Berns: MERI MORISON, shqipëruar nga Lasgush Poradeci
O Meri, eja në dritare,
Eshtë ora jonë e dëshiruar,
Ç’kushtojnë mijëra thesare,
Përpara syve të adhuruar!
Mundim të madh do të duroja,
Si skllavi që duron i strukur,
Kur zemrën tënde të fitoja,
Moj Meri Morison e bukur!
Dje, me muzike e me vjoli,
Ndër djem e vajza kërcimtare,
Mendimi im më shkoi tek ti,
Unë isha atje, por s’ndjenja fare.
Kish fort të bukura ndër to,
Kish plot me nur sa s’bëhet më,
Po unë thashë “Nuk ka, jo,
Si Meri Morison asnjë!”
O Meri, do ti ta mundosh,
Atë që zbret për ty në varr?
Do shpirt e zemer t’i coptosh
Për fajin se të do me zjarr?
Në s’më pranon si dashuror,
Trego për mua pak mëshirë,
Ti s’mund të kesh një shpirt mizor,
Moj Meri Morison e mirë…
Please follow and like us: