Profesori arbëresh Matteo Mandalá, Akademik Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë pranoi si anëtar të jashtëm të Asamblesë së saj prof. dr. Matteo Mandalà-në, prej afro 25 vjetësh përgjegjës i seksionit të albanologjisë në Universitetin e Palermos (Università degli Studi di Palermo) me këtë motivacion: “Albanolog i mirënjohur; historian dhe studiues i letërsisë arbëreshe dhe shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme, filolog e botues i shkrimeve dhe veprave shqip në disa periudha letrare; intelektual me interesa të gjerë dhe dijetar me ndihmesa origjinale në disa fusha të dijes kombëtare; përfaqësues i shquar i mendimit shkencor shqiptar në gjithë botën e sotme akademike-universitare”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Dr. Myzafer Korkuti, në prani të shumë studiuesve, miqve e kolegëve, i dorëzoi profesorit arbëresh vendimin, ndërsa prof. Floresha Dado kumtoi një pasqyrë të aktivitetit shkencor të Matteo Mandala.
Së bashku me prof. dr. Francesco Altimarin, Mandalà është themelues i filologjisë moderne shqiptare. Ai ka përgatitur dhe botuar me shqyrtim kritik dhe me principe shkencore europiane veprën e Lekë Matrangës, veprën e Nicolò Chetta-s, veprën e Nicolò Figlia-s (Il Codice Chieutino), veprën e Giuseppe Schirò-it, veprën e Gavril Darës. Së fundmi, në 200-vjetorin e lindjes së De Radës, ai ishte përkujdesës kryesor për botimin për herë të parë në Shqipëri të veprës së tij si në gjuhën e burimit, me tejshkrim në shqipen e sotme, në gjashtë vëllime. Prof. dr. Matteo Mandalà njihet gjithashtu si studiues i rendit parësor të letërsisë së Ismail Kadaresë dhe i disa autorëve bashkëkohore. Studimi hyrës i ribotimit të afërm të veprës së plotë të I. Kadaresë, me përmbajtjen e një monografie, është njëherësh një vështrim rreth zhvillimeve të letërsisë shqipe pas vitit 1960.
Emri i prof. dr. Matteo Mandalà-së çmohet shumë për ndihmesat e tij si shkencëtar dhe për besueshmërinë intelektuale si pjesëmarrës në debatet themelore për të cilat shqetësohet Akademia e Shkencave në pikëpamjen shkencore, si debati për njësinë e gjuhës letrare, debati për identitetin shqiptar, debati për qendrimin ndaj traditës së hershme e të afërme dhe çështje të tjera.
Pasi bëri falënderimet e rastit, prof. Matteo Mandalá paraqiti një ligjëratë me temën “Vendi i veprës së Ismail Kadaresë në letërsinë bashkëkohore”.
Sipas Mandalá-së, me “gjeneralin italian që kërkonte ushtrinë e vdekur në trojet shqiptare, Kadare vërtet tërhoqi vëmendjen për talentin e veçantë artistik të autorit të ri, por asokohe askujt nuk ia merrte mendja se letërsia bashkëkohore shqiptare nga ai çast e tutje do të ndahej në dy periudha ante dhe post quem, të lidhura me figurën dhe veprën e Ismail Kadaresë. Në fakt botimi i parë i Gjeneralit shënon një kthesë historike që na lejon, nga njëra anë, të pohojmë se pas atij botimi asgjë nuk do të ishte më si mëparë, e nga ana tjetër t’ia hyjmë një shqyrtimi të plotë të procesit artistik kadarean, që sot është bërë i domosdoshëm pas vendimit të autorit për ta mbyllur përfundimisht veprimtarinë e tij krijuese”.
Sipas profesorit italo-arbëresh, “karakteri qendror i Gjeneralit shpjegohet jo aq me faktin se ishte romani i parë që botoi Kadare, sesa me atë se romani nxori në pah konfliktin mes dy vizioneve të kundërta e të papajtueshme të realitetit: nga njëra anë, duke favorizuar një aspekt të nëndheshëm që historikisht ka tërhequr vëmendjen e gjenisë krijuese, kjo vepër ngjallte te Kadare prirjen që kishte ushqyer qysh në fëmijëri për fantazmat shekspiriane; nga ana tjetër, ishte e pashmangshme që të merrte jetë një ballafaqim dinamik me kryeneçësinë e një sistemi ideologjik i cili, ndërkohë që rrekej të ndërtonte parajsën mbi tokë, nuk i kishte fort qejf inkursionet letrare nëntokësore që u shmangeshin kanoneve zyrtare. Nga ky moment Kadare vihet në kërkim të hapësirave që t’i lejonin eksperimentime të reja pa u konformuar dhe njëherazi pa e thelluar hendekun antikonformist”.