A qan burri?
Nga Ilir Hoxholli
“Këta djemtë kanë ardhur nga Tirana për të të ndihmuar”, ishin fjalët e Ledionës, gazetares që kishte bërë rastin publik. I zgjata dorën, por ai menjëherë u shkreh në lot, ishin lot dhimbje që dukeshin sikur thonin “jam dorëzuar”.
Më doli instiktivisht fjala “mbahu”, por nuk e di si mund të mbahej ai djalë që hallet e kishin rrëzuar keq. Lajmi i Ledionës kishte vënë në lëvizje shumë njerëz të institucioneve, banorë të fshatit. Dukej sikur Manuelën e vogël e kishin zbuluar për herë të parë tani. Qëndroja larg njerëzisë dhe dëgjoja zërat, premtimet, por që fytyra e vrarë e Avniut nuk reagonte fare. Dukej sikur ishte i mësuar me ata zëra, por që vazhdonte t’i dëgjonte, mbase ku i dihet, çfarë nuk mund të ndodh. Manuela e vogël nuk e kuptonte përse ajo gjindje kishte ardhur. Ajo nisi të qante dhe si me buton pushoi, kur një nga vajzat që na shoqëronte në bamirësi i përgatiti diçka në biberon për të pirë. Më tutje disa kamiona mbusheshin me inerte nga kodra që nuk bëzante. Zhurmës së kamionëve i shtohej edhe zëri një fqinji që na fliste me të njëjtin ton të pandryshuar duke na treguar histori të fshatit. Qëndroja në heshtje, ajo që mendoja ishte se gjithë ky zell do të shkrehej nga gjithësecili, sapo të ktheheshim në familjet tona duke lënë të njëjtin Avni, të njëjtën Manuelë. Lamë ushqimet dhe Avniu nisi të qante sërish. Qëndrova jashtë, m’u mbaruan të gjitha fjalët. “Mbahu” nuk kishte më kuptim, gjendja ishte më e rëndë. Lotët e Avniut dhe qetësia e Manuelës së ngopur më kujtonin varrimin e gjyshes, kur njerëzit qanin duke nxjerrë xhenazen dhe ne fëmijët shikonim si të çuditur. Para është dimri i ftohtë i Korçës, në atë kasolle që shiu dhe era hynin nga të tëra anët, mbase do na lërë një brengë se si nuk e ndihmuam Avniun dhe Manuelën e vogël për një banesë, duke ikur ashtu në heshtje sikur pas lamë një xhenaze, por që akoma fliste duke na dhënë shancin që jemi akoma në kohë, që jemi ende njerëz…
A qan burri?
Po po qan, kur thika t’ngulet n’asht, e ti s’mundesh asnjë grimë ushqim me ia dhanë foshnjes që piskat…