Fjalimi i vitit 1991 i ish-përfaqësuesit të Shqipërisë në OKB, për kombin shqiptar dhe atë “kosovar”
Ish përfaqësuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara menjëherë pas pluralizmit, Sokol Neçaj, në profilin e tij në FB, me rastin e debatit që është hapur për të ashtuquajturin “Komb Kosovar” ka risjellë një deklaratë që ai ka bërë për këtë çështje që më 15 tetor të vitit 1991 në OKB.
Neçaj 25 vite më përpara, kur ende nuk imagjinohej një shtet kosovar dhe jo më një “komb” jo shqiptar me përbërje shqiptarësh, në New York do të deklaronte përpara përfaqësuesve të gjithë kombeve të botës se “ Shqipëria është një komb i vetëm, por i ndarë më dysh si rezultat i padrejtësive historike”.
Statusi i Sokol Neçaj dhe faksimile e fjalimit të mbajtur në OKB
“…Ka vetëm një komb, kombi shqiptar, i cili ka jetuar në territoret e tij shumë kohë përpara se të vinin sllavët në Ballkan. Ai komb kurrë nuk ka pasur ambicie ekspansioniste. Shqipëria është një komb i vetëm, por i ndarë dysh si rezultat i padrejtësive historike…”.
Kështu kam deklaruar si përfaqësuesi i Shqipërise në OKB më 15 tetor 1991, në New York. Kuptohet se nuk u kisha marrë leje kosovocentristëve të “kombit kosovar”, as përfaqësueseve të kombit jugosllav, vetëm në emër të kombit shqiptar, një dhe i pandarë!