‘Brexit i ashpër’ britanik nga Bashkimi Evropian
Partia Konservatore britanike e kryeministres Theresa May ndodhet para një kthese të madhe. Kjo u vu re edhe në kongresin e partisë. Dhe kjo kthesë nuk ka të bëjë vetëm me Brexit.
“Ky komb i vogël ishullor u bë kombi ishullor tregtar numër një në botë dhe sundonte detrat e botës.”
Liam Fox, ministri i ri i Tregtisë i Britanisë së Madhe ëndërroi në Birmingham për kohët e vjetra. Sa bukur do të ishte sikur pas Brexit gjithçka të ishte si më parë. Kur Bashkimi Evropian nuk kishte lindur ende dhe kur British Empire lulëzonte – për Foxin, Brexit-i është një rast i artë.
Liria e re për konservatorët në Birmingham është afruar edhe ca më shumë. Ata brohorasin për kryeministren e tyre, e cila para referendumit vërtet ishte që Britania e Madhe të qendronte në Bashkimin Evropian, por që tani është konvertuar në ata që duan të dalin nga BE dhe e cila caktoi kursin e kongresit të partisë: me të gjithë fuqinë jashtë Bashkimit Evropian. Në pranverë 2017, Theresa May do të paraqesë në Bruksel kërkesën për ndërprerjen e marrëdhënieve: “Nuk do të ketë zvarritje të panevojshme. Ne do t’i japim fund anëtarësisë sonë, kur të jemi gati. Dhe gati do të jemi së shpejti. Anëtarësinë tonë do ta përfundojmë jo më vonë se fundi i marsit të vitit që vjen, në bazë të nenit 50 të Marrëveshjes së Lisbonës.”
May kërkon një Brexit të ashpër, edhe jashtë tregut të përbashkët. Një pjesëmarrje në Tregun e Përbashkët Evropian sipas modelit të vendeve jo anëtare të BE, Norvegji ose Zvicër ajo gjithsesi e përjashtoi.
“Nuk do të kemi një model norvegjez dhe as zviceran. Do të kemi një marrëveshje midis një Britanie të Madhe të pavarur, sovrane dhe Bashkimit Evropian. Ne do të kemi lirinë e plotë, që të vendosim vetë, që nga etiketimi i ushqimeve deri në kontrollin e migrimit.”
Edhe me lirinë e bezdisshme të lëvizjes së punëmarrësve, britanikët nuk do të kenë të bëjnë më, ashtu siç e dëshirojnë qytetarët britanikë, deklaroi ministri i Brexitit, David Davis:
“Mesazhi i qartë i referendumit të Brexitit është: ne duhet ta kontrollojmë migrimin.”
Kjo pati sukses te konservatorët në Birmingham – në eufori nga perspektiva për lirinë e re nga vargonjtë e BE. Rezultati i referendumit ishte një votë për lirinë, tha Boris Johnson, më parë kryetar bashkie i Londrës dhe tani ministër i Jashtëm i Theresa May-t. “Mendoj se ajo qe një votë për lirinë ekonomike dhe politike të këtij vendi.”
Tone të ndërmjetme thuajse nuk u dëgjuan në kongresin e partisë. Vetëm kancelari i thesarit, Philipp Hammond e frenoi pak shakanë. Ai e përgatiti vendin njëherë për humbje ekonomike dhe kësaj do t’i kundërvihet me një politikë fiskale. Politika e kursimit e parardhësit të tij do të zbutet. “Në procesin e negociatave do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur ekonominë tonë nga turbulencat. Politika e George Osbornit ishte e drejtë për kohën e atëhershme. Por kur kohët ndryshojnë ne duhet të reagojmë. Prandaj nuk e kemi më objektivin që të arrijmë një suficit deri në fund të periudhës legjislative në 2020.” Borxhet britanike janë gjigande. Megjithatë, fundi i politikës së kursimit të Osbornit, e cila nuk preferohej, për shumë britanikë është një shkak tjetër për të festuar.