Albspirit

Media/News/Publishing

Esad Mekuli: I VARUNI I KËNDON LIRISË

 

Gjatë t’ashtuquejtunit  “akcion për mbledhjen e armëve’’, i torturuem për me dorëzue pushkën që nuk e kishte –e vari veten nji njeri…
Burrat, në kalim, e vjedhin me sy dhe shpejt kalojnë.

– O, ndëgjoni rrëfimin tim në këtë ditë që
sa po gdhin:

“Duert e përgjakuna i ke – më pëshpërisin pa pra.
Nën thoj, i dashtun, aq thumba kush të nguli?
Trupit i gjithë këto plagë, heu kush t’i  ka ba?
Kush në litar, fatzi, qafën ta përkuli?

“A asht kjo, o v’lla ahmarrja jote e vetme, e trueme,
për vuajtjet tona – mjerimin që kurr s’na u nda:
në djersën tonë e gjakun për t’zezat që janë ba,
për  fluturimet në një botë jo vetëm t’andrrueme?’’

Pra, ndëgjoni kangën time për Lirinë:
Udhërrëfyese le t’bahen këto duer të mija
dhe plagët që trupin tim shëmtojnë
pishtare ndriçuese n’çdo rrugë pa shkëndija,
e laku rreth qafës – ku mbarojnë
vuejtjet
për jetën ma të mirë
në këtë ditë të lirë,
në këtë ditë të lirë!
(1954)

Please follow and like us: