Piktori i artit bashkëkohor shqiptar, Bashkim Ahmeti, vjen për publikun shqiptar me një ekspozitë vetjake me 90 krijime artistike të ekspozura në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Tematika e tablove kompozicionale të ndërthurura me ngjyrat e forta dhe ato të ftohta, apo edhe me kontrastet gjejnë frymëzim nga Onufri, Nikolla e Shpataraku. Koleksioni i veprave të ekspozitës vetjake janë realizuar me një kolorit shpërthyes dekorativ, por që brenda tyre kanë një muzikalitet shqiptar.
Ndryshe ndodh me ciklin e tablove kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare, ku artisti abstragon dukshëm në imazhin e tij.
Ngjarjet e qytetit të tij të lindjes, të përjetuara dhe shkruara nga pena e shkrimtarit Kadare, tashmë janë të hedhura në vaj edhe në tablotë e piktorit Bashkim Ahmeti.
Në peisazhet plot fantazi të piktorit, në tablotë e tij gjenden edhe kujtime mitike dhe legjendare të popullit shqiptar.
Ekspozita vetjake e Bashkim Ahmetit do të jetë e hapur në Galerinë e Arteve për afro një muaj.