Uran Butka: Ja si vrau Mehmet Shehu!
Historiani Uran Bukta, mbajti fjalën e rastit në ceremoninë e dekorimit të 67 ballistëve, nga presidenti Bujar Nishani. Sipas Butkës, masakra e Lushnjës është më e madhja që ka ndodhur ndonjëherë, duke arritur në 80 veta.
Sipas Butkës, ka qenë Brigada e Parë Sulmuese, me në krye Mehmet Shehun, që shkaktoi këtë masakër, pas një sulmi ndaj forcave nacionaliste të komanduara nga Tefik Cfiri dhe Isa Manastirliu, dy komandantë të çetave të Ballit Kombëtar, në afërsi të Lushnjës, te kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem, më 21 tetor 1943.
“Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65 robërve, që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm, bujq nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese (vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës me pseudonimin Salë. Atje nuk kishte as italianë, as gjermanë, kish vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit, kishte dhe një të huaj, një komunist malazez që ushtronte luftën kundër shqiptarëve si një zanat i vjetër. Kemi të bëjmë me një krim lufte kundër njerëzimit: Vrasja e robërve të luftës”, thotë Butka.
URAN BUTKA
Një nga betejat më të përgjakshme të luftës civile ndërmjet Ushtrisë NÇ dhe forcave luftarake nacionaliste ishte lufta në Golem të Lushnjës, më 21 tetor 1943, pas prishjes së njëanshme të marrëveshjes kombëtare të Mukjes nga komunistët, me nxitjen e emisarëve komunistë jugosllavë Miladin Popovic e Dushan Mugosha dhe pas Konferencës së Labinotit (4-8 shtator 1943), ku u shpall zyrtarisht lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar.
Në krye të kësaj lufte civile ishte vënë Brigada I S me komandant Mehmet Shehun dhe zv.komisar Dushan Mugoshën, me pseudonimin “Sali Murati”. Brigada I, qysh nga themelimi, betejat i bëri kryesisht kundër nacionalistëve të Ballit Kombëtar, mandej kundër Legalitetit, krerëve të Veriut etj.
Mjafton të përmendim mësymjet dhe masakrat e Brigadës I S në Dukat të Vlorës, me urdhër të Dushan Mugoshës, më 30 nëntor 1943, masakrën e Martaneshit, më 5 mars 1944, masakrën në Starovë me urdhër të Enver Hoxhës, më 21 prill 1944, masakrat në Mirditë, Dibër (Sinë), Mat, Dumre në vitin 1944, masakrat ndaj robërve italianë në Mallakastër, ku M.Shehu pushkatoi 83 robër lufte dhe në Malin me Gropa 140 oficerë dhe ushtarë italianë të vetëdorëzuar, masakrat në Malësinë e Madhe dhe Kelmend në janar-shkurt të vitit 1945, e kështu me radhë gjatë gjithë luftës civile 1943-1945, por edhe pas saj.
Le të përmendim masakrën në Valmir të Mirditës, ku M.Shehu vari e pushkatoi pa gjyq 14 njerëz të pafajshëm, më 17 gusht 1949, dhe masakrën tjetër me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, ku me propozim të tij u pushkatuan pa faj e pa gjyq 22 intelektualë të shquar në Tiranë, ndërmjet tyre edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati.
Përveç të vrarëve e të pushkatuarve të kundërshtarëve të komunizmit dhe viktimave të shumta nga popullsia, Brigada I S dogji shtëpitë e “reaksionarëve”, sekuestroi pasuritë e tyre dhe bëri terror në të gjitha krahinat ku ajo shkeli. Mjafton të përmendim se në Kelmend u dogjën 34 shtëpi, në Starovë me 400 shtëpi, vetëm 5 shtëpi që ishin me komunistët nuk u dogjën, të tjerat u bënë shkrumb e hi, siç raporton vetë Mehmet Shehu, e kështu me radhë.
Urdhrin për operacionin në Starovë e dha Enver Hoxha: “Sikundër që e dini, Starova ka qenë dhe është qendra e reaksionarëve të fëlliqur të qarkut të Korçës… Me një fjalë, Starova është një çerdhe e ndytë, të cilën ne duhet ta godasim rëndë dhe ta zhdukim”. Bilancin e luftës në Starovë e bën M.Shehu: “Tani, me përjashtim të 5 shtëpive që ishin me ne, Starova u shua dhe nuk ekziston më. Nuk ka më Starovë!”.
Një nga ato masakra qe ajo në afërsi të Lushnjes, te kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem, më 21 tetor 1943. Brigada I S sulmoi forcat nacionaliste të komanduara nga Tefik Cfiri dhe Isa Manastirliu, dy komandantë të çetave të Ballit Kombëtar, që kishin marrë pjesë në luftimet kundër pushtuesve italianë bashkë me forcat nacionalçlirimtare:
Tefiku në Mallakastër në bashkëpunim me Mehmet Shehun dhe Isai në luftën e përbashkët të Qafë Shtamës, nën komandën e Abaz Kupit, më 4-5 gusht 1943, pra, një ditë pas Marrëveshjes së Mukjes. Por krerët komunistë e prishën këtë marrëveshje dhe i kthyen pushkët kundër atyre, me të cilët deri atëherë kishin bashkëpunuar kundër okupatorëve.
Mehmet Shehu shkruante: “U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë” (AQSH fondi 41 v.1943 D.32)
Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65 robërve, që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm, bujq nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese (vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës me pseudonimin Salë.
Atje nuk kishte as italianë, as gjermanë, kish vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit, kishte dhe një të huaj, një komunist malazez që ushtronte luftën kundër shqiptarëve si një zanat i vjetër. Kemi të bëjmë me një krim lufte kundër njerëzimit: Vrasja e robërve të luftës.
Këtë masakër e pranon edhe vetë komandanti i Brigadës I Sulmuese, M.Shehu në një letër-autokritike drejtuar Shtabit të Përgjithshëm:
“Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte të pushkatoheshin 10-20 ballistë nga më përgjegjësit… Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do t’i zhdukim në të ardhmen.
Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastit, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare”. (AQSH fondi 41 D.32 v.1943)
Sipas dëshmive të Xh.Staraveckës, i pranishëm në këtë masakër kolektive, pushkatimet u urdhëruan nga Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha, i cili ishte i plotfuqishëm në Brigadën I. Fiqrete Sanxhaktari (Shehu) ndikoi te Mehmeti për të hequr nga rreshti i ekzekutimit 10 “lafshëpaprerë”, meqenëse balanca rëndonte nga ortodoksët, për t’i bërë qejfin Dushanit.
Me gjithë 12 të vrarët në përpjekje dhe tre të tjerëve që M.Shehu i mori me vete dhe i pushkatoi, numri i këtyre viktimave arriti në rreth 80 veta. Vlas Arapi (Pelivani), kuadër i Brig.I, që erdhi pas masakrës, i tha Mehmetit: “Këta pushkatove ti? Trimëri të madhe paske treguar!”.
M. Shehu iu përgjigj: “Kjo s’është asgjë, me ato që kam parë unë në luftën e Spanjës. Atje janë derdhur lumenj gjaku…”. (F.Arapi, “Kush ishte Vllas Arapi”. Tiranë 2000) Në këtë përgjakje të luftës civile, ishte politika e PKJ dhe dora e emisarëve të saj M.Popoviç dhe D.Mugosha.
“Dy sërbët e mallkuar, që rrinin në krye të Partisë Komuniste Shqiptare, sot fërkojnë duart kur shohin se propaganda e tyre, për të cilën ishin dërguar, e bëri punën. Ah, ç’mjerim!
Popullin shqiptar e hodhën në vëllavrasje”, thuhet në një dokument të asaj kohe. (AQSH F.270 d.11 v.1943)