KASTRIOT DERVISHI/ Menuja e ballistëve, partizanëve dhe zogistëve gjatë luftës
Menuja ushqimore e forcave politike gjatë Luftës së Dytë Botërore po merr më shumë rendësi sesa roli dhe veprat e këtyre forcave gjatë kësaj lufte. E siç ndodh rëndom, për fat të keq dalin “argumente” me origjinë nga propaganda e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste apo nga kinostudio e djeshme, sipas të cilave p. sh.:, ballistët duhen vrarë se hanin pula, a thua se pula si shpend është konsumuar vetëm nga ballistët se ballistët ishin shtresa në nevojë.
Këtij aspekti të parëndësishëm i mungon fakti se me çfarë janë ushqyer gjatë luftës p. sh.:, zogistët.
Po a ka pyetur kush se si ushqeheshin shtresat në nevojë, partizanët?
Propaganda komuniste e cila i është imponuar publikut nëpërmjet kinematografisë kryesisht, e ka paraqitur figurën e partizanit gati humanist, që nuk ha nga trasta e popullit, që sakrifikon shumë, etj.
Partizani shqiptar nuk ishte gjë tjetër veçse një imitimi i trashë i partizanit jugosllav. Jo vetëm në veshje e simbole, por edhe në parulla përshëndetëse. Sikur të ishin tharë gjithë fjalët e gjuhës shqipe, partizanët shqiptarë që drejtoheshin nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, përdornin këtë parullë përshëndetëse: “Smërt fasizmu-sloboda narodni” (“Vdekje fashizmit-liri popullit”).
Për t’u kthyer te çështja, për të pasur më të qartë se me çfarë ushqeheshin partizanët gjatë luftës, më poshtë do gjeni pjesë nga historiku i batalionit të 3-të të brigadës së parë, marrë nga Arkivi i PPSH-së. Pjesa i referohet hyrjes së forcat të batalionit në fjalë në zonën e Dumresë. Pavarësisht se nuk janë vendosur data, referuar historikut të përgjithshëm të brigadës, është tetor 1943. Kësisoj, meqë opinioni është dërrmuar me propagandë mbi “pulat që kanë shqyer ballistët”, le të shohim se si dhe me çfarë ushqeheshin komunistët.
Pjesë nga historiku i batalionit të 3-të të brigadës së 1-rë komuniste shkruar nga S. T.
Mbas çdo aksioni ktheheshin në bazë të gëzuar se e dinim që do të na prisnin këngët dhe teatrot e bukura që vetë partizanët i hartojnë çast pas çasti. Pasi kaluan 10 ditë në punë të vazhdueshme, por gjithmonë të kënaqur, nisemi për në malin e Mnerit, për të marrë nja 4 topa që ishin atje të fshehur. Pas një udhëtimi prej 6 – 7 orësh mbërritëm në rrëzë të malit, në një fshat. Populli i pagdhendur fare, nuk kishin as më të voglën njofni për luftën tonë, nuk e njihfishin fare. Pas dy ditësh mundëm me gjete 3 topa të kalibrit 75-13 e pas këtyre ditëve u kthyem prapë në familjen tonë, domethënë në fushën e Erzenit.
Më në fund pas nja 3 ditësh u nisëm për t’u hedhur prapë në jugë. Kaluam natën mbi lumin e Shkumbinit, gjithmonë pa folur, të heshtur, pa pi duhan e pa u kollitë, e përshkruam varg, njëri pas tjetrit të gjithë ato kodra që vazhdonin njëra pas tjetrës duke u naltësue. Më kujtohet me sa kujdes kalonim në një heshtje të tillë, me veshët e ngrehur për të qenë gati për çdo të papritur. Pas një ecje të vazhdueshme, ndaluam faqe një kodre, prej aty, dukej qyteti i Elbasanit.
Pastaj natën përshkojmë në heshtje fshatrat aty afër Elbasanit, kemi kalue aq afër gjatë zallit sa mushkat besoj se dëgjoheshin. Pas një nate ecjeje të vazhdueshme hymë në Dumre, krahinë pjellore e Elbasanit, një vend krejt fushë. Aty partizanët ja nxorën inatin reaksionarëve, e kam fjalën për çifligun e Ibrahim Biçakut. Ushqim pa masë, duhan me rrogëze, por mbi gjithçka një mish prej dhije që kishte 4 gisht dhjamë. U kënaqën partizanët e bajshin shkak në mes tyre duke thanë “mos të lëntë Zoti pa reaksionarë”. Të nesërmen u nisëm për në katundin e Belshit që ishte qendër e reaksionarëve. Katundarët na pritën mirë sigurisht nga frika se ish brigada e 1-rë jo se ata e kishin kuptuar luftën tonë. Pas një dite shkruam në një fushë të madhe afër katundit Seferaj, aty ngrehëm çadrat për të qëndruar disa ditë. Filluam të organizojmë këshillat e fshatrave e pas nja 5 ditësh, u formua këshilli krahinor, neve i dhamë një shije mbledhjes me korin që kishim formuar e me teatrot e ndryshme që lojtëm. Gati çdo ditë loznim teatro. Sa efekt që bëjnë hapat e para drejt njohjes së lëvizjes sonë. Qenë me të vërtetë ditë të bukura ato që kaluam në Dumre. Kishim lopë që thernim për të hëngër e për çudi lopët shtoheshin çdo ditë megjithëse neve hanim. E kjo sepse përditë ua merrnim reaksionarëve. Pas një çlodhjeje të mirë, u nisëm për në Sulovë. Kaluam Devollin, e përshkruam njëri pas tjetrit katundet e Sulovës që në pjesën më të madhe qëndronin mirë. Më ka bërë përshtypje në disa katunde qëndrimi i pleqve që ka qenë shumë i mirë. Neve në çdo katund ngjallnim lëvizjen, iu tregonim katundarëve rrugën e vërtetë. Duke vazhduar kështu i afrohemi Beratit që ishte i liruar prej forcave partizane të rrethit të tij. pak përpara se të hymë në Berat, pranë një mulliri, na u nda një shok nga radhët, e ky qe partizani trim Telha Shahini, por mjerisht mjerisht jo nga lufta por nga pakujdesia e një shoku të ri që kishte një automatik anglez e që pa dashje me karikator brenda deshi ta pastronte.
(Shënim: Teksti botohet sipas origjinalit, me ndonjë korrektim të vogël letrar si p.sh. vendosja e pikës në fund të fjalisë. Shkruesi i historikut nuk e ka njohur pothuaj fare pikën pasi e ngatërron ndonjëherë me presjen).