Albspirit

Media/News/Publishing

Çështje ndërkombëtare apo dypalëshe me Greqinë?

Myslim Pashaj, një person me karrierë në ushtri, i cili denoncoi draft – marrëveshjen e detit më Greqinë shkruan sot në gazetën “Panorama”, rreth deklaratës së Berishës në Parlament. Ky i fundit, duke iu referuar kësaj çështjeje bëri dy komente me rëndësi:

Së pari se marrëveshja ishte arritje BILATERALE:

U bënë kaq debate, pati pretendime për protokollon e Firenzes dhe për shumë gjëra, por ne thamë jo, duhet ta njohim bilateralisht dhe u arrit kjo”.

Së dyti se ankimimi i PS-së në Gjykatë Kushtetuese u bë me nxitjen dhe në interes të një pale të tretë:

Unë nuk flas në mënyrë përfundimtare këtu, por u them shqiptarëve një gjë; në mënyrë absolute shumë shpejt do të kuptoni se në interes të kujt vepruan. Dhe u them këtu, në bindjen më absolute, se vepruan në interes të një pale të tretë. Historia do e provojë. Kjo është deklarata ime. Por unë nuk ngutem”, tha Berisha.

Çfarë thotë z. Pashaj? Përveçse e ngarkon opinionin e tij me nuaca të një proze dramatike, ai bën një lidhje mes këtij qëndrimi dhe akuzës që ka ardhur nga mediat greke për blerjen nga Turqia të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Thërret në skenë fantazmat rajonale në spektër të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë, për të ndezur një zjarr konflikti që askush nuk do ta dojë: ”Turqia ka nxitur rrëzimin e Marrëveshjes Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse u pagua ryshfet tek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, shkruan Pashaj(http://www.panorama.com.al/turqia-rrezoi-paktin-detar-me-greqine-myslim-pashaj-i-pergjigjet-berishes/).

Në fakt Berisha nuk e ka thënë këtë gjë. Mundet ta thoshte dhe asgjë nuk do ndodhte, pasi ka thënë boll gjëra në këtë botë. Por ja që këtë nuk e ka thënë. Këtë lidhje e ka bërë emisioni “Top – Story”, i cili vuri deklarimin e Berishës, tesktualisht i cituar më lart, me një intervistë të Dora Bakojanis dhe një prononcim të gazetarit grek Stavros Ligeros që foli hapur për blerjen nga Turqia të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Nëse Berisha do të kishte bërë një akuzë të tillë, pra se gjykata shqiptare është blerë, me siguri një nga anëtarët do të reagonte për të mbrojtur punën e vet. E një prej atyre anëtarëve është edhe Xhezair Zaganjori, të cilin Sali Berisha e promovoi si kandidat për President. Ndaj ky kapërcim që bën Pashaj për të dalë me çdo kusht te tradhëtia e supozuar e Berishës është në keqbesim dhe nxit një mitologji të patriotizmit të PS-së që nuk ekziston.

Le të vijmë tek i njëjti emision ku u fabrikua ky perceptim. Aty ndodhej i ftuar ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, një njeri që “menaxhoi” me zvarritje  problemin e emërtesave në pasaportat shqiptare duke futur termin Çamëri, i cili nuk bën pjesë në nomenklaturën e toponimeve që depozitohen në OKB.

Ministri pranoi se për çështjen e detit është konsultuar me palë të treta, përveç ekspertëve që është e natyrshme të thirren për ndihmë. Nga kjo pikëpamje, qasja e qeverisë kontraston me veprimin diplomatik të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, dhe me atë që thotë Sali Berisha. Ajo kontraston në faktin se ndërkohë që qeveria shqiptare, linja e PS-së, kërkon që axhendën e problemeve me Greqinë ta ndërkombëtarizojë, Berisha siç na thotë më lart, por edhe Meta së fundmi në Greqi, mbajnë linjën e një zgjidhjeje Dypalëshe.

Lajmi i përcjellë nga Top-Channel se qeveria greke dhe presidendit Pavlopulos, do të miratojnë amendamentin për heqjen definitive të ligjit të luftës  nëse konfirmohet – shkon pikërisht në këtë drejtim, pasi informon se pala greke ka gjetur një dialogues në Tiranë, ndaj të cilit bën një konçesion jo të vogël. Ky është dështim për ministrin e Jashtëm, që ndërtoi një terminologji të tërë, për mekanizma dypalësh etj., por që në fund duket se ka kapur të dalja e papritur e komisionerit Hahn një moment për ta çuar përpapar axhendën e ndërkombëtarizimit të problemit, pa konsumuar energjitë e duhura me Athinën zyrtare. Loja e Metës e skualifikon këtë prirje pse vendos në tryezë një propozim konkret. Çështja e toponimeve në pasaporta ishte as më shumë e as më pak një front i ri, analog me atë të debatit që Greqia ka me Maqedoninë për çështjen e emrit. Bushati e shiti këtë si arritje të vetën, por asnjëherë nuk u tha se kush i prodhoi pasaportat me toponime të tilla?

Diferencimi i dy linjave ka rëndësinë e vet në dritën e deklaratës së Berishës se “socialistët në çështjen e marrëveshjes detare kanë vepruar në interes të një pale të tretë”. Dhe ndërkombëtarizimi i çështjes çame, kur nga Greqia informohet se ligji i luftës mund të hiqet, krijon idenë se edhe këtu Tirana zyrtare është e rakorduar me palë të tjera për të vënë në qoshen e ringut diplomatik Greqinë. Pa folur sesa rëndësi ka kjo për zgjedhjet në Shqipëri, pyetja që shtrohet është: cili është interesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë kuadër?

Nëse do të flasim për çështjen çame, duhet të theksojmë se ka ëedhe një formacion tjetër, ai id drejtuar nga zoti Dojaka që synon vetëm të drejtat pronësore. Nga sa po rezulton, për klëto Greqia është gati të hapet dhe për këtë ka patur oferta edhe më herët. Formacioni i z. Idrizi dhe pas tij yshtja që vjen nga Tirana zyrtare me teknikën e ndërkombtarizimit, në thelb çon drejt amplifikimit të çështjes duke ushqyer dyshimet e përhershme të Greqisë se pas asaj që kërkohet qëndron një pretendim territorial. Ndoshta jo më kot, Ilir Meta e nisi vizitën në Greqi me një intervistë ku thoshte se “nuk ka parti serioze që të kenë axhendë nacionaliste”. Ky është një problem që po ravijëzon ndarje edhe brenda spektrit politik shqiptar, i cili duket se po zihet për ekskluzivitetin e zgjidhjes me Greqinë, por në fakt luan muzikë krejt tjetër.  Do të duket në zgjedhje se si ky realitet do të instrumentalizohet kur paralelisht me çështjen çame dhe zhurmën që bëhet mbi të, nga LSI-ja po luhet edhe karta e votimit të emigrantëve që është në thelb një marrëveshje ndihme me palën greke. Ka jo pak deputetë socialistë që janë ndihmuar në zgjedhje nga emigrantë që vijnë e votojnë. Por ky është ende në fazë spekullimi.

Please follow and like us: