra. E dinë që janë duke thënë një gënjeshtër, por ndodh kështu sepse nuk e pranojnë dot që ky premtim nuk u mbajt.

E njëjta gjë ndodhi edhe me bamirësin Jovan Banka. Lindi në qytetin e Korçës. Në moshën 20 vjeçare emigroi në Egjipt. U mor me bujqësi dhe fitoi shumë. Më pas shkoi në Rumani. Me pasurinë e tij ndërtoi disa hotele të mëdha në Athinë, kurse për Korçën ndërtoi një gjimnaz grek, të cilit i dha emrin e vet. U quajt “Liceu i Bankës”. Kishës greke të Korçës i dhuroi 25.000 grosh, ndërsa për banorët ortodoksë të Korçës ndërtoi disa çezma, edhe ato morën emrin e tij. Vdiq më 1905. Ashtu si Anastas Lakçe edhe Banka la testamentin, që pas vdekjes pasuria t’i depozitohej në Bankën Kombëtare të Athinës. Me të ardhurat nga interesat do të financohej gjimnazi grek në Korçë, disa shtretër në dy spitale të Athinës për të sëmurët nga Korça, dhe një jetimore greke për vajzat jetime të Korçës. Edhe në këtë rast nga gjithçka që ishte parashikuar për Korçën, asgjë nuk u realizua: “…paratë nuk përfunduan në destinacion dhe u keqpërdorën prej bankës greke”. (Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, f. 26).

Edhe bamirësitë e Jovan Bankës u harruan të gjitha, por çezmat që ndërtoi për bashkëqytetarët e tij nuk u harruan kurrë. Edhe sot e kësaj dite njerëzit thonë: “Ja këtu i ndërtoi çezmat Jovan Banka!”

Edhe vëllai i madh i Jovan Bankës, Jorgji Banka ishte i pasur. Pas vdekjes më 1859, për shkollat greke të Korçës kishte caktuar me testament 50.000 grosh, për Mitropolinë e Korçës 25.0000 grosh dhe për qytetin e Athinës 25.000 grosh. Të gjitha këto përmenden në raste konferencash, por askujt nuk i mbetet ndonjë gjë e veçantë në mendje, sepse nuk flitet për bamirësi si ato të martesave të vajzave të varfëra.

Kështu ndodhi edhe me fondet e Petro Kostandin Toklit. Edhe ai lindi në Korçë në vitin 1832. Emigroi në Kajro, ku ushtroi zanatin e tregtarit dhe terziut. Në vitin 1872, kur ishte 40 vjeç, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua tej mase, për këtë arsye përgatiti testamentin, ku një pjesë të pasurisë ia kalonte jetimores së Athinës dhe pjesën tjetër Llasos së Korçës, por çfarë ndodhi vallë me paratë e tij? “Testamenti u mbyll në Konsullatën e Mbretërisë Greke në Kajro, por nuk dimë asgjë mbi zbatimin e dëshirës së tij”. (Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, f. 27).

Për këtë arsye, emri i Toklit mbeti në hije, sepse as njerëzit dhe as studiuesit nuk dinë çfarë të thonë për pasurinë e tij. Por një gjë vijon të mbetet e vërtetë: premtimi për martesën e vajzave te varfëra dhe çezmat e Jovan Bankës nuk u harruan kurrë, ishin bamirësi të duhura.

Megjithatë, shpërdorimi i besimit nuk përfundoi këtu: “Dyzet, pesëdhjet vjet përpara, disa korçarë që kishin bërë nga një pasuri të mjaftë në Rumani ose në Misir, pas vdekjes së tyre, linin kush pjesën më të madhe e kush më të voglën të pasurisë së tyre për vepra mirëbërse në qytetin e tyre të lindjes Korçë. Dhe ashtu dalngadalë u mblodhë disa mijëra franga ar që quhen Llasoja e Korçës. Por me qenë q’asi kohe si krye e të krishterëve njiheshe këshilla e Mitropolisë –Dhimogjerondisë- përkujdesja mbi ato të holla e merrte Mitropolia. Dhespotlerët me dhimogjerondët e korruptuar për të mos iu ikur nga dora kurrë të hollat e Llasos nga të cilat hëngrën mjaft, i depozituan në bankën Kombëtare të Greqisë në emër të “Komunitetit grek orthodhoks të Korçës”. Pas devijimit të destinacionit, komuniteti ortodoks i Korçës humbi çdo të drejtë mbi pasurinë e dhuruar. (Gazeta e Korçës, e shtunë, 27 shkurt 1926).

Please follow and like us: