Redi Shehu: Teza e rrezikshme (serbe) e “kombit kosovar”
Nëse është e padrejtë të thuhet se nacionalizmi shqiptar është thumbues dhe si produkt ka Shqipërinë e Madhe, një koncept ky i përpunuar në kuzhinat serbe të terminologjisë politiko-juridike, po ashtu aq e padrejtë është të sajohet një terminologji kundërshtuese e panshqiptarizmit, si “kombi kosovar”, për të qetësuar ndërkombëtarët dhe për të rritur njohjet. Mirëpo, kombi si terminologji, por edhe si entitet i një bashkësie njerëzish, meritohet, e nuk emërohet sipas qejfeve, bindjeve, apo edhe konjukturave gjeopolitike. Kombi është një komunitet njerëzish të cilët ndajnë gjuhë të përbashkët, histori të përbashkët, aq më tepër nëse i shtohet edhe një religjion i përbashkët. Kufijtë ndarës administrativë janë mjete dhe infrastruktura në funksion të situatave gjeopolitike, ndërsa identiteti kombëtar është pjesë e shpirtit të kombit dhe thelb i tij, i cili nuk afektohet nga mjetet të cilat kanë atribute të përkohshme.
Ndarja në “komb kosovar” dhe “komb shqiptar”, dhe nëse do t’i qëndrojmë të njëjtës logjikë, më vonë do të dalë edhe “kombi çam”, apo edhe ndonjë komb i ri në pjesën shqiptare të Maqedonisë, nuk është gjë tjetër veçse defaktorizimi i shqiptarëve në rajon dhe zbatimi i tezave serbe dhe greke mbi mosekzistencën historike të entitetit shqiptar në Ballkan, dhe trajtimi i tyre si ardhacakë e pushtues tokash. Vendlindja e identitetit kombëtar shqiptar, ku për herë të parë artikulohet në një format konsensual, ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në 1878-tën. Pikërisht Prizreni, si pika përbashkuese politiko-administrative dhe kombëtare e kombit shqiptar, me teorinë e “kombit kosovar” duhet të zhbëhet nga historia në mënyrë që historinë e re ta rishkruajmë sipas kontekstit parcial të tanishëm kosovar.
Shqiptarët, fatkeqësisht, si produkt i padrejtësisë historike, janë fragmentarizuar në kufij shtetërorë, duke e ndarë administrativisht, pse jo edhe politikisht, kombin për një shekull. Nëse do të përpiqemi të gjejmë se ku ndodhen kufijtë e kombit, do të shohim se ato janë në kufirin ku ndahen etnitë në rajon. Pra, ndarja shtetërore, apo kufijtë e shteteve në Ballkanin Perëndimor, nuk janë tregues i ndarjes kombëtare. Kufiri i kombit, apo ndarja kombëtare, fillon aty ku hasen entitete të tjera kombëtare, me struktura gjuhësore, historike dhe fetare, të ndryshme nga ai shqiptar. Në këtë kontekst, përcaktueshmëria si shqiptar apo kosovar nuk është determinizëm kombëtar, por dallueshmëri rajonale e shtrirjes gjithëshqiptare. Prandaj kërkesa për bashkim kombëtar nuk është gjë tjetër, veçse njësimi i kufirit kombëtar me kufirin shtetëror, duke e kthyer në normalitet ekzistencën shqiptare nga një komb në disa shtete në një komb dhe një shtet.
Nga kjo pikëpamje, nacionalizmi shqiptar ndryshon kryekëput nga ai serb, sepse ky i yni ka si “modus vivendi” rikthimin në natyrshmërinë kombëtare të mohuar padrejtësisht, ndërsa ai serb ka si qëllim mbajtjen në mënyrë të panatyrshme nën domeinin e vet të një kombi tjetër që nuk e lidh asgjë me të. Pra, nacionalizmi shqiptar është i natyrshëm dhe burimor, ndërsa ai serb është i strukturuar mbi padrejtësinë dhe deformimin. Kështu që nuk është aspak e nevojshme të sajohen terminologji të reja etnie, si ai i “kombit kosovar”, për të krijuar një “balancë” mes nacionalizmit serb dhe atij shqiptar.
Përveç sa thamë më lart, kjo përpjekje për kosovarizimin e kombësisë shqiptare në rajonin e Shqipërisë verilindore përbën dhe një precedent krejtësisht të padrejtë: atë të krijimit të “kombit multietnik”, ku brenda një kombi mund të jetojnë shumë etni. Këtë tezë e demanton diplomati, politologu dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Abdi Baleta, kur thotë: “…Studiuesit e njohur të proceseve të formimit të kombeve e theksojnë se në këtë proces etnitë shkrihen, zakonisht rreth një etnie që shërben si bërthamë, por pasi formohet kombi, ai nuk mund të jetë më multietnik. Bashkë me kombin, në një vend të caktuar zakonisht jetojnë pakica me identitet të ndryshëm kombëtar, etnik apo gjuhësor. Prandaj bashkimi i trojeve etnike shqiptare jo vetëm nuk do të çonte në krijimin e një ‘kombi etnikisht të pastër’, por do të rriste numrin e minoritarëve që do të jetonin në një shtet kombëtar shqiptar.” (A. Baleta, “Kombi nuk mund të jetë multietnik!”, shkurt 2009)
Si përfundim, mund të themi se natyrshmëria kombëtare, duam apo s’duam ne, udhëheq gjithmonë drejt vendosjes së gjërave në vendin e duhur, qoftë kjo edhe me një kosto kohore shumë të gjatë. Sepse është rregull dhe ligj i kësaj ekzistence, ku drejtësia ka atribute të përhershme, ndërsa padrejtësia ka struktura të përkohshme.