“Darkat e gabuara” të gazetarëve me pushtetin
Zamir Alushi
Në fillimet e gazetarisë, që përkojnë me vitet e para të demokracisë, u ndeshëm me mungesën e lirisë së shprehjes. Brezi im ka bërë sakrifica që sollën rrëzimin e ligjit të shtypit të hartuar nga Berisha, gazetaria opozitare vrau frikën ndaj pushtetit që në atë kohë kishte tendenca për të shkuar drejt diktaturës. Në atë kohë, u shkrua edhe Kodi e Etikës i Medieve Shqiptare, sipas eksperiencave botërore. Më vonë, (kur formalisht liria e shprehjes nuk vihej në diskutim), teksa jepja leksione për lëndën “Etika e medias”, kam menduar se standardet amerikane të gazetarisë janë të paarritshme për Shqipërinë, për shkak të mungesës së profesionalizmit dhe të kushteve sociale dhe ekonomike.
Por, çfarë po ndodh në shtypin amerikan? Fushata e pistë e dy kandidatëve presidenciale ka bërë pis edhe mediat. E-mailet e zbuluara dhe publikuara nga Wikileaks tregojnë se gazetaria amerikane nuk është më shembull i etikës profesionale. Me përjashtim të gazetarëve të “Fox news”, gazetarë thuajse nga të gjitha mediat kryesore, janë ftuar nga kompania që menaxhon fushatën e Clinton-it në darka private dhe u ka dhënë udhëzime si ta raportojnë Clinton-in pozitivisht. Shumë gazetarë amerikanë që mbulojnë fushatën presidenciale kanë shkelur kodin e etikës duke shkuar në dreka dhe kokteje private të zhvilluara nga kompania që menaxhon fushatën.
Falë Wikileaks, sipas medieve amerikane, ne tani e dimë se të paktën 65 gazetarë të rëndësishëm janë duke punuar ngushtë me stafin e fushatës Clinton këtë vit zgjedhor. Ata u ftuan në krye të fushatës në darka elitare me Hillary Clinton të organizuara nga John Podesta apo shefi i fushatës, strategu Joel Benenson. Por jo të gjithë. Asnjë nga gazetarët e Fox news nuk është në listë! Dihet se ky grup mediatik ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Clinton. Siç raportohet- edhe më parë, të paktën 38 gazetarë të nivelit të lartë drejtues morën pjesë në një darkë në shtëpinë e John Podestës në prill 2015. Stafi i Clinton i ka udhëzuar gazetarët e New Yorkut në prill të vitit 2015 në takimet “off the record” se si duhet të raportohej (shitej) Hillary Clinton për publikun. Një grup prej 25 gazetarëve kryesorë është ftuar në një darkë në shtëpinë e Xhon Podestës më 9 prill (sipas e-mail-eve të publikuara nga Wikileaks). Kjo ishte një listë krejtësisht e ndryshme me gazetarë që mbulojnë lidhjet direkte. Ne gjithashtu, falë Wikileaks e dimë se shefi i “Politico” Glenn Thrush i kishte dërguar artikujt pro fushatës së Hillary-t për t’u shqyrtuar nga stafi i Clinton para publikimit. Ne e dimë tashmë, se CNBC dhe reporteri i New York Times, John Harwood janë duke punuar me stafin e fushatës Clinton për të ndihmuar Hillary-n. Tashmë është e qartë se Amerika me korporatat e mediave nuk është më shembull për t’u ndjekur.
Qëllimi i këtij artikulli nuk është të këshillojmë kolegët që të mos shkojnë në drekat që shtron Rama për gazetarët, as t’ju mësojmë se nuk duhet të përdorni xhirimet e gatshme të kronikave që përgatisin partitë apo zyrat e shtypi të qeverisë. Nuk duam as “të denoncojmë” ndonjë gazetar për lidhjet me qeverinë apo opozitën, se ka shumë pak të pavarur jashtë “kazanit”. Apeli im personal është të ngrihet sa më shpejt Urdhri i Gazetarëve Shqiptarë. Përpjekja e OSBE-së për ta ngritur këtë organizëm, që do të kontrollonte zbatimin e Kodit të Etikës, është sabotuar në vite nga botuesit dhe pronarët e medieve. Eshtë koha që gazetarët të bashkohen dhe ta ngrenë këtë forum, edhe për të mbrojtur nderin e profesionit, që merret nëpër këmbë nga pushteti. Nëse nuk e bëjmë, do të vazhdojmë të humbim besueshmërinë, dhe do ta meritojmë epitetin “kazan” që na ka vënë kryeministri.