Sadik Bejko: Desidentët e rremë, rasti Trebeshina
DISIDENTËT E RREMË
Sadik Bejko
Lënda
Hyrje
Kreu I
Fabrikimi i disidentëve të rremë
Kreu II
Dy replika: Përgjigje për çështjen Trebeshina
Përgjigje Ardian Klosit. Dokumente të reja
Kreu III
Tri tekste të Kasëm Trebeshinës
- Promemorje e dyshuar për Enver Hoxhën
- Stalinit, poemë
Shënim mbi poemën
- Vrit ose do të të vrasin (Fragment nga N.Dragoi)
Kreu IV
Dokumente dhe letra
Shteti dhe Trebeshina në vitet ‘60
Letra e Trebeshinës, tetor 1963
Letra e Zonjës Trebeshina
Përgjigje të H. Kroit dhe V. Sotiriadhit
Letra, dhjetor 1963
Trebeshina apelon
Trebeshina i grabiti bibliotekën A.Omarit
Sigurimi dhe Trebeshina
Kreu V
Rrugaçëria shqiptare në shërbim të diktaturës
Çështja “Janulla”. Dokumente
Biografia e Janullës sipas arkivit
Një literaturë e turpshme
Kallëzime dhe dëshmi
Kreu VI
Përndjekja në letërsi dhe në arte
Kreu VII
Shembuj të çuditshëm
Pse fshati ynë nuk u bë qytet (fragment tregimi)
Shënimi mbi këtë tregim
Mendime mbi veprën Mekami
Mekami (fragmente)
Kreu VIII
Pasthënie
Faksimile: Themeluesit e armës së Sigurimit
Faksimile: Gradimi kapiten i parë i Kasëm Trebeshinës nga Enver Hoxha, mars 1945
Faksimile: Akuza të K. Trebeshinës kundër Mark Ndojës
Faksimile: Valer Dyrzi akuzon Ardian Klosin për denoncim në Sigurim
Faksimile: Drejtoria e Sigurimit për Tiranën vendos që Ardian Klosi të dalë si dëshmitar në procesin politik të shokëve të tij
Faksimile: Deponime të Sokol Ngjelës mbi Ardian Klosin dhe Valer Dyrzin
Faksimile: Kasëm Trebeshina, Letër Enver Hoxhës nga Gramshi
Faksimile: Letra të Trebeshinës për KQ të Partisë më 1963
Faksimile: Informacion i Vangjelo Sotiriadhit mbi Trebeshinën më 1963 (fragment)
Faksimile: Janulla Rrapi denoncon në hetuesi dy gra me kombësi ruse
Faksimile: Janulla si kallëzimtare në hetuesi kundër dy grave ruse
Faksimile: Drejtoria e Sigurimit e Tiranës propozon internimin e Janulla Rrapit
Hyrje
Më kishte bërë përshtypje dhuna verbale dhe e shkruar në shtyp, në radio, në intervista deri dhe e bisedave në tavolina e një shkrimtari, e një njeriu të vuajtur, e Kasëm Trebeshinës. Një dhunë përherë në rritje… Kjo më bëri të shqyrtoj mendimin tim për të dhe të kërkoj se nga buron gjithë kjo urrejtje e pashuar te ky njeri. Mendimi i parë është se një njeri që ka vuajtur, domosdo ka dhe ngarkesa që ia kanë vënë mbi supe kohët dhe padrejtësitë. Por ky i përvuajtur nga komunizmi me agresivitetin e tij të helmët, kishte diçka që e dallonte nga të përndjekurit e tjerë të së njëjtës kohë. Kishte edhe maninë për t’u afishuar si hero, si disident i pakundërshtueshëm, si një shkrimtar që prapë edhe në këto ditët tona dikush ia do të keqen, se po ia ha hakun… Këto më bënë që të hetoj dhe të hulumtoj më tej në historinë e tij. Të lexoj librat e tij, të shfletoj në biografinë e tij, në dosjet e arkivave. Dhe gjithçka të re që zbulova rreth tij mendova ta paraqes në këtë libër.
Nga një botë e së keqes, nga një botë e vuajtjes, mund të dalësh jo domosdo si hero. Heronjtë ndonjëherë janë sajesa. Për të mos thënë se, për ne që vijmë nga komunizmi, shpesh ata janë të tillë: të rremë. Figura e të persekutuarit politik nga komunizmi në këto vite doli para nesh me dinjitetin e dëshmitarit, jo domosdo dhe me atë të triumfatorit. Vuajtja dhe të qenit kundër nuk janë vlera të pakundërshtueshme. Për më tepër në një sistem si ai që provuam mbi kurriz, sistem që nuk e pranonte kundërvënien ballas. Ai sistem shkoi në plumb dhe në litar edhe njerëz që nuk kishin ndër mend t’i delnin kundër. I ekzekutoi se dhunën e kishte praktikë. Se kishte apoteozën e dhunës. Se i dukej se nuk merrte frymë po të mos përdorte dhunën, ekzekutimin, varjen në litar. Këto ndëshkime kapitale, të jashtëzakonshme për çdo kohë, në komunizëm ishin si gjimnastikë për regjimin. Ai sistem mund të thuash se kishte frikë, po të mos ishte i dhunshëm, deri dhe gjakatar. Në këtë kuptim, jo cilido që ka vuajtur në atë kohë, ka të drejtën të na i tundë para syve viktimizimin e tij si shenjë heroizmi.
Ndonjëherë vuajtjet e së djeshmes sot kanë shërbyer si truall për disidentë të rremë, për idhuj të remë. Dhe deri më tani kjo ka ndodhur ndër ne.
Asgjë e re nën këtë diell. Kjo thënie e Solomonit të urtë na thotë se gjërat mund të përsëriten. Sidomos në një tokë si e jona. Një tokë ku njerëzit nuk mendojnë thellë, një tokë ku shpesh mungojnë vlerat dhe bindjet thelbësore. Ata që erdhën si heronj nga Lufta e Dytë Botërore (dhe shumë nga ata ishin vërtet të tillë) në emër të këtij heroizmi na u imponuan me të drejta të pakundërshtueshme. Dhe kjo praktikë e heronjve që kanë të drejtë për gjithçka, e dimë se sa na kushtoi. E dimë dhe se këta heronj me yll në ballë dështuan në paqe. Dështuan që të gjithë. Për fat të keq, dështuan.
Një tjetër urtësi dhe vlerë duhet të kërkojmë për të ndërtuar të ardhmen. Urtësi dhe moral universal që nuk mbahet në heronj, po në praktika që u kanë rezistuar thellësive të kohërave.
Ndër ne shoqëria dhe të vërtetat e saj ngrihen mbi mohimin dhe urrejtjen e atyre që ishin në fuqi përpara nesh. Ndërtohet vallë progresi mbi urrejtjen dhe mohimin e atyre që qenë në krye më përpara? Ai që ka vuajtur nën një regjim të urryer, a është domosdo hero në kohën që vjen më pas?
Në një klimë si kjo e jona ku, që të identifikohesh me të mirën, duhet të provosh se ke qenë kundra atij të keqit të djeshëm, në një kohë si e jona kur janë tronditur të vërtetat dhe bindjet thelbësore, universale, është e lehtë të fabrikosh një idhull të rremë.
Kështu, ndodh që heronjtë e remë që prodhoi koha e komunizmit, këmbehen me martirët dhe me disidentët e rremë të së sotmes. Dhe asgjë e re në këtë truall.
Dosja më poshtë do të flasë për fabrikimin e një disidenti të tillë. Do të sjellë fakte dhe dokumente mbi Kasëm Trebeshinën.
Dikush mund të ulërijë se ai ka vuajtur. Po është e vërtetë: ka vuajtur dhe shumë. Por nga se? Vuajti se humbi në luftën brenda llojit, vuajti nga përplasja me sivëllezërit e tij. Shumë nga ata që i përkisnin hierarkisë së komunizmit, kanë vuajtur nga përplasja e klaneve komuniste për pushtet e privilegje, jo nga se ishin më pranë apo më larg idealeve të tyre komuniste. Jo se kishin ndonjë ideal a moral të ndryshëm nga shokët e tyre.
Dhe të tillë “heronj” kanë edhe një anë tjetër, që na e kanë fshehur. E kanë fshehur heronjtë e rremë, ose ata që u duheshin idhuj të tillë.
Të çmitizosh një idhull nuk është keqdashje. Është përpjekja për ta kthyer atë në përmasat reale, në dinjitetin e tij të zhveshur nga fabrikimet. Të zhveshur dhe prej vuajtjes. Vuajtja nuk mund të shërbejë si alibi për ata që dikur kanë bërë krime. Për më tepër, kur shumica e atyre që janë persekutuar me rrënjë e me degë, që u janë pushkatuar bijtë, vëllezërit dhe të afërmit, vuajnë edhe sot.
Po ai është shkrimtar, mund të thotë ndokush. Është shkrimtar. Por vallë të qenit shkrimtar i jep dikujt të drejtën e një fuqie shkatërrimtare, të drejtën e një fuqie që nuk pranon asgjë tjetër veç vetvetes? Pastaj dhe fuqinë që të falsifikojë të kaluarën e tij apo të drejtën të thotë gjëra të paqena, të urryera për ata që i quan kundërshtarët e tij?
Në një tokë ku bindjet dhe të vërtetat thelbësore ndërrojnë e përmbysen shpesh është e vështirë të gjesh një taban të fortë si mbështetje për dinjitetin personal dhe atë kolektiv.
Megjithatë diçka mund të propozojmë. Besoj se virtytet e dashurisë, të durimit dhe ato të kundërshtimit të çdo gjëje të rreme nuk e kanë shterrur forcën e tyre, për sot dhe për nesër.
Kur thuhet me ngulm se një idhull duhet zhveshur prej fabrikimeve, njerëzit zihen bosh. Fillojnë mospranimet, kërcitjet, reagimet. Bëhen pyetjet: pse t’i shkojmë të vërtetës gjer në fund? Pse të shtojmë konfliktimin etj, etj.
Arsyet e një reagimi të tillë mund të vijnë nga mosdija, ose nga që dija për disa gjëra është fshehur me mjeshtëri apo është falsifikuar sa për t’u dukur si e vërtetë.
Zhurmuesit më të mëdhenj në këtë pikë janë ndër ata që kanë frikë se mos iu preket idhulli, të cilin vetë e kanë krijuar. Mendja e tyre nuk punon që të dallojmë të vërtetën nga jo e vërteta. Ata dredhojnë, e devijojnë objektin gjetkë. Ngrenë barrikadën: Trebeshina këndej, shkrimtarët e tjerë andej. Ky ka qenë i tillë dhe të tjerët të këtillë. Ky është martiri, të tjerët pa dallim e kanë viktimizuar atë.
Objekti i këtij libri është tjetër: të rindërtojë portretin e ”disidentit”, të tregojë se ç’pamje ka ky idhull i rremë, po ta zhveshësh nga gjysmë të vërtetat e nga fabrikimet.
Ka pasur raste flagrante, siç është ai i Dhora Lekës. Rehabilitimi moral dhe material i saj të ngjan me një lojë të pastër shërbimesh.
A mund të ketë edhe raste të tjera si ai i Dh. Lekës?
Fakt është që njerëzit e ish-shërbimeve shqiptare dhe një pjesë e intelegjencës sonë me prejardhje nga nomenklatura e lartë komuniste, dashur pa dashur, janë të përfshira në këto tollovi. Ata, ndonëse kanë ditur gjithçka, kanë heshtur, ose janë bërë pjesë e lojës kundër vendit të tyre. Pastaj kanë fabrikuar idhuj të dyshimtë dhe i kanë përdorur ata si kamxhik kundër të tjerëve. A janë në këtë lojë dhe disa nga zelltarët dhe trumbetuesit e Kasëm Trebeshinës?
Ky libër merr për sipër të informojë dhe të japë një sinjal për të parandaluar fabrikimet e idhujve të rremë nga radhët e rrugaçërisë, nga radhët e spiunëve dhe të sigurimsave, të ndalë trillimin dhe falsifikimin, shndërrimin e monstrave në heronj. Për deformime të tilla do të na vinin në turp të gjithëve nga ata që do te vijnë pas nesh.
Kreu I
Fabrikim i disidentëve të rremë
- Shqipëria dhe kërkesa e Europës për dënimin e krimeve të komunizmit
Shqipëria dhe qytetërimi i saj i sotëm në ballafaqim me parimet më themelore për një demokraci e për një qeverisje të standardit europian ku mëton të integrohet, për fat të keq, vazhdon të mbetet një vend jo serioz. Ndonjë herë sinjalet dhe porositë që lëshojnë drejt nesh kanceleritë europiane këtu vijnë me vonesë si korrierët në provincat e largëta romake, ose vijnë aq të pakuptuara sa zbatimi i tyre ngjan i përçudshëm e krejt grotesk. Mjafton të përmendim një nga kërkesat e Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. Kjo Shqipërinë e ka zënë gafil. Si gjithmonë edhe këtë herë Shqipëria është e turbullt dhe në mëdyshje. Si gjithmonë edhe këtë herë ajo mbetet në vendnumëro, mbetet e fundit në zbatimin e orientimeve të tilla europiane. Shqipëria, vendi ku diktatura është ushtruar më ekstremisht se kudo tjetër në Europë, kësaj herë ngec e nuk di të bëjë asgjë.
Jo vetëm kaq, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Shqipëria, si në shumë aspekte të tjera të shtetësisë, të demokratizimit e të progresit, duke mos pasur në sirtarin e saj asnjë strategji, asnjë përfytyrim se ku duhet shkuar e si duhet shkuar, në vend që të shkojë përpara, bën pas, i hap udhë kaosit dhe moskuptimit. Ajo vetëm bëlbëzon dhe luhatet. Më së shumti parimet themelore të qytetërimit të sotëm ajo i artikulon vetëm si slogane pa asnjë pëmbajtje të thellë përbrenda. Merr një hap sot, pastaj shqepon një tjetër nesër, se ajo nuk ka optika që rrokin atë që vjen, atë që pritet. Shqipëria si atdheu a si shtëpia e varfanjakëve, mendon vetëm sot për sot.
Një kërkesë të tillë, si ajo për dënimin e krimeve të komunizmit, Shqipëria jo se nuk e njeh. Madje ajo djallëzisht e ka përdorur problemin e të persekutuarve politikë, i ka shfrytëzuar ata sa për propagandë elektorale, pra, një gjë kaq themelore e ka pranuar vetëm për demagogji. Duke mos menduar thellë, Shqipëria ngjan se nuk ka shpatulla për të vërteta të mëdha. Ajo me parimet e mëdha, më së shumti mashtron veten dhe të tjerët në nivel propagandistk, sipërfaqësor, dhe asgjë më shumë.
Shqipëria jo vetëm që nuk ka predispozitën serioze për të kthyer kokën pas, për të pastruar veten nga helmet e komunizmit në trupin e saj, por ajo ka bërë një lojë të keqe me një plagë kaq serioze, ajo ka nxjerrë gjuhën e talljes ndaj një problemi të tillë. Pse një cinizëm i tillë? Ndër të tjera, kjo vjen jo nga që ajo nuk ka fuqi reale të përballohet me një gjë kaq themelore, por sepse një pjesë nga ata që sot drejtojnë këtë vend, janë vetë të përlyer dhe nuk e duan ballafaqimin me të kaluarën.
Dhe ç’ka ndodhur?
Në Shqipëri janë shtuar përpjekjet për të lancuar deri për t’i ngritur në pushtet disa nga figurat më të dyshimta, figura të lidhura me njëmijë fije me diktaturën: udhëheqës, xhelatë, kriminelë në Shqipëri kanë gjetur punë në shtet, në biznes, në diplomaci, në kulturë. Shqipëria ka qenë dheu i artë, ku vetëm me fjalë mund ta shash diktaturën sa të duash, por prodhimet e saj më të shpifura, mund t’i kesh në krye të vendit.
Veç se në politikë apo në biznes, në botën e artit e të letrave ndodh po e njëjta gjë: janë bërë përpjekje për të ngritur e glorifikuar personazhe të dyshimtë. Shpesh këta janë shpallur deri heronjtë e moralitetit dhe të nderit suprem të shoqërisë shqiptare.
Kjo rendje me kokëposhtë domosdo do të shoqërohej me hedhje të baltës mbi vlerat e vërteta, do të shoqërohej me fabrikime disidentësh të rremë, me lajka e lavdërime për ish- spiunë të shtetit komunist, shkurt, me çoroditje totale të sistemit të vlerave.
Këto ditët e fundit gazeta “PANORAM”A ka botuar në shumë numra të saj materiale sekrete të Byrosë Politike. Shprazet aty gjithë turpi, gjithë mizerja e kupolës komuniste. Por botimi i këtij arkivi u ndoq me vëmendje nga opinioni, jo vetëm sa për të shuar kuriozitetin. U ndoq për atë që mosnjohja e të vërtetave ka ndikuar thellë mbi të sotmen. Po sjellim vetëm një shembull. Të bënte përshtypje që në këto dokumente përmendej emri i një muzikanteje të njohur, i Dhora Lekës. Emri i saj lidhet me problemin që sapo e ngritëm, me fabrikimin e disidentëve të rremë.
Deri më tani ne e njohim këtë zonjë si një disidente të madhe. Ka një fondacion me emrin e saj. Ka një shkollë me emrin e saj. Ka nderime e çmime të mëdha për të. Mundet dhe një emër rruge mban emrin e saj. Dhe të gjitha këto asaj ju dhanë qysh në gjallje.
Ndërkaq, veç të tjerash, ne lexojmë në dokumentet e “Panoramës” se Dhora Leka na paska qenë një denoncuese e shquar kundër shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve e politikanëve. Sidomos pas Konferencës së Tiranës më 1956.
Me dhjetëra njerëz janë dënuar nga këto denoncime. Bedri Spahiu, ish-prokuror i përgjithshëm dhe ish-udhëheqës komunist i penduar, ka folur për këtë denoncuese disa vite më parë.
Mirëpo kujtesa shqiptare është e shkurtër. Kjo grua vazhdoi të marrë nderime edhe pas kësaj.
Ky është vetëm një shembull që tregon se sa e nevojshme ka qenë hapja e dosjeve dhe arkivave të fshehta, që u kërkua me këmbëngulje shumë vite më parë nga shkrimtarë dhe artistë të njohur.
Kjo hapje do t’i vinte stop, çoroditjes, kaosit, do t’i thoshte stop përpjekjeve të diktaturës së rrëzuar, për t’u ringjallur në fillim shpirtërisht e pastaj realisht. Duke mos e respektuar këtë kërkesë, Shqipëria ngriti në piedestal disa nga fundërrinat e diktaturës.
Në një analizë të shkëlqyer, të bërë kohët e fundit në SHBA, zonja Madelene Ollbrajt e quante vazhdimësi logjike faktin që sot në Rusinë e Putinit po ringjallet simpatia për Stalinin. Terrori stalinist bazohej mbi policinë e fshehtë, KGB-në. Eshtë e logjikshme që një oficer i KGB-së si Putini, të sillte me vete nderimin për mjeshtrin e terrorit, Stalinin.
Në Shqipëri prej kohësh shtypi ka vënë në dukje përpjekjet për ringjalljen e enverizmit. Është folur për nostalgjitë ndaj regjimit, për kujtimet me ngjyrë rozë të anëtarëve të nomenklaturës ose të servilëve të saj, për praninë skandaloze në shtyp të anëtarëve të familjes Hoxha e të familjeve të tjera, që e kanë shtypur këtë popull. Mirëpo kjo nuk e ka ndaluar hovin e tyre. Më keq akoma, janë sulmuar ata që e kanë vënë në dukje këtë fenomen.
Në këtë shkrim do të përqendrohemi për shtrirjen e fenomenit në sferën e kulturës, kryesisht të letërsisë. Për këtë dukuri ka pasur shkrime të shumta, emisione televizive, debate e polemika, shoqëruar këto nga mendime kontradiktore. Por ende nuk ka një mendim pak a shumë të kristalizuar. Së paku, për disa gjëra themelore. Kjo do të ndihmonte jo vetëm për një analizë shkencore e objektive, jo vetëm për një vlerësim konstruktiv të letërsisë shqipe, por më gjerë: për hartimin e teksteve shkollore me nivel më të lartë. Për programet shkollore e universitare etj.
Kështu do të ndërpritej sëmundja e kaosit, që ka zënë rrënjë në shkolla e po vazhdon për vite me radhë.
- Vlerat dhe antivlerat në art dhe kulturë
Vlerësimi objektiv i letërsisë së një epoke është pjesë e historisë së një kombi.
Kjo kërkon një vullnet e një përgatitje serioze.
Ka një ligj universal: çdo letërsi e çdo art vlerësohet nga majat, nga kuotat më të larta të tij. Askush nuk merret me shkrimtarët e rëndomtë, me ata që në çdo regjim janë të destinuar të harrohen.
Në këtë pikë krijohet gjithmonë një problem: cilat janë vlerat e cilat antivlerat?
Ka një përpjekje për seleksionim. Çdo vend, sipas nivelit kulturor që ka, e zgjidh këtë problem.
Në vende me tranzicion si i yni, problemi ndërlikohet. Vetë kalimi nga një epokë në tjetrën, nga robëria në liri, e sjell ndërlikimin.
Përveç faktorit të vlerave, që është themelor në çdo letërsi, një faktor tjetër përzihet: ai i moralitetit.
Kjo është e njohur.
Janë shfaqur dy mendime: Njëri që njeh vetëm faktorin vlerë dhe nuk çan kokën për qëndrimet morale e politike të shkrimtarit. Tjetri, që i merr parasysh të dyja.
Mendimi ynë është me këtë të fundit.
Mirëpo orientimi nuk është i lehtë. Ka shumë spekullime. Një shkrimtar që ka vuajtur nga regjimi, natyrisht, me të drejtë kërkon që t’i njihet kjo. Por nuk mundet vetëm nga mundimet, sado të mëdha qofshin, të përcaktohet vendi i tij në letërsi, se, në radhë të parë, shkrimtarët vlerësohen nga vlerat e mirëfillta letrare.
Vlera morale e favorizon, pa asnjë dyshim. Ndër dy shkrimtarë, me vlera artistike të afërta, natyrisht, ai që ka vuajtur nga regjimi, vetvetiu është më i vlerësuar dhe kjo është absolutisht e drejtë.
Problemi tek ne lind kur kalohet në skajin tjetër: përpjekja që, për shkak të biografisë, shkrimtari të zejë pa të drejtë një vend, vend që vlera e veprës nuk ia siguron dot.
E vërteta është se tek ne, në shumicën e rasteve, shkrimtarët e artistët nuk janë dhënë pas një spekullimi të tillë. Kështu, për shembull, i ndjeri Pjeter Arbnori, ndonëse me një vuajtje gati legjendare, e ruajti modestinë si shkrimtar, pa kërkuar
që, për shkak të biografisë të ngrihet mbi të tjerët. E raste të tilla ka plot, si Visar Zhiti, Edi Hila, Sherif Merdani, Frederik Rreshpja etj. Pa përmendur këtu dëshmitarin e madh At Zef Pllumbin dhe veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”.
Problem krijojnë disa shkrimtarë të tjerë, që janë përpjekur e vazhdojnë të përpiqen me të gjitha mënyrat e të gjitha spekulimet për të zenë atë vend që arti i tyre nuk ua jep.
Jo vetëm kaq. Këta bëjnë zhurmë të tepëruar për vuajtjet e tyre, sajojnë mite e gjëra të paqena. Me fjalë të tjera, jo vetëm që shpesh mashtrojnë e spekulojnë me vetëviktimizimin, por janë jashtëzakonisht agresivë ndaj të tjerëve: shpifin kundër të tjerëve, kërkojnë t’i rrëzojnë ata me çdo kusht.
Tek këta hyjnë disa nga “disidentët e rremë”, për të cilët kanë folur në shkrimet e tyre Mehmet Kraja, Ardian Ndreca, Rushen Alimerko, Arben Kallamata, Skënder Gjoni etj.
Duke qenë marrë me njërin nga shembujt, atë të Kasëm Trebeshinës, ne do të përqendrohemi te ky shkrimtar, për të trajtuar më gjerësisht fenomenin.
- Histori me disidentë të rremë
Menjëherë pas rënies së komunizmit më 1992, u shfaq edhe emri i Kasëm Trebeshinës si “shkrimtar dhe disident i jashtëzakonshëm”. U bënë të gjitha përpjekjet për ta paraqitur atë si të tillë, por, për një çudi të madhe, zhurma për kultivimin e këtij miti hasi gati në shpërfilljen e plotë të lexuesit dhe opinionit publik shqiptar.
Cili ishte shkaku?
Vetë autori Kasëm Trebeshina si edhe mbështetësit e tij ngulnin këmbë me shumë britma e rrahje gjoksi, se ky shkrimtar e disident i paparë luftohej ende prej shtetit komunist. Meqenëse shteti komunist ishte rrëzuar, kjo tezë nuk ishte fort e besueshme.
Por këmbëngulja vazhdonte. Flitej për 150 vepra të tij, ose më mirë për kryevepra, për rreth 70 romane e 40 drama etj,etj, që do ta mahnisnin publikun shqiptar dhe atë botëror.
Paralelisht me këtë zhurmë, vazhdonte legjenda e pengesës. Ky shkrimtar ende po pengohej! Nga kush? Kjo nuk kuptohej!
Më në fund, autori vetë e gjeti çelësin e enigmës. K.Trebeshina pengohej nga I.Kadareja! Sipas Trebeshinës, megjithëse diktatori i parë i Shqipërisë, Enver Hoxha, kishte vdekur, kishte mbetur gjallë diktatori tjetër, I. Kadareja. Sipas tij, këta dy diktatorë e kishin sunduar së bashku Shqipërinë, bile diktatori I.Kadare ishte edhe më i keq se diktatori E.Hoxha.
Me këto përralla njerëzit që sigurisht do të qeshnin. Dhe ata qeshën vërtet.
Ndërkaq K.Trebeshina botoi rreth 15 vepra, që, pas një shuarjeje të kuriozitetit prej bujës së krijuar në media e në shtyp prej adhuruesve të tij, ato u pasuan nga mospërfillja dhe indiferenca absolute. Si duket orkestruesit e bujës mediatike u ndodhën para një bumerangu. U ra mbi kokë heshtja, jo lavdia, ajo që pritej. Heshtje dhe shurdhëri brenda dhe jashtë vendit. Por Trebeshina prapë ankohej se ishte përsëri I.Kadareja që ia organizonte këtë indiferencë.
Shpjegimi i asaj që dukej si enigmë, shpërfillja e publikut për këtë shkrimtar, gjendet pikërisht te këto 15 vepra të botuara. Ato jo vetëm s’kishin ndonjë gjë për t’u dalluar, por ishin vepra fare të rëndomta, të ngjashme me ato të letërsisë shqipe të realizmit socialist, e disa herë të letërsisë sovjetike, po të realizmit socialist. Ishin vepra me partizanë e gjermanë, me shqiptarë e turq, me histori folklorike e me ndonjë imitim gjoja modernist në formë.
Meqenëse nuk po linte dot mbresë me veprën letrare, K. Trebeshina e hodhi gjithë shpresën tek disidenca. Ai u vetëshpall si i tillë e, fill pas kësaj, u shpall prej mbështetësve të tij si i vetmi disident i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, madje i gjithë ish- kampit socialist.
Tre çereku i lavdisë së disidencës së tij, i kushtohet një “Promemorjeje”, që ai ia paska dërguar Enver Hoxhës në 1953(!). Në këtë promemorje ai nuk paska lënë gjë pa i thënë diktatorit shqiptar: që ti sillesh si monarku Luigji XIV, që ti me shokët e tu do ta mbytni Shqipërinë në gjak etj,etj.
Kjo “promemorje” u botua me 1992 dhe i la të habitur krejt njerëzit. Si gjithmonë u gjendën njerëz naivë ose edhe jo naivë , që e besuan. Të tjerët prapë qeshën dhe e quajtën thjesht një mashtrim. Analizën mbi çështjen e “promemorjes” do ta bëjmë më pas.
Pas këtyre rropatjeve, K.Trebeshina ra po në harresë.
Mendimet për të mbetën prapë të ndara. Ndjekësit e tij, me në krye të kushëririn, Ardian Klosin, vazhdonin ta ngrinin në qiell, duke mos i kursyer asnjë lavdërim, qoftë për veprën, qoftë për “promemorjen” e tij. Këto lavdërime shoqëroheshin gjithmonë me zemërim të madh kundër Kadaresë, penguesit të tij. Ky i fundit është shprehur dy herë fare shkurt dhe pa ndonjë respekt për K.Trebeshinën. Një herë e ka përmendur si pseudodisident të çuditshëm (që sulmon kolegët e vet nga pozita staliniste). Herën e dytë si oficer të Sigurimit. Të tjerë si Arben Kallamata, Ardian Ndreca, Dr.Skënder Gjoni etj kanë mbajtur jo vetëm qëndrim mosbesues, por edhe mjaft kritik ndaj Trebeshinës, si shkrimtar dhe si njeri.
Midis këtyre dy qëndrimeve të kundërta, ishte dhe mbetet indiferenca e lexuesit.
Publicisti A.Kallamata, në një shkrim të tij bënte pyetjen: kundër kujt ankohet K.Trebeshina? Përgjigja ishte: kundër lexuesit shqiptar që nuk e lexon!
- Na ishte s’na ishte një promemorje
Çështja e Kasëm Trebeshinës shfaqet e rishfaqet në mënyrë ciklike.
Kështu ndodhi në vjeshtën e vitit 2006, kur kundër Kadaresë dhe familjes së tij u organizua një nga fushatat më të pamoralshme në historinë e kulturës shqiptare. Pikërisht në ditët kur kjo fushatë, që indinjoi pjesën më të madhe të publikut shqiptar, ishte në kulmin e saj, K. Trebeshina, më aktiv se kurrë, filloi të dalë në shtypin dhe në ekranet e TV-ve në Shqipëri e në Kosovë, për të hedhur edhe ai baltën e vet kundër Kadaresë. Ky qëndrim meskin kundër një kolegu do të ngjallte padyshim reagime të ashpra. Dhe ato nuk vonuan. Bomba fatale kundër Trebeshinës ishte botimi i listës së themeluesve të fshehtë të Sigurimit shqiptar më 1943. Lista tregonte se Kasëm Trebeshina jo vetëm kishte qenë një oficer i Sigurimit, siç ishte folur prej kohësh, por ai kishte qenë themelues i tij. Ai bënte pjesë në stafin e ngushtë të famëkeqit Koci Xoxe, krimet e të cilit kishin marrë dhenë. Në atë kohë, Sigurimi, i cili drejtohej më shumë nga jugosllavët se sa nga komunistët shqiptarë, ishte zyrtarisht mbi partinë. Ai bënte ç’të donte pa pyetur askënd.
Kasëm Trebeshina, i reklamuar si “disidenti numër një” i letërsisë shqipe, kishte qenë pjesëmarrës aktiv në këtë organ shtypës, duke u përlyer, siç do ta shohim më poshtë, në krimet e tij. (Shih dhe faksimilet në vijim)
Një shkrim i gjatë, i ashpër e tepër tronditës u botua në shtyp dhe u përhap gjerësisht në internet nga Skënder Gjoni, pas emrit të të cilit është, me sa duket, një mjek i vjetër. Nga të dhënat e shkrimit kuptohet se njeriu kishte dijeni të thella mbi të kaluarën jo vetëm të Trebeshinës, por edhe të zyrtarëve të tjerë të Sigurimit, që, siç del, bënin vizita mjekësore tek ai. Kështu ai tregon bisedat me një tjetër themelues të Sigurimit, Thoma Karamello, një personazh i harruar prej kohësh, por që në atë kohë, ashtu si Trebeshina, ishte hetues. Komentet e Thoma Karamellos për egërsinë e kolegut të vet, kapiten Trebeshinës, janë ngjethëse.
Në shtyp është shkruar për shkrimtarin Sotir Andoni, i arrestuar fill pas luftës dhe i marrë në pyetje ditë dhe net prej Trebeshinës.
Kjo pjesë e errët e biografisë së “disidentit”, do të vinte në dyshim gjithë versionin e reklamuar të heroizmave të tij. Do të kujtoheshin periudha që ai nuk i përmendte, si dy vjetët e shërbimit në Beograd, etj.
Por dyshimi kryesor do të binte mbi “Promemorjen” e tij, atë për të cilën ai mburrej dhe mbi të cilën ishte ngritur legjenda e tij.
Asnjë arkiv nuk vërtetonte vërtetësinë e kësaj “promemorjeje”. Në asnjë dokument tjetër hetimor, apo vendim gjyqi, ose kritikë kundër Trebeshinës, nuk përmendet kjo “promemorje “ si faj i këtij shkrimtari. Një analizë logjike e saj të çonte në përfundimin se ajo ishte e sajuar, pra e rreme.
“Promemorja” ka datën tetor 1953. Ndërkaq, disa muaj më parë, autori i promemorjes ka botuar në “Zëri i Popullit” poemën për Stalinin, veprën më servile të letërsisë shqipe, për këtë tiran. (Shih poemën për Stalinin në faqet më pas)
Shumë njerëz me të drejtë bënë pyetjen: si është e mundur që një autor disident të shkruajë këtë poemë kaq servile për diktatorin komunist, Stalinin? Dhe pyetja tjetër; si është e mundur që autori që i thotë Stalinit “Promete”, është i njëjti me autorin e promemorjes, ku i thotë Enver Hoxhës “vrasës”?!
Këto dy gjëra nuk mund të rrijnë bashkë. Njëra duhet të bjerë. Poema është e botuar në “Zëri i popullit” më 1953, kurse promemorja na doli në shesh pas rënies së komunizmit. Pra, ajo që bije, që është e rreme, është promemorja.
Pyetje të tjera e rrëzojnë të ashtuquajturën promemorje. Si është e mundur që ky udhëheqësi ynë, pasi t’i thuash “vrasës”, na qenka kaq liberal saqë nuk ta quan për të madhe, por të dënon si me pupla? Ne e dimë ç’të bënte Enver Hoxha për një të qindtën e akuzës së promemorjes.
Pas përjashtimit nga partia dhe ca ecejakeve nga burgu në spital, e nga spitali në internim, Trebeshina, më 1960, pra disa vite më pas, na qenka i rehabilituar, bile ka fituar të drejtën e botimit dhe boton njëra pas tjetrës poema e drama, si “Artani e Minja”, “Kruja e rrethuar” etj. Vërtet liberal i madh ky Enver Hoxha!
Por ne e dimë se sa liberal ishte Enver Hoxha, e sidomos po t’i thoshe se do ta mbytësh Shqipërinë në gjak.
Por çudia s’mbaron me kaq. Kasëm Trebeshina na reklamohet si një i burgosur politik i statusit të madh, ndërkaq, vëllai i tij, Myzafer Trebeshina, vazhdon të jetë anëtar i Komitetit Qëndror të partisë dhe familja e tij, gjysma vazhdon të jetë në Sigurim e gjysma në aparatin e partisë. Çudira, çudira të mëdha! Ne e dimë mirë se ç’ndodhte me një familje ku kishte një të burgosur të vërtetë politik. Ajo shtëpi ishte më e izoluar se sa shtëpia ku ka rënë murtaja. Mirëpo kjo shtëpi e Trebeshinës paskësh qenë ndryshe!
Kaq e vërtetë është kjo, saqë në librin biografik mbi Trebeshinën, të hartuar nga Nuri Dragoi, tregohet se, kur erdhi puna të kryhej një nga ndalimet e Trebeshinës, ishte nipi i tij, Fatos Trebeshina, hetues kryesor i Ministrisë së Brendshme në kryeqytet që duhej të bënte arrestimin. Kësaj i thone lodër kukamshefthi brenda familjes! Lodër me disidencë e me arrestime. Por ne e dimë se e vërteta për arrestime dhe ekzekutime ka qenë fare e ndryshme.
Ka edhe më. Në një intervistë të tij, Trebeshina vetë pohon se gjatë kohës që ishte i dënuar, Enver Hoxha i vinte për vizitë në familje, në festa! Dhe, për çudi, kjo nuk është fantazi, por e vërtetë, po ta lidhim me ato që thamë më lart.
Ne e dimë se ç’ndodhte me familjet ku kishte pasur arrestime politike. Jo Enver Hoxha, por edhe një anëtar i thjeshtë partie nuk afrohej më. Jo një anëtar partie, por as fqinji i shkallës nuk guxonte të trokiste.
Atëherë si shpjegohet e gjithë kjo?
Shpjegimi është i thjeshtë: Kasëm Trebeshina, në shumicën e kohës së regjimit komunist, nuk është konsideruar i burgosur politik, por një njeri me probleme shëndetësore. Ai, pavarësisht se mund të bënte proçka, konsiderohej gjithmonë “i yni”, “i partisë”. Ndaj i faleshin proçkat dhe familja nuk pësonte asgjë. Ai, e shumta quhej një “dele e zezë”, që, ndoshta, mund të përmirësohej. Atij i lejoheshin nazet, sepse fisi i tij i kishte bërë shërbime të mëdha partisë. Ai vetë kishte bërë shërbime tepër speciale ndaj ndihej i përkëdhelur. Për disa nga këto shërbime, prej të cilave lexuesit do t’i ngjethet mishtë, do të flasim më tutje.
Përpara se të vijmë tek ato, na duhet të themi se kanë plotësisht të drejtë ata që mendojnë se “promemorja” e Trebeshinës s’është gjë tjetër, veçse një trillim, një sajesë e prodhuar prej atij vetë dhe kushëririt të tij, Ardian Klosi, në fillim të viteve ‘90.
Në letrat e Kasëm Trebeshinës të vitit 1962 dhe 1963 drejtuar Byrosë Politike dhe vetë Enver Hoxhës, botuar së fundi në një “dossier” special nga gazeta “55”, thuhet se ai është një qytetar i bindur, që e respekton shtetin dhe autoritetet e tij, që nuk ka asgjë kundër partisë dhe pushtetit, që ka shkruar vepra të realizmit socialist, që do t’i djegë veprat e tij të gabuara, që do të mbyllet e struket në shtëpi, vetëm që të kthehet në Tiranë. Vallë i ka harruar Trebeshina këto letra e lutje të përulura drejtuar diktatorit, atij që në “promemorjen” fantazmë e paska quajtur vrasës? Po vallë Haxhi Kroi, sekretari personal i diktatorit, i lënë nga trutë ishte, kur në përgjigjen për letrat e Trebeshinës përmend ndaj tij vetëm dy akuza: ka ikur nga partia, ka dashur të shkojë në një vend kapitalist? Si e kishte harruar ai Promemorjen ku shefi i tij, Enver Hoxha, quhej vrasës? Trebeshinën e takojnë gjeneralët famëkeqë të Sigurimit, të tillët, si: Hakani, Haznedari dhe i thonë “ti je shoku ynë”. Edhe këta e kishin harruar promemorjen? Ramiz Alia, Rita Marko, Haki Toska, Vangjelo Sotiriadhi, gati gjithë kupola e lartë e partisë, merren me letrat e Kasëm Trebeshinës. (Shih faksimilet) Ata nuk harrojnë të japin deri porosi që mund t’i konsiderosh stringla, përshembull, atë që ai “të mos japë letërsi në Gramsh”, por e harrojnë promemorjen. Pse kështu? Sepse për turp e për faqe të zezë promemorja është vetëm e sajuar, se me të është spekuluar ndyrësisht. Nga kjo ngritje e shtetit dhe e partisë në këmbë në vitet 1960 për problemet e letrave të Trebeshinës, mund të kuptohet diçka tjetër: çfarë gjëje me rëndësi dinte Trebeshina, për të cilën Kupola e lartë e Partisë dhe e Sigurimit ishte aq e interesuar? Me ç’shërbime e ka paguar Trebeshina largimin e tij nga internimi në Gramsh? Normalisht ai ishte kaq i zënë pisk prej tyre, sa gjithçka të rëndë të radhës mund ta pranonte. Për këto një ditë do të flasin arkivat. Diçka do ta themi dhe në vazhdim të këtij shkrimi.
- Himnizimi i një të vetëshpalluri antishqiptar
Nga vitet 2000 figura e “disidentit dhe e shkrimtarit të madh” po venitjej dhe po merrte përherë e më me kokëposhtë. Reagimi i palës tjetër, i mbështetësve të Trebeshinës, nuk do të vononte. Përveç ndonjë emisioni televiziv për letërsinë, ndonjë shkrimi a interviste aty-këtu do të botohej një libër biografik aq shumë himnizues saqë vështirë të merret seriozisht. Parathënien e ekzaltuar, si gjithmonë, e ka shkruar panegjeristi i tij Ardian Klosi. Këtij tani do t’i shfaqet në krah dhe një shok armësh i ri, një farë Dilaver Bengasi, ish-kryetar i hetuesisë së Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ish drejtor i përgjithshëm i policisë më 1990. I akuzuar për krime dhe dhunë kundër studentëve të dhjetorit, i akuzuar për vrasje në Shkodër dhe në Tiranë, ai u dënua me burgim të rëndë për krime
kundër njerëzimit, kur ishin në pushtet demokratët më 1995. U shpall i pafajshëm me ardhjen e socialistëve në pushtet pas 1997-tës. Së fundi, këto ditë Bengasi u gjend i rreshtuar në një listë të “xhelatëve të popullit shqiptar” prej të përndjekurve politikë nga komunizmi. Shoqëri të bukur zgjedh Ardian Klosi për t’i bërë lobing Trebeshinës! Në vazhdim të këtij shkrimi, do të sjellim ca dokumente shumë besdisëse për A.Klosin dhe kjo shoqëri s’do të na duket aq e papritur!
Libri biografik i N.Dragoit është hymnizues, por, për çudi, pikërisht në këtë libër, siç do të tregohet më pas, dalin disa nga njollat më të errëta të biografisë së Trebeshinës.
Para se të merremi me këto njolla, do të shohim dy-tri çaste të tjera, gjithmonë të lidhura me këtë libër.
Ka kohë që është bërë e njohur shpallja prej vetë Kasëm Trebeshinës si shkrimtar turk, ose me origjinë turke. Asgjë të keqe nuk ka në këtë identifikim. Letërsitë europiane e botërore janë të mbushura me shembuj shkrimtarësh që lëvrojnë një gjuhë, por origjinën e kanë në një komb tjetër. Tek ne gjithashtu ka e mund të ketë prapë shembuj të tillë.
Problemi me Trebeshinën ndërlikohet kur ai, duke u shpallur turk, nis e shan Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe për këtë është i lirë në një shtet ligjor demokratik. Ndërkaq, duhet thënë, se ndërsa është i lirë ligjërisht, nuk është i tillë moralisht.
Urrejtja e Kasëm Trebeshinës kundër shkrimtarëve shqiptarë, sharjet e tij, shpifjet, nuk njohin asnjë kufi. Kjo urrejtje zgjerohet e drejtohet kundër Shqipërisë, kundër kombit shqiptar, dhe sidomos kundër ikonave të tij si Gjergj Kastrioti Skënderbeu etj.
Toleranca ndaj tij, natyrisht, është e mirë dhe shqiptarët bëjnë mirë që tregohen tolerantë. Mirëpo, në këtë rast, nuk do të bënin keq po t’i drejtoheshin Trebeshinës, “zoti turk, në qoftë se paske kaq urrejtje për këtë vend, s’do të bëje keq të ikje në vendin që e ke shpallur atdheun tënd, në Turqi”.
Antishqiptarizmi i këtij njeriu është i padurueshëm. Në librin e Dragoit tregohet episodi kur Trebeshina mburret përpara gazetarëve italianë. Habisë së një farë profesori italian që pretendon se i njeh mirë shqiptarët, dhe që haptaz lë të kuptojë se ata nuk janë të guximshëm, ndërsa Trebeshina na qenka i tillë, Kasëmi i përgjigjet se ai është trim ngaqë është turk! “Ndryshoj ia ktheva, se jam me origjinë turke. Ne kemi bërë një perandori tëtërë që u shtri në tre kontinente” (fq.302).
Por antishqiptarizmi shpallet në mënyrë të plotë në librin e tij “Mekami”. Ky libër është fyerja më e pabesë që i është bërë kombit shqiptar nga një shkrimtar që, kur ia do interesi paraqitet si shqiptar, e kur i leverdis, kthehet në turk.
Novela e gjatë flet për pushtimin e Shqipërisë prej turqve. Turqit paraqiten në novelë si trima e fisnikë e që po qytetërojnë Shqipërinë. Mirëpo shqiptarët, si “kaurë të pabesë” që janë, nuk e çmojnë fisnikërinë turke. Dhe me djallëzi përpiqen t’i mashtrojnë ata. Shqiptarët frikacakë iu servirin gratë dhe vajzat e tyre azganëve turq, me qëllim që t’i vënë në gjunjë e për t’i goditur pabesisht. Në krye të shqiptarëve është një farë Skënderbeu, një hajdut kuajsh dhe spiun i Italisë. Por dredhitë e shqiptarëve demaskohen dhe turqit trima iu japin një mësim që ta mbajnë mend gjithë jetën.
Kjo është përmbajtja e këtij libri, që autori me shumë krenari ua kushton stërgjyshërve të tij turq. (Shih fragmente nga ky libër).
Një pyetje del: si e justifikojnë në ndërgjegjen e tyre tifozët e Trebeshinës këtë pamflet antishqiptar? Për ne të tjerët kjo nuk duket kaq shumë e papritur. Po të kujtosh biografinë e Trebeshinës, pjesëmarrjen e tij në grupin themelues të Sigurimit, i cili drejtohej nga jugosllavët, stafin e Koçi Xoxes, ku Trebeshina ka bërë pjesë, urrejtjen e jugosllavëve, e veçanërisht të Koçi Xoxes për Gjergj Kastriotin, del se në të gjitha këto ka një fill të pandërprerë antishqiptar.
- Pazaret me denoncime të një denonciuesi të vjetër
Në librin e N.Dragoit, një vend të rëndësishëm zënë raportet e Trebeshinës me shkrimtarët shqiptarë. Për fat të keq, krahas fakteve të njohura, që tashmë dihen, ka aty dhe disa gjysmë të vërteta apo dhe pjesë të errëta e fare të pashpjegueshme, një pjesë e të cilave janë të fshehura me kujdes.
E gjithë kjo nuk mund të mos ndodhte me një libër si ky, i bazuar herë mbi gjëra të paqena e herë-herë mbi dezinformime.
Përmendet numri prej 17 shkrimtarësh që kanë bërë denoncime ose ekspertiza kundër Trebeshinës, por emrat e tyre nuk dalin asnjëherë qartë. Diku dalin ca emra të plotë, si Dalan Shapllo, Naum Prifti, diku ca gjysma emra, diku një inicial e herën tjetër del ndonjë eufemizëm që turbull nënkupton dikë, përshembull, “përfaqësuesi i Lidhjes” ose “shefi i Lidhjes” etj,etj.
Që ka një mungesë transparence, për mos ta thënë troç fjalën “dredhi”, kjo duket qartë. Ashtu siç duket qartë edhe që Trebeshina vetë ka futur duart në këtë libër. Ka qenë dëshirë e tij që denoncuesit të përmenden si nëpër dhëmbë.
Sa më tepër që përpiqesh të kuptosh marrëdhëniet me shkrimtarët denoncues, aq më shumë të krijohet përshtypja se këtu kemi të bëjmë me një pazar të pistë. Disa nga denoncuesit janë pikërisht ata që i kanë bërë lajka më pas Trebeshinës. Ky i fundit e ka pranuar, siç duket, këtë pazar: lavdëromë që mos të ta nxjerr emrin. Bile ka raste kur pazari shkon më tej: vetë Trebeshina u bën ndonjë lavdërim denoncuesve. Kulmi arrin kur shefi i hetuesisë së Tiranës, i akuzuar për kaq krime, siç e pamë më lart, është në krye të lajkatarëve të Trebeshinës.
Shefi i hetuesisë së Tiranës është armik i njohur i shkrimtarëve shqiptarë, e sidomos i Kadaresë.
Në vitin 1982, një nga vitet më të errëta, kur terrori komunist shënoi një nga kulmet e tij, Dilaver Bengasi kryesonte hetuesinë e Tiranës. Pikërisht në atë kohë zhvillohej një fushatë diskriminimi kundër Kadaresë, çështje ku Bengasi, siç e ka treguar dhe vetë në shkrimet që ka bërë për të, ka qenë i përzier kokë e këmbë. Në atë kohë, siç ka dalë në shtyp, një agjente e Sigurimit, dëshmitare e rreme e përdorur në dënimin e grave ruse, zhvillonte mitingje përpara banesës së Kadaresë, duke thirrur: “Kadare, agjent i borgjezisë! Agjent i Mehmet Shehut!”. Të gjithë habiteshin se nga i vinte guximi kësaj gruaje, aq më tepër që në atë kohë Kadare, përveç se shkrimtar i njohur, ishte ende deputet i parlamentit. Tani, me hapjen e dokumenteve sekrete, disa çështje dalëngadalë po sqarohen. Gazeta ““Panorama”, në numrin e saj të 31 korrikut 2007 ka botuar dialogët sekretë të mbledhjes së Byrosë Politike zhvilluar në 20 shtator 1982. Midis tyre gjenden fjalët e Enver Hoxhës për
grupin e Todi Lubonjës, Fadil Paçramit dhe Ismail Kadaresë. “Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre si Ismail Kadareja me shokë”.
Është hera e parë qe emri i shkrimtarit të njohur përmendet si pjesëmarrës në një grup armiqësor. Kjo do të thotë se në ato momente ai ishte caktuar për t’u eliminuar. Por mbledhja ishte tepër sekrete dhe këtë fakt shumë pak njerëz e dinin. Agjentija e Sigurimit bënte pjesë në këta njerëz. Fjalët e saj për kontakte me Nexhmije Hoxhën, nëpërmjet Liri Gjolikut, anëtare e gjykatës së lartë komuniste, një nga xhelatet e njohura të diktaturës, si dhe inkurajimi : shko t’i vësh zjarrin shtëpisë së Kadaresë, tingëllonin ndoshta si fantazi, por në dritën e dokumentit që sapo cituam këtu, ngjajnë fare të besueshme. Ishte në praktikën e gjithë diktaturave komuniste që, përpara se t’i rrëzonin personalitetet, përpiqeshin t’i diskreditonin ata.
Diskreditimi i Kadaresë kishte filluar me dënimin e “Pallatit të ëndrrave” dhe po vazhdonte në një plan privat. Më pas, i trembur nga reagimi i fortë ndërkombëtar, i cili në mënyrë spektakolare tregoi se do ta mbronte gjer në fund Kadarenë, Enver Hoxha u tërhoq, hoqi dorë nga dënimi i shkrimtarit.
Në librin “Letërkëmbim me presidentitn” është botuar një letër e njohur qysh më parë, letra që Kadareja i ka shkruar Ramiz Alisë, ku, ndër të tjera, i flet edhe për intrigat e kryehetuesit të Tiranës kundër tij. Kadareja e ka akuzuar këtë zyrtar për ushtrim terrori, duke kërkuar shkarkimin e tij, bashkë me kriminelë të tjerë të njohur si Zylyftar Ramizi, Aranit Çela, Rita Marko, Rrapi Mino etj.
Këtu qëndron njëri nga çelësat e shpjegimit. Trebeshina është gati të falë këdo, duke përfshirë edhe njeriun që e ka marrë në hetim, pra, Dilaver Bengasin, mjafton që ky të jetë kundër Kadaresë. Le të kenë bërë denoncime kundër tij 17 shkrimtarë, ai e ka mendjen pikërisht tek shkrimtari që nuk ka pasur punë me të asnjëherë, te Kadareja.
Kadareja ka bërë një deklaratë të qartë përpara publikut shqiptar dhe atij botëror: “Kundër meje janë shkruar qindra faqe me denoncime, kurse një mijë vite të kërkohet, në një mijë arkiva, nuk do të gjenden kurrë dy radhë të mija kundër askujt”.
Merret me mend se sa i nervozon kundërshtarët e tij kjo sfidë e tij.
Kasëm Trebeshina prej shumë vitesh ka një obsesion e një urrejtje të frikshme ndaj I.Kadaresë. Biografi i tij flet për “përplasjet e tij me Kadarenë” ose për acarim “të shkaktuar nga xhelozitë midis të mëdhenjve”. E gjitha kjo të bën të vësh buzën në gaz. Kur kanë ndodhur këto përplasje? Xhelozi e kujt ndaj kujt?
Vite më parë, në emisionin radiofonik me pjesëmarrjen direkte të publikut, Trebeshina, duke folur për dënimin e tij në Lidhje të Shkrimtarëve, tha se një nga shkrimtarët që e kërkuan këtë dënim në vitin 1952, ka qenë Kadareja. Një dëgjues e ndërpreu, duke i thënë se në atë kohë Kadareja ishte nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës. I gjendur ngushtë, Trebeshina u bë qesharak përpara dëgjuesve, duke thënë se Kadare me siguri e ka ndërruar moshën.
Të qeshurat e dëgjuesve nuk iu bënë mësim Trebeshinës. Ai nuk ka lënë rast pa kërkuar të trillojë kundër tjetrit.
Ja ç’thotë Trebeshina, sipas citimit që bën N.Dragoi:
“Me Ismailin jam njohur qysh në vitin 1952. Kishim pikëpamje të ndryshme. Ai ka qenë në gjyqin tim më 1954. Dhe jemi takuar për herë të parë e të fundit më 25 janar 1955 në Rrogozhinë. Kur u kthye nga Bashkimi Sovjetik më 1960 ishte transformuar i tëri në një njeri agresiv”.
Pasazhi duket si i shkruar përçart. Siç u tha, më 1952 Kadareja ishte nxënës në klasën e dytë të shkollës së mesme në Gjirokastër. Më 1954 gjithashtu. Takimi i fundit në Rrogozhinë më 1955 tingëllon si haluçinacion. Ç’ishte ky takim? Pse në Rrogozhinë? Ç’donte në Rrogozhinë dhjetë muaj pas dënimit të tij Trebeshina dhe aq më tepër ç’donte aty Kadareja, që në atë kohë ishte student i vitit të parë për letërsi në Tiranë?
Kadareja thote se s’ka pasur kurrë punë me Trebeshinën. Dhe “s’ka pasur kurrë takim me të as miqësor, as armiqësor, as në Rrogozhinë, as në Ndroq”. Më 1980 kur në Lidhje të Shkrimtarëve u shpërndanë veprat e Trebeshinës për ekspertizë, I.Kadareja refuzoi të merrte pjesë. Trebeshina, në vend që të ishte mirënjohës, ka bërë të kundërtën. Më 2006, në rastin që u përmend më lart të fushatës kundër familjes së shkrimtarit, Trebeshina u tregua një zelltar meskin, duke përkrahur një agjente të Sigurimit, kundër kolegut të vet.
Mungesa e ndjeshmërisë që tregojnë Kasëm Trebeshina dhe Ardian Klosi ndaj denoncimeve të tilla të habit shumë. Por edhe ajo e ka një shpjegim: atyre nuk iu bën shumë përshtypje kjo ngaqë ndërgjegjja e tyre në këtë sferë s’është fort e pastër.
Dy dokumente, një e vitit 1954 për Kasëm Trebeshinën dhe një tjetër i vitit 1979 për Ardian Klosin hedhin dritë mbi atë që u tha më lart.
Po shqyrtojmë dokumentin e parë, procesverbalin e seancës hetimore kundër Kasëm Trebeshinës (prill 1954), hartuar nga major Sotir Zavalani, hetues i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit.
Nga pyetjet dhe përgjigjet e këtij procesverbali, na del një Kasëm Trebeshinë tepër zhgënjyes, që s’ka asgjë të përbashkët me namin “heroik”, që i ka krijuar vetes ai dhe mbeshtetësit e tij. Idetë e tij “të gabuara” janë më shumë cic-mice, për gjëra fare të parëndësishme. Qëndrimi i tij është meskin. Tregon ankesën që ka bërë kundër Dhimitër Shuteriqit, i cili në raportin e tij të 2 prillit 1953 “ e konsideroi punën time, të Mehmet Myftiut dhe të Luan Qafëzezit si një punë pa duk”. Më poshtë Trebeshina pohon se “Kam pasur kontradita me regjisorin sovjetik Kriçko, në lidhje me trajtimin e figurës së Selfos, tek drama “Besa” e Sami Frashërit, Kriçko thoshte që Selfo mos ta flakë unazën që, mbasi ia dhuron Merushes dhe ajo nuk ia merr, por ta fusë në xhep, kurse unë isha i mendimit që të flaket unaza nga Selfua sepse shqiptari kështu e ka zakon…”
Më poshtë, në lidhje me Kriçkon, Trebeshina vazhdon të jetë meskin dhe, duke përgojuar kolegët e vet, thotë se tek ky regjisor “kanë influencuar intrigat e Besim Levonjës dhe të Behije Çelës”.
Dy a tri mendime për nivelin e dobët artistik të letërsisë shqipe dhe nevojën për të mësuar jo vetëm nga letërsia sovjetike, por edhe nga klasikët, mund të merren si të vetmet mendime “rebele” të tij.
Asgjëkund në këtë hetim dhe në asnjë dokument tjetër nuk përmendet “promemorja” e famshme, ajo ku gjoja i thotë Enver Hoxhës se po përgatit katastrofën e Shqipërisë. Sipas Trebeshinës, promemorja është dërguar në tetor të vitit 1953, pra gjashtë muaj më parë. Është e kuptueshme se çdo hetues do të merrej në radhë të parë me të, përpara se të merrej me broçkulla të tilla: Selfua do ta hidhte apo s’do ta hidhte unazën e Merushes.
Pjesa më e pamoralshme në këtë dokument është ajo kur Kasëm Trebeshina, pa ia kërkuar njeri, flet kundër Mark Ndojës, pra e denoncon atë.
Gjer më sot “grupi armiqësor” i viteteve ’50 në Lidhje të Shkrimtarëve është konsideruar treshja “Ndoja-Trebeshina- Myftiu”. Nga kjo treshe, i vetmi që ka përfituar më pas frytet e disidencës është Trebeshina. Të tjerët, e sidomos ai që kishte edhe statusin më të lartë të intelektualit midis tyre, profesori dhe latinisti Mark Ndoja, mezi përmendet. Nga ky dokument i hetuesisë marrim vesh që njeriu i parë që e ka goditur me thikë pas shpine Mark Ndojën, ishte pikërisht “miku dhe shoku i tij i ideve”, Kasëm Trebeshina.
Një pjesë e dokumentit, tekstin e plotë të të cilit e disponon gazeta “Panorama”, flet fare qartë për këtë:
“Pyetje (e hetuesit): Mehmet Myftiu deponon se në kohën kur ju shtruat këto pikëpamje në “Lidhje”, Mark Ndoja i ka thënë Mehmetit: “dolli opozita, a bëj unë për Kryetar?” Ç’mund të na thoni ju për këtë?
Përgjigje (e K. Trebeshinës) : Këtë gjë mua ma ka thënë Mehmet Myftiu në tetor, për çështjen e opozitës nuk dij gjë, por për çështjen e kryetarit më ka thënë dhe bile jemi tallur dhe Mehmetit i kam thënë që absolutisht të shkëputet nga Marku. Unë, kur më ka pyetur Mehmeti si të duket Mark Ndoja, i kam thënë se Mark Ndoja kërkon një republikë shkodrane. Mark Ndoja mua më duket enigmatik, është dembel i madh. Kam pranuar dhe unë se është njeri enigmatik dhe tipa të tillë janë të predispozuar që të bëhen spiuna; ky ishte opinioni im”. (Shih dhe faksimilen).
Ishte e lehtë të godisje Mark Ndojën, intelektualin me kulturë të thellë latine dhe gjermanike, aq më tepër që vinte nga tradita veriore katolike. Si i tillë, edhe kur i ishte dhënë një post sa për demagogji, ai prapë do të mbetej i huaj për regjimin. Ai nuk kishte kryer “detyra speciale” (të llahtarshme, siç do t’i shohim më poshtë), si Trebeshina. Prandaj dënimi i tij ishte i vërtetë, përfundimtar, pa cic-mice, pa hyrje e dalje nga burgu, pa përkëdhelje të fisit nga partia, përkundrazi, familja Ndoja iu nënshtrua terrorit gjer në fund.
As A. Klosi, as Mimoza Ahmeti, as N.Gragoi, as D.Bengasi nuk kanë dëshirë ta kujtojnë Mark Ndojën, sepse ai është shqetësues për ndërgjegjet e tyre. Në internim dhe në izolimin e gjatë shtëpiak M. Ndoja përkthente “Ferrin” e Dantes dhe me të në duar i ka mbyllur sytë.
- Dy vrasjet e zëvendëskomisarit Trebeshina
Ëmbëlsira në fund, thonë latinët. Në këtë rast, ne do të themi: hidhërimi në fund. Do të flasim këtu për pjesën më të errët të kësaj historie: dy vrasje kriminale.
Autori i biografisë së Trebeshinës, disa herë thotë se dosja e këtij mban brenda shumë mënxyra. Meqenëse ai është shumë glorifikues për personazhin e vet, këtë shprehje lexuesi e merr si “mënxyra” që janë bërë kundër shkrimtarit.
Siç do të shohim, është e kundërta: është Trebeshina që ka bërë mënxyra të vërteta kundër të tjerëve. Është fjala për dy vrasje që i rëndojnë në ndërgjegje “disidentit” tonë. Dy vrasje, një fjalë goje, por ato janë dhe mbeten dy vrasje!
Del pyetja, përse autori i biografisë i ka përmendur këto dy vrasje, me fjalë të tjera, pse ka trazuar shejtanin, siç thuhet, kur mund të bënte sikur s’i dinte, ashtu siç ka bërë për mjaft fakte të tjera?
Përgjigjja është e thjeshtë: i ka përmendur dy vrasje të Trebeshinës meqenëse ato gjenden të depozituara në dokumentet e dënimit të Koçi Xoxes dhe se është shumë e vështirë për t’i zhdukur. Atëherë autori i biografisë bashkë me Kasëm Trebeshinën kanë menduar t’i dalin së keqes përpara, të falsifikojnë të vërtetën, duke i paraqitur vrasjet si vetëmbrojtje.
Siç thotë proverbi, ka raste kur në vend të vësh vetullat, nxjerr sytë. Nuri Dragoi pa dashur e ka bërë këtë dhe kjo është e vetmja meritë e këtij libri.
Po e themi që në krye: kemi të bëjmë me dy vrasje, njëra, siç e pranon vetë Trebeshina, është vrasje pa gjyq, e urdhëruar nga ai vetë, (përshkruhet në faqen 103 të librit të N. Dragoit) dhe tjetra, një vrasje prapa krahëve, vrasje tipike e një krimineli burracak, që Kasëm Trebeshina, siç e pohon vetë, jo pa kënaqësi, e ka kryer me dorën e tij.
Ne do të merremi me këtë të fundit pa bërë asnjë lëshim. Do të tregojmë të vërtetën, do ta vërtetojmë atë katërcipërisht, në mënyrë që publiku i gjerë shqiptar, ta kuptojë se përpara ç’rreziku të madh ndodhet sot Shqipëria. Ky rrezik është zhytja në krim. Jo vetëm që vendi ynë po heziton të dënojë krimet e komunizmit, por ai po kalon në një fazë tjetër: kthimin e krimit në një gjë të zakonshme, për të mos thënë, glorifikimin tinzar të tij.
Të shpallësh disident numër një të vendit një vrasës ordiner, ta propozosh për “nder të kombit” e ta futësh në libra shkollore, kjo është një fyerje e një tallje e madhe për moralin e çdo vendi.
Vrasjet prapa krahëve kanë qenë dhe mbeten një nga njollat më të zeza të luftës. Ato ende mbulohen me kujdes, ngaqë me ato ka filluar në të vërtetë diktatura dhe terrori komunist. Me dhjetëra janë partizanët që janë vrarë pabesisht ndërsa ishin duke pirë ujë tek ndonjë përrua a duke fjetur.
Në librin e tij tepër tronditës “Lufta civile në Shqipëri”, botuar më 2006, historiani Uran Butka përshkruan dhjetëra vrasje të tilla. Sejfulla Malëshova, në plenumin e Beratit më 1944 e ka ngritur i pari dhe i fundit këtë problem. Ai e akuzoi udhëheqjen komuniste si nxitëse të terrorizmit. “Me terror i zgjidhnim të gjitha”, thotë S.Malëshova, “ Nuk u çudita kur më thanë se sa më brutal e terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte”. Opinioni publik shqiptar duhet të njihet, më në fund, me këto vrasje. Aty i ka rrënjët krimi komunist. Kasëm Trebeshina bën pjesë në njerëzit për të cilët flet Sejfulla Malëshova.
Në librin e tij për Trebeshinën përshkruhet një vrasje e tillë tipike. Autori i biografisë mundohet ta justifikojë, tregohet naiv, bën sikur s’e kupton, por nuk arrin dot ta mbulojë të vërtetën.
Ne do ta zbërthejmë rresht pas rreshti tekstin e botuar, që lexuesi të bindet për atë që ka ndodhur.
Përshkrimi i ngjarjes zë pak më shumë se tre faqe (80-83) , në kapitullin me titull “Vrit ose do të të vrasë”. (Shih më poshtë tekstin e plotë të këtij kapitulli).
Ngjarja ndodh në njësitin partizan ku bën pjesë Kasëm Trebeshina. Në këtë njësit ka dalë një problem me njërin nga partizanët.
Po citojmë tekstin (fq.80) : “Ishte pikërisht njëri prej shokëve të njësitit, i cili kishte nisur të shfaqte shenja të theksuara të bajraktarizmit individual, duke shpërfillur detyrimet që buronin nga betimi luftarak”.
Më poshtë tregohet se një nga të zemëruarit kundër rebelit ishte Kasëm Trebeshina. Bile ishte ky që në formë kërcënuese e ka paralajmëruar tjetrin.
Teksti (fq.81) : “Por dukej se ky kërcënim publik nuk ndikoi shumë te i pabinduri”.
Më poshtë, tregohet se shokët vendosën ta dënonin mendjemadhin.
Teksti (fq.81) “Gjyqi ishte i shkurtër dhe nuk kishte kaluar as gjysmë ore nga fillimi i tij, kur u dha vendimi: Të dënohet me vdekje!”
Më poshtë teksti vijon: “Madje për këtë u ngarkuan edhe dy nga shokët e grupit, të cilët ishin Luto Sadiku e Gramoz Kaloshnja. Por rebeli nuk donte t’ia dinte për ndëshkimin”.
Pra, gjer këtu kemi këtë tablo disi të çuditshme: kemi një partizan të pabindur, mendjemadh. Kemi gjyqin special që e dënon me vdekje për këto vese. Kemi dhe të dënuarin që nuk çan fare kokën për dënimin! Madje, për çudi, nuk çan kokën as kur caktohen pushkatuesit!
Vijojmë me tekstin (fq.81) “Më vonë rebeli kërkoi të ikte drejt qytetit dhe për këtë arsye, ose për faktin se rebelimi i tij i kishte kaluar caqet e durimit, shokët e njësitit caktuan Kasëmin që ta pushkatonte”.
Çudia dyfishohet. I dënuari mendjemadh, jo vetëm që s’çan kokën për asgjë, por kërkon të bëjë një rrugë për në qytet!
Dhe autori na tregon si u nisën të dy për në qytet, i dënuari dhe njeriu që do ta pushkatonte, Kasëm Trebeshina. (Ku janë dy pushkatuesit e parë? Përse hoqën dorë? S’thuhet asgjë).
Situata është më tepër se absurde.
Ç’është ky i dënuar me vdekje që paska leje të udhëtojë për në qytet? Dhe krah për krah me atë që do ta vrasë, me Kasëmin!
A është, së paku, i lidhur?
Më tutje çudia vazhdon. Autori na përshkruan ecjen e tyre drejt qytetit. Po citojmë tekstin (fq.81): “Megjithatë në ato momente kur Kasëmi po shoqëronte të pabindurin, tek ai u shfaq deja për ta falur atë dhe aty për aty mendoi ta linte të ikte përtej kënetës, për të shpëtuar kokën”.
Pak me poshtë çudia dhjetëfishohet. Në kohën që poeti, domethënë Kasëm Trebeshina, sipas autorit, ka këto mendime kaq të fisme në kokë, ndodh një gjë e papritur.
Citojmë tekstin (fq.82)
“Papritur, rebeli i vuri Kasëmit grykën e pushkës tek kolona vertebrale duke e kërcënuar”.
Situata është më absurde se në teatrin absurd. Tani na del se viktima (partizani rebel) jo vetëm që ka të drejtë të bëjë një xhiro gjer në qytet, bashkë me xhelatin e vet, jo vetëm që është i palidhur, por kulmi i të gjithave, na qenka edhe i armatosur me një goxha pushkë!
Po citojmë tekstin: (fq.820)
“E gjithë kjo ngjarje e shpejtë e befasoi poetin, por mjaftuan vetëm dy minuta që ai të bindej se për kundërshtarin nuk duhej pasur mëshirë dhe se në luftë ekziston formula: “vrit ose do të vrasin”.
Pas kujtimit edhe të disa proverbave të tjera me këtë motiv, poeti (lexo: krimineli) , ndërsa ecën drejt kënetës nën kërcënimin e viktimës, bën planin e vrasjes.
Po citojmë nga teksti tregimin e vetë Kasëm Trebeshinës: (fq.82)
“…E kuptova që ai mendonte të më vriste në anë të kënetës dhe shkova përpara, duke e ndjerë në shpinë tytën e pushkës së tij.
E lamë pyllin dhe thirrëm lundërtarin, që erdhi menjëherë. Ai, rebeli, ishte një ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij. I gëzuar, duke parë nga këneta dhe duke biseduar me lundërtarin, ai humbi vigjilencën dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, unë u ktheva dhe e qëllova në mes të ballit!… Në moment e çarmatosa , pastaj e flaka të vdekur në tokë.
– Varrose atë ! – i thashë lundërtarit dhe shkova në fshat“.
Kështu e jep ngjarjen ky libër. Një histori krejtësisht e pabesueshme, pa asnjë logjikë, e rreme nga kreu në fund. Mashtron autori i vrasjes. Mashtron autori i librit. Mashtrimi dallohet që larg ngaqë është i qepur me pe të bardhë.
Le të rivendosim logjikën në këtë tekst mashtrues: Kemi një partizan që konsiderohet rebel, mendjemadh, me mendime të pavarura. Vendosin ta vrasin, ngaqë nuk e durojnë dot. Po si? Me ç’pretekst?
Këtu fillon mashtrimi. S’është gjyqi partizan që vendos, sepse sado të ashpra të ishin këto gjyqe nuk vrisnin për mendjemadhësi. Vendimi është marrë fshehurazi, nga dy ose tri vetë, siç bëhej për vrasjet prapa krahëve. Kasëmi, zëvendëskomisar i këtij njësiti dhe oficer i shërbimit sekret të luftës, ishte ndër ata që kishte marrë urdhrin e fshehtë për eliminimin fizik. Prandaj viktima nuk di asgjë. Prandaj niset me mision drejt qytetit. Prandaj është i armatosur, madje me një pushkë që duket njëqind metra larg. Prandaj ecin të dy normalisht, viktima dhe xhelati i fshehtë.
Dhe te bregu i kënetës, Kasëm Trebeshina, oficer i fshehtë i Sigurimit qysh në atë kohë, në mënyrë të fëlliqur e burracake vret pas krahëve një djalë të ri e të pafajshëm.
Kjo është e vërteta dhe s’mund të ketë tjetër. Kështu janë vrarë gjatë luftës djemtë më të mirë, ata që kishin mendime të pavarura, ata që zgjonin zilinë e që ishin shpresa e vendit.
Nuri Dragoi, ndërsa tregon emrin e viktimës tjetër, të pushkatuar pa gjyq, të Jani Milos, nuk e tregon emrin e këtij djali të ri. Siç duket, ende Trebeshina ka frikë prej familjes së viktimës së vet, e cila, sipas ligjeve demokratike, edhe sot mund të kërkojë vënien në vend të drejtësisë. Dhe mirë do të bënte ta kërkonte.
Ajo që bie në sy në këtë riprodhim të ngjarjes së bërë tani prej Kasëm Trebeshinës, është mungesa e çdo keqardhjeje, pa le pastaj pendimi për këtë vrasje.
Jo vetëm kaq. Në përshkrimin e vrasjes ndihet një farë kënaqësie dhe krenarie. Ndihet edhe teatraliteti, karakteristikë kjo e shumë vrasësve. Fraza “Ai ishte ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij” e zbërthen në mënyrë kuptimplote gjendjen. Ç’do me thënë “unë isha ustai i tij”? Do të thotë se, sado i zoti të ishte viktima (ujku i vjetër), Trebeshina kishte me vete vendimin e fshehtë, domethënë favorin që të jep pabesia.
- Sarkastik, panegjerist dhe… denonciator i miqve
Një pyetje ia bëjmë publikisht Ardian Klosit, reklamuesit kryesor të Trebeshinës, njeriut që ka bërë parathënien e librit në fjalë: si është e mundur që pas leximit të këtij episodi e të tjerëve si ky, mund të shkruhet ajo parathënie aq himnizuese?
Kasëmi pasi i ka fyer dhe vrarë realisht atëherë, i vret prapë moralisht 60 vjet më pas disa nga viktimat e tij. Në librin biografik (fq. 112-117) përshkruhet me hollësi se në shtatorin e vitit 1944 Kasëmi lidh dy kapitenë, i burgos në kishën e Pilurit dhe, po të mos kishin ndërhyrë preraz titullarët e brigadës, u bën gati plumbin, vetëm e vetëm se njëri syresh po fejohej me një partizane. Kasëmi ishte kundra atyre që dashuronin në luftë, kundra pjesës më të përparuar të rinisë së kohës. Dhe është aq me fanatizëm kundra dashurisë, sa siç thuhet me mburrje në libër, siç është dhe në traditën turke, gruan e tij të ardhshme ia ka gjetur nëna. Është gjerësisht e njohur se ç’rol të keq luajnë disa herë në jetën e njerëzve, duke përfshirë shkrimtarët, kompleksi i inferioritetit dhe i dështimit erotik. Ato shtojnë dozën e egërsisë dhe sidomos zilinë për të tjerët.
Ka kohë që shtypi shqiptar ka dhënë alarmin për njollat e errëta në biografinë e Kasëm Trebeshinës. Ka kohë që lista e themeluesve të Sigurimit shqiptar, ku ai ka bërë pjesë qysh nga viti 1943, është bërë e njohur. Ka kohë që Trebeshina është akuzuar drejt për drejt.
Atëherë si shpjegohet ky vesh i shurdhër?
Veshi i shurdhër e ka gjithmonë një shpjegim. Ish nomenklatura komuniste ndihet tepër e inkurajuar në Shqipëri. Shurdhimi i Shqipërisë ndaj vendimit të Europës për dënimin e
krimeve të komunizmit i ka ngjallur shumë shpresa.
Ardian Klosit i pëlqen shpesh të dalë në shtyp e në televizion, me një buzeqeshje ironike, për t’iu dhënë mësime morali të tjerëve.
Shtypi shqiptar ka vënë në dukje se, kur bije fjala për krimet e komunizmit, ai, sikurse familjarë të tjerë të ish-nomenklaturës komunist
nuk shfaqin ndjeshmëri ose pendesë. Siç e pamë më lart, asnjë gjurmë pendimi nuk duket në tregimin e Trebeshinës për vrasjen e kryer prej tij. Në parathënien e librit për të, A.Klosi shkruan se Trebeshina “Kurrë nuk i shkeli sinorin njeriu dhe kurrë nuk deshi t’i bënte njeriut dëm”.
Të gjitha këto tingëllojnë si tallje me vuajtjet e popullit shqiptar nën diktaturën komuniste. Ato u ngjajnë kujtimeve të Nexhmije Hoxhës, sidomos ngjajnë të tilla kur vijnë nga një pinjoll i nomeklaturës si Ardian Klosi.
Shoqëria shqiptare paskomuniste është treguar tepër tolerante dhe e emancipuar dhe nuk iu kujton këtyre pinjolleve, atëherë kur duhet t’ua kujtojë, krimet e kaluara. A.Klosi e të tjerët, siç duket, e kanë përkthyer gabim këtë tolerancë. Përndryshe A.Klosi kur ka rënë fjala për babanë e tij, Bilbil Klosin, një nga kriminelët më të mëdhenj të diktaturës, do të kishte qenë më reflektiv. Në vend që të dënojë krimin, ashtu siç ka bërë me aq dinjitet disa herë djali i ish-kryeministrit, Bashkim Shehu, Klosi, na e paraqit babanë e tij si një figurë liberale, gati-gati disident. A duhet t’ia kujtojmë atë se babai i tij, si ministër i Drejtësisë që ishte, ka dënuar e ka çuar në burg, në pushkatim apo në litar mijëra shqiptarë të pafajshëm? A duhet t’i kujtojmë se ditën e parë që u emërua ministër, nënshkroi pushkatimin pa gjyq të 22 njerëzve të pafajshëm, të akuzuar për gjoja bombën në ambasadën sovjetike? Paraardhësi i tij, Manol Konomi, ndonëse ministër komunist, e refuzoi këtë gjë makabre ndaj dhe u pushua në vend. Kurse Bilbil Klosi, me këtë krim nisi karrierën.
Sa herë që bie fjala për krimet e ish-nomenklaturës, pinjollët e tyre bëhen nervozë, madje dhe agresivë. Etërit e tyre duan të na i servirin në një dritë njerëzore, në kohën që shumica e këtyre etërve, madje edhe ata që më vonë kanë marrë një hije liberale, në fillimet e diktaturës kanë qenë të përlyer në mënxyra, e sidomos në famëkeqet komitete të pushkatimit pa gjyq. Dëshmia më e saktë që ata janë bij të denjë të prindërve shfaqet te personaliteti i tyre.
Ardian Klosi ka diçka prej prokurori të diktaturës. Herë-herë është përjashtues deri në asgjësimin e tjetrit dhe herë-herë merr pozën e panegjeristit naiv. Klosi hiqet naiv kur ia do halli. Kur i thonë se Trebeshina ka qenë themelues i Sigurimit, ka qenë hetues i birucave me kamxhik në dorë, ka qenë kryetar dege në Fier, punë e madhe, thotë Klosi, le të ketë qenë. Dhe shton se oficerë të shërbimit të fshehtë kanë qenë dhe Oruelli, dhe Kiplingu. Po, kanë qenë dhe shumë të tjerë, i themi Klosit, edhe filozofi i madh francez Volteri ka qenë i tillë. Por askush nuk ua përmend për keq. I kanë shërbyer atdheut të tyre. Edhe në ushtrinë shqiptare të kohës së diktaturës ka pasur oficerë të zbulimit, por puna e tyre ka qenë dhe mbetet e nderuar. Ama nuk është e tillë puna e ndyrë dhe e urryer e oficerëve të Sigurimit shqiptar, e oficerëve të Sekuritates rumune, e atyre të Stazit gjermanolindor etj.
Klosi ngjan me një shakaxhi kur shkruan se K. Trebeshina u mbrojt se ka qenë komandant(!) në luftë. Kështu paska ndodhur? Enver Hoxha likuidoi disa nga “komandantët legjendarë” më të shquar të brigadave të luftës, si M. Shehun, B. Ballukun, P.Dumen, ekzekutoi shefat e mëdhenj të Sigurimit, Koçi Xoxen, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, çoi në burgime të rënda gjithë shtabin e shtatmadhorisë së ushtrisë shqiptare dhe u ndruajt, e mbajti dorën, ndaj një zëvendëskomisari të një batalioni partizan siç ka qenë K. Trebeshina. Sofist dhe shakaxhi i prapë ky Klosi! Apo jo?
A.Klosi, mbase do të na shfaqet prapë në TV me ato ironitë e tij të liga të varura përherë në cep të buzëve, por ne do t’i sjellim këtu një dokument prej të cilit atij, nëse i ka mbetur një fije ndërgjegje, do t’i prishet gjumi. Ky dokument, ashtu si ai i kushëririt të vet, K. Trebeshinës, është një procesverbal hetuesije dhe mban datën 1 shkurt 1979. Ai fillon me fjalët klishe “Unë hetuesi Dhimitër Shkodrani, mora në pyetje Valer Dyrzin, i cili pohoi:”
Shënojmë se Valer Dyrzi ose Valer Tarasovi, është biri i shtetasit shqiptar inxhinier Seit Dyrzit dhe i gruas ruse Inga Tarasova, e burgosur barbarisht prej shtetit shqiptar më 1978.
Në kohën që Valer Tarasovi merrej në pyetje, ai ishte 19 vjeç, i lidhur në pranga, kurse nëna e vet, ndodhej në burg.
Midis të tjerash, djali i arrestuar flet edhe për një broshurë angleze, e cila, siç kuptohet, ka qenë edhe preteksti kryesor i arrestimit.
Po citojmë pjesë nga dokumenti, tekstin e plotë të të cilit e zotëron gazeta “Panorama”.
“Valer Dyrzi: Dua të sqaroj se broshurën që ka pasur Sokol Ngjela, e cila fliste për udhëheqësit tanë, siç më ka thënë Sokoli, atë broshurë ia kam lexuar ose treguar Ardian Klosit dhe këtë gjë e kishte marrë vesh sigurimi. Një kushëriri i Sokolit, i cili ishte në Ministrinë e Brendshme, i kishte thënë Sokolit që të kishte kujdes, të mos merrej me këto gjëra. Cili ishte personi në Ministrinë e P. të Brendshme Sokoli nuk ma ka thënë. Vetë Sokoli lidhur me këtë broshurë kishte diskutuar vetëm me Ardian Klosin, e, për rrjedhim, meqenëse e kishin marrë vesh njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai ka nxjerrë konkluzion se këtë punë e kishte denoncuar Ardian Klosi. Unë e kam pyetur Ardianin nëse e kishte denoncuar ai këtë punë, por siç thashë më lart, nuk ma pranoi një gjë të tillë”.
(Shih faksimilen).
Siç del qartë nga ky dokument janë tre djem të rinj që akuzohen për leximin e një broshure subversive: Sokol Ngjela, Valer Dyrzi dhe Ardian Klosi. Ndryshimi është se dy të parët janë në pranga, kurse Ardian Klosi i lirë. Dy të burgosurit akuzojnë Ardian Klosin si denonciator. Dikush mund të thotë se ligjërisht kjo ende nuk përbën një vërtetim të akuzës. Ashtu duket. Por këtu kemi një situatë të njohur: kur në një grupim prej tre vetësh ndodh një tradhti, dyshimet lindin për njëri-tjetrin. Më thjesht: kemi dyshimin e dy “pjesëtarëve të grupit” kundër të tretit. Fjalën e tyre kundër fjalës së tij.
Në një rast të tillë, analiza që bëhet, është e njohur: në qoftë se midis tre të akuzuarve për të njëjtin faj, dy dënohen dhe i treti shpëton, është e qartë se dyshimi i denoncimit do të bjerë mbi të shpëtuarin. Në këtë rast mbi A.Klosin.
Edhe sikur të pranojmë se për A.Klosin u bë një mbyllje sysh për shkak të lidhjeve familjare, një mbyllje sysh e tillë s’mund të funksiononte deri në atë masë, sa A.Klosi jo vetëm të shpëtonte nga dënimi, por të merrte, siç do ta shohim, edhe një shpërblim.
Bëhej fjalë për një broshurë analizë, që tallej me udhëheqësit e Shqipërisë, duke përfshirë dhe Enver Hoxhën, gjë për të cilën nuk të falte askush. Ne e dimë ashpërsinë e Hoxhës: për gjëra të tilla ai nuk kursente as njerëzit e rrethit të vet më të afërt.
Pas përfundimit të hetimit, gjithçka bëhet e qartë: ndërsa dy prej të akuzuarve, Sokol Ngjela (vëllai i Spartak Ngjelës) dhe Valer Dyrzi (Tarasovi) u kalbën vite të tëra në burg, të tretit, Ardian Klosit, jo vetëm nuk i hyri gjemb në këmbë, por e dërguan për specializim në Austri e Gjermani!
Vetëm budallenjve mund të mos iu shkojë në mendje ajo që Ardian Klosi, duke u dërguar jashtë shtetit, mori kështu shpërblimin për tradhtinë e tij.
Sokol Ngjela nuk rron më, por Valer Tarasovi jeton në Itali, duke qenë sot një nga piktorët më të shquar në atë vend.
Valer Tarasovi është piktor me prejardhje ruso-shqiptare, por ai ka të drejtë të ketë prej Shqipërisë kujtime të hidhura. Ne, duke përfituar nga rasti i botimit të këtyre shënimeve, do të donim t’i shprehnim, bashkë me simpatinë tonë, mendimin se ka edhe një Shqipëri tjetër veç asaj që, për fat të keq, ka njohur ai. Kjo Shqipëri sot ka guximin dhe vullnetin të dënojë terrorin e shkuar dhe të shfaqë solidaritetin e vet me ata që vuajtën prej tij.
- Dhora Leka: një ish-spiune apo Nder i Kombit?
Nga njoftimet në gazetat e përditshme mësojmë se Dhora Leka ka qenë agjente e disa shërbimeve sekrete. Dhora Leka ka bërë me dhjetëra denocime për figurat politike të kohës së diktaturës. Dhora Leka ka dhënë raporte të fshehta për disa nga shkrimtarët dhe artistët më të rëndësishëm të kohës. Sigurimi mbi këto raporte ka ndërtuar punën e tij, dmth ka përndjekur njerëz për një kohë shumë të gjatë. Raportet e saj ishin aq të rëndësishme, sa sekretari i Byrosë Politike për ideologjinë, Ramiz Alia, i mbante në zyrën e tij dhe vëzhgonte intelektualët më të rëndësishëm të sferës së letërsisë. Këto raporte, siç pranon ish-ministri i Brendshëm Hazbiu, u kanë shkuar dhe disa shërbimeve të huaja si UDB-së dhe KGB-së. Ish-ministri i fundit i Sigurimit, H. Isai i dëshmoi këto fakte në një gazetë të ditës dhe shtoi se ajo u paska dalë në hetuesi disa prej të dënuarve më të mëdhenj politikë të kohës. Sipas tij, ajo ishte aq e mbaruar, sa recitonte në hetuesi dhe në gjyq të gjitha ato që Sigurimi ia vinte përpara. Ajo ka qenë dëshmitare e rreme në gjyqet më të bujshme politike që nga Bedri Spahiu e deri te K. Hazbiu. Kjo, sipas dokumenteve dhe dëshmive në shtyp, paska qenë Dhora Leka.
Pas ’91-shit ajo doli nga vrimat e birucave të hetuesisë dhe nga baltërat e internimeve. Me pak publicitet përnjëherë u bë e famshme. Filloi të luajë martiren. Lartësonte veten dhe viktimizonte të tjerët. Tashmë hapur, jo ashtu fshehtas siç kishte bërë në tërë jetën e saj. Tirana e tranzicionit e pranoi me një si ndjesë ngushëlluese të ndëshkuarën prej komunizmit, Dhora Lekën. Në këto vite një pjesë nga ajo që quhet elita mondane dhe artistike e kryeqytetit, (një elitë gati si shtojcë shumë e respektuar e ndonjë ceremonie funerale) e mbante në mesin e saj Dhora Lekën. Shkonte në koncertet e fondacionit të saj. Po ashtu ajo ishte e ftuara speciale e mbrëmjeve të tyre. Dhora Leka u shndërrua kështu në simbol të së persekutuarës së jashtëzakonshme. Një martire dhe disidente e madhe. Gazetat shkruanin për të. Portreti i shfaqej në TV. Ajo kishte marrë nurin e heroinës. Sipas dëshmisë publike të Maks Velos, me urdhër të ish-kryeministrit Nano asaj Instituti i të Përndjekurve i ka bërë financime disa dhjetëra milionëshe. S’mjaftoi me kaq. Më pas ajo mori dekoratat më të larta të këtij vendi, u shpall Nder i Kombit. Veç fondacionit, një shkollë dhe një rrugë në kryeqytet mbajnë emrin e saj. Me gjallje këto ndere nuk iu bënë as muzikantit më të madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, Çesk Zadesë, ish-burrit të saj, martesën me të cilin ajo e kishte përdhosur me diplomatët dhe me gjenaralët e shërbimeve sekrete të një shteti fqinj.
Të gjitha këto përdhuni të shndërrimit në idhull të një spiuneje ndodhnin në dritë të diellit dhe për një kohë të gjatë. Askush nuk ngrinte zërin se kështu po fabrikohej një disidente e rreme. Përkundrazi, ishte Dhora Leka që jo një herë, për të lartësuar veten, viktimizonte të tjerët.
Njerëzit tek ne thonë se duhen mëshiruar ata që kanë vuajtur. Mëshira është e mirë dhe në mjedisin tonë të egërsuar së tepërmi, duhet të kultivohet e të ushtrohet si një virtyt i lartë. Po. Duhen mëshiruar dhe duhet t’iu krijohet një jetë për të qenë gjithë të persekutuarve. Edhe Dhora Lekës. Por fajet kurrësesi nuk ke pse t’ua falësh atyre që i kanë. Dhe aq më tepër nuk mund t’i shndërrosh të fajshmit në heronj. Një pyetje vetiu do përgjigje? Pse iu bënë gjithë ato favore materiale e morale asaj, kur mijëra të tjerëve, ndër ta, Maks Velos, një artist dhe piktor i përndjekur, nuk i është dhënë falas qoftë një biletë avioni, nuk i është dhënë as shtëpi dhe asgjë tjetër? Pse për disa ne tregohemi mëshirëmëdhenj dhe bujarë të vërtetë, ndërsa për mijëra të tjerë, për të persekutuarit e vërtetë i kemi të mbyllur sytë?
Kuptohet. Këtu ka vepruar një logjikë tjetër. Shumë e llogaritur dhe shumë djallëzore: heronjtë e sigurimit duhet të jenë dhe heronjtë e demokracisë. Është shumë e trishtuar për cilindo shoqëri që të krijojë heronj nga njerëz të ish-shërbimeve të fshehta të kohës së Luftës së Ftohtë, të shërbimeve vëndase dhe të shërbimeve të huaja. Një shoqëri si kjo e jona për 17 vjet i ka pranuar shumë të tillë. Ndër ta dhe Dhora Lekën.
Dh. Leka dhe disa të tjerë si ajo, kanë qenë vegla kriminale të regjimit, janë përdorur kundër të tjerëve. Kanë bërë krime të vërteta. Për disa nga këto krime edhe sot, edhe pas njëqind vjetësh, mund të hetohesh dhe të dënohesh. Tradhtinë cilado shoqëri e sotme demokratike e ndëshkon. Vetëm tek ne mund të sajosh heronj nga njerëz të tillë, nën maskën se ata kanë vuajtur nga komunizmi.
Pse ndodhi që u nderuan këto produkte false të shërbimeve? Është mungesë totale e përgjegjshmërisë, apo është diçka tjetër? Është ajo që, në tollovi e sipër, struktura të caktuara me synime të mprapshta ndaj këtij vendi ngrenë njerëzit e tyre në rangun e vlerave më të dalluara shtetërore dhe kombëtare.
Njerëzit e shërbimeve të Sigurimit sot janë ende në parlament, në qeveri: deputetë, ministra, kryetarë të komisioneve parlamentare, ambasadorë etj. Spiunët, siç dihet, mund të ndërrojnë ngjyrë, flamur, padron, të bëjnë nga dy – tre shërbime njëherësh. Sipas momentit dhe urdhrit, mund dhe të shiten nga një shërbim te tjetri. Dhe, pasi i shërbyen djallit, mund të marrin mantelin e shenjtorit. Tek ne kështu po ndodh. Shqipëria nuk deshi ta flakë nga jeta publike këtë shtresë. Ajo, siç po e shohim, krijon dhe heronj të rremë prej tyre.
Dhora Leka ka mbetur ende e nderuar zyrtarisht. Te ish-aviacioni shkolla e re dhe e bukur tetëvjeçare mban emrin e saj. Financuesit e saj misteriozë pranë fotografisë dhe biografisë së “viktimës së komunizmit” Dhora Leka, nesër mund të porositin dhe një bust për ta përjetësuar më tej atë. Kështu ne po i mësojmë nxënësit e asaj shkolle që të nderojnë një ish-agjente të të tjerëve kundër vendit të saj, po i mësojmë që të spiunojnë shokët e miqtë pa dallim. Po i mësojmë se si nga një e përlyer kësisoj, lehtësisht mund të shndërrohesh në qytetare të nderuar të këtij vendi.
- Basti për rikthimin e pushtetit të krimit
Në fund të këtyre shënimeve dëshiroj të theksoj se u çikën vetëm disa nga çështjet dhe u përdorën vetëm disa nga moria e dokumenteve që presin të dalin në dritë nga arkivat e mbyllura.
Dihet tashmë acarimi i madh që shkaktojnë këto lloj dokumentesh te shumë njerëz. Mbi këtë fshehje dokumentesh bazohet fshehja e së vërtetës, prej zbulimit të së cilës këta njerëz, disa prej të cilëve u përmendën në këto shënime, dalin të njollosur. Mashtrimet e tyre nuk mund të jetojnë veçse në kushtet e territ informativ. Prandaj ata përpiqen të varrosin të vërtetën, duke e zëvendësuar atë me përralla e trillime, si puna e “promemorjes” së rreme të Trebeshinës.
Kohët e fundit gjithmonë e më tepër në shtypin shqiptar shtohet kërkesa për të hedhur dritë mbi anët e errëta e të pasqaruara të asaj që ka ndodhur në kulturën shqiptare.
S’është fjala për “gjueti shtrigash”, as për ulje ose ngritje shkrimtarësh e artistësh, por për rivendosjen e së vërtetës. Është fjala që njerëzit që përpiqen sot të vendosin në Shqipëri pushtetin e gënjeshtrës, të bëhen të ndërgjegjshëm se nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.
Nga shembujt që u treguan nuk është e tepërt po të themi se në kulturën shqiptare, çdo ditë e më tepër po shtrin sundimin diçka e ngjashme me atë që quhet “krim i organizuar”. Kemi të bëjmë me një rrjet të kriminelëve ballkanas që janë ende krenarë dhe të kënaqur me krimet e tyre të dikurshme. Ata i duan ende krimet, e duan kohën e krimeve. Atëherë e kanë ndier veten superiorë, atëherë në kohën kur kishin leje me pashë të bënin ç’të donin dhe si të donin mbi shpinën e një populli. Kjo i bashkon këta njerëz. Dhe si çdo sferë e botës së krimit të organizuar ajo do të ketë ndikimin e vet në pushtetin e lartë të kohës. Dhe pjesërisht ia ka arritur.
Duket e rëndë? Është e vërtetë se mund të duket ashtu, por ç’emër tjetër mund t’i vëmë asaj që po ndodh?
Ç’emër tjetër mund t’i vëmë faktit që ish-kryetari i hetuesisë komuniste në vitet 1981-1985 , vite terrori të pashembullt, ka sot guximin të japë mendime për letërsinë, të vlerësojë shkrimtarë e të hedhë baltë mbi të tjerët. Edhe kur, sot, në vitet 2007?
Ç’emër t’i vëmë asaj që në të njëjtin libër bashkohet ky kriminel me një informator të Sigurimit, që ka futur në burg shokët e vet? Që këta të dy na reklamojnë një gjoja disident të letërsisë shqipe dhe shajnë e përgojojnë shkrimtarët e tjerë?
Kjo është diçka e padurueshme.
Regjimi i rrëzuar komunist ka pasur disa suksese pas rrëzimit të tij. Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk ka dijeni për ish-agjentët e këtij regjimi të infiltruar në partitë politike, në parlament, në qeveri, në media, në biznes, në sistemet gjyqësore. Dhe ja rezultati: të inkurajuar prej këtyre sukseseve, ata duan të shkojnë më larg.
Përpjekja e Sigurimit shqiptar, që të shpallë një ish-oficer të tij, një themelues të tij, e sidomos një letrar të rëndomtë, si ajkën e artit e të disidencës shqiptare, është një bast i ri dhe një tallje e re. Tallje me vetë disidencën, me njerëzit që kanë vuajtur prej regjimit, me tërë vlerat e artit dhe vlerat demokratike që shoqëria shqiptare kërkon të përqafojë e të mbrojë sot.
Ky bast përmban në vetvete një ndjenjë hakmarrjeje e revanshi kundër këtij populli, atij që përmbysi geton komuniste, për t’u bashkuar me familjen e popujve europiane. Ndaj shoqëria shqiptare duhet të ngrihet në këmbë për t’i thënë “ndal!” këtij reva
Faksimile I
Themeluesit e armës së Sigurimit
Origjinali është në Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e mbrojtjes se Popullit. Emri i Kasëm Trebeshinës është në krah të Nesti Kerenxhit, Kadri Hazbiut, Vaskë Kolecit e të shumë figurave të larta të këtij Shërbimi. Atëherë Sigurimi ishte nën vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe quhej Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit.
Faksimile II
Gradimi kapiten i parë i Kasëm Trebeshinës nga Enver Hoxha, mars 1945
Origjinali është në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit (lexo: Sigurimi i Shtetit). Prapë emri i kapiten të parë Kasëm Trebeshina del në krah të Kadri Hazbiut, Nesti Kerenxhit, Teme Sejkos. Të graduarit kanë nënshkruar përbri emrit të tyre.
Faksimile III
Akuza të K. Trebeshinës kundër Mark Ndojës
Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Dosja Trebeshina, 1954. Deponim në hetuesi i datës 9. 4. 1954 i Kasëm Trebeshinës kundër Mark Ndojës
Faksimile IV
Valer Dyrzi akuzon Ardian Klosin për denoncim në Sigurim
Dosja hetimore nr. 168/1 Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Deponime të Valer Trarasovit (Dyrzit) kundër A. Klosit
KREU II
Dy replika
Përgjigje për çështjen Trebeshina
Me që replikat mbi shkrimin tim “Fabrikimi i disidentëve të rremë” qenë me sulme dhe me kërcënime, detyrohem të them dy fjalë mbi to.
Nga replikën e gjatë e Nuri Dragoit prita shumë, por nuk doli ndonjë gjë e re. Kur sjell një mal me dokumente si provë që dikush ka qenë kundër regjimit, ndërkohë që të tjerë njerëz atëherë i zhduknin, i linin dhe pa varr, për një të qindtën e këtyre që ka thënë ky kundërshtar i regjimit, ti i shton dhe më tepër dyshimet mbi të. Pse atë e kanë lejuar të jetë i tillë? Vallë se ka qenë disident i lejuar? Se nuk e kanë marrë shumë seriozisht? Këtë kam thënë në shkrimin tim. N. Dragoi ka vërtetuar me dokumente të reja tezën time.
Në këto replika nuk u tha asgjë e re për denoncimet e Trebeshinës ndaj M. Ndojës dhe të tjerëve. Pra, u pranuan.
Nuk u soll asgjë e re për dy vrasjet e Trebeshinës. Veç u ngrit doza e sharjeve kundër të vdekurve. Mirë ua bënë. Të vdekurit nuk kanë gojë të flasin, të përgjigjen.
Nuk u mohua që Trebeshina ka qenë oficer i Sigurimit, hetues dhe kryetar dege, as që ka shkruar vepra të realizmit socialist, poemë për Stalinin. Pra, u pranuan.
Nuk doli gjë e re dhe për atë që ai është një shkrimtar i rëndomtë dhe që me intervista, me deklarime, sidomos me veprën “Mekami”, ka fyer shqiptarët, Shqipërinë dhe ikonat e rëndësishme të historisë sonë.
Më e rëndësishmja: panegjeristët e Trebeshinës edhe pas një jave me replika nuk na e provuan që “Promemorja” e shumëpërfolur ekziston. Pra, me që nuk ekziston, ata kanë bërë një mashtrim publik me sajimin e saj, mashtrim që sot ende vazhdon të serviret si i vërtetë në tekstet shkollore.
Sa për sharjet, hakërrimet, kërcënimet ndaj meje, me to nuk po merrem. Le t’i marrin mbrapsht.
Që kur një njeri mburret se është shtëpi e parë, me që i ati ka firmosur vrasjen pa gjyq të 22 vetëve për t’u bërë i tillë, nuk më mbetet asnjë koment tjetër për të dhe për “shtëpinë e parë” të tij. Hakërrimi dhe revanshi nga “shtëpitë e para” komuniste nxori prapë krye nëpër replika. Në shkrimin tim pikërisht për këtë kam paralajmëruar shoqërinë shqiptare, për t’i thënë stop këtij hakërrimi komunist, për t’i thënë stop fabrikimit të disidentëve nga radhët e tyre. Përgjithësisht jam kundër mitizimit të cilitdo prej të gjallëve, të cilët deri sa janë në tokë, bëjnë gabime a faje. Vetëm martirët janë në qiell, atje ku shkojnë pak nga ne tokësorët.
Unë i kuptoj vuajtjet tokësore të Trebeshinës, por i mbroj ato që kam thënë për të. Sidoqoftë, një shkrim si ai imi në “Panorama”, shkrim i hedhur në publik, veç të tjerash, është dhe ftesë për debat. Përndrazi, në disa nga replikat pashë vetëm përjashtimin e mendimit tjetër, pashë mungesën e prirjes për dialog, kthim te teza enveriste: ai që nuk mendon si ne, duhet sharë, kërcënuar, përjashtuar. Pashë vështrimin manikeist të fakteve dhe të problemeve, ndarjen e tyre në absolutisht të bardhë ose në krejtësisht të zinj. Ky vështrim na ka çuar te armiq, të cilët nuk janë fare armiq ose te heronj që janë veçse antiheronj. Fatkeqësisht, kemi plot të tillë. Nuk kemi pse të shtojmë të tjerë.
Përgjigje Ardian Klosit. Dokumente të reja
E pandehja të mbyllur një polemikë që u ngrit me rastin e shkrimit tim “Fabrikimi i disidentëve të rremë”, botuar në gazetën “Panorama” gjatë muajit gusht, por Ardian Klosi, pas replikës së tij në këtë gazetë, e rihapi atë në revistën “Klan” me shkrimin “E vërteta sipas meje”.
Klosi mund të ketë të vërtetën e tij, e cila është e ndryshme nga ajo e imja. Dhe le ta shprehë atë. Por kur, veç tonit fund e krye arrogant e spitullaq, e mbush shkrimin e tij me trillime, atëherë ky shkrim i tij duhej titulluar jo e vërteta, por trillimi sipas meje. Trillimi nga kreu deri në fund.
Si fillim, po ndalem shkurt mbi ato që Klosi thotë për mua.
Sipas tij, kam qenë falsifikator dhe spiun. Po e them prerë dhe qartë: nuk kam qenë i tillë. Kush të dojë, le të provojë të kundërtën.
Jam krenar që nuk kam qenë spiun. Vetëm kaq. Por as hero i asaj kohe nuk kam qenë. Isha dhe jam veç një i mbijetuar.
Atij shteti i jam nënshtruar. Ishte një shtet që të shkatërronte me gjithsej. Dhe dy herë ma ka rrënuar, ma kthyer përmbys e kokëposhtë rrjedhën e jetës. Më 1967-69 më dërgoi ushtar në brigadë pune. Shkula lisa për të hapur tokë të re në Kongrazhd të Burrelit, mbolla e shkula patate nëpër male: në Stërblevë, në Tërnovë, në Mbasdejë . Herën e dytë më degdisi gjashtë vjet në minierë (1974-80). Në vende nga të cilat nuk mund të dilje i gjallë, më çonin të punoj atje në nënokë. Por prapë mbijetova. Ja, kështu: kam bërë tetë vjet punë krahu, tetë vjet punë të rëndë.
Të parët e mi nuk kanë qenë ballistë. Edhe sikur të ishin të tilla, për sot kjo nuk përbën ndonjë gjë të keqe. Mbas lufte, meqë kishin pasuri, vëllezërit e gjyshit tim u shpallën kulakë dhe u shpronësuan. Ky mallkim, sado të përpiqesha, do t’më ndiqte pas në gjithë jetën time.
Më 1971-74 isha redaktor i poezisë në Radio Tirana. Pas Festivalit të 11-të më çuan në minierë. Pas minierës në një fshat majë malit Bureto, në Hllomo… Kam ndërruar njëzet vende pune … Nuk më zinin këmbët dhe. Kjo është historia ime.
Ai shtet bëri ç’deshi me mua. Por spiun nuk më bëri dot. Të tjerët më kanë spiunuar. Dhe të tillët ishin tipa si A. Klosi, tipa që të shkatërronin, po t’iu bëje nga pak hije në rrugën e tyre.
Rrugët e mia me të Klosit kanë qenë të kundërta. Po ai sot kujton se prapë mund të më bjerë më qafë kot së koti. Ashtu si dikur Sigurimi. Meqë Klosi më përmend spiullëkun dhe me që ai ka ca lidhje të ngushta (siç do të dëshmohet më poshtë) me sigurimsat, le ta provojë, le të nxjerrë një dëshmi sado të vogël që të vërtetojë se kam qenë ashtu siç thotë ai. Ndryshe… ndryshe thëniet e tij mbeten fjalë. Fjalë rruge dhe asgjë më shumë.
- Si përballemi me të kaluarën tonë
Atëherë ç’e detyron këtë njeri të shfryjë kaq egërsisht mbi një tjetër? Veç asaj që personaliteti i Klosit në këto vite shquhet për agresivitet të dhunshëm ndaj kujtdo që nuk është i një mendjej me të, shpifjet e tij ndaj meje e kanë një arsye. Në shkrimin tim në “Panorama” zbuloheshin ca të vërteta që Klosin e kanë prekur veçanërisht.
Taktika e tij e sulmit asgjësues ndaj kundërshtarit është e vjetër: ta nxijmë me bojë të zezë atë që ka thënë ca të vërteta të hidhura për ne, se kështu rrënohet dinjiteti i akuzuesit dhe bashkë me të, rrëzohen dhe dëshmitë e tij ndaj. Kështu Klosi ka luajtur dhe luan me bllofin. Dhe me aksesin e tij në media. Në Shqipërinë e sotme po të kesh miq në media, mund të shndërrohesh nga kriminel në viktimë dhe e anasjellta. Mund të kesh denoncuar e varrosur njerëz, me që je figurë e mbështetur prej mediave mund të bëhesh deputet, nder i kombit a mjeshtër i madh i punës.
Edhe sikur të isha ashtu siç thotë Klosi, nuk jam unë që e akuzoj atë, janë dokumentet arkivore. Dokumente që i kanë publikur disa gazeta (Panorama, 55-a). Këto dhe dokumenta të reja do t’i paraqes më poshtë. Dhe me faksimilet përkatëse.
Objekti i shkrimit tim mbi disidentët e rremë në “Panorama” nuk ka qenë Klosi. Qëllimi i atij shkrimi ka synuar që të ndihmojë shoqërinë e sotme në përballimin e saj me të kaluarën.
Popozoj që t’i dalim ballas së kaluarës sonë, ta pranojmë tmerrin e saj me ndjesën tonë, me përgjegjësinë tonë, pa falsifikime dhe pa fabrikime idhujsh dhe disidentësh të rremë. Të kemi kurajon të korrigjohemi.
Dhe, dhe…Të gjejmë një taban mbështetës të vërtetash thelbësore për të sotmen dhe për të ardhmen. Pa të vlera të qendrueshme një shoqëri nuk mund ta ndërtojë veten e saj. Shqipëria historikisht ka pasur dhe e ka ende një mentalitet revolucionar. Fanolistët dikur luftonin me zogistët, zogistët më pas përndoqën fanolistët, komunistët erdhën dhe i përndoqën deri me plumb të gjithë të tjerët më përpara tyre.
Kjo histori disi ndryshe vazhdon. Fitimtarët e sotëm në zgjedhje, rrënojnë jetët, profesionet dhe bizneset e atyre që i humbën zgjedhjet. Ku do të vemi kështu? Me siguri, asgjëkundi.
Shqipëria vazhdon të jetë atdheu i të fortëve. Hasim të fortë të rrugës, të lagjes, të fshatit, të medias a të shtetit, të cilët pa mëdyshje nëpërkëmbin çdo ligj dhe kanun. Para tyre duhet të ngujohesh, ose të emigrosh. Mëkatë që këtë kulturë të dhunës e bëjnë të tyren dhe njerëz të sferës së dijes, të shkrimit.
Veç ekstremistëve në të dy krahët e shoqërisë, që stimulojnë atmosferën e kacafytjes së të fortëve, ka tek ne dhe një hapësirë publike që kërkon paqëtim, bashkëpunim, ligj, begatim dhe frymëmarrje.
Ata që janë në ekstreme e kënaqin veten në urrejtjen e ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit. Vallë me këtë pjesën e mesit, me këtë pjesën e butë të shoqërisë, ç’do të bëhet? Cilat janë vlerat që do t’i propozojmë asaj? Te kjo shtresë, hyjnë të rinjtë e paskomunizmit dhe gjithë të tjerët që nuk janë të infektuar e të molepsur në urrejtje. Çdo të bëjmë me këta? T’iu ngjitim dhe atyre urrejtjen e vjetër me burim nga padrejtësitë e përgjakshme të kohëve?
Unë mendoj se një shoqëri ka mundësi të korrigjohet, po të dimë të ndërtojmë vlerat më të mira të së kaluarës sonë (ato që janë) dhe po të pranojmë dhe një bllok normash morale dhe të vërtetash thelbësore me përmbajtje të qëndrueshme dhe me përmasa universale. Vlera me energji për të sotmen dhe për të nesërmen. Vlera që na përballin me të sotmen dhe të nesërmen pa idhuj të kotë dhe pa fabrifikime e falsifikime. Pa antivlerat që trashëgojmë, pa të vërtetat e rrejshme të idhujve të politikë të ditës, vlera të cilat siç e shohim, janë krejt relative dhe të vjetërueshme e të ndërrueshme si stinët. Kështu janë ato dhe njerëzit e së përditshmes që i mbartin.
Na duhet një taban i thellë vlerash që të zenë vend në zemër të shoqërisë jo në sipërfaqe të saj.
Klosi është ndër ata që me qëndrimet e shkrimet e tij do të krijojë idhuj të rremë. Me publicistikën e tij, me shfaqjen në media do të prodhojë një mentalitet konfliktues e rrënues ndaj gjithçkaje që nuk i vjen sipas dëshirës apo sipas shijeve dhe kuptimeve të tij mbi jetën, mbi mendimin shkencor për gjuhën, për personalitetet dhe për figura të historisë sonë. Dhe është veçanërisht i hidhur, arrogant e zemërak gjer në rrafshim me ata që i dalin kundër. Ai mbart filozofinë e mentalitetit revolucionar: ngri një palë kundër palës tjetër, që të asgjësohen mundësisht që të dy krahët. Këtë ai synon ta arrijë me çdo mjet. Edhe përmes shpifjeve. Dhe me përdorimin e arrogancës dhe të përçmimit të kundërshtarit në vend të përballjes përmes argumentit.
2.Pse Klosit nuk i pëlqejnë dokumentet arkivore?
Pse i duhet kaq agresivitet dëshpërues këtij njeriu? Mendoj se kjo e ka burimin te e kaluara e tij. Te e kaluara e famljes së tij. Te vetja e tij.
Që në rininë e tij ai ka qenë i mpleksur në ca punë jo fort të pastërta. Dhe bëjmë fjalë për atë personalisht, jo vetëm për familjen e tij. Ndryshe, hidhtësia e tij do të ishte e papërligjur. Edhe ekspozimi i tij kundërproduktiv mediatik. Susta shtytëse për veprime të tilla rrënuese e ka burimin te frustacionet e një të shkuare që ai kurrë nuk do ta shkundë dot nga supet.
Për sa thamë, po iu referohemi dokumenteve. Dosja me numër 168/1 në Arkivin e Policisë, veç të tjerash, ka tri materiale për A. Klosin.
Nga kjo dosje del, që Klosi ka kallëzuar Valer Dyrzit në Sigurim, me që këta të dy, së bashku me Sokol Ngjelën, kanë lexuar një broshurë të huaj ku jepeshin mendime fyese për Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë të asaj kohe. Ky dokument është botuar në gazetën “Panorama”.
Në një dokument të dytë, botuar ky në gazetën “55”, jepen deponimet në hetuesi të Sokol Ngjelës. Edhe aty pohohet broshura në fjalë. Thuhet dhe se A.Klosi në ato vite ka pasur marrëdhënie fare të ngushta me një gazetar anglez, sa Sokoli dhe shokët i kishin vënë Klosit nofkën ”gomar anglez”. Ja që ky Klosi na paska pasur ca huqe që ajo kohë nuk para i honepste. Por për këto më mirë të flasim.
Klosi për këtë dokument të botuar thotë që ai nuk ekziston. Do e bën, do dhe hiqet edhe sikur nuk e ka parë të botuar atë. Me që ende nuk beson, i sugjerojmë atij që të shkojë në Arkiv, ta marrë në duar origjinalin dhe ta shohë me sytë e tij. Këto nuk janë më dokumente sekrete. (Shih faksimilen e këtij dokumenti).
Këtu po sjellim për herë të parë dhe një dokument të tretë nga kjo dosje.
Dokumenti (faqet 45-51 të dosjes 168/1) mban datën 2.3. 1979, ka shtatë faqe dhe është i nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Parë të Tiranës, drejtori i Sigurimit, Nysret Dautaj.
Dokumenti “sekret” i drejtohej degës së shtatë të kësaj drejtorie dhe e informonte atë për veprimtarinë armiqësore të një grupi ku implikoheshin 14 persona. Dokumenti bën dhe klasifikimin një për një për secilin prej të implifikuarve. Disa prej tyre duhet të arrestohen, si: Sokol Ngjela, V. B, S. J, Veron Duma etj. Të tjerët duhet të përpunohen (të përndiqen) dhe disa të tjerë duhet të thirren si dëshmitarë në këtë gjyq.
Dhe si e klasifikon Ardian Klosin Drejtoria e Sigurimit? Le të lexojmë faqen 48:
“Sokol Ngjela në shtator 1977 ka ardhur nga internimi në Tiranë dhe ka takuar (…), Ardian Klosin dhe (…) kanë shkuar në kodrat e liqenit duke ndënjur deri në orët e vona të natës, duke pirë konjak”.
Ardian Bilbil Klosi, i dt. 1956, student në fakultetin e gjuhëve të huaja… në mes të tjerash, është lidhje e ngushtë e Sokol Ngjelës. Kur këta kanë qenë në Gjimnaz, Sokoli i ka dhënë një broshurë shkruar nga një këshilltar anglez që ka qenë pranë shtabit të përgjithshëm gjatë Luftes N.cl. ku ka shkruar keq për udheheqësin e Partisë dhe të Qeverisë. Këtë e ka lexuar, diskutuar dhe janë prononcuar me këtë broshurë me pëërmbajtje armiqësore. Kanë dëgjuar e komentuar muzikë dhe filmat që kanë parë në televizorin italian, etj.
Mendojmë të thirret dëshmitar.
(Shih faksimilen).
Vëreni: Klosi është lidhje e ngushtë e Sokol Ngjelës. Edhe pse ishte i tillë. Drejtoria e parë e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Tiranën (drejtoria e Sigurimit) vendoste që Ardian Klosi të thirrej si dëshmitar i shokëve, disa prej të cilëve mbetën në burg deri më 1991. Përse? Cili ka qenë roli i vërtetë i Klosit në këtë grup shokësh?
Klosi në reagimet e tij ka ngulur këmbë që broshura angleze ku fyhej udhëheqësi i Partisë, nuk ka ekzistuar. Kë duhet të besojmë, dokumentet apo reagimet emocionale të Klosit? E përsëritim: dosja e plotë është në Arkivin e Policisë, kushdo mund ta shohë.
Klosi në shtyp ka mohuar që ta ketë takuar S. Ngjelën, pasi ai u internua, por në këtë dokument del se ai dhe dy të tjerë e kanë takuar atë fshehtaz në shtator 1977.
Ka ndonjë gjë tjetër në këtë histori, për të cilën Ardian Klosi vazhdon të na gënjejë? Faktet të lënë të mendosh se këtu ka edhe diçka tjetër.
3.Dëshmitar në gjyqe politike dhe…
Në ligjet e sotme të të gjitha vendeve të Europës Lindore, edhe në ligjin e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pastërtinë e figurave” të vitit 1995, dëshmitarët e gjyqeve politike të kohës së komunizmit klasifikohen të një shkalle me informatorët e Sigurimit. Kjo se shumë nga këta “të thirrur si dëshmitarë” kanë qenë të infiltruar prej policisë në radhët e atyre që shteti mendonte t’i dënonte me burg.
Argumentet e A. Klosit se ai ka qenë shtëpi e parë, se ata kanë qenë çuna blloku, çuna ministrash, se ai ka qenë nipçja i gruas së Ramiz Alisë, janë foshnjarake. Policia e asaj kohe i gjuante dhe i fuste në rrjetin e saj edhe birçebenjtë e nomenklaturës. Dosje atëhere kishin deri edhe më të mëdhenjtë e shtetit. Kur këta binin nga fiku, iu numëroheshin edhe sa fustane mbanin nuset e djemve të tyre, edhe ku kishin ngrënë drekat e darkat. Klosi, sipas kritereve të policisë së kohës, ka qenë njeri me huqe. Sipas dokumenteve, i pëlqenin “gazetarët anglezë”. Tipa të tillë bëheshin lehtë kontigjent i policisë.
Ka dhe një arsye tjetër që e ka shtyrë Klosin të flirtojë me policinë. Babai i Klosit në ato vite u pushua nga puna “për paaftësi”. Diktatori, si për shumë të tjerë, edhe për të atin e A. Klosit nuk pati mëshirë. Bilbil Klosi i kishte shërbyer një jetë të tërë diktatorit. Me gjyq e pa gjyq kishte çuar në plumb me qindra armiq të Partisë dhe, ja, tani atë po e pushonin nga puna “për paaftësi”? Të paktën, mund ta mëshironin me formulën pushohet “për arsye shëndetësore”. Por jo…
Ky motivacion shkarkimi nga puna e thoshte fare hapur se Ai atje lart tashmë Klosët po i shihte shtrëmbër. I binte të birit, Ardianit, që të bënte ca shërbime si ato që bëri i ati, për të vënë në vend lëkundjen e pozitave të familjes.
Dhe Klosi e filloi duke dëshmuar kundra shokëve, S. Ngjelës, V. Dyrzit etj. Dha prova. Pastaj e nisën për studime jashtë, për të bërë doktoraturën në Austri. Praktika ka qenë që studentët për studime jashtë Shqipërisë niseshin në grupe të përbërë të paktën nga dy vetë. Që të mbanin nën kontroll njëri-tjetrin. A. Klosin e nisën vetëm.
Praktika dje dhe sot në gjithë universitetet e botës është që ta mbrosh doktoraturën për dy vjet, Klosi i vazhdoi studimet katër vjet. Pse këto përjashtime për A. Klosin?
Ardian Klosi mburret se ka qenë në shoqërinë e Martin Camajt. Në shoqërinë e një “krimineli të arratisur”, e një njeriu që kishte qenë i afërt me grupin e “kriminelëve fashistë të E. Koliqit”? Kështu thuhej zyrtarisht për ta atëherë. Edhe E. Çabej, edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave e kishte të ndaluar të tokte dorën me të tillët, jo më të shoqërohej me ta. Si i bëhet që A. Klosit këto i lejoheshin? Se ishte bir i nomenklaturës? Po edhe jo.
Më shumë këto lëshime iu bënë për diçka tjetër. Se po vazhdonte traditën familiare për t’i shërbyer partisë, duke u infiltruar në “strofkën e armikut”? Pra, Klosi, veç që ka qenë me studime, ka kryer andej edhe ca shërbime të tjera.
Derisa sipas ligjeve të gjithë Europës Lindore ai si dëshmitar në gjyqe politike klasifikohet i një shkalle me informatorët e sigurimit, pse mos ta besojmë këtë që edhe jashtë shtetit ka kryer shërbime të tilla për sigurimin?
Klosi ia arriti që të shoqërohej e deri të futej në familjen e Martin Camajt. Shënojmë se futja e Klosit në familjet e shkrimtarëve të shquar ka qenë një nga specialitetet e vjetra të tij. Por për këtë mund të flasim një herë tjetër.
4. Klosi dhe Trebeshina
Që Klosi ka ende dobësi për sigurimsat, që edhe ata nuk të kanë faj, vdesin për të, kjo u pa nga mënyra se si disa prej tyre ia bënë forra, reaguan nxehtë e zjarrshëm në mbrojtje të tij, me rastin e botimit të shkrimit tim në “Panorama”. Kuadro të lartë të Sigurimit, të lidhurit ngushtësisht me kryekupolën e Sigurimit, i dolën në krah atij dhe Bilbilit, atit të tij. Me këto lidhje të vjetra dashurie dhe shërbimesh të Klosit me “armën e dashur të Sigurimit” mund të shpjegohen dhe fabrikimet e “disidentëve” si Dhora Leka dhe e “disidentëve” si Trebeshina.
Dobësia gati patologjike e Klosit për Trebeshinën, veç lidhjeve të tyre familjare, shpjegohet dhe me këtë dashuri të vjetër me rrënjë në kriminalitet, shpjegohet dhe me filozofinë e helmët konfliktuale që i karakterizon ata të dy.
Si Klosi edhe Trebeshina kanë ca dëshira apokaliptike. Trebeshina, për shembull, do që të zhduket nga faqja e dheut një qytet i yni, të rrafshohet baraz me tokën, të zhduket me gjithë njerëzit e tij të gjallë e të vdekur. Do edhe më shumë. Të fshihen nga historia e kulturës sonë Skënderbeu, Naimi, dhe shumë nga virtytet historike të shqiptarëve.
Klosi pa sjellë asnjë provë vazhdon të na thotë se Trebeshina nuk ka qenë sigurims, se ekzistoka dhe ajo e ashtuquajtura Promemorje e Trebeshinës, e shkruar më 1953. Promemorje që ka qenë e dyshuar prej kohësh. Dhe vazhdon të mbetet e tillë. Më poshtë po rendisim disa nga argumentet që e thellojnë dyshimin mbi të:
E para, arkivi ka një dosje voluminoze mbi Trebeshinën e viteve 1953-54. Gjen aty dhe copëza letrash të shkruara me dorë prej tij, veç Promemorjen nuk e gjen.
E dyta, Promemorja nuk dëshmohet as nga prova indirekte. Ajo nuk përmendet në deponimet hetimore a gjyqësore të Trebeshinës, gjashtë muaj pasi pretendohet se është shkruar. Edhe më pas në asnjë rast ajo nuk përmendet kurrë si akuzë a si fakt kundër tij.
E treta, Promemorja nuk mund të shkruhej nga ai më 1953, nga që përmbajtja e saj është antistaliniste. Atëherë Trebeshina ishte ende ithtar i Stalinit. Stalinizmi i tij provohet nga poema kushtuar Stalinit, Prometeut të ri, siç e quan ai më 1953. Provohet edhe nga një dokument tjetër nëntë muaj më pas, më 1954, në kërkesën për apelim drejtuar Gjykatës së Lartë. Aty Trebeshina shkruan: “Kundër meje duhet zbatuar masa që shoku Stalin mori ndaj poetit Demjan Bjedni. Më tepër modesti! Ndiqni vijën marksiste-leniniste.” (N. Dragoi, Dosja Trebeshina, fq. 187). Mundet një stalinist i tillë të shkruante një promemorje antistaliniste? Nuk mundej. Trebeshina antistalinist do të vijë pas viteve shtatëdhjetë.
E katërta, promemorja nuk i qëndron as qasjes filologjike. Ajo siç është botuar një herë, nuk është botuar herën tjetër. Prapë vërehet se stili dhe gjuha e saj janë shumë të përpunuara. Si e tillë, ajo ndryshon dukshëm nga shkrimet e së njëjtës periudhë të autorit, të cilat nuk e kanë këtë shkallë përpunimi dhe janë plot me shmangie gjuhësore dhe ortografike. Shmangie të dukshme. Pra, mendojmë se edhe filologjikisht promemorja është e dyshimtë.
Por Klosi thotë se e beson edhe pa prova. Duhet t’ia marrim seriozisht? Përse?
Gjithmonë duke iu drejtuar pjesë së mesme të shoqërisë sonë, mendoj se ajo nuk e do urrejtjen, negativitetin, pshtjellimin, fabrikimin. Ajo e do këtë vend, e do dhe historinë e kulturën e tij. Ajo nuk mendon se zhgënjimet a frustimet nga komunizmi duhet të na çojnë në nihilizëm, në mohim të vlerave tona. Pjesa e butë e shoqërisë sonë nuk ka dëshirë që t’ia helmojnë fëmijët me urrejtje dhe me tekste poshtëruese për vlerat tona siç bëjnë disa nga tekstet që dalin nga pena e Trebeshinës. Tekste të tilla nuk ka pse të përfshihen në antologjitë shkollore. Tregimi “Pse fshati ynë nuk u bë qytet” (shih te antologjia “Maja e çelur”, fq.187-191, tekst për shkollat e mesme) satirizon gjithë historinë e Shqipërisë, parodizon “Historinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit. Aty me “bricjapin” aludohet për Skënderbeun, një hajdut zarzavatesh, që lufton me “bishtkalin”, Ballabanin. Më tej “bricjapit” (Skënderbeut) shqiptarët ia prishin varrin dhe eshtrat ia varin në qafë. Ndërsa “bishtkalit” i ngrenë një tempull ku i ndezin qiri. Është i pafre inati i Trebeshinës për Skënderbeun, kur, dihet, varrin e Skënderbeut nuk e prishën shqiptarët. (Shih më poshtë fragmente nga ky tregim).
Idetë fikse kundër Skënderbeut dhe kundër figurave të tjera kombëtare Trebeshina i përsërit edhe në një vëllim me tregime, edhe në prozën e gjatë “Mekami”, një nga satirat më të hidhura antishqiptare. Kasëm Trebeshina mund të ketë cilëndo pikëpamje mbi historinë, por këto nuk ka pse të hyjnë në shkollat tona.
Por Klosi prapë ka dobësi për Trebeshinën, për një ish-oficer sigurimi të kthyer në shkrimtar. Ka dobësi për atë histori të së shkuarës që i bën bashkë ata të dy. Këto lidhje të së shkuarës e çojnë Klosin deri atje sa të bëhet panegjerist e si i dalldisur pas një idhulli të rremë si Trebeshina. Dhe kjo të çudit. Sjellje të tilla gati dashurore, si ato për Trebeshinën nuk janë në natyrën e tij. Madje janë e kundërta e natyrës së tij. Klosi ndaj shumë të tjerëve, për të mos thënë ndaj gjithkujt, tregohet cinik, nihilist dhe gjithmonë me shkopin e agresivitetit në duar.
Faksimile V
Arkivi i Ministrisë së Brendshme, dosja 186/1. Dokumenti mban nënshkrimin e drejtorit të Sigurimit për Tiranën. Drejtoria e Sigurimit për Tiranën vendos që Ardian Klosi të dalë si dëshmitar në procesin politik të shokëve të tij
Faksimile VI
Deponime të Sokol Ngjelës mbi Ardian Klosin dhe Valer Dyrzin
Arkiv i Ministrisë së Brendshme, Dosja 186/1
Kreu III
Tri tekste. (Dy të Kasëm Trebeshinës)
- Promemoria e dyshuar për Enver Hoxhën
Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuara nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar ideologjokisht dhe politikisht nga ju, në mënyrë që nuk mund të pranohet që është socialiste.
Kështu sa më sipër, del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik në lidhje me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji, që nuk mund të diskutohet; kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në formën e diçkaje absolute pikëpamjen tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrë të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara, që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë, ashtu edhe për ju personalisht, vendosa që ta shkruaj këtë ”promemorje” dhe t’a nis pa humbur kohë.
Tashti le të shikojmë veças secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej këtij realiteti të ndërtuar në mënyrë të tillë.
Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për një realizëm të quajtur ”socialist”. Pa qenë nevoja të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një ”realizëm” ose, që prej momentit që ai ka nevojë t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet se çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej.
Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Nje inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!…
Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave, ata vijnë në faqet vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike!…
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty ishin ndarë punët në mënyrën më të qartë . Mbretërit dhe Princat e kishin siguruar pjesëmarrejn e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tani a mund të pranohet si e drejtë që një gjë e tillë të zbatohet në shekullin e njëzetë dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?
Mesa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të drejtpërdrejtë me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si praktikë. Megjithatë gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e shgarravitjeve letrare, se ato si vepra të dobëta do të zverdheshin në vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vetë autorët e tyre. Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhrave fetare të murgjëve.
Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë ”funksione” dhe ”privilegje”
Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë këtyre viteve.
Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë mendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që ”Halili dhe Hajrija” e Kolë Jakovës është një vepër e madhe!… Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si…
Më mirë le ta lëmë këtë pikë!…
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një çensure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë çensurë, atëherë ajo të krijohet si një institucion dhe t’i ushtrojë hapur funksionet e saj. Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimntarë, për mua ose për ndonjë tjetër, këtu del në shesh fakti se, pa u kuptuar, po ndërtoni një letërsi mesjetare, me konceptë mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Prandaj ka ardhur koha të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet një herë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind nga një strukturë e caktuar, nga vetë forma e paraqitjes merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të ketë vdekur struktura që e lindi!… Shoqëria e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme ndërhyrjet brutale në punët e artit, sidomos nga njerëz që nuk kanë asnjë kuptim më të vogël rreth natyrës së tij të veçantë. Formave monarkike të ndërhyrjeve të ndryshme duhet t’u jepet fund dhe të lihen të qetë shkrim-tarët që kërkojnë nëpër shtigje të vështira rrugët e vërteta të artit. Nuk është mirë që të ndërhyni, duke u shtuar vështirësive reale në art vështirsi të tjera artificiale me anë të funksionarëve të huaj, që njohin vetëm, praktikën e përditshme burokratike, se arti nuk mund të jetë një ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara nga një qendër e plotfuqishme. Prandaj ju nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH.
Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t’ju jap më poshtë një, shembull që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë.
Dihet se romani im ”Rinia e kohës sonë” është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër ”Mbarimi i një mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani ”Harbutët” i Sterjo Spasses është shkruar që më 1946!… Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që të shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë ”Çlirimtarët”?…
Pse Partia ia boton me një zhurrnë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për ta trumpetuar si romanin e parë në gjuhën shqipe?… Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të letërsisë shqipe…. Dhe dihet se në Shqi-përi janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane… Edhe në gjuhën shqipe!… A është e denjë që të merrej një, parti e tërë nëpërmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla?
Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni. Duhet t’i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin e njëzetë, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të shtrenjta.
Është pranuar nga të gjithë se, sado i mençëm dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme, që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t’i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyra të pashmangshme tek pushteti njëdorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat, duke ndërprerë të gjitha ato veprime organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është më një parti, por një repart kazerme. Në parti është një gjë e pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht për të gjitha problemet që ka shoqëria. Vetëm kur t’a kemi diskutuar çështjen gjer në fund, ajo mund të vihet në votë dhe pas votimit do të vihet në jetë vendimi i shumicës.
Po si veprohet praktikisht tek ne?
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën kundër meje vetëm gjatë këtij viti. Të gjithë të deleguarit që nga prokurori Njazi Shehu, që erdhi në fillim, dhe gjer te sekretari i KQ. Manush Myftiu, ishin njerëz që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia, Atëherë si erdhën këta njerëz të diskutonin çështje, për të cilat nuk ishin fare të përgatitur?
Në një numër shumë të madh antarësh partie ekziston mendimi pa bazë se nuk ka kala që nuk e marrin komunistët, por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë se ata nuk mund të bëjnë , bie fjala, një filxhan të thjeshtë kafeje!… Megjithatë duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo kala, vijnë në Lidhje të Shkrimtarëve si ”nënoficerë” dhe ”oficerë” dhe na kujtojnë se jemi ”ushtarë të partisë”.
Në këtë qëndron një gabim shumë i rëndë. Në qoftë se ne do të pranonim se jemi ushtarë të partisë, siç bëjnë me mburrje shumë njerëz, pa u thelluar në një gjë që shkon shumë larg, atëherë do të na duhej të pranonim se ka oficerë… Pastaj do të shkonim më larg, ne do të pranonim se ka edhe gjeneralë dhe, mbi të gjitha, një kryegjeneral!…Dhe ç’do të bënin të gjithë këta njerëz të mbyllur në këtë piramidë të çuditshme?
Kuptohet!… Do të asgjësonin njëri-tjetrin!… Dhe për këtë duhet të mendoheni ju, që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra e gjer në bazë, do të kërkohet gjithnjë e më shumë shtypja e çdo mendimi, gjer sa të arrihet që të mos ketë më asnjë mendim, përveç mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht kardinali Risheljë dhe i shkatërroi me luftat e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë. Shqipëria nuk është në gjendje që të luftojë me ndonjë shtet, rrjedhimisht do të luftojë në mënyrë të çuditshme me veten e saj dhe në këtë mënyrë financat e saj do të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe shtypja e mendimit, edhe brenda rradhëve të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rezikshëm për atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda rradhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë.
Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë “Promemorie” të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do t’i keqinterpretoni mendimet e mia.
Mbetem me respekt
Kasëm Trebeshina
Tiranë, 5 tetor 1953
Stalinit
Si vetëtim’ mbi globin lajmi shkon:
“Stalini…” – Jo! Nuk mund, nuk mund të jetë!…
“…parmbrëm’, papritur”… – Hidhërim’ i thellë
gëzimin e lë prapa me të shpejtë.
Nënës kur i thonë se djal’ i vetëm
i vdiq, hutohet dhe nuk i besohet,
më von’ i bindet lajmit, ngashërehet,
me lot’ kërkon atë që nuk ndryshohet.
Dhe ne dëgjojmë lajmin por s’e duam,
e largojm’! S’ikën! Rishtaz lajmëron!
Goditj’ e dhëmbëshme na rëndon zemrat,
korenti-ngjethje trupat na përshkon.
Fjalën e prindve foshnja sa dëgjon
“Babi, Stalini ç’ka!” – pyet i habitur.
Ata shihen në sy, po nuk guxojnë
t’i japin lajmin që i ka tronditur.
Ngul këmbë foshnja me “pse” pambarim,
po fuqi “pse”- ve t’u përgjigjen s’kanë
dhe mundohen me fjalë të tërthorta
përtej, ku s’duhet, t’a nxjerrin mënj’anë.
Armiqt’ gëzohen e s’guxojn’ t’a thonë,
Zagarët lehin rrotull dhe s’mbarojnë.
Po le të lehin! Për ata ne kemi
zëmrimin dhe kamxhikun kur ulrojnë! –
Prej polit gjer te poli lajmi shkon :
me besim barkën drejton peshkatari!
Minatorët, dokerët shtrëngojnë grushtat,
më me guxim lirin mbron luftëtari.-
Po sillet vdekja! Po veten gënjen!
Jo! Prometheu s’vdes sa njerëz t’ketë,
gjersa një tym i vetëm ngrihet qiellit
nga zjarri që ai hodhi në jetë. –
Ti Promethe nuk more vetëm zjarrin,
Ti perëndit’ nga Olimpi i rrëzove;
zjarrin dhe botën njërzve u dhe
e tyrja ishte, në ‘të i qëndrove!-
Dhe vdekja sillet, por vetëm gënjen!
Natyra çfaqet prap e përtërirë,
po pret që ne në lule t’a mbulojmë,
jetën të ngjallim dhe në shkretëtirë, –
Se fëmija sa lindi ajrin thithti
dhe zemr’ e sajë për luftim trokiti,
një brez i tërë në shekull u ngrit
mendimi yt plot drit’ atë e rritit! –
……………………………………..
Mëngjez’ i sotshëm një mbledhje kërkonte,
një datë donte kohëve t’u vërviste,
një çast që burrat në provë t’i vinte
syt’ e papërlotur në lotë t’u ndriste! –
Burra që s’qanë qajnë dhe ngashërehen,
po për këtë njeri s’çuditet sot!
Enveri?!… Po! Po qan! – Të gjithë qajnë!
Si foshnjë qan Mehmeti, s’mbahet dot! –
Marrshi funebër qytetit jehon.
Në grumbuj presin për herën e tretë
t’a dëgjojn’ lajmin që zemra s’e qas.
Por ja! s’e duam dhe ësht’ e vërtetë! –
Rrotull sheh trima n’beteja provuar,
nxënsa shkollash akoma parritur,
fytyra t’ashpra në punë kalitur, –
me buzë-drithtur, nga lotët vaditur. –
Nëna dhe foshnja dhëmbjen sot e ndjejnë,
mustaqesh thinjur lotët sot po shkojnë,
për atë që në bot’ rrugët zbuloi –
rrugët e gjëra ku popujt’ krijojnë. –
Mendimi qiellit çan dhe fluturim
majat me bor’ dhe fushat i kalon.
Pushim nuk do po ecën nat’ e ditë,
padukur, roje afër të qëndron.-
Njerëz shikon të krrusur, të menduar,
heshtur si lumi në fushën e gjërë,
në lotë lagur, si pylli nga shiu, –
ecin e ndalin! Jasht’ një det i tërë! –
Popull i madh, me ty ne pranë jemi!
Me ty përshkojmë sallën zi-mbuluar!
Prisin e gjallë – të heshtur shikoni,
në pavdeksinë kurrorash rrethuar!-
Ja! Oqean në dallgë popujt ngrihen!
Pallatet madhshtore ishuj mbetën!
Bashkuar zëmrat sot përkundin valët –
në ‘to idet’ e tua mbollën jetën! –
……………………………………….
Kush vdekjen tënde mund t’a mendojë?
Ne shihnim veprat që kurrë nuk vdesin
dhe para shkonim nga ti udhëhequr
në rrugën e lavdis që shekujt presin. –
Kishim të drejtë që vdekjen s’e shihnim!
Ne shohim jetën që me ty ndërtojmë,
ne shohim botën, paqen, shohim diellin,
me pamjen tënde ne shekujt ndriçojmë. –
Ne shohim fusha betejash kreshnike,
ne shohim veprat e gardës-mburojë,
ne shohim jetën tënde si një këngë
që popull’ i përjetshëm do këndojë! –
………………………………………..
O shok i madh në gjunj do bëjm betimin
për rrugën tënde gjer në Panteon!
Dhe ja! buçitj’ e madhe popujt ngriti :
Lavdia jote në shekuj kalon! –
Gjëmojnë topat! Përzishëm gjëmojnë!
Ne sot më gjunjë po bëjmë betimin.
Po t’apim lamtumirën shoku Stalin –
Nuk ndahemi e s’mbajm’ dot mallëngjimin. –
Vështrimin hodha, monumentin pashë :
Si at i dashur ti po na vështronje…
Nga vështrimi m’u duk se ishje i gjallë,
m’u duk sikur si at na ledhatonje. –
Muzika bije shtruar, më të qarë!
Po pse bije vallë? As un vet s’e di!
E di, e di! – mendimi më troket,
Stalini më nuk ësht! Më vjen çudi! –
Shtrënguar radhët të kemi rrethuar, –
me dashuri na sheh o at i mirë!
Koha e ndarjes erdhi e nuk shtyhet –
e rëndë qenka mal kjo lamtumirë! –
Kur e mendoj se më nuk je në jetë
me gjith sa më rrethon çuditem sot,
nga dashurija vdekja s’më besohet,
se je i madh pa vdekjen s’e qas dot! –
…………………………………….
Shpërthen mbi detin me tërbim tufani,
po në gji deti tufanin pushton,
fortas përplasen e nga gjiri del
dallga që përpjekjen vazhdon.
Lindja dhe vdekja së bashku jetojnë,
mbi vdekjen jeta fiton pambarim,
në bij’ e nipër me ty do të jemi –
gjithnjë të gjall’, të gatshëm, në luftim! –
Shënime:
Poema është marrë nga “Letërsia jonë”, nr. 3, muaji prill, 1953, faqe 45 – 48.
Për herë të parë kjo poemë është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më 7 mars 1953, dy ditë pas dhënies së lajmit të vdekjes së Stalinit. K. Trebeshina ishte i pari shkrimtar shqiptar që shkroi për vdekjen e Stalinit. Me admirim të thellë ai vëren se dhe udhëheqësit shqiptarë të kohës, Enveri dhe Mehmeti, qajnë për Stalinin.
Trebeshina vdekjen e Stalinit e përjeton si tragjedi botërore dhe përforcon mitin e Prometeut dhe të atit, të ndryshuesit të botës (Ti perëndit’ nga Olimpi i rrëzove) dhe të Baba Stalinit, mite kryesore të propagandës komuniste. Stalini do të mbetet “at i gjallë në monument”, ai “si at na ledhatonte”. Fjalimi sekret i Hrushovit mbi krimet dhe mizoritë e përgjakshme të vrasjes së miliona njerëzve prej Stalinit, do të indinjonte gjithë botën. Në Shqipëri, përkundër, “ati i dashur Stalin” mbeti i gjallë në monument deri më 1990.
Letërsia jonë, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ishte revistë e përmuajshme; më vonë ajo mori emrin Nëntori. Ky numër i revistës, (Letërsia jonë, prill 1953), një botim i posaçëm, i kushtohet tërësisht vdekjes së Stalinit. Aty gjen fjalimet funerale e përkujtimore mbi Stalinin, fjalime të udhëheqjes së lartë komuniste, si: fjala e Enver Hoxhës, e Molotovit, e Malenkovit, e Berias… përmban dhe poezi e prozë nga gjithë shkrimtarët e rëndësishëm shqiptarë të kohës, nga Dh. Shuteriqi, M.Gurakuqi, A. Varfi etj.
Më vonë, këto dhe poezi të tjera mbi këtë temë do të botohen në një antologji për Stalinin.
Poema e Trebeshinës ka 31 strofa katërshe, gjithësej 124 vargje 11-rrokëshe. Pika të heshtjes (…………) në formën e rreshtit përsëriten katër herë në trup të poemës; mbase ato shënojnë nëndarje të saj.
Këto faqe të revistës Letërsia jonë, faqet 45-48, duken të zhubravitura nga përdorimi, nga që shumë lexues i kanë marrë nëpër duar. Në hapësirat bosh anash vargjeve mbi njërën fletë të revistës dikush ka vizatuar me dorë një zarf të vockël, më tej sheh dhe vijëza, e shkarravina të pakuptueshme; vargu 125 i poemës, (strofa 29) “nga dashurija vdekja s’më besohet”, është i nënvizuar po me stilograf, me bojë blu, mbase nga ndonjë lexues i kohës.
Vjersha, siç po e japim këtu, i mbetet besnik botimit të revistës në fjalë, nuk e kemi prekur në asnjë shkronjë, as në shenjat e pikësimit a në shenja të tjera. Shmangiet nga norma në gjuhë dhe në pikësim janë të tekstit të botuar; lëkundjet drejtshkrimore, përdorimi i së njëjtës fjalë në trajta të ndryshme brenda vetë vjershës janë të autorit. Mendojmë, se këto mangësi shprehin gjendjen e atëhershme të shkrimit të gjuhës, nivelin gjuhësor të vetë autorit, pa përjashtuar dhe atë që shmangiet ndonjëherë duhen parë dhe si liri poetike: nga ajo që autori donte t’i mbetej besnik vargut 11-rrokësh.
Gjatë këtij viti në këtë revistë Trebeshina ka dhe tri tekste të tjera : në njërin, lëvdon poetin “komunist, revolucionar” Majakovskin, në tjetrin, një prozator sovjetik dhe, i treti, sjell një vështrim kritik mbi letërsinë e letrarëve të rinj shqiptarë të kohës. Autori, në të kundërt me atë që pohon, ka shkruar letërsi “pornoburokratike”, po të përdorim një term të tij për realizmin socialist. Po ashtu, përkundër asaj që thotë, se i është kundërvënë letërsisë sovjetike, në shkrimet e kësaj reviste shohim se e ka lavdëruar letërsinë sovjetike të realizmit socialist.
Poema më lart dhe tekstet e tjera të tij të viteve 50 mund të përdoren nga specialistët në filologji për të bërë ekspertizën tekstuale të Promemorjes së dyshuar. Siç kemi thënë, gjuha e kësaj “Promemorjeje” është shumë më e përpunuar se sa këto tekste.
Tomas Elioti në esenë “Ndotja e poezisë” ka sjellë analizën e poezive të disa prej romantikëve më të shquar anglezë, të cilët e kanë ndotur ideologjikisht poezinë. Trebeshina, siç shihet më lart, e ka ndotur poezinë që në fillimet e krijimtarisë së tij. Por, si duket, këtë e ka harruar.
Një lutje gati dymijëvjeçare, thotë: “na i fal fajet tona ashtu si edhe ne ua falim fajtorëve tanë”. Raporti këtu është i dyfishtë: jemi fajtorë, ndaj duhet të kërkojmë falje për veten tonë, pastaj të falim dhe ata që janë fajtorë ndaj nesh. Ky qëndrim shënon abecenë e moralitetit. Të pranosh që je fajtor, të kërkosh ndjesë dhe të falësh.
Me poemën “Stalinit” Trebeshina është kryekëput i ndotur. E botoi poemën menjëherë pas vdekjes së Stalinit. Nxitoi të dilte para gjithë të tjerëve. Kur vetë ka shkruar me kaq zell poezi të tilla, a duhet të kërkojë ndjesë?
- Vrit ose do të të vrasin
(Tekst nga Nuri Dragoi)
Sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto peripeci, kur u kthye nga fshati Belinë, pranë njësitit atë e priste një ballafaqim tragjik, ku mësoi se akti i faljes nuk duhet të aplikohet kurrë për rebelët dhe tradhtarët, të cilët gjithmonë janë të prirur të përfitojnë nga fisnikëria e tjetrit. Me këta njerëz mësoi postulatin e njohur: “Vrit ose do të të vrasin”. Si edhe thënien e ebrenjve “Atë që nuk e lë të vdesë, ai nuk të lë të rrosh”.
Ishte pikërisht njëri prej shokëve të njësitit, i cili kishte nisur të shfaqte shenja të thekssuara të bajraktarizmit individual duke shpërfillur detyrimet që buronin nga betimi luftarak. Ky rebel kishte kohë që refuzonte çdo detyrë që i ngarkonte njësiti si edhe të gjitha detyrimet që buronin nga përgjegjësia e e ikuadrimit në radhët partizane. Kur mbërriti Kasëmi, ai pa se po zhvillohej një debat i madh mbi të rebeluarin, i cili nuk bindej të dëgjonte, madje kundërshtonte me nota të rënda fyese.
Unë nuk pyes më asnjerin prej jush dhe kini kujdes se do t’ju vras të gjithëve ndonjë ditë, u bërtiste ai shokëve të njësitit.
Dhe ndofta për atë çast, kaq i mjaftonte Kasëmit për ta kuptuar se gjërat kishin shkuar tepër larg. Plasaritja e marrëdhënieve të tyre nuk mund të ndreqej më. Dhe kur shokët e njësitit i kërkuan ndihmë Kasëmit, ai po kafshonte gishtërinjtë duke e përmbajtur disi nervozizmin, për të mos e shfaqur të plotë atë. Sepse tjetri bënte dikur pjesë edhe në rrethin e mqve të tij. Megjithatë, Kasëmi shqiptoi fjalët:
“Nëse rebeli do të vazhdojë të refuzojë zbatimin e urdhrave, atëhere do ta vras si një lepur”.
Por dukej se ky kërcënim publik nuk ndikoi shumë tek i pabinduri, sepse ai vazhdoi edhe më tej të lëshonte ultimatume dhe të ngjallte panik midis shokëve duke u bërë kërcënime për vrasje. Për këtë arsye shokët vendosën t’i bëjnë gjyqin special ushtarak. Gjyqi ishte i shkurtër dhe nuk kishte kaluar as gjysmë ore nga fillimi i tij, kur u dha vendimi: Të dënohet me vdekje!
Megjithëse rebeli kishte disa lidhje familiare me krerët e shtabit të përgjithshëm, përsëri gjyqi nuk e ktheu vendimin e pushkatimit. Madje për këtë u ngarkuan dhe dy nga shokët e grupit, të cilët ishin Luto Sadiku dhe Gramoz Kaloshnja. Por rebeli nuk donte t’ia dinte për ndëshkimin. Ai, madje nuk besonte se ky vendim do të ekzekutohej dhe iu drejtua Kasëmit:
– Ti i ke fishekët e lagur, ndërsa këta të tjerët janë të gjithë burracakë.1)
Më vonë rebeli kërkoi të ikte drejt qytetit, dhe për këtë arsye, ose për faktin se rebelimi i tij i kishte kaluar caqet e durimit, shokët e njësitit ngarkuan Kasëmin që ta pushkatonte. Dhe Kasëmi mori menjëherë detyrën, duke menduar për një çast se sa e vështirë është të qëllosh mbi një njeri, i cili deri dje konsiderohej shoku yt i barrikadës. Por, sidoqoftë, ligjet e luftës ndëshkojnë menjëherë dezertorët dhe ata që kthehen kundër idealit të përbashkët. Sepse rebelimi i tyre mund të degjenerojë në akte dhune kundër vizionit çlirimtar. Megjithatë, në ato momente kur Kasëmi po shoqëronte “të pabindurin”, tek ai u përshfaq ideja për ta falur atë dhe aty për aty mendoi ta linte të ikte përtej kënetës për të shpëtuar kokën. Sepse në atë çast sensibiliteti i poetit mundi vendosmërinë e luftëtarit dhe Kasëmi ishte gati t’ia thoshte këtë gjë, ia tha pak a shumë, kur papritur ndodhi ajo që nuk mund të përfytyrohej. Ose ndodhi ajo pabesi, që dikush tjetër mund ta parashikonte, por çiltërsia e Kasëmit jo. Papritur rebeli i vuri Kasëmit grykën e pushkës te kolona vertebrale duke e kërcënuar:
– Unë tani do të të vras.
E gjithë kjo ngjarje e shpejtë e befasoi poetin, por mjaftuan vetëm dy minuta që ai të bindej se për kundërshtarin nuk duhej pasur kurrë mëshirë dhe se në luftë ekziston formula “vrit ose do të të vrasin”. Dhe në atë çast Kasëmit iu kujtua fabula, kur një fshatar kishte dashur të shpëtonte gjarpërin, i cili më vonë e kishte helmuar atë. Sepse për gjarpërin nuk duhej ushqyer asnjë ndjenjë mëshire apo vrasje ndërgjegjeje. Gjarpëri duhej vrarë përpara se ai të lëshonte helmin. Kur rebeli e urdhëroi të shkonte drejt kënetës, Kasëmi e kuptoi se ai kishte bërë plan që ta vriste atë pa asnjë shenjë mirënjohjeje për aktin e faljes që i kishte bërë luftëtari i ri. “Atë që nuk e lë të vdesë, ai nuk të lë të rrosh”, thonë hebrenjtë.
Në rrethanat e reja o duhej të pranonte të vritej si kafshë e egër nga një bandit që e kuptonte luftën si një mundësi për të realizuar hakmarrjen personale, ose duhej ta vriste tjetrin, duke zbatuar kështu dhe vendimin partizan… Kasëmi në kujtimet e tij shkruan:
“E kuptova që ai mendonte të më vriste në anë të kënetës dhe shkova përpara, duke e ndjerë në shpinë tytën e pushkës së tij. E lamë pyllin dhe thirrëm lundërtarin, që erdhi menjëherë. Ai, rebeli, ishte një ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij. I gëzuar, duke parë nga këneta, ai e humbi vigjilencën dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, unë u ktheva dhe e qëllova në mes të ballit!… Në moment e çarmatosa, pastaj e flaka të vdekur në tokë.
– Varrose atë! – i thashë prerë lundërtarit dhe shkova në fshat. Në rrugë takova Luton dhe Gramozin.
– Ku është?
– Është atje, i vrarë!…”
Një lloj ndëshkimi e shoqëroi këtë histori edhe pas çlirimit, kur drejtuesit e Byrosë Politike e rehabilituan rebelin duke e cilësuar pushkatimin e tij si një gabim të gjyqit special të luftës.
(N. Dragoi, Dosja Trebeshina…, Naim Frashëri, Tiranë, 2006, fq. 80-83)
1) Pse i ka fishekët të lagur? Sipas të dhënave të mia, deri tani jo plotësisht të afirmuara, “rebeli” në fjalë, Sulejman Xhelili nga fshati Dukat i Vlorës, ka akuzuar udhëheqjen e njësitit dhe vetë Kasëmin, se kanë përvetësuar florinjtë që patriotët i kishin dhënë si ndihmë për partizanët.
Kreu IV
Dokumente dhe letra
Shteti dhe Trebeshina në vitet ‘50-‘70
Biografët dhe heroi i tyre
Biografët-kushërinj të Trebeshinës ngulmojnë në atë që ai ka qenë hero në luftë. Madje hero dhe nën diktaturë. Ata sjellin dhe vargun e Volterit (!) “Rron ai rron atje në male”. Ky varg, edhe pse na duket sikur është i bullgarit Kristo Botev, jo i Volterit, po e pranojmë ashtu siç e thonë biografët, se kur flitet për një hero, ai patjetër duhet të jetë i gjallë e ndër të gjallët dhe në një lartësi me malet.
Se si ka qenë në të vërtetë ky hero, atë më mirë se kushdo tjetër e thonë letrat që ka shkruar me dorën e tij, kur është ndeshur me diktaturën. Dhe letrat do t’i paraqesim më poshtë. Këtu po sjellim ndonjë mendim pak më të ndryshëm nga ai i biografëve për heroin.
Ne nuk mendojmë se Kasëmi nuk ka qenë fare-fare hero në luftë. E pranojmë që ka luftuar… dhe shumë. Ne, siç e thotë vetë, e kemi mbajtur shënim edhe atë tjetrën, atë që ndonjërin nga shokët e rebeluar ai e ka vrarë me dorën e tij, dhe që ndoca të tjerë i ka vënë në grykën e pushkës, por i kanë shpëtuar ndërhyrjet e shefave më të lartë, se sa heroi i biografëve tanë.
Si rregull, heronjtë e tipit që na e përshkruajnë biografët tanë, janë xhahilë me ata poshtë vetes dhe servilë me ata sipër tyre. Nuk e dimë sa është tipike kjo për heroin në fjalë. Fakt është se heroi ynë në vitet ’60, u përulet dhe u bëhet baltë atyre që ka përsipër. Letrat ua nis njëra pas tjetrës shefave, komandantit, partisë. Janë një dyzinë me letra të tilla. Të gjitha i ka shkruar heroi ynë. Janë dhe të ruajtura në Arkiv. Arkivi, në se mund të themi kështu, nuk ka ndonjë faj që i ka ruajtur letra të tilla. (Shih dhe faksimilet, faqe ).
Një hero i poshtëruar (jo ai heroi-mal i biografëve tanë), kur e sheh veten pisk, ka tri rrugë përpara vetes: o të marrë armën dhe të qëllojë mbi ata që e poshtërojnë, o ta kthejë armën nga vetja, o shtrëngon dhëmbët dhe e duron burrërisht fatin e keq që i ra mbi kokë. Ka edhe një rrugë tjetër: të përulet e të kërkojë falje prej atyre që e mundojnë. Heroi i biografëve tanë ka zgjedhur këtë rrugën e fundit. Në vend të armës, ai ka marrë penën dhe ka kërkuar mëshirë. Këtë që ka bërë ai atëherë, ne sot mund të mos kemi të drejtë ta diskutojmë. E ka bërë dhe aq. Mund të mos e kishte bërë, por ja që jeta është gjë e madhe… jeta është jetë, heroizmat janë heroizma.
Dikush mund të bëjë pyetjet: Po ai ishte një hero(?). Po, kur përulen heronjtë, ç’mbetet për të tjerët? Mund t’iu themi: po, mbase ka qenë hero, por hero vetëm në luftë, dhe kjo… kjo s’është pak. Iu themi dhe atë tjetrën: heronjtë e luftës jo domosdo janë të tillë edhe në paqe. Madje në paqe disa katandisen si karikatura të këqija të asaj që ishin në luftë.
Shkurt, heroi ynë zgjodhi jetën, para heroizmave dhe për ne mirë ka bërë.
Biografët-kushërinj mandej i referohen Stendalit për atë që Trebeshina është egotist, jo egoist. Domethënë është një egoist i zbutur, i ëmbël. Po të donin mund të shkonin dhe më tej me Stendalin. Diku ai thotë se vulgariteti është krim. Krimineli me pushkë vret një njeri a një dyzinë njerëzish, vulgariteti vret mijëra e miliona. Per shembull, vulgariteti ideologjik i komunistëve vrau gati një kontinent të tërë për 40 e ca vjet.
Sa vjet burg ka bërë Trebeshina
Biografët – kushërinj shkruajnë për një jetë të tërë të Trebeshinës nëpër burgje. Një metaforë, një hiperbolë. Po e lëmë mënjanë këtë zbukurim stilistik: sa vjet burg ka bërë Trebeshina?
Kudo për Kasëm Trebeshinën thuhet se ka bërë 17 vjet burg. I ka bërë vërtet? Siç del fare qartë nga dokumentet më poshtë, deri më 1981 ai ka bërë 11 muaj burg dhe dy vjet e ca muaj internim.
Më 1945 ai ka dalë nga burgu pas 11 muajsh. I janë falur të gjitha dhe partia është treguar e butë me të. Në vitet 1955 – 1962, nuk bën asnjë punë. Kasëmi shpesh e braktiste punën. Megjithëse organizatat e Frontit e dinin që nuk punonte, nuk ndërmerrnin gjë kundër tij. Partia që i përndiqte “parazitët”, ata që nuk e donin punën, nuk përdori ndaj tij asnjë lloj trysnie për ta detyruar të punojë. Dhe ishte koha kur bejlerët, “borgjezët”, intelektualët e padëshiruar madje edhe fëmijët e vegjël të tyre, u detyruan të hapin kanale, të thajnë moçale nëpër gjithë Shqipërinë. Po K. Trebeshina ishte ndryshe.
Një sjellje e tillë kompromentuese, “kokë më vete”, e Trebeshinës, sidomos në opinion, çoi në marrjen e një mase administrative. Më 18 maj 1962 komisioni i internim – dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim.
Nga kjo kohë fillon një letërkëmbim intensiv i Trebeshinës me udhëheqjen e lartë të PPSH-së. Manush Myftiu dhe njerëz të kupolës së Sigurimit i japin të drejtë Trebeshinës në ankimet e tij. Çuditërisht, letrave të tij iu kushtohej vëmendje e posaçme në aparatin e KQ të PPSH-së, vëmendje deri dhe nga autoriteti më i lartë i vendit në atë kohë.
Internimin nuk e bëri të plotë. Ai asnjëherë nuk ka bërë dënime të plota. Nga Zvërneci e çojnë në një rreth që nuk përdorej aq shumë për internime, në Gramsh. Me këto lëshime, këtij Trebeshine që e quante veten vazhdues të “traditave perëndimore”, nën regjimin më të egër të Lindjes, i kushtohej një kujdes me të vërtetë i veçantë për kohën. Apo jo?
Luftëtarë, të dështuar në paqe
Letrat e Trebeshinës janë një logori e vërtetë. Pse qan dhe ankohet kaq shumë Trebeshina më 1962-63? Fundja, në Gramsh është. Mësues është. Sejfulla Malëshovën e kishin degdisur në një magazinë të pistë ku shiste patkonj, kapistra dhe samarë për kuaj e gomarë. Vetëm Trebeshinës po i ndodhte një fat i tillë? Sa heronj si Trebeshina ishin vrarë e internuar më 1948? Sa të tjerë e kishin pësuar pas Konferencës së Partisë së Tiranës më 1956? Edhe Bedri Spahiu kish zënë burgun. Biografët e Trebeshnës na e paraqesin gjëndjen sikur hero na paska qenë vetëm Trebeshina.
Trebeshina veç që ndihet i poshtëruar, është i trembur aq keq më 1962. Ai, luftëtari i çartur, i plagosuri tri herë, tashmë është një i trembur për vdekje. Ankohet dhe jargavitet në letra. Kuptohet, atë po e nëpërkëmbnin kot dhe po e nëpërkëmbnin pa mëshirë. Dhe ai kërkonte mëshirë. Po a ekzistonte mëshira, humaniteti në atë kohë, kohë që e kishte të shpallur me të madhe se ligjin e bënte pushka, gryka e pushkës? Humaniteti komunist ishte vrasës. Vrasës për hiç gjë. Po t’ua thoshte truri se je armik, komunistët të vrisnin. Vetë Kasëmi i kishte vrarë me dorën e tij “rebelët” në luftë. Kishte vrarë dhe më pas. Tashmë ky “hero” i luftës është një dështak dhe i zgërlaqur në paqe. I ndodhte kështu nga që i dhimbsej vetja apo se kishte dështuar projekti i tij për botën, se kishte dështuar ideali i tij?
Heronjtë si Trebeshina kujtonin se me ardhjen e tyre në pushtet, bota po fillonte nga e para. Botë e re, njeri i ri, regjim i ri… Në emër të këtyre ata grabitën shtëpitë e pasuritë e “ borgjezëve”. Pastaj disa nga ata i shfarosën, disa i rrasën në burgje. Deri gratë dhe kalamajtë e tyre të mitur i nxorën nga shtëpitë, i flakën rrugëve. U hodhën në erë edhe varret, u vunë minat në memorialet familjare.
Ishte koha e ndërrimit të gjakut, e kultit të gjakut të ri, e gjakut të partisë. Koha e vrasjes së gjakut të vjetër, e vrasjes së alternativës. Trebeshina kishte kontributin e tij të gjakut. Ndaj në letra ia kujton komandantit kohën kur ka qenë i tillë, kur ka derdhur gjak armiku.
Me politikën, derdhja e gjakut (lexo: lufta e klasave) e forcon partinë, “heronjtë” me yll në ballë që erdhën nga lufta, pasi shijuan në masakra derdhjen e gjakut të armiqve ideologjikë, u kthyen dhe vranë kë mundën, u zhyen dhe në banjën e gjakut të tyre. Partia u shpall më e rëndësishme se njeriu. Para saj hi e pluhur le të bëhej njeriu, njerëzimi, Shqipëria. Paqja që vret jo armikun, por që vret cilindo që për ideologji a për politikë shpallet armik, ishte tragjedia më e madhe e atij brezi luftëtarësh. Ata vranë veten në paqe.
Kasëm Trebeshina ishte një ndër viktimat e kësaj filozofie dhe praktike terroriste. Por, kur nga një terrorist komunist e pa veten në anën tjetër, në anën e armiqve, Trebeshina vuri maskën e njeriut që nuk e mohon sistemin, partinë, autoritetin. Pranonte se kishte bërë gabime, por nuk e pranonte se ishte armik.
Ishin vitet ’60. Partia ende nuk ishte kthyer nga derdhja rëndshëm e gjakut brenda vetes. Kjo maskë prej të përvuajturi, kjo katandisje për të ardhur keq e një heroi, frika derisa t’i lëpinte duart Enver Hoxhës, Trebeshinës i dolën për mbarë. Atë e mëshiruan. Kjo situatë mbase e shpëtoi atëherë atë.
Por edhe diçka tjetër… Mbase, nën tavolinë, në bisedat me gjeneralët e mëdhenj të sigurimit që shkonin dhe e takonin në vendet e internimit, ai ka pranuar që të bëjë edhe shërbime të tjera për partinë. Shërbime të fshehta. Mbase. Kush e di?
Për të ilustruar sa thamë deri tani, më poshtë po japim disa nga letrat e tij të viteve ‘60.
Letrat e Trebeshinës drejtuar udhëheqjes
Letra e 8 tetorit 1963
“Shokut Enver Hoxha
Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së.
Duke qenë se vuajtjet e mia kanë mbërritur gjatë 2 vjetëve të fundit pikën e tyre më të lartë, po u drejtohem sa më poshtë:
Pas tentativave për të më kuruar me forcë, pas 40 ditësh grevë urie dhe pas 3 muajsh burg, m’u hoq masa e internimit të izoluar duke m’u kthyer në një masë internimi si mësonjës në Gramsh. Më 30 shtator 1963, një funksionar i MPB më njoftoi se për këtë ishte marrë një vendim që nuk mund të kthehej prapë, prandaj unë duhej që patjetër të shkonja “gjashtë muaj dhe më pakë” atje ku më urdhëronin. Kjo shkuarje (gjithnjë sipas tij) ishte një “urë e domosdoshme” shkaktuar nga greva e urisë dhe për opinionin publik.
Kjo gjë është e padrejtë se kundër meje është marrë një masë, pasi kundërshtova një internim të mëparshëm. Me këtë rast dua të them dy fjalë për internimin tim në ishullin e Zvërnecit.
Gjatë gjithë kohës që kam qenë në parti, nuk kam shfaqur shenja intriganti, karrieristi ose fraksionisti. As edhe më vonë nuk jam fshehur para Partisë ose organeve shtetërore. Opozicioni im ka qenë i shkaktuar tërësisht nga aktiviteti letrar dhe nga pakënaqësitë që lindnin prej tij. Në lëmin e letërsisë kam punuar me vetëmohim, duke kujtuar se i bënja një shërbim të mirë shoqërisë. Shoqëria ka ngulur këmbë vazhdimisht se aktiviteti im letrar nuk duhej dhe unë me anën e kësaj letre, sjell në dijeninë tuaj, se këtej e tutje heq dorë nga ky aktivitet.
Tashti po kthehem te masa e internimit tim në Gramsh. Për të treguar edhe një herë bindjen time para autoriteteve shtetërore, po shkonj atje ku më kanë caktuar (ashtu siç shkova më 7 qershor 1963 në ishullin e Zvërnecit). Por nga ana tjetër pasi të vejë në vend vendimi i marrë kundër një njeriu që ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim të qartë si qytetar i bindur për të zbatuar politikën e Partisë dhe të Qeverrisë, kundër një njeriu që nuk ka kryer asnjë krim, lutem të më hiqet sa më parë ky persekutim i fundit politik dhe të kthehem në Tiranë për të bërë një punë në dobi të familjes sime dhe të atdheut.
Mbetem me shpresën e ndërhyrjes suaj, për të evituar ndonjë fatkeqësi personit tim dhe familjes time.
Tiranë 8 tetor 1963
Me respekt
Kasëm Trebeshina”
Bashkëshortja: Kasëmi “nuk është armik dhe as kundërshtar i pushtetit tonë”
Letra e gruas së Kasëm Trebeshinës drejtuar Enver Hoxhës më 22 tetor 1963 “E nënshkruara Zydije Trebeshina, parashtroj lutjen sa më poshtë:
Burri im, Kasëm Trebeshina, për afro një vit e gjysëm ka qenë internuar dhe tani është dërguar me privim lirie në Gramsh, ku jep disa orë mësimi në shkollën 11 vjeçare atje.
Kohët e fundit, gjendja e tij shëndetësore është keqësuar shumë dhe vetmia e jeta larg familjes po e shkatërron edhe më tepër.
Unë si bashkëshorte e tij kam besim, duke e mbështetur këtë edhe në bisedimet me të, se ai nuk është armik dhe as kundërshtar i pushtetit tonë. Partia e njeh biografinë e tij, luftën dhe përpjekjet për çlirimin e atdheut.
Sigurisht, im shoq mund të ketë pasur disa divergjenca lidhur me shkrimet e tij me njerëz të ndryshëm dhe kjo krijuar dyshime në organet përkatëse, por unë jam e bindur se ay siç e fakton edhe vetë, ka qenë dhe do të mbetet besnik ndaj pushtetit tonë.
Një pjesë e dënimit ay e vuajti. Ju lutem që të paktën tashti që është në gjendje të keqe shëndetësore, të kthehet në gjirin e familjes dhe të bëjë një punë çfarëdo në dobi të atdheut dhe të familjes.
Mbetem me shpresë se lutje ime do të merret në konsideratë”.
Sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, interesohet për Trebeshinën. Ai u shkruan kështu shokëve të partisë në Gramsh:
“Kasëm Trebeshina i internuar në rrethin tuaj, me anë të një letre që i drejton shokut Enver, kërkon t’i hiqet masa e internimit dhe të kthehej në Tiranë.
Të njoftohet i sipërmenduri nga shoku Emin Shuli që e di çështjen, se kërkesa e tij u studiua dhe rezulton se masa e internimit është e drejtë për arsye të fajeve dhe gabimeve të rënda që ka bërë, për të cilat është dënuar me burg nga organet e drejtësisë. Ai përpara ka shprehur pikëpamjet e tij reaksionare në vjershat e pjesët e tij letrare, duke përbuzur atdheun e vet ai pat kërkuar të lejohej të shkonte në Zvicër, gjoja si vend neutral, por që dihet se është vend kapitalist, ka dorëzuar dokumentin e partisë pasi nuk ka dashur të jetë anëtar partie, etj, dhe këto faje akoma nuk po i kupton si duhet, nuk i dënon duke i justifikuar se nuk ka çështje e pretendime politike.
Heqja e masës së internimit është e lidhur e varet direkt nga qëndrimi i tij, nga njohja e fajeve që ka bërë dhe nga përpjekjet që do të bëjë për të kryer sa më mirë punën që i është ngarkuar. Shoku Rita Marko porosit që t’i hiqet dhënia e mësimit të letërsisë dhe të caktohet për të dhënë lëndë të tjera që mund t’i bëjë. Kjo të mos i thuhet atij, por të merren menjëherë masa në këtë drejtim”.
Informacioni i 14 nëntorit 1963 drejtuar KQ të PPSH-së për çështjen e Trebeshinës nga Vangjelo Sotiriadhi. V. Sotiriadhi ishte përgjegjëse për letrat nga populli në KQ të PPSH.
“Sipas porosisë së shokut Rita Marko, shkova në Gramsh dhe së bashku me shokun Emin Shuli – sekretar i dytë i Komitetit të Partisë, takuam Kasëm Trebeshinën. Nga bisedimi me të rezultoi:
Kasëm Trebeshina nuk e konsideron të drejtë internimin e tij në Gramsh duke pretenduar se nuk ka gjë politike dhe u mundua ta justifikojë duke thënë se nuk ka qenë kundër vijës së partisë për këtë nuk është çfaqur asnjëherë dhe nuk ka pikëpamje apo plaftormë tjetër nga ajo e partisë. Si fakt tregoi se në vitin 1956 kur u zhvillua konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, ai ka mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i ka drejtuar një letër shokut Mehmet Shehu me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë solidarizohej me qëndrimin që mbante partia. Tha që kur ka dalë nga burgu nuk është shoqëruar me asnjë njeri por ka bërë jetë shumë të kufizuar duke ndenjur në shtëpi me përjashtim të ndeshjeve sportive që ka frekuentuar vazhdimisht. Theksoi disa herë se pakënaqësitë i ka pasur për çështjet letrare dhe për çështjet politike nuk ka pasur asnjë pretendim. Në fillim tha se ka qenë shkrimtar, poet realist, por me kalimin e kohës u bë idealist. Me qenë se si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk iu botuar asgjë, e kërkoi këtë çështje personale në mënyrë shumë të nxituar derisa arriti të dorëzojë teserën e partisë. Dorëzimin e dokumentit të partisë e konsideron një çështje personale, si veprim shumë të nxituar dhe të bërë nga ana e tij nga gjaknxehtësia e mendjemadhësia. Prodhimet letrare që ka pasur tha se i dogji të gjitha sa gjeti shtëpi dhe këtej e tutje nuk do të merret më.
Përsa i takon vendbanimit disa herë e përsëriti se nuk i jepte rëndësi, veç t’i hiqet masa e internimit, e cila tregon se mbahet si njeri që tregon rrezikshmëri gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Më në fund, tha se do t’i pëlqente të shkonte në Maminas të Shijakut atje ku ka shkuar edhe Mehmet Myftiu. Por nga bisedimi u kuptuar se po t’i hiqet masa e internimit mund të banojë në Tiranë se këtu ka familjen, gruan dhe fëmijët. Sipas porosisë së shokut Rita, unë i thashë për rrethet ku mund të dërgohet dhe veçanërisht në Tiranë i thashë se nuk ka mundësi.
Për qëndrimin e tij në Gramsh nga bisedimi që bëmë me zv/shefin e degës së Punëve të Brendshme dhe me nëndrejtorin e shkollës 11 vjeçare, rezultoi se nuk ka ndonjë gjë. Drejtori i shkollës ka shkuar dy herë për kontroll në orë të mësimit dhe ka konstatuar se mësimin e jep sipas librit. Banon në një dhomë së bashku me drejtorin e nëndrejtorin e shkollës dhe me një arsimtar tjetër. Jep letërsi në shkollën 11 vjeçare dhe për këtë çfaqi mendimin se nuk i pëlqen të japë letërsi, pasi nuk dëshiron të merret me këtë punë e se do të ishte më mirë të japë histori. Shoku Emin tha, kur u largua Kasëmi, se këtë çështje e kishin parë që kur vajti në Gramsh, por nuk kishin mundur ta zgjidhnin për arsye se arsimtari që jep histori jep edhe rusisht e po t’i hiqnin historinë, punë tjetër nuk bënte dot e i mbeteshin shumë pak orë”.
Letra e Kasëm Trebeshinës drejtuar udhëheqjes ku thotë: “E di Partia ç’kam bërë deri më 1947. Hetuesi i Sigurimit të Shtetit më 1963: Kasëm, ti je shoku ynë.
Më 14 dhjetor 1963 i ka drejtuar një letër Komitetit Qendror të PPSH-së, Kasëm Trebeshina, i kujton Partisë se ajo e di mirë se ç’ka bërë ai deri në vitin 1947. I kujton kohën kur ka shërbyer aktivisht në organet e Sigurimit të Shtetit. Kjo letër i është sugjeruar nga zyrtarët vendorë. Më 4 dhjetor 1963, e kishte thirrur në zyrën e tij, në Komitetin e Partisë për Rrethin e Gramshit, sekretari i parë i këtij rrethi, e, ndër të tjera e kishte këshilluar t’i drejtohej Komiteti Qendror për të kërkuar zgjidhjen e punës së tij. Duke e ndarë letrën e tij në 9 pjesë, në pikën e parë, Trebeshina shkruan:
“1-Aktiviteti im gjer më 1947 dihet nga ai komitet, prandaj nuk po e prek”.
Po japim fragmentet më poshtë:
“3- Pasi humba të ardhmen time si ushtarak, u mundova të gjenj një rrugë tjetër në jetë dhe zgjodha pasi u rropata pak (duke bërë edhe gabime të dëmshme, psh lënia e shkollës) letërsinë. Këtë e zgjodha sepse kur isha i vogël kisha bërë gjëra të ndryshme. Që nga 1948 – 1952 shkrova disa vepra me përmbajtje të shëndoshë socialiste si “Reforma” (1948), “Mbeturinat” (1949), “Të rinj të kohës sonë” (1949). Dy të parat pjesë teatrale dhe e treta roman. Në mënyrë të pakuptueshme për mua, u luftova dhe nuk pata asnjë përkrahje, përkundrazi më trajtuan me një mosbesim të theksuar dhe me ofeza të vazhdueshme (nga ana e shkrimtarëve të ndryshëm). Pasi kërkoi me këmbëngulje organizata e partisë e teatrit popullor, komiteti i partisë për Tiranën mori romanin tim “Të rinj të kohës sonë” dhe ia dha Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë për t’a parë. Në përfundim më 31 maj 1951 më thërritën në Komitetin e Partisë shoqja Fiqret Shehu më komunikoi opinionin e Lidhjes së Shkrimtarëve (opinion i shfaqur nëpërmjet ish-kryetarit të Lidhjes, shokut Shefqet Musaraj): “Vepra është shumë e bukur, e shkruar sipas metodës së realizmit socialist dhe në të duket një analizë psikologjike e hollë prej mjeshtri. Gjuha është shumë e bukur, si ajo e Naimit”. Megjithatë edhe kjo vepër nuk e pa dritën e botimit. E pabotuar mbetet edhe sot e kësaj dite.
4- I dëshpëruar nga sa më sipër, fillova të pi dhe të bëj një jetë të pahijshme, jetë që unë e dënoj pa rezerva dhe në është se nuk e zgjas më shumë, këtë e bëj se më vjen turp t’i kujtonj atë gjëra kur kam kaluar nga Don Kishoti tek sentimenti. Ishte në këtë kohë që ika nga Partia duke mos gjetur as kohën dhe as vendin për të zgjidhur punët e mia. Ai veprim si dhe veprimet e mëvonshme që më çuan gjer në burg, kanë qenë të pafalshme dhe të dënueshme. Megjithatë nuk duhen që të merren tepër seriozisht se vijnë era budallallëk dhe nga ana tjetër, unë nuk vë ndonjë vend tjetër mbi vendin tim, qoftë ky edhe Zvicra! Unë jam shqiptar me të gjitha të mirat e të ligat dhe këtu dua të vdes pranë njerëzve të mi. Pra veprimet e mia kanë qenë të nxituara, jo të arsyeshme dhe përbëjnë gabime të rënda. Si përfundim unë si anëtar partie, kam kryer veprime të dënueshme. Prandaj para Partisë, për këto veprime, nuk mund të dal i larë.
- Botimi i “Krujës së Çliruar” pas dëbimit nga partia ka qenë i pamjaftueshëm për dy arsye:
- Se vepra nuk ishte nga më të rëndësishmet.
- Se duhej të ishte bërë më parë që unë të mos mbetesha me kokë mënjanë para anëtarëve të tjerë të Lidhjes (më 2 prill 1953 u konsiderova si njeri që nuk mu kishte pasur puna të dukë – nga Dh. S. Shuteriqi dhe para opinionit publik.
- Pasi kam dalë nga burgu jam munduar se mos gjej ndonjë rrugë afrimi dhe pajtimi me shoqërinë. Në këtë drejtim nuk kam gjetur rrugën më të shkurtër dhe më të mirë, po shkrova disa poema sipas metodës së realizmit socialist, si “Në katër stinët”, “Majë preshit”. Duket edhe me këto nuk kam ditur, i ndryshuar shpirtërisht të shkoj më tutje. Këtu duhet të përmend edhe këtë fakt: në mbledhjen e fundit të organizatës bazë të Lidhjes, unë pyeta: “A u duhen veprat e mia të realizmit socialist, apo t’i djeg?”. Shoku Manush Myftiu m’u përgjigj: “Mund t’i djegësh kur të dojë qejfi”. Kështu unë kur dola nga burgu i mblodha të gjitha dhe i dogja. Por për të dëshmuar për periudhën e parë timen, kanë mbetur disa vepra që nuk munda t’i gjej në kohën e djegies. Më në fund pas një peripecie të gjatë erdhi edhe botimi i fundit, ai i “Artanit dhe Mines”. Nuk dua të them asnjë fjalë për veprën, por vargje më të dobëta se kërkesa minimale artistike, aty nuk ka; prandaj ofeza që më bënë duke më paguar me 8 lekë (si folklor) gjysmën e veprës ishte e pavend..
- Më 1956, në mars, shoku Manush Myftiu më ka komunikuar se unë nuk kisha ndonjë faj, por gabime dhe sherre me shkrimtarët, gabime që rëndonin gjysëm për gjysëm mbi mua dhe mbi ata. Po atëherë më tha që të kërkoja vendin ku donja të punoja dhe kur unë e lashë në dorën e tij, më premtoi se do të më gjenin një vend të mirë, sipas mundësive dhe aftësive të mia. Ky premtim nuk u vu në jetë asnjëherë. Më vonë kur e pashë se nuk u bë gjë, kërkova disa herë me radhë që të kalonja si përkthyes, pasi puna në bibliotekë më dëmtonte rëndë shëndetin. Për këtë gjë m’u përgjigjen se nuk kishte vend, kur në të vërtetë pak më vonë u muar një njeri tjetër. Nuk mund të mos arrij në përfundimin se ai vend, nuk m’u dha vetëm e vetëm për të më mbajtur nën presion. Kjo gjë më ka habitur dhe dëshpëruar shumë, sa edhe tashti ndjehem shumë i prekur.
- Më 18 maj 1962 u internova. Gjatë vjetëve të fundit, unë kam qenë një njeri i izoluar, me lidhje fare të pakta me jetën, prandaj u çudita shumë kur më internuan, sidomos kur gjeneralët Nevzat Haznedari dhe Petrit Hakani së bashku me kolonel Filat Muçon më prekën në çështjen e revizionizmit dhe të Hrushçovit. Nuk e kam parë, nuk e shoh dhe nuk do ta shoh me vend që si rrjedhim i izolimit tim, të merret kjo masë e rëndë internimi. Unë protestova kundër kësaj dhe më 6 qershor 1963, kur mbahesha jashtë ligjit, erdhën shokët Nevzat Haznedari dhe Raqi Zavalani dhe më komunikuan se do të më lironin dhe më pyetën se në cilin qytet do të dëshironja të rrinja përkohësisht, sa të bindeshin për të më kthyer në Tiranë. U përgjigja se për mua kjo ishte e barabartë me vdekjen. Të nesërmen biseduam prapë me shokun Nevzat dhe unë i përsërita kërkesën time për të më vendosur në Tiranë, si mësues ose si përkthyer i inglishtes. Ai më tha se këto gjë do ta referonte më lart. Kjo bisedë vazhdoi po me shokët e lartpërmendur dhe më 11 shtator 1963 dhe më 13 shtator 1963 në spitalin e burgut Tiranë. Aty më komunikuan se do të shkonja në Gramsh, i lirë si mësonjës, më garantuan se nuk më hiqej pasaportizimi nga Tirana dhe se kur të kthesha do të më vendosnin si përkthyes në ndërmarrjen e botimeve. Sikurse u kam shkruar edhe në letra të tjera (udhëheqjes), nuk e kam pranuar këtë hedhje në Gramsh. Në bisedën që kemi më 30 shtator 1963 me shokun Raqi Zavalani, po në spitalin e burgut, më tha: “Ti je shoku ynë, po në nuk mund të të sjellim menjëherë në Tiranë. Puno gjashtë muaj në Gramsh dhe pastaj hajde këtu të të vendosim në ndërmarrjen e botimeve. Kjo shkuarje atje është e domosdoshme për opinionin publik” (korsivi është yni, S.B.)
Po këtë gjë ia kishin komunikuar edhe familjes sime. Përfundimi i bisedës së 13 dhe 30 shtatorit 1963 qe ky: unë do të rrinja 10 ditë në Tiranë, pastaj do të nisesha në krye të detyrës, i lirë me pasaportizim në Tiranë dhe në fund të marsit do të vendosesha difinitivisht në NSHB Tiranë. Nga këto nuk u bë asgjë. Këtu më komunikuan se isha dënuar me 5 vjet internim.
- Më 12 shtator 1963 shoqja Vangjelo Sotiriadhi më komunikoi përgjigjen e letrave të mia udhëheqjes dhe më tha të vendosesha (me ose pa familje), në Elbasan, Rrogozhinë, Kavajë dhe Shijak. Kjo formë tjetër internimi nuk m’u duk e drejtë dhe u përgjigja se kërkonja të më hiqej çdo masë internimi, pasi nuk kam kryer asnjë krim politik, dhe pasi internimi ishte një masë shumë e madhe karshi një njeriu që ka bërë për 9 vjet një jetë të izoluar prej oshënari.
Duke e përfunduar këtë letër, unë i lutem atij Komiteti Qendror që të më heqë çdo masë internimi, pasi gabimet e mia të rënda letrare që nuk arrijnë në një nivel teorik, nuk janë bërë me qëllime të caktuara. Nga ana tjetër unë heq dorë nga çdo aktivitet letrar dhe prej momentit të lirimit do të shikoj vetëm detyrat e mia familjare dhe detyrimet që kam karshi shtetit. Duke qenë shumë i sëmurë dhe në paaftësi pune, u lutem që për një periudhë prej të paktën gjysmë viti të mbetem pa asnjë angazhim në punë. Përveç kësaj unë jam gati që me t’u liruar të mbyllen për gjithnjë në shtëpinë time.
Duke e mbyllur këtë letër, po ju lutem edhe njëherë që të ndërhyni për lirimin tim, duke pasur parasysh se me vendimit tuaj do të më shpëtoi nga një fatkeqësi.
Mbetem me shpresën e përgjigjes suaj,
Me respekt
Kasëm Trebeshina
Gramsh, 5 dhjetor 1963
Letra e 19 dhjetorit 1963 e Kasëm Trebeshinës
Komitetit Qendror të PPSH-së
Për të treguar respekt dhe bindje ndaj jush, ndërpreva grevën e urisë dhe u drejtova një letër më 5 dhjetor 1963. Në pritje të përgjigjes suaj, shpenzova për t’u ushqyer, të hollat që kisha. Pas datës 19 dhjetor 1963 jam i detyruar t’a pres përgjigjen tuaj pa ngrënë, pasi nuk kam më me se të ushqehem. U lutem t’i përgjigjeni letrës sime sa më parë duke urdhëruar lirimin tim nga çdo formë internimi.
Me bindjen dhe me shpresën e përgjigje suaj,
Mbetem me respekt
Kasëm Trebeshina
Gramsh 19 dhjetor 1963
Trebeshina më 1954 apelon në Gjykatën e Lartë
Vendimi i marrë nga Gjykata e Faktit të Qarkut Tiranë, me numër 67, datë 25.06.1954, nuk më duket i drejtë për këto arsye:
Në veprën time nuk janë elememntet e agjitacionit dhe të propagandës, por ka vetëm shkelje të disiplinës së partisë… Kundër meje duhet zbatuar masa që shoku Stalin mori ndaj poetit Demjan (Bjedni)… Më tepër modesti! Ndiqni vijën marksiste-leniniste.
Nuk kam kryer asnjë krim. I zemëruar nga qëndrimi i padrejtë i Lidhjes së Shkrimtarëve mund të kem bërë ndonjë gabim… Ka gjëra që muns të kenë dëmtuar partinë, por jo krim dhe armiqësi.
Nuk jam udhëhequr nga dëshira për të bërë propagandë, nuk jam armik, por poet… Mund të dënohet ashpër artisti brenda meje, por jo unë si armik…
(N Dragoi, Dosja Trebeshina, fq. 187, …)
Kasëm Trebeshina grabiti bibliotekën e avokatit Abaz Omari
E nderuara gazeta “55”!
Marr shkas nga një shkrim të botuar në gazetën tuaj mbi zotin Kasëm Trebeshina, për të paraqitur një ngjarje të hidhur të vitit të mbrapshtë 1945.
Zotëria i përmendur në vitin kur mbi vendin tonë po shtrihej zezona komuniste ka qenë kryetar i degës së punëve të brendshme të qytetit të Fierit.
Dhe me pushtetin e pakufizuar që zotëronte plaçkiti shtëpinë e avokat Abaz Omarit, gjithë plaçkën dhe mbi te gjitha dhe bibliotekën e cila në atë kohë çmohej nga rrethet intelektuale si një nga më të kompletuarat dhe me cilësorja.
Abaz Omari kishte kryer dy fakultete në Francë, një për drejtësi në Montpelie dhe një tjetër në Paris në Universitetin e Sorbonës.
Në jetën politike të kohës ishte në krye të Partisë Social Demokrate bashkë me Skënder Muçon dhe me Musine Kokalarin, me të cilën dhe ishte farefisni.
Gjithashtu nëna e tij ishte vajza e xhaxhait të Enver Hoxhës pra diktatori e kishte nip dhe kjo qe fatkeqësia e tij, pasi me një urdhër të këtij në kohën kur ishte kryeministër dënohet me vdekje në Berat dhe pushkatohet menjëherë. Familja e tij zotëron telegramin e dërguar nga Enver Hoxha që kërkon informacion për datën e pushkatimit. Nuk dihen rrethanat e ekzekutimit por pas çlirimit, dua të them pas vitit 1991, pas shumë kërkimesh të gjata kur ju gjet vendi i varrimit, skeleti i tij qe pa kokë. Diktatori urrejtjen e tij kundrejt këtij njeriu me një kulture fine e ka shprehur dhe ne librat e tij.
Bibliotekën, Kasëm Trebeshina e kishte ndarë me vëllanë e tij Muzafer dhe nipin e tij Fatos ndërsa sot e zotëron të tërën.
Që të pastrojë shpirtin më përpara se të hiqet si gjoja disident dhe trim i madh duhet t’ju ktheje trashëgimtarëve të të ndjerit bibliotekën dhe t’ju kërkojë falje pasi vijnë nga një fis fisnik shume i degjuar.
Abas Omari ishte dhe kushëri me Bahri Omarin dhe veç asaj dhe mjaft i afërt me të.
Letërshkruesi të ndjerin e kishte dajë pasi motra e tij qe martuar me Nexhat Peshkëpinë, një nga krerët e Ballit Kombëtar dhe kryeredaktori i gazetës “Shqiptari i Lirë” në Nju York.
Kur emri i Kasëm Trebeshinës u përmend në gazetën “Shekulli” 6 muaj të shkuara, i dërgova kësaj të përditshme një letër të tillë dhe nuk mora përgjigje. Dhe është e kuptueshme për mentalitetin që ka stafi i kësaj.
Kjo ngjarje na hidhëron dhe sot pas 60-vjetësh pasi ata që e kanë njohur e çmonin për kulturën e tij të gjerë dhe mbi të gjitha për karakterin e tij të butë shumë njerëzor.
Dhe sa herë që përmenden emrat e Enver Hoxhës dhe Kasëm Trebeshinës vetëkuptohen ndjenjat tona.
Për sa shkrova me lart, jam gati të përballohem me këdo që do të guxojë të me vejë në dyshim të vërtetën e kësaj ndodhie te kobshme
Sinqerisht,
Edmond Peshkopia.
SIGURIMI DHE TREBESHINA
Trebeshina ka qenë oficer themelues i Sigurimit. Shërbimi i Sigurimit në një vend diktatorial luan një rol shumë të rëndësishëm në jetëgjatësinë e klasës në fuqi. Njerëzit që hynin në këtë shërbim, mbeteshin përgjithmonë nën robërinë e tij, të lidhur në betim të pazgjidhur me të. Kush hynte në këtë qark, nuk dilte kurrë prej tij. Shërbimi gjithashtu kujdesej për njerëzit e tij, edhe kur ata e kishin pësuar për një arsye apo për një tjetër. Kasëm Trebeshina gjithmonë e ka pasur në krahun e tij këtë shërbim. Dhe në vitin 1981 shërbimi i Sigurimit, pavarësisht se nuk ia arritit, u kujdes që ushtari i tyre i vjetër, Trebeshina, të mos hynte në burg.
Për ta shtjelluar më tej këtë ide, më poshtë po sjellim disa fakte dhe argumente. Së pari, po japim ekspertimin mjekësor, ekspertim që u bë me porosi të këtij shërbimi.
Ekspertizat mjeko-ligjore për Kasëm Trebeshinën më 1981
Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës ka dërguar për ekspertim psikiatriko – ligjor, Kasëm Hysen Trebeshinën. Në shënimin hyrës të ekspertizës thuhet se më 1953 Kasëmi ka braktisur punën dhe më 1954 është dënuar me 3 vjet heqje lirie nga të cilat ka bërë 11 muaj. Në 1962 është internuar me 5 vjet, por është falur dhe ka bërë 2.5 vjet.
Në vitet 1965 dhe 1966 i janë gjetur dy testamente ku shprehte mendime se do të vetëvritej. Ka qëndruar vite të tëra pa punë, megjithëse një gjë e tillë i është ofruar prej pushtetit. Në krijimtarinë e tij ai ka shkruar për personazhe ireale si për mumje, për hije me nishan, etj.
Ai është tip gjaknxehtë, është diktator e fanatik në familje dhe në shoqëri. Kjo vjen ngaqë kujton se të gjithë janë kundër tij.
Ekipi i mjekëve me në krye Dr. Prof. Ylvi Vehbiun e diagnostikuan pasi e mbajtën atë një muaj nën vëzhgim spitalor. Ata mendonin se Kasëmi ishte “psikopat paranojak i dekompesuar dhe veprën penale e ka kryer nën ndikimin e ideve delirante”, “ nuk është i përgjegjshëm karshi ligjit për veprën penale që ka kryer” dhe për këtë të “dërgohej për mjekim të detyruar në spitalin neuropsikiatrik të Elbasanit”.
Në dosjen hetimore të vitit 1981 gjendet dhe një ekspertizë e dytë, e nënshkruar nga një mjeke e vetme, nga A. Peti, e cila flet për psikopati të pacientit në fjalë, por e deklaron atë krejt të përgjegjshëm para ligjit.
Trebeshina në hetuesi
Ekspertimin mjekësor të vitit 1981 e përmend dhe kryehetuesi i kohës, D. Bengasi. Ai shton se, me gjithë këtë ekspertizë mjekësore, për Trebeshinën erdhi një urdhër nga lart që ai të burgosej. Sipas Bengasit, ka pasur dy urdhra. Njëri nga Feçor Shehu, titullar i Ministrisë së Brendshme, që Trebeshina të shpëtohej nga burgu me anën e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe tjetri nga KQ i Partisë që Trebeshina të burgosej.
Sigurimi u përpoq që ta shpëtonte Trebeshinën nga burgu, por nuk mundi. Përse? Më poshtë do të japim ndonjë ide për këtë. Tani po ndalemi në atë se si e trajtonin sigurimsat K. Trebeshinën në hetuesi.
Bengasi jo një herë në libra, në intervista dhe në mbledhjet publike flet me admirim për trimëritë e Kasëmit në hetuesi. Sipas tij, Trebeshina me një kokëkrisje të pashoqe shante dhe para hetuesve udhëheqjen e lartë. Se sa false janë këto deklarime, mjafton të kthehesh pas në kohë. Hetuesia e asaj kohe kishte përpunuar metoda që të paraburgosurit të pranonin patjetër ato krime që dëshironte ajo. I kishin përpunuar deri në shkallën më të lartë këto metoda kriminale. Të tillë punë ka bërë Bengasi. I gjithë sistemi gjyqësor i kohës ishte ndërtuar mbi parimin e ndëshkimit me çdo kusht të të pandehurit, jo mbi parimin që atij t’i jepej drejtësi.
Për vetë formimin e tyre, hetuesit e asaj kohe nuk mund ta toleronin një të burgosur që fyen udhëheqjen e lartë. Edhe sikur ndonjë hetues të ishte ndryshe ga të tjerët, nuk mund ta toleronte një rast të tillë, se rrezikonte kokën e vet. Hetuesit përgjonin të burgosurit, por përgjonin dhe njëri-tjetrin. Kështu që historitë me trimëri në birucat e hetuesisë janë trillime. Një gjë është e vërtetë. Hetuesit e asaj kohe me Trebeshinën janë sjellë ndryshe. Hetuesia e porositi ekspertizën mjekësore, që ta shpëtonte Kasëmin nga burgu. Pse të ketë ndodhur kështu me Trebeshinën?
Trebeshina, Vangjel Lezho, Astrit Delvina…
Ish-hetuesit na sjellin një situatë me kokë poshtë për gjoja trimëritë e Kasëmit në hetuesi edhe për një arsye tjetër: vetë Kasëmi nuk do të guxonte të ishte “trim”, se e dinte ç’e priste.
Vangjel Lezho dhe shokët e tij më 1977 vetëm se shkruan një letër nga burgu kundër Enverit, u ekzekutuan. Edhe sot nuk u është gjetur varri.
Mbase, duke mburrur Trebeshinën, Bengasi do të na dalë antikomunist për veten e tij. Të na thotë se i admironte armiqtë e Partisë, jo i ekzekutonte ata.
Atëherë pse i shpikin trimëritë, heroizmat e Kasëmit sot? Se ishte Sigurims? Se e dinte që ishte midis shokësh e nën mbrojtjen e tyre?
Po. Kjo lloj sjelljeje, këto rrahje gjoksi të Bengasit të sotëm, ngjajnë me ato përshëndetjet e nderimit të dy ushtarakëve, kur takojnë njëri-tjetrin. Dhe në këtë rast takohen dy breza sigurimsash. Nxënësi sigurims Bengasi jep komandën “për nder armë” ndaj ustait të vjetër sigurims Trebeshina.
E vërteta është se Trebeshina asnjëherë nuk ka qenë i pathyeshëm. Letrat e tij drejtuar partisë, komandantit, kërkesat për apelim në gjykata, deri dhe apelimi i vitit 1981, dëshmojnë se ai me shkrim gjithmonë deklarohej si qytetar që nuk i kundërvihej ligjit, autoritetit. Trebeshina ka pranuar të poshtërohet, të jetë i përunjur.
Nga halli është poshtëruar kësisoj, pra, le ta pranojë këtë edhe sot.
Ka qenë një tjetër i burgosur, Astrit Delvina (1920-1990), autor i disa romaneve të botuara pas ’90-tës, që në hetuesi e shpallte hapur se ishte kundër politikës së partisë në letërsi dhe në arte, se ishte kundër realizmit socialist. Romanet e Astrit Delvinës sot janë nxjerrë nga dosjet arkivore të hetuesisë, ku kanë qenë në ruajtje si provë e akuzave kundër tij.
Trebeshinës nuk i gjejmë ndonjë deklarim me shkrim të ngjashëm me ato të Astrit Delvinës.
Kur nuk ka qenë i tillë, pse sigurimsat sot thurin balada trimërie për Trebeshinën?
Trebeshina, S. Malëshova, Petro Markua…
Një komunist, dhe me kontribute ndërkombëtare si i tillë, Sejfulla Malëshova, nuk e ka poshtëruar veten, siç ka bërë në letrat dhe në lutjet me shkrim Trebeshina. Malëshova e humbi luftën për pushtet për pikëpamjet e tij liberale dhe nuk u zvarrit. Nuk kërkoi që t’i falet internimi, as të kthehet në Tiranë me domosdo.
Në poshtërimin e dikurshëm të vetes mbase do kërkuar agresiviteti i sotëm i Trebeshinës.
- Malëshova ishte idealist komunist gjer në rrënjë, jo një ish-terrorist si Trebeshina.
Edhe një tjetër shkrimtar i majtë u burgos në ato vite, Petro Marko. Ai nuk ishte komunist. Një anarkisti Petro Markua do t’i ngjante më shumë. Pas burgut, Petro Markua, ish-luftëtari internacionalist i Spanjës, u rikthye në jetën letrare. Më pas atij iu ndaluan veprat. Iu hoq e drejta e botimit disa herë. Më e keqja: u prek në familje. Mbi djalin e tij ranë burgimi dhe torturimi me pasoja deri më sot. Kasëm Trebeshinës nuk iu prek familja. Fëmijtë e tij vazhdonin shkollën e lartë.
Po të mos u prekej familja të burgosurve – shqiptarët janë shumë të ndjeshëm në këtë pikë – sot do të kishim një ballafaqim tjetër me komunizmin.
Pse mbetej në lojë Trebeshina
Sejfulla Malëshova jetoi si magazinier në Fier dhe vdiq në një barakë. Vendimi për të ishte marrë. Çështja Malëshova ishte arshivuar. Që kur u internua, ai doli nga loja njëherë dhe përgjithmonë.
Me Trebeshinën ndryshon puna. Ka diçka që në mënyrë ciklike përsëritet dhe nuk mbyllet. Mbase ato pazaret e fshehta nën tavolinë vazhdonin ta mbanin atë në lojë. Shefat e mëdhenj të sigurimit shkonin dhe e takonin në burg dhe në internim. Porositnin ekspertiza mjekësore që ta shpëtonin nga burgu. Kjo pjesë e mbetur nën hije, pjesa e nëndheshme e jetës së tij, e cila sot për sot nuk lexohet dot, mbase e shpjegon më mirë Trebeshinën. Shpjegon atë që herë-herë ai bëhej trim e sfidonte. Dhe atë që më pas tërhiqej e përbaltej fare.
Organet e dhunës me të silleshin mirë. Librat e tij “të gabuar”, librat mbi të cilat u hartuan ekspertizat që e çuan në burg më 1981, hetuesia ia ktheu në shtëpi. Nuk u ktheheshin në shtëpi librat Astrit Delvinës dhe të burgosurve të tjerë. Si duket, ai ende duhet të mbetej në lojë. Në lojën e Sigurimit. (Dhe ka një vendim gjyqi që dorëshkrimet e Trebeshinës më 1981 të asgjësoheshin).
Po këtu mund të bëhet dhe pyetja tjetër. Kur e kishte kaq nën kujdes, kur e merr gati hapur në mbrojtje, pse Sigurimi nuk e shpëtoi dot nga burgu Trebeshinën më 1981? Pse edhe me ekspertimin mjekësor nuk ia arriti?
Vitet 1981-1982 kanë qenë katastrofike për miqtë e mëdhenj të Trebeshinës. Disa nga kokat e mëdha të këtij shërbimi, disa nga veteranët e gardës së vjetër të cilës i përkiste dhe Trebeshina, ishin duke e kafshuar gjuhën. Hysni Kapua nuk ishte më. Mehmet Shehu do ta ndiqte pas atë në fund të vitit 1981. Mihallaq Ziçishti dhe Feçor Shehu një vit pas Trebeshinës ishin në qeli. Dera e kësaj qelie po i hapej dhe Kadri Hazbiut. Kështu ushtari i vjetër Kasëm me keqardhje po braktisej nga arma e tij e dashur, të cilën gjithmonë e kishte pasur në krah.
Por prapë ai duhet të mbetej në lojë. Ishte një kartë rezervë. Atij përherë i ishin zgjatur fije që e mbanin në lojë. Ku e kanë fillin dhe fundin këto fije? Janë këputur ndonjëherë? Është ende në lidhje të tilla ai?
Faksimile VII
AQSH, Fondi 14, AP. Kasëm Trebeshina, Letër Enver Hoxhës nga Gramshi
Arkivi i KQ të Partisë. Kjo është një nga Letrat e Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën. Letra e datës 8. 10. 1963 thekson lidhjet e Trebeshinës me funksionarët e Sigurimit dhe e garanton Udhëheqësin se është një qytetar i bindur.
Faksimile VIII
AQSH, Fondi 14, AP. Letra të Trebeshinës për KQ të Partisë më 1963
Arkivi i KQ të Partisë. Janë dy letra me shkrim dore të Trebeshinës për KQ të Partisë, njëra nga Vlora dhe tjetra nga Gramshi, me anën e të cilave kërkon t’i hiqet internimi.
Faksimile IX
AQSH, Fondi 14, AP. Informacion i Vangjelo Sotiriadhit mbi Trebeshinën më 1963
Arkivi i KQ të Partisë. Drejtorja e Letrave dhe Ankesve nga populli pranë KQ të Partisë jep informacion te udhëheqja e lartë e Partisë mbi vizitën e saj në Gramsh. Ajo informon në favor të Trebeshinës duke theksuar se ai në një letër Mehmet Shehut ka qenë i një mendimi me partinë për dënimin e armiqve të Konferencës së Partisë së Tiranës dhe për dënimin e kundërrevolucinit në Hungari.
Kreu V
Rrugaçëria shqiptare në shërbim të diktaturës
Është dukuri tepër e njohur ajo që në të gjithë vendet ish-komuniste diktatura ka përdorur llumin e shoqërisë, kontigjentin e madh të rrugaçëve dhe të huliganëve, për të thyer moralisht intelektualët e, në radhë të parë, ata intelektualë që regjimi i shihte si armiq realë ose potencialë. Shkrimtarë dhe filozofë të njohur, si Solzhenicini, Zaharovi, Haveli, Zinovievi, Kravçenko, Mishnik e të tjerë kanë shkruar gjerësisht për këtë dukuri.
Ish- të burgosurit politikë shqiptarë, si Atë Zef Pllumi, kanë dëshmuar skena dramatike si ajo kur një vagabond i urryer e goditi me levë klerikun në sytë e policisë.
Sigurimi shqiptar i kishte shumë për zemër rrugaçët dhe horrat. Libri i oficerit të KGB-së, Makarenko, ku himnizoheshin veprimtaritë e huliganëve, botohej dhe studiohej me shumë pasion në Shqipëri. “Poema pedagogjike” e tij, poemë për rrugaçërinë, në gjithë vendet e Lindjes komuniste vlerësohej si kontribut i madh në thesarin e përbotshëm të mendimit pedagogjik. Ky libër tregonte se si rrugaçët, pavarësisht nga sjelljet e tyre dhe nami i keq që kishin, mund t’i shërbenin fare mirë “kauzës së partisë”. Ata ishin të aftë që t’ua bënin jetën skëterrë të dënuarve politikë në burgje dhe në kampe. Jo më pak trysnia e tyre, fyerjet, rrahjet, shpifjet ndiheshin në jetën e përditshme. Operativë dhe zyra të veçanta ndërsenin rrugaçët kundër shtresës së intelektualëve. Rrugaçët, burra dhe gra, përdoreshin sidomos në gjyqe politike si dëshmitarë të rremë.
Këta lloj rrugaçësh ishin të mbrojtur jo vetëm nga shteti, por edhe nga një farë opinioni që bëhej tërthorazi avokat i tyre. Mbrojtja më e shpeshtë vinte si e tillë: ç’ua vë veshin atyre, janë injorantë, ata s’dinë ç’bëjnë. Por rrugaçët dhe huliganët e dinin mirë ç’bënin. Në burgje dhe në kampe, në ndërmarrje dhe në mbledhje ata ishin të parët që bërtisnin dhe kërkonin dënimin më të ashpër për armiqtë e klasës, të Partisë.
Ashtu si veprimtaria e mbeturinave të komunizmit ka vazhduar edhe në kohën e tranzicionit, edhe rrugaçët kanë vazhduar prapë të jenë në shërbim. Shpifjet e paskrupullta dhe dezinformimet me të cilat është e mbushur jeta jonë e përdishme në këto vite të tranzicionit, nuk do mund të merrnin përmasa të tilla pa ndihmën e këtij kontigjenti. Ata prapë janë të pranishëm kudo. Dhe si më parë avokatët e tyre thonë: ç’ua vini veshin, ata s’dinë ç’bëjnë, aq ua pret.
Në jetën kulturore dhe letrare nuk janë të pakta ndërhyrjet e rrugaçërisë.
Nuk do të zgjatemi më tej. Këtu do ta prekim dukurinë vetëm për aq sa ka lidhje me disa nga personazhet që ndeshen në këtë libër. Po ndalemi posaçërisht tek një shembull.
Më 2005, përpara se të jepej çmimi ndërkombëtar prestigjoz i Britanisë së Madhe, Booker Prize, juria shpalli listën e 18 kandidatëve konkurues në një site në internet. Lexues nga gjithë bota u ftuan të jepnin mendimet e tyre për shkrimtarët kandidatë. Lista përbëhej nga shkrimtarë të famshëm nga e gjithë bota. Midis tyre ishin disa laureatë të Nobelit, si Garsia Markez, Gynter Gras, ishin dhe shkrimtarë të tjerë të dëgjuar, si Xhon Apdajk, Milan Kundera, Doris Lessing etj. Në listë ishte dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare.
Mbledhja e opinioneve vazhdoi tre muaj. Merret me mend që lexuesit e çdo vendi jepnin mendimin e favorshëm, në radhë të parë për shkrimtarin e vendit të tyre. E habitshmja ndodhi vetëm me shkrimtarin shqiptar Kadare. Gati gjysma e opinioneve të bashkëkombasve të tij shqiptarë ishin kundër tij. Jo vetën kaq: ato ishin të mbushura me shpifje nga më vulgaret.
Për një surprizë të madhe, juria e nderuar, e kryesuar nga kritiku më i njohur i Anglisë, profesori i Oksfordit, Xhon Kerri, jo vetëm që nuk u ndikua nga opinioni i keq i “lexuesve shqiptarë”, por çmimin ia dha pikërisht Kadaresë. Në një intervistë televizive në Shqipëri, kur gazetari e pyeti për këtë, Kadare tha se vërtet “ndërhyrja shqiptare” nuk e dëmtoi atë, por imazhin e vendit e dëmtoi. Mijëra njerëz që ndiqnin për shumë javë radhaz sitin e jurisë, nuk ka se si të mos jenë habitur për keq me qëndrimin e bashkëkombasve ndaj shkrimtarit të tyre. Kishte dhe zëra që shfaqën mendimin e drejtë se sondazhi nuk tregonte gjendjen reale dhe se shumë opinione dukeshin që ishin të shkruara nga e njëjta dorë. Megjithatë përshtypja për lexuesin shqiptar mbetej e keqe.
Të bënte përshtypje se midis disa prej mendimeve negative kundër shkrimtarit Kadare, si argument kryesor që ky shkrimtar paskish qenë persekutor gjatë regjimit komunist, përmendej një farë Janulla. (Avokatët do të thoshin: ç’merresh me të gjorën Janullë, një copë shitëse, ç’e përmend?). Mirëpo “e gjora Janullë” ka mbi pesëmbëdhjetë vjet që e mbush internetin me helm kundër shkrimtarit Kadare. E gjora Janullë nuk kishte lënë gazetë dhe institucion të Europës pa dërguar mesazhe kundër shkrimtarit. Këto mesazhe ishin shkruar nga duar specialistësh, në shqip, bile dhe në anglisht!
E gjora Janullë kishte lidhje të forta kudo. Kryetari i një partie politike shqiptare, Paskal Milo, e përdori Janullën si argument kryesor kundër Kadaresë. Sipas “historianit” flokëbardhë, Janulla përfaqësonte të persekutuarit politikë shqiptarë, kurse shkrimtari Kadare, persekutorët. Shërbyesi i njohur i familjes Hoxha kështu po na e shtronte dhe paraqiste çështjen e dënimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri!
Pas Janullës dalldisën dhe të tjerë. Shkrimtari Kasëm Trebeshina, personazh i këtij libri, e ka përdorur shumë herë të gjorën Janullë si viktimë të shkrimtarit Kadare. Nuk e humbi rastin të joshej pas “së gjorës Janullë” dhe publicisti Fatos Lubonja. Nuk ka munguar dhe akademiku Rexhep Qosja – ithtar tjetër i Janullës- në vrapin për mbrojtjen e saj. (Nuk e kemi parë të thotë gjysmë fjale për shumë martirë të Kosovës, ta zemë për Ukshin Hotin,etj). Në mbrojtje të Janullës doli dhe ish-kryehetuesi i Tiranës dhe ishdrejtori i përgjthshëm i policisë së shtetit komunist, Dilaver Bengasi, i dyshuar pas rënies së komunizmit për krime kundër njerëzimit. Në mbrojtje u ngrit ish-drejtoresha e mbrojtjes (lexo: varrosjes) së ligjshmërisë në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe ish- anëtare e Gjykatës së Lartë, Liri Gjoliku. Për t’u ndalur pak te kjo grua, duhet thënë se në ndërgjegjen e saj rëndojnë qindra dënime të njerëzve të pafajshëm dhe, në se do të kishte pasur një Nuremberg shqiptar për dënimin e krimeve të komunizmit, kjo grua do ta kishte vendin në radhën e parë të të akuzuarve. Liri Gjoliku është e bija e një Jaho Gjoliku, për të cilin ka vjersha, këngë, skenar për film dokumentar… Dy vëllezër të saj janë heronj të luftës partizane. Babai i tyre, Jaho Gjoliku, u bë pas Luftës oficer i Sigurimit. U vu në krye të luftës së Partisë kundër asaj pjese të popullit shqiptar që nuk e duronte dot ardhjen e komunizmit. Jaho Gjoliku drejtoi veprën kriminale të Sigurimit, angazhimin në reprezaljet ndaj krahinave veriore të vendit.
Nuk është e rastit që përkrahësit e “gruas së thjeshtë Janullë” ishin të lidhur me shumë fije me organet represive: hetuesi e fshehtë, polici, gjykatë, Ministri e Brendshme. Në shtypin shqiptar, kryesisht në “Gazetën shqiptare”, në datat 7 dhe 10 nëntor të këtij viti, u botuan dy lista të sherbetorëve të zellshëm të diktaturës “punonjës të Ministrisë së Brendshme, hetues, dëshmitarë, gjyqtarë, spiunë”. Disa nga personazhet e këtij libri që lexuesi ka në dorë, gjenden në këto lista.
“Çështja Janulla”, ndonëse në pamje të parë banale dhe fare e rëndomtë, tregonte se me çfarë llumi ishte i aftë të bashkëpunonte shteti shqiptar për të diskredituar një personalitet të kulturës shqiptare. Vazhdimësia e kësaj çështjeje edhe pas përmbysjes së regjimit komunist, dëshmonte se ky regjim ende kishte në dorë shumë gjëra në Shqipëri.
Për të ndihmuar gruan me emrin Janullë, pas Paskal Milos, Kasëm Trebeshinës, Rexhep Qoses, Liri Gjolikut, Fatos Lubonjës, Dilaver Bengasit e të tjerë, u angazhuan gazetarë, si Sokol Balla, që i kushtoi Janullës një emision të tërë, në të cilin ajo jo vetëm nuk la gjë pa thënë kundër shkrimtarit të njohur, të cilin e quajti Hitler etj, etj., por shkoi dhe më larg, duke hedhur baltë kundër familjes së tij, e sidomos kundër njërës prej vajzave të tij. Ky emision ishte i pashembullt për nga imoraliteti dhe shkelja e çdo norme etike, e çdo njerzillëku. Që “e gjora Janullë” të kryente sa më me sukses sulmin kundër shkrimtarit më të njohur të vendit, u vunë në dispozicion shuma të mëdha parash: vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me Nju Jorkun kushtoi mijëra dollarë. Në diasporë filluan të mblidhen ndihma për “gruan e persekutuar” nga shkrimtari. Që emisioni të shihej në qytete të tjera të Amerikës, u harxhuan edhe para të tjera.
Po kush është kjo grua me emrin Janullë? Në një sqarim që I. Kadare dha në shtyp, e karakterizoi atë si “ bashkëpunëtore e policisë së fshehtë shqiptare, dëshmitare e rreme në gjyqe politike, shkaktare e futjes në burg të shumë njerëzve, sidomos të grave të huaja”. Kadare deklaroi se mbante përgjegjësi për fjalët e tij dhe i kërkoi administratës shtetërore të vinte në dispozicion të publikut dosjen gjyqësore të dënimeve të grave të huaja, ku roli i Janulla Rapit si dëshmitare e rreme ishte fare i qartë.
Dosjet gjyqësore nuk mbrohen më nga asnjë ligj për çështje sekreti. Ato mund t’i kërkojë çdo avokat e sidomos avokatët e palës së cënuar. Dëshmija e rreme konsiderohet krim në çdo shtet të qytetëruar dhe dënohet si krim.
Administrata nuk iu përgjigj shkrimtarit dhe nuk i tregoi dosjet gjyqësore dhe hetimore ku Janulla Rrapi damkosej si dëshmitare e rreme. Kjo tregonte se njerëzit besnikë të regjimit të përmbysur ende ishin të ngulur në zyra të rëndësishme. Ata ende i mbronin spiunët e tyre të vjetër. Në mbrojtje të Janulla Rrapit u ngritën prapë dashamirësit e saj Paskal Milo, Liri Gjoliku e gjithë kompania tjetër me Trebeshinën në krye.
Administrata shqiptare bëri vetëm një gjest gjysmak. Ajo nxori vetëm dokumentin e vendimit e largimit nga Tirana të Janulla Rrapit, e akuzuar si “grua që ushtron prostitucion kundrejt shpërblimit”. Akuza mund të dukej e rëndë, por në të vërtetë ajo nuk përmendte krimin kryesor të kësaj gruaje, atë që kishte kërkuar shkrimtari Kadare, dëshmitë e rreme në gjyqe politike për të futur njerëzit në burg.
Ne i kemi gjetur dokumentet e tyre. Ato do t’i bëjmë publike, në mënyrë që lexuesi të shohë se gjer me çfarë llumi të neveritshëm hetuesit dhe gjykatësit komunistë që nga Dilaver Bengasi dhe Liri Gjoliku, ishin gati të bashkëpunonin për të hedhur baltë kundër një shkrimtari të njohur.
Dosja është e qartë, por ende e paplotë. Në një intervistë në shtyp të Liri Gjolikut, dalin disa nga të njohurit e saj, të njohur tek të cilët ajo trokiste për të bërë lobing pro Janullës dhe kundër Kardaresë, si Aranit Çela, Ramiz Alia dhe Foto Çami. Por nuk dalin ende në dritë dokumente të tjera, si urdhrat urgjente që merrte policia e Tiranës në favor të Janulla Rrapit, kontaktet e kësaj të fundit me sekretarin e Partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, telegrami i Nexhmije Hoxhës që Janulla ta tregonte se “kishte mbrojtje nga lart”, dokumenti i ndërhyrjes së vetë Enver Hoxhës në mbrojtje të saj etj, etj.
Çështja Janulla (e rëndomtë në dukje!) dëshmon se në përpjekjet për të nështruar njerëzit, regjimi komunist dhe mbeturinat e tij nuk janë ndalur përpara asgjëje.
Skandalet e Janulla Rrapit kundër Ismail Kadaresë në shkurt të vitit 1982, britmat e saj: “agjent i borgjezisë, i Mehmet Shehut”, ndodhnin në kohën kur pesëdhjetë hapa më larg, në një nga sallat e Pallatit të Kulturës, mbahej Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve, ku dënohej romani i shkrimtarit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave.”
Çështja “JANULLA”. DOKUMENTE
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme Sekret
Drejtoria e Punëve të Brendshme Ekze. Nr.2
Nr. 1566
Tiranë, më 25.4.1984
Lënda: Propozojmë internimin familjarisht të Janulla Rrapit
Ministrisë së Punëve të Brendshme Drejtorisë I, Degës VIII Tiranë
Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë propozon internimin e personave të poshtëshënuar:
1.Janulla Rrapit (Lepurit), kryefamiljare, e bija e Markos dhe e Viktores, lindur në fshatin Përparim të rrethit të Sarandës më 1944, me dy fëmijë, e paorganizuar, e dënuar me tre muaj me punë korrektonjëse për fyerje të përfaqësuesit të pushtetit, me arsim shtatëvjeçar, me punë shitëse në NTU, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me banim në lagjen 4, rruga “Urani Pano” nr. 14 Tiranë.
Prindërit e saj janë me origjinë nga fshati Përparim i rrethit Sarandë. Gjatë regjimit antipopullor të Zogut kanë ardhur me banim në qytetin e Sarandës dhe janë marrë vazhdimisht me punë krahu. I ati ka punuar gjatë gjithë kohës mekanik, ndërsa xhaxhai Gaqo Lepuri ka punuar me varka, duke bërë tregti me shtetet fqinje me Greqinë e Italinë. Qëndrimi politik gjatë kësaj periudhe ka qenë indiferent, ndërsa gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë mbajtur qëndrim të mirë, ka ndihmuar moralisht dhe materialisht lëvizjen. Një xhaxha i saj, Yllo Lepuri, ka qenë anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit dhe gjatë asaj kohe është kapur dhe është vrarë nga gjermanët, është cilësuar si viktimë e luftës.
I ati ka ardhur në Tiranë gjatë luftës familjarisht, ka punuar si mekanik në ndërmarrje të ndryshme, ka mbajtur qëndrim të mirë dhe para disa vjetësh ka vdekur.
E ëma, Viktoria, rrjedh nga një familje e pasur, gjyshi i Janullës ka shfrytëzuar krahët e të tjerëve dhe pas çlirimit është cilësuar kulak. Një dajë i saj, Leonidha Gjoni, ka dezertuar nga forcat partizane dhe është arratisur në Greqi, ku është edhe sot, ndërsa një dajë tjetër, Gaqo Gjoni, është dënuar dy herë për aktivitet politik dhe aktualisht ndodhet në burg.
Janulla ka qenë e martuar me Gori Rrapin me origjinë nga Fieri, qëndrimi politik i të cilit ka qenë i mirë, ka punuar si ndihmësmjek në spital dhe para disa vjetësh ka vdekur.
Janulla gjatë kësaj periudhe nuk ka mbajtur qëndrim të mirë moralo-politik; qysh nga viti 1968 ka mbajtur shoqëri me gra sovjetike, të cilat janë dënuar si agjente të zbulimit sovjetik dhe aktualisht janë në burg. Për lidhjet që ka pasur me to, Janulla është pyetur nga organet tona dhe ka dalë dëshmitare. Më vonë, Janulla ka mbajtur kontakte me një përfaqësues të ambasadës italiane, i quajtur Guzepe Damis, si dhe me dy shoferë hungarezë që vinin në vendin tonë. Po kështu ajo ka mbajtur kontakte me një student iranian, i quajtur Masar Gavoçi, i cili është dëbuar nga vendi ynë si person i padëshiruar. Në një rast Janulla ka hipur në makinën e një nëpunësi të ambasadës turke dhe në një rast tjetër ka shkuar në ambasadën çeke së bashku me një grua sovjetike. Në vitin 1981 në shtëpinë e Janullës ka shkuar në orët e vona të natës arbëreshja Ana Patituçi, e cila ka dyshime se merret me veprimtari armiqësore kundër vendit tonë. Aktualisht Janulla është në kontroll të organeve tona dhe zhvillon agjitacion e propagandë armiqësore.
Përveç sa sipër, Janulla karakterizohet si femër me qëndrim të keq moral, më parë ka ushtruar profesionin e kurvërisë kundrejt shpërblimit, si dhe ka përdorur shtëpinë e saj për këtë qëllim. Eshtë egoiste dhe llafazane, vitet e fundit ka marrë në mbrojtje veprime të gabuara vagabondazhe të djalit të saj, Renato Rrapit; për këtë ka shqetësuar disa herë prindërit e Gresa Kadaresë, duke i fyer ata në opinion. Për këto ndodhi, ajo është këshilluar disa herë nga Komiteti i Partisë dhe nga Kryesia e Frontit të lagjes, por me gjithë ndihmën që i është dhënë ajo nuk ka reaguar, por përkundrazi ka bërë veprime të kundraligjshme, duke kundërshtuar përfaqësues të pushtetit, gjë për të cilën është dënuar nga gjykata me një vit riedukim nëpërmjet punës dhe me ndalimin e 1/6 e pagës. Edhe pas këtij qëndrimi i saj dhe i fëmijëve nuk është i mirë.
- Renato Rrapi, i biri i Gorit dhe i Janullës, i datëlindjes 1964, i padënuar, i paorganizuar, i pamartuar, me arsim të mesëm të pambaruar, pa punë. I përmenduri, pasi ka mbaruar shkollën 8-vjeçare ka filluar Liceun Artistik, të cilin e ka vazhduar deri në vitin e IV-të, por ka mbetur dhe ka dalë nga shkolla, aktualisht po bën një vit pa punë duke qëndruar në shtëpi. Qysh nga viti i III në Lice është futur në veprime të pasjellshme vagabondazhi në shkollë e shoqëri. Qysh nga ajo kohë dhe aktualisht ka shqetësuar familjen Kadare, duke u shkuar në shtëpi disa herë, si dhe u ka dalë në rrugë, në opinion të të tjerëve duke i fyer rëndë ata. Për këtë ai është thirrur e këshilluar disa herë nga Kryesia e Frontit të lagjes, si dhe nga drejtoria e shkollës, por nuk ka bërë kthesë; në mënyrë të vazhdueshme ai ka përsëritur veprime të tilla vagabondazhi dhe konkretisht edhe më datën 24.4.1984 në orën 24-01 të natës, ka shkuar së bashku me tre shokë të tjerë para pallatit ku banon familja Kadare dhe pasi kanë pirë konjak dhe kanë thyer shishe, kanë bërtitur me zë të lartë fjalë fyese dhe poshtëruese për këtë familje. Për këto veprime u kapën nga patrulla e policisë dhe u çuan në rajon. Për këtë ka denoncuar qytetari Petraq Nina, si dhe ka ardhur e ka bërë ankesë në mënyrë verbale edhe Ismail Kadare.
Duke u nisur sa sipër, propozojmë internimin familjarisht të Janulla Rrapit, e cila paraqet rrezikshmëri shoqërore për veprimet e tyre armiqësore dhe që cenojnë rendin publik. Internimi i tyre të bëhet për 5 vjet kohë nga qyteti i Tiranës në fshatin …të rrethit
Theksojmë se Janulla ka dhe një fëmijë të quajtur Viktorina Gori Rrapi, e datëlindjes 1976.
Të përmendurit janë të përgjegjshëm, nuk janë të zgjedhur në organet e pushtetit.
Bashkangjitur iu dërgojmë biografinë, certifikatën familjare dhe dëshminë e penalitetit.
Punëtori Operativ
Çerçiz Salaj
Shefi Seksionit III
Shefqet Metaj
Drejtori i Punëve të Brendshme
Zef Loka
D A K O R T
Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit
FOTO ÇAMI
——————–
Sekret/21
Ekzemplar Nr.______
Tiranë, më ______1984
Vërtetim biografik për Janulla Rrapin (Lepuri)
Janulla Rrapi (Lepuri) është e bija e Markos dhe e Viktores, lindur në fshatin Përparim të rrethit Sarandë më 1944, e ve, me dy fëmijë, e paorganizuar, dënuar 3 muaj me punë korrektonjëse për fyerje të përfaqësuesit të pushtetit, me arsim 7-vjeçar, me punë shitëse në NTU, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me banim në lagjen 4, rruga “Urani Pano”, nr.14 Tiranë.
Prindërit e saj janë me origjinë nga fshati Përparim i rrethit Sarandë, gjatë regjimit antipopullor të Zogut kanë ardhur me banim në qytetin e Sarandës dhe janë marrë vazhdimisht me punë krahu. I ati ka punuar mekanik gjatë gjithë kohës, ndërsa xhaxhai Gaqo Lepuri ka punuar me varka, duke bërë tregti me shtetet fqinje në Greqi e Itali. Qëndrimi politik gjatë kësaj periudhe ka qenë indiferent, ndërsa gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë mbajtur qëndrim të mirë. I ati ka ardhur në Tiranë dhe ka punuar nëpër ndërmarrje të ndryshme. Një xhaxha i saj, Yllo Lepuri, ka qenë anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit dhe gjatë asaj kohe është kapur nga gjermanët, të cilët e kanë vrarë dhe sot quhet viktimë e luftës.
Mbas çlirimit, qëndrimi politik i të atit ka qenë i mirë dhe para disa vjetësh ka vdekur. E ëma rrjedh nga një shtrese pasur, i ati (gjyshi i Janullës nga nëna) Spiro Gjoni për qëndrim të keq politik pas çlirimit është cilësuar kulak. Një dajë i Janullës, Leonidha Gjoni, ka qenë partizan, ka dezertuar dhe është arratisur në Greqi, ku është dhe sot. Ndërsa një dajë tjetër, Gaqo Gjoni, është dënuar dy herë për aktivitet politik dhe aktualisht ndodhet në burg.
Janulla ka qenë e martuar me Gori Rrapin me origjinë nga Fieri, qëndrimi politik i të cilit ka qenë i mirë, ka punuar si ndihmësmjek në spital dhe para disa vjetësh ka vdekur.
Pas kësaj periudhe Janulla nuk ka mbajtur qëndrim të mirë moralo-politik, qysh nga viti 1968 ka mbajtur shoqëri me gra sovjetike, të cilat janë dënuar si agjente të zbulimit sovjetik dhe aktualisht janë në burg. Për lidhjet që ka pasur me to, Janulla është thërritur dhe është pyetur dhe më vonë ka dalë dëshmitare në gjyq. Po kështu ajo ka mbajtur kontakte me një përfaqësues të ambasadës italiane, i quajtur Guzepe Damis, me dy shoferë hungarezë, si dhe me studentin iranian, Masar Gavoçi, i cili është dëbuar nga rendi ynë si person i padëshiruar. Në një rast ka hipur në makinën e një nëpunësi të ambasadës turke dhe në një rast tjetër ka shkuar në ambasadën çeke së bashku me një grua sovjetike. Në vitin 1981 në shtëpinë e saj ka shkuar në orët e vona të natës arbëreshja Ana Patituçi, e cila ka dyshime se merret me veprimtari armiqësore kundër vendit tonë. Aktualisht Janulla është në kontroll të organeve tona dhe zhvillon agjitacion e propagandë kundër sistemit tonë socialist.
Përveç sa më sipër, Janulla karakterizohet si femër me qëndrim të keq moral, më parë ka ushtruar profesionin e kurvërisë kundrejt shpërblimit, si dhe ka përdorur shtëpinë e saj për të njëjtin qëllim. Eshtë egoiste dhe llafazane, vitet e fundit ka marrë në mbrojtje veprimet e gabuara vagabondazhe të të birit, Renato Rrapit dhe për këtë ka shqetësuar disa herë prindërit e Gresa Kadaresë, duke i ofenduar dhe fyer ata në opinion. Për këtë ajo është këshilluar disa herë si nga Komiteti i Partisë dhe nga Kryesia e Frontit, por përsëri ata vazhdojnë me të njëjtin qëndrim. Janulla ka dy fëmijë, djali i saj i quajtur Renato Gori Rrapi, i datëlindjes 1964, i padënuar, i paorganizuar, i pamartuar, me arsim të mesëm të pambaruar, pa punë. Në kohën kur vazhdonte Liceun Artistik në vitin e III-të është bërë problem për sjellje të padenja në shkollë e shoqëri. Në vitin e IV-të është larguar nga shkolla dhe ka rreth një vit që rri në shtëpi pa punë, mban qëndrim të keq moralo-politik, është në kontroll të organeve tona.
Vajza e saj, Viktorina Gori Rrapi, është e datëlindjes 1967 dhe aktualisht vazhdon shkollën.
Të dhënat e vërtetimit biografik janë marrë nga vërtetimi biografik i dërguar nga Dega e Punëve të Brendshme Sarandë, datë 13.I.1983, si dhe nga A.P. Aleko Jovani, Metan Karakulli.
Punëtori Operativ Shefi Seksionit III
Çerçiz Salaj, Shefqet Metaj
Drejtori i Punëve të Brendshme
Zef Loka
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE KOMISIONI I INTERNIMIT DHE I DEBIMIT SEKRET Ekzemplar Nr.1…
Tiranë, më 25.4.1984
VENDIM Nr.7
Komisioni i Internimit dhe i Dëbimit, i mbledhur më datën 25.4.1984, në bazë të Dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 5912, datë 26.6.1979, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme,
Vendosi:
Të internojë për pesë vjet kohë familjen e mëposhtme:
- Janulla Mark Rrapi, e datëlindjes 1944, lindur në fshatin Përparim të rrethit të Sarandës e banuese në Tiranë, shtresë e varfër, me arsim 7-vjeçar, punëtore në NTU, e ve, e dënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.
Renato Gori Rrapi, (i biri), i datëlindjes 1964, lindur e banues në Tiranë, me arsim të mesëm të pambaruar, pa punë, beqar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.
Qëndrimi politik i familjes së saj në regjimin e Zogut ka qenë indiferent; gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë mbajtur qëndrim të mirë. Pas çlirimit nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë moral. Nëna e saj rrjedh nga një familje shtresë e pasur.
Janulla ka qenë e martuar me Gori Rrapin, me origjinë nga Fieri e me qëndrim të mirë politik, i cili ka vdekur. Eshtë në kontroll të organeve të Sigurimit, pasi ka pasur shoqëri me gra sovjetike, që janë dënuar si agjente të zbulimit sovjetik, si dhe me dy shoferë hungarezë që vinin në vendin tonë. Karakterizohet si femër me qëndrim të keq moral. Në vitin 1983 është dënuar për kundërshtim të përfaqësuesit të pushtetit me një vit riedukim nëpërmjet punës me ndalimin e 1/6 e pagës. Djali i saj, Renato, karakterizohet si njeri që merret me akte rrugaçërie. Më datën 24.4.1984, së bashku me tre shokë të tjerë, pasi kanë pirë, kanë shkuar para pallatit ku banon familja e shokut Ismail Kadare dhe kanë fyer me fjalë fyese këtë familje, e kanë bërtitur me zë të lartë. Për këtë ka denoncuar qytetari, Petraq Nina. Për shqetësimet që ka krijuar Janulla me të birin janë thirrur e këshilluar disa herë nga Komiteti i Partisë dhe kryesia e frontit në lagje.
Të internohen në sektorin Kosovë të NB Belsh të rrethit të Elbasanit.
Afati i internimit u fillon më datën 25.4.1984 dhe u mbaron më datën 25.4.1989.
Kryetari i Komisionit
Manush Myftiu
Zëvendëskryetari i Komisionit
Hekuran Isai
Anëtarë: Rrapi Mino dhe Aranit Çela
Një literaturë e turpshme
Ne vijmë nga një kohë, kur për t’i shërbyer klasës në pushtet, për ta rrethuar atë me breroren e lavdisë, janë shtrembërur faktet, ngjarjet, deri dhe jeta e vepra e disa prej personaliteteve të historisë sonë. Ka ndodhur jo rrallë që përfaqësuesit tipikë të familjeve komuniste në Shqipëri ta kenë për huq të pakorrigjueshëm falsifikimin dhe shpifjen. Armiqtë e tyre i kanë nxirë me gjithsej, ndërsa për veten kanë sajuar histori nga më të ndryshmet e nga më të pabesueshmet, histori me lavdi, persekutime, heroizma, epopera, etj.
Komunizmi çimentoi në Shqipëri përligjjen e një kulture të falsifikimit. Një kulturë që nxitej dhe mbrohej nga shteti, që krijoi dhe institute dhe struktura e njerëz që e bënë për profesion të nderuar falsifikimin, shtrembërimin, retushimin, fshirjen dhe varrosjen e fakteve që ishin në dëm të udhëheqësve të kohës. Dhe nga kjo mënxyrë nuk po ndahemi edhe sot.
Biografi të falsifikuara
Për shembull “Heroi i Popullit” Jaho Gjoliku, dikur një vullnetar i devotshëm i çetave zogiste në zonën e Kurveleshit, reklamohej sikur ishte dënuar me vdekje nga regjimi i Mbretit Zog. Ky falsifikim i trashë atëherë nuk mund të rrëzohej, se nuk lejoheshin mundësitë ballafaquese. Askush nuk do të guxonte të provonte a të shkruante të vërtetën. Në libra e në enciklopedi përmendej rëndom se Jahoja ishte një i dënuar nga regjimi i Zogut, se kishte qenë një antizogist i vendosur. Kjo vazhdoi të thuhet dhe në “enciklopedi” të periudhës së tranzicionit, në gazetat e vogla apo të mëdha të së sotmes.
Edhe sot të thuash të vërtetën për nomenklaturën e lartë komuniste në gjykimin e tyre është njësoj si të kesh bërë krim. Për ta duhet të ketë vetëm lavdi dhe merita të jashtëzakonshme, merita që po të lëkunden, vënë në diskutim qenien a mosqenien e vendit tonë (siç).
Jaho Gjoliku ka qenë në krye të batalioneve të Mbrojtjes së Popullit, batalione të Sigurimit, që shtronin me zjarr dhe me hekur zonat e pabindura ndaj komunizmit në vitet e para pas Luftës. Këto batalione bastisnin krahina, arrestonin dhe pushkatonin persona të padëshiruar në Veri të Shqipërisë. Akte të tilla kriminale disa edhe sot vazhdojnë t’i quajnë heroizma. Në Postribë këto batalione vranë e varrosën njerëz të gjallë, në Mirditë me rastin e vrasjes së B. Bibës u vunë në rresht dhe aty për aty u pushkatuan rreth 50 njerëz për raprezalje, në Tiranë u sajua hedhja e një bombe në ambasdën sovjetike dhe u vranë e u varrosën po aq njerëz në një gropë të përbashkët.
Rikthim në lojë i ustalleshave të vjetra
Do të kalonin kohët. Rrugën e etërve do ta vazhdojnë bijtë. Tashmë falsifikime të një lloji tjetër po bëhen përditë nëpër gazeta. Në rrugën e këtyre falsifikimeve ka hyrë dhe e bija e Jaho Gjolikut, Liri Gjoliku, e cila në kohën e Enverit drejtonte dhe jepte “drejtësi” komuniste.
Në cilësinë e juristes së Presidiumit të Kuvendit Popullor, Liri Gjoliku botoi kohë më parë një “ditar”, në të cilin lavdëronte Ramiz Alinë se kishte ulur dënimin e Janulla Rrapit, ndaj së cilës ishin bërë “padrejtësi”. Duke lëshuar “akuzën” e madhe se “për nderin e Kadaresë u bënë krime ndaj familjes Rrapi”, Liri Gjoliku, iu shtua tufës së falsifikatorëve që mbrojnë të “gjorën” Janullë si të persekutuar.
Në këtë tufë u bashkuan dhe shumë janullaistë të tjerë. Të gjithë avokatë “të së persekutuarës”.
Gjykatësja Liri që u kishte dhënë burgime të rënda sa e sa të dënuarve politikë, tashmë po na shtiret humane, po bëhet madje avokate e “të persekutuarve politikë”.
As më pak e as më shumë, në rastin e Janulla Rrapit Liri Gjoliku ka marrë në mbrojtje dëshmitaren e rreme të një gjyqi ku Liria ka dhënë ndëshkime të rënda për gra me kombësi ruse të martuara me shtetas shqiptarë. Ato shkuan viktima të akuzave për spiunazh, mbase për të mbrojtur spiunët e vërtetë, që mundet ishin ndër ata që jepnin urdhra për dënimin e tyre. Pra, Lirinë dhe Janullën, që të dyja i bashkon pjesëmarrja në të njëjtin krim.
Në valën e shfaqjeve të bujshme që jepte në shtyp e në TV “e persekutuara”Janullë, u përfshi prapë me zjarr dhe me histeri Liri Gjoliku.
Gjoliku shkruan: “Mbas këtij debati, Aranit Çela, edhe me porosi si nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, bëri kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe kështu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, e uli dënimin e dhënë kundër Janullës; nga 11 muaj, në dy muaj, aq sa ajo kishte bërë në beton, në Kombinatin “Josif Pashko”. Asaj nuk i ishte zënë vendi si shitëse, pasi e mbronte gjithë kolektivi dhe veçanërisht drejtoresha, e cila thoshte se “e kam shitëse shembullore”.
Kush e mbronte Janullën?
Janulla Rrapin e mbronte Sigurimi. E mbronte se e përdorte. Shprehja “është përdorur” gjindet e shkruar e zeza mbi të bardhë në një dosje të Sigurimit. Dosja nr 646 e vitit 1989 e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e parë, dega e Sigurimit të ushtrisë ka tri fletë. Është me afat ruajtjeje të përhershme. Dosja sjell një informacion të shkruar nga drejtori i degës së Sigurimit të ushtrisë, Agim Zemani. Problemi është analizuar (sipas shënimit me shkrim dore) dhe nga shoku Zylyftar (Ramizi). Informacioni bën fjalë mbi birin e Janullës, ushtar në Elbasan.
Nga kjo dosje po shkëpusim karakterizimin që i bëhet Janullës: “është përdorur si dëshmitare për dy persona të dënuar si agjentë të zbulimit sovjetik”. “Është internuar në Belsh për rrugaçëri”. (Shih faksimilen e dokumentit).
Paskal Milo pro Janullës
Mirë Sigurimi që e ka përdorur kushedi sa herë për spiunime dhe për rrugaçëri Janullën, mirë dhe L. Gjoliku që me Janullën ka mbrojtur dëshmitaren e rreme në gjyqin e saj të montuar, po shumë të tjerë ç’i bashkon me të?
Historiani i epokës komuniste, sot politikani Paskal Milo, shkoi në Pezë më 2006 për të promovuar edhe një herë Enver Hoxhën (sepse, fjala vjen, pse nuk përmendi edhe Abaz Kupin, Ndoc Çobën, Mustafa Gjinishin etj).
Aty na bëri dhe një deklaratë kundër shkrimtarit Ismail Kadare. Me mburravecëri të ligë Milua u shpreh:
“… në disa raste ka qenë në rolin e inkuizitorit dhe dihen shembujt, aq me tepër kur ka edhe shembuj që janë të barazvlefshëm me ato që autoritetet më të zeza të kohës merrnin vendime për internimin e familjeve, përmes letrave që i dërgonin Ministrisë së Brendshme. Dhe Kadare është përgjegjës…”
Rexhep Qosja dhe Janulla Rrapi
Deklaratën e mësipërme të Paskal Milos e gjen në faqen e internetit: rexhepqosja.com. Se ç’lidhje ka kjo faqe në internet, e cila u dedikohet studimeve dhe polemikave të Qosjes, me deklaratën e Milos dhe me Janulla Rrapin, kjo nuk dihet. Mbase se për të sulmuar Ismail Kadarenë, edhe Qosja thirri në ndihmë Janulla Rrapin.
Një literaturë e zezë
Do kalonin vite dhe tani në paskomunizëm Janulla do të shfaqej në provokime të tjera, si gjithmonë asnjëherë rastësisht.
Pas shumë e shumë vitesh kur normalisht Liri Gjoliku dhe Janulla Rrapi duhej ta kishin harruar njëra – tjetrën, ato bashkohen sërish, por tashmë me synime të reja dhe në pozicione të tjera, të ndryshme nga ato të dikurshmet.
Liri Gjoliku dhe Janulla Rrapi i gjenden shoqja-shoqes. Përdorin si argument njëra-tjetrën. Kur ia merr “këngës” Liria, menjëherë ia kthen Janulla. Pastaj e kundërta.
Më tej ky rreth zgjerohet e zgjerohet. Janulla thërret si argument historianë dhe akademikë dhe këta pëdorin si argument Janullën. Si “argument” sillet edhe Dilaver Bengasi me “kujtimet” e tij. Bengasi bëhet dhe recezent i librave që kanë të njëjtin objekt sulmi.
Kaq sa për të thënë se është në qarkullim një literaturë e tërë me temë Janullën, literaturë e shkruar, po dhe në internet, në TV… janë në qarkullim libra, ditarë, kujtime, intervista, shkrime publicistike, eseistike… Akademikët, historianët, politikanët, shkrimtarët dhe gazetarët e nderuar përzihen me emrat e autoriteteve më të errëta të diktaturës, me personazhet e zinj të diktaturës. Me personazhe dhe ekzemplarë të rrugaçërisë të përdorur nga Sigurimi.
Emrat e Qosjes, Milos, Trebeshinës, Ballës e të sa e sa të tjerëve dalin në të njëjtën linjë, në atë të së djeshmes, në linjën e Sigurimit, në linjën e porosive, telegrameve a të urdhrave të Nexhmije Hoxhës, të Enverit, të Ramizit….
Ky është tranzicioni shqiptar. Këta janë dhe burrat e mëdhenj të tij, që kthejnë në simbol të persekucionit komunist një bashkëpunëtore të Sigurimit, një përfaqësuese të rrugaçërisë, njërën nga veglat e llagëmeve më të errëta të shtetit të kohës.
Si ka mundësi që edhe akademikët? Por, e thamë, ne vijmë nga një shkollë e çimentuar e falsifikimit. Shkollë me mjeshtra që e kanë ushtruar gjatë këtë zeje. Akademikët si çirakë të politikës kanë qenë prijëtarë në shkollën e falsifikimit e të fabrikimit të fakteve, të njerëzve, të idhujve të rremë.
E vazhdojnë për llogarri të vetes a me porosi të tërthorta politike edhe sot këtë zanat.
Erë qelie për ata që shoqëroheshin me Janullën
Në prill 1975, Janulla Rrapi ka bërë akuza të rënda në drejtim të ruseve Nadiezhda Sidorovës dhe Zoja Gulina. Si shoqëruese e tyre, ajo ka zbatuar përpikmërisht një vijësjelljeje të ardhur nga ata që kanë pasur interes për një gjë të tillë. I ka provokuar ruset për të siguruar të dhëna prej tyre, si dhe ka trilluar me dëshminë e saj përzierjen në agjenturat e huaja për të rritur penalitetin e veprës “kriminale”. Ky është vetëm njëri nga rastet e përdorimit të Janullës, që ka qenë kurdoherë e gatshme për “punë” të tilla në dobi të partisë dhe pushtetit popullor.
Siç do të shohim në dokumentet më poshtë, drama ndaj grave të huaja nuk mund të zhvillohej pa praninë e Janullave në bashkëpunim dhe me kolanecët, gjolikët apo me të tjerë si këta. Dënonin si agjente të KGB-së disa gra shtëpiake, kur agjentët e vërtetë mund të ishin në sferat më të larta të atij shtetit.
Kallëzimet e 21 prillit 1975 dhe 22 tetorit 1975
Procesverbal kallëzimi
Tiranë, 21 prill 1975
Unë, Florian Kolaneci, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, marr kallëzimin me gojë nga qytetarja Janulla Rrapi, e bija e Markut dhe e Vitores, lindur në Sarandë në vitin 1944, banuese në Tiranë në lagjen Nr.4, rruga “Urani Pano” nr.14, me kombësi e shtetësi shqiptare, me profesion shitëse në NTUS, me arsim 3 të mesme, e martuar, ka një fëmijë, e paorganizuar, e padënuar. Kallëzimtarja u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 219 të K.P.
Kallëzimtarja
Janulla Rrapi
Mbasi u pyet rreth çështjes deklaroi:
Në verë të vitit 1968, unë nëpërmjet Nadiezhda Sidorovës jam njohur me sovjetiken Zoja Gulina. Që nga ajo kohë dhe deri sot, unë e kam ruajtur shoqërinë me të dhe kam pasur hyrje e dalje. Në fillim, kur Nadiezhda ishte me banim në Tiranë, ne pothuajse gjithnjë rrinim bashkë, kurse me pas, Nadiezhda u transferua në Shkodër bashkë me burrin e saj. Takimet e mia me Zojën ashtu si edhe më parë ishin të vazhdueshme, ndërsa me Nadiezhdën takohesha kur ajo vinte në Tiranë ose kur unë shkoja në Shkodër.
Që nga koha që jam njohur me Zojën dhe deri kohët e fundit, kjo më ka folur kundër pushtetit dhe konkretisht:
Në një rast, në vitin 1970, kur në shtëpinë time kishin ardhur për vizite Zoja bashkë me Nadjezhdën, të dyja këto filluan të flasin për jetën e keqe që bëhej këtu në Shqipëri dhe për jetën e mirë që bëhej në BS. Në fillim bisedën e hapi Nadjezhda,e cila tha se jetesa
këtu është e keqe, në BS jetohet shumë mirë se këtu dhe se udhëheqja shqiptare u prish kot me BS, megjithëse BS e ka ndihmuar shumë Shqipërinë duke ngritur fabrika, uzina dhe të tjera si këto. Shqiptarët, thoshte Nadiezhda i hodhën poshtë këto ndihma dhe nga ana tjetër shpifën çdo gjë kundër BS. Zoja Gulina në këtë bisedë mori pjesë po ashtu si Nadjezhna dhe konkretisht thoshte që këto që thotë kjo janë të vërteta, shqiptarët janë njerëz të ulët sepse vjedhin, shpifin për njëri tjetrin dhe spiunojnë njëri – tjetrin.
Po ashtu, në një bisedë tjetër të bërë po këtë vit me Zojën dhe Nadiezhden, ka rënë fjala për revolucionin kultural në Kinë. Si Nadiezhda, ashtu edhe Zoja kanë folur fjalë armiqësore në këtë drejtim.
Nadiezhda tha se shqiptaret këtu bëjnë siç u thanë kinezet, duke zënë në gojë edhe emra të udhëheqësve tanë kryesore të partisë dhe shtetit. Ashtu si në Kinë që janë internuar shumë njerëz si pasojë e revolucionit kultural, edhe këtu në Shqipëri po fillojnë të njëjtat
gjëra. Unë, tha Nadiezhna, kam shume frikë se mos ne sovjetikëve na marrin dhe na internojnë sepse që kur janë prishur marrëdhëniet me BS ne nuk na trajtojnë mirë në Shqipëri. Zoja duke marrë pjesë në këtë bisede tha se kjo gjë është shumë e vërtetë se ne këtu në Shqipëri na trajtojnë sikur jemi gjermanët e kohës Hitlerit. Po ashtu në një bisede tjetër të bërë në vitin 1971 në shtëpinë time, kur përsëri ra fjala rreth marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, Zoja në bisedë e sipër ka thënë se kinezët janë njerëz që nuk marrin vesh fare se ç’është jeta, ata nuk mendojnë fare për qejfi, vetëm dinë që punojnë vazhdimisht. Gjithashtu duke biseduar me Zojën për gjendjen në BS, Zoja, më ka thënë se gjendja në BS nuk është ashtu siç e paraqesin shqiptarët, këta i shtrembërojnë gjërat, sepse nuk është e vërtetë që populli sovjetik të jetë i pakënaqur, por përkundrazi atje populli është shumë i kënaqur, jetesa është e mirë dhe nuk ka pakënaqësi karshi udhëheqjes sovjetike. Ndërsa në Shqipëri, vazhdoi ajo, populli është i pakënaqur karshi udhëheqjes sepse jetojnë në gjendje të keqe. Në kohën kur marrëdhëniet me BS ishin të mira në Shqipëri jetohej mirë, moda ishte e lirë dhe mund të visheshe si të doje, ndërsa tani që këta janë të lidhur me kinezët, bëjnë ashtu siç urdhërojnë ata. Këta, tha-më pas Zoja, nuk i do asnjë shtet në botë, por kanë mbetur vetëm me Kinën, por thosh ajo, meqenëse në Kine po ndodhin turbullira, edhe në Shqipëri mund të ndryshojë si te ata. Po ashtu, në biseda të tjera që kam bërë unë me Zoja Gulinen, kjo shpeshherë tregohej e pakënaqur edhe në lidhje me gjendjen ekonomike në vendin tonë. Ajo me ka thënë se unë megjithëse punoj shumë gjatë gjithë vitit, marr një rrogë të vogël që nuk me del as për veten time. Po ashtu Zoja më ka thënë se gratë shqiptare janë shumë të këqija, ato janë hajdute dhe egoiste për njëra – tjetrën. Kur më tha këtë gjë Zoja më tregoi edhe një shembull se si dikur duke u kthyer nga një aksion, makina ishte përmbysur dhe atje i humbi ora e dorës dhe një çadër. Ajo thoshte se ju shqiptarët vidhni edhe kur tjetri është duke vdekur, meqenëse siç pretendonte Zoja e dinte që këto gjera ia kishte vjedhur një grua. Nga Zoja gjithashtu kam marrë vesh se në kohën e prishjeve të marrëdhënieve të BS me Shqipërinë, ajo kishte vendosur që të kthehej në BS, por më pas, në momentin e nisjes, mbasi kishte prerë edhe biletën, i kishte ardhur Nadiezhda në shtëpi dhe i kishte kthyer mendjen që të qëndronte këtu.
Disa ditë mbas arrestimit të Nadiezhdes, më takoi Zoja në rrugë dhe duke qenë e shqetësuar më porositi mua që të bisedoja me ndonjë të njohur dhe të interesohesha përse ishte arrestuar Nadiezhda dhe këtë gjë t’ia thoja asaj.
Sa thashë, janë të vërteta dhe mbasi i lexoj thëniet e mija i vërtetoj me firmën time.
Kallëzuesja: Janulla Rrapi
Asistuesi: Bato Bega
Hetuesi: Florian Kolaneci
Procesverbal dëshmie
Tiranë, 22 tetor 1975
Unë, Sofia Koço, hetuese në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Tiranë, marr në pyetje si dëshmitare Janulla Rrapin, e bija e Markut dhe e Vitores, lindur në Sarandë në vitin 1944, banuese në Tiranë, lagja nr.4, rruga “U. Pano”, nr.14, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me profesion shitëse në NTU, me arsim 3 të mesme, e martuar me një fëmijë, e paorganizuar, e padënuar.
Dëshmitarja u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit nr. 220 të K. P. në rast se bën dëshmi të rreme.
Dëshmitarja
Janilla Rrapi
Mbasi u pyet rreth çështjes deklaroi sa më poshtë:
Me sovjetiken Zoja Gulina, jam njohur në verë të vitit 1968 nëpërmjet Nadjezhda Sidorovnës. Që nga ajo kohë dhe deri ditën e arrestimit, unë e kam ruajtur shoqërinë me të dhe kam pasur hyrje e dalje. Ne fillim kur Nadjezhda ishte me banim në Tirane në pothuajse të tria rrinim bashkë, kurse më parë Nadjezhda u transferua në Shkodër
bashke me burrin e saj. Takimet e mija me Zojen ashtu si dhe me parë ishin të vazhdueshme, ndërsa me Nadjezhdën takohesha kur ajo vinte në Tiranë ose kur unë shkoja në Shkodër.
Që nga koha që unë jam njohur me Zojen dhe deri kohët e fundit kjo më ka folur kundër pushtetit dhe konkretisht:
Në një rast në vitin 1970, kur në shtëpinë time kishin ardhur për vizitë Zoja bashkë me Nadjezhden, të dyja këto filluan të flasin për jetën e keqe, që bëhej këtu në Shqipëri dhe për jetën që bëhej në Bashkimin Sovjetik. Në fillim bisedën Nadjezhda, e cila tha së jeta këtu është e keqe, ndërsa në Bashkimin Sovjetik jetohet shumë më mirë se këtu dhe se udhëheqja shqiptare u prish kot me Bashkimin Sovjetik, megjithëse Bashkimi Sovjetik e ka ndihmuar shumë Shqipërinë duke ngritur fabrika, uzina dhe të tjera si këto. Mirëpo shqiptarët thoshte Nadjezhda, i hodhën poshtë këto ndihma dhe nga ana tjetër shpifën çdo gjë kundër Bashkimit Sovjetik. Zoja Gulina në këtë bisedë mori pjesë po ashtu si Nadjezhda dhe konkretisht thoshte, se këto që thotë kjo janë të vërteta, shqiptarët janë njerëz të ulët, sepse vjedhin e shpifin për njeri tjetrin dhe spiunojnë për njeri – tjetrin. Po ashtu në një bisede tjetër të bërë po këtë vit me Zojen dhe Nadjezhden, ka rënë fjala për revolucionin kultural në Kinë. Si Nadjezhda ashtu dhe Zoja kanë folur fjalë armiqësore në këtë drejtim. Nadjezhda tha, se shqiptaret këtu bëjnë siç ju thonë kinezet, duke zënë në gojë edhe emra të udhëheqësve tanë kryesore të Partisë dhe të Shtetit. Ashtu si në Kine që janë internuar shumë njerëz si pasojë e revolucionit kultural edhe këtu në Shqipëri po
fillojnë të njëjtat gjëra. Unë, tha Nadjezhda kam shumë frikë se mos ne sovjetikëve na marrin dhe na internojnë se që kur janë prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ne nuk na trajtojnë mire në Shqipëri. Zoja duke marrë pjesë në këtë gjë tha, se kjo është
shumë e vërtetë dhe se ne këtu në Shqipëri na trajtojnë sikur jemi gjermanët e kohës së Hitlerit. Po ashtu në një bisedë tjetër të bërë në vitin 1971 në shtëpinë time, kur përsëri ra fjala rreth marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, Zoja në bisedë e sipër ka thënë, se kinezët janë njerëz që nuk marrin vesh, se çfarë është jeta, ata nuk mendojnë fare për qejf, vetëm dine, që të punojnë vazhdimisht.
Gjithashtu duke biseduar me Zojen për gjendjen në Bashkimin Sovjetik, Zoja me ka thënë, se gjendja në Bashkimin Sovjetik nuk është ashtu siç e paraqesin shqiptarët, këta i shtrembërojnë gjerat, sepse nuk është e vërtetë që populli sovjetik të jetë i pakënaqur, por përkundrazi atje populli është shume i kënaqur, jeta është e mirë dhe nuk ka pakënaqësi karshi udhëheqjes sovjetike. Ndërsa në Shqipëri vazhdoi Zoja, populli është i pakënaqur karshi udhëheqjes, sepse jeton në gjendje të keqe. Në kohën kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin të mira, tha Zoja, në Shqipëri jetohej mirë, moda ishte
e lirë dhe mund të visheshe si të doje, ndërsa tani që këta janë të lidhur me kinezët, bëjnë ashtu, siç urdhërojnë ata. Këta tha më pas, Zoja, nuk i do asnjë shtet në botë, por kanë mbetur vetëm me Kinën, por thoshte ajo, meqenëse në Kinë kanë ndodhur turbullira, edhe në Shqipëri mund të ndryshojë situata.
Po ashtu në biseda të tjera që kam bërë unë me Zoja Gulinën kjo shpeshherë tregohej e pakënaqur edhe në lidhje me gjendjen ekonomike në vendin tonë. Ajo më ka thënë se unë megjithëse punoj shumë gjatë gjithë vitit marr një rrogë të vogël, që nuk me del as për veten time. Po ashtu Zoja më ka thënë, se gratë shqiptare janë shumë të këqija ato janë hajdute dhe egoiste për njëra – tjetrën.
Kur me tha këtë gjë Zoja më tregoi edhe një shembull sesi dikur duke u kthyer nga një aksion, makina ishte përmbysur dhe atje i humbi ora e dorës dhe një çadër. Ajo thoshte se ju shqiptarët vidhni edhe kur tjetri është duke vdekur, meqenë se siç pretendonte Zoja e dinte qe këto gjëra ja kishte vjedhur një grua.
Nga Zoja gjithashtu kam marrë vesh, se në kohën e prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, ajo kishte vendosur që të kthehej në Bashkimin Sovjetik, por më pas në momentin e nisjes, mbasi kishte prerë edhe biletën i kishte ardhur Nudjezhda në shtëpi
dhe i kishte kthyer mendjen që të qëndronte këtu dhe Zoja mbas kësaj kishte anulluar ikjen. Disa ditë pas arrestimit të Nadjezhdes, më takoi Zoja në rrugë dhe duke qenë e shqetësuar më porositi mua, që të gjeja ndonjë të njohur dhe të interesohesha përse ishte arrestuar Nadjezhda dhe këtë gjë t’ia thoshja asaj.
Harrova të them se në një rast kur kam qenë unë, Nadja dhe Zoja Nadja më ka propozuar që unë të filloja punë në ndonjë ambasadë dhe në fillim të punoja në ndonjë ambasadë që ka marrëdhëniet të mira me Shqipërine e pastaj të kërkoja të hyja në ambasadën Polake ose Çekosllovake.
Sa më lart e lexova e me qenë se thëniet e mia janë shkruar drejt, i vërtetoj me firmën time.
Dëshmitarja Janulla Rrapi
Hetuesia Sofia Koço
Janulla dhe Liri Gjoliku, 47 vjet burg për tri gratë ruse
Gjykata e drejtuar nga Liri Gjoliku ka dhënë 14, 15 dhe 18 vjet burg për tri gratë ruse të martuara me burra shqiptarë
Vendimi i dënimit për ruset
Më 17 prill 1976, trupi gjykues i përbërë nga:
1-Liri Gjoliku – anëtare e Gjykatës së Lartë
2-Bahri Piraniqi – ndihmësgjyqtar
3-Haxhire Gjergjevica ndihmësgjyqtare, ka dënuar:
1.Nadjezhna Kabashi (Sidorova), për tradhti ndaj atdheut në formën e spiunazhit sipas nenit 64/12 të Kodit Penal, duke e dënuar me 18 vjet heqje lirie.
2.Zoja Gulieva (Smirnova), për tradhti ndaj atdheut në formën e spiunazhit sipas nenit 64/12 të Kodit Penal dhe për agjitacion e propagandë neni 73/1 e 12 të Kodit Penal duke e dënuar me 15 vjet heqje lirie.
3.Nina Pumo (Nagavica), për tradhti ndaj atdheut të kryer në formën e spiunazhit në bazë të nenit 64/12 të Kodit Penal dhe për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, neni 73/1 të Kodit Penal duke e dënuar me 14 vjet heqje lirie.
Faksimile X
Janulla Rrapi denoncon në hetuesi si dëshmitare dy gra me kombësi ruse
Arkivi i Ministrisë së Brendshme
Faksimile XI
Janulla si kallëzimtare në hetuesi kundër dy grave ruse
Arkivi i Ministrisë së Brendshme
Faksimile XII
Drejtoria e Sigurimit e Tiranës propozon internimin e Janulla Rrapit
Arkivi i Ministrisë së Brendshme
Sipas dokumentit, shkak i internimit bëhet dennocimi nga shtetasi P. Nina. Shënohet se J. Rrapi ka qenë nën kontroll (lexo: bashkëpunim) të Sigurimit, se, veç prostituimit me pagesë, ajo shoqërohej me diplomatë dhe shtetas të huaj, si: rusë, italianë, çekë, iranianë, turq etj.
Faksimile XII
Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Dosja nr 646, viti 1989. Drejtoria e parë e Sigurimit të ushtrisë. Janulla Rrapi e përdorur nga Sigurimi si dëshmitare për gratë ruse.
Kreu VI
Përndjekja në letërsi dhe në arte gjatë komunizmit
- Kthesa e dhunshme në kulturë
Ndryshimi politik i vitit 1944, vendosja e regjimit komunist, do të sillte fatkeqësi deri dhe zhdukjen përgjithmonë nga jeta të shumë individëve, eleminimi nga jeta sociale të disa shtresave dhe klasave të shoqërisë së atëhershme shqiptare, fashitjen e dokeve dhe të zakoneve tona tradicionale. Shqipëria u përball me një shtet të dhunës, i cili në emër të luftës ndaj një bote të vjetër për t’i lënë vendin një bote të re, në emër të luftës për ndërtimin e një shteti të të varfërve, kundër atyre që ishin të pasur, përmbysi gati gjithë raportet pronësore dhe sociale dhe i vuri në mjerim, në burgje e deri në majë të bajonetës të gjithë ata që e kundërshtuan hapur ose dhe ata që ishin të paragjykuar për t’u quajtur armiq, kriminelë, reaksionarë.
Ndryshimi rrënjësor preku dhe sferën e kulturës. Komunistët ndryshimin e kuptonin si ndërrim të thellë në jetën shpirtërore, në filozofinë dhe në mënyrën e të jetuarit. Gjithë të tjerët, veç komunistëve, quheshin njerëz të botës së vjetër që fillimisht duheshin duruar, por gradualisht duheshin ndërtuar e ndryshuar në përputhje me vizionin e komunistëve për një njerëzim tjetër, të ri. Për të realizuar këtë ndërrim gati apokaliptik shkrimtarët dhe artistët u thirrën nga politika që të prodhonin në art dhe në letërsi modele të këtij njeriu të ri.
Kauza komuniste e revolucionit ishte e detyrueshme për të gjithë, ndaj aparatet e dhunës ishin përherë në këmbë, për të gjithë, sidomos për ata që i rezistonin kësaj fryme të re.
Ndryshimi nuk preku vetëm prodhimtarinë artistike të ditës, por dhe gjithë trashëgiminë letrare e kulturore të së kaluarës. Gjithë sa ishte krijuar më përpara do të shikohej me dyshim, do të shkohej në sitën e hollë të përzgjedhjes e deri në mohimin e saj.
Ky ndërrim ishte tragjik për shumë nga intelektualët krijues që vinin nga vitet ’30, intelektualë me prirje evropiano-perëndimore, ku edhe ishin shkolluar e formuar. Po ndërpritej kështu një traditë kulturore e atdhetare me prirje nga liria individuale, nga dëshira për të krijuar të bukurën, estetiken, artin brenda natyrës së tij, brenda pavarësisë krijuese që siguron lulëzimin e prirjeve origjinale.
Do të kufizohej dhe do të shihej shtrembër literatura fetare dhe gjithë trashëgimia tjetër me prirje dhe me frymëzim të tillë. Më vonë, pas vitit 1967, ushtrimi i fesë, institucionet dhe profesioni i fetarit u ndaluan me ligj.
Krijimtaria botërore e krijuar në shekuj do t’i nënshtrohej përzgjedhjes mbi bazën e ndarjes në letërsi dhe art përparimtar dhe në letërsi dhe art reaksionar. Kështu do të ndaheshin shkrimtarët, piktorët, muzikantët e traditës botërore që nga fillimet. Kjo ndarje solli ndërprerjen e komunikimeve me letërsinë, artet, filozofinë dhe estetikën e Europës Perëndimore. Pothuaj gjithçka aktuale me burim prej këndej konsiderohej reaksionare, borgjeze, armiqësore, e rrezikshme.
Në këtë frymë, të mbizotëruar nga pikëpamja leniniste e vështrimit materialist të jetës dhe të historisë, u hartuan dhe tekstet mësimore, tekste që do të përgatisnin njeriun e ri dhe shoqërinë e re. Shembujt për këtë u morën nga Moska. Shkenca, letërsia dhe artet sovjetike u shpallën më të përparuarat në botë. Për një kohë të gjatë pothuaj të gjitha tekstet shkollore, deri dhe ato për biologjinë, kiminë, psikologjinë, pedagogjinë, letërsinë e huaj, historinë, gjeografinë, gjeologjinë e fizikën kanë qenë përkthime të teksteve sovjetike. Kjo jo vetëm se shumë nga mësuesit e pedagogët u dërguan për shkollim në Rusi, por mbi të gjitha për atë fillin e kuq marksist-leninist që duhet të ndihej edhe në shkencat e natyrës jo vetëm në ato shoqërore.
Model për shkrimtarët u shpall letërsia sovjetike e realimit socialist dhe predikohej hapur imitimi i saj prej shkrimtarëve shqiptarë.
Letërsia dhe artet duhet të pasqyronin jetën, por edhe të propozonin ndryshimin e saj. Në filozofi kjo quhej art që i shërben revolucionit, shoqërisë, një prodhimtari ku vlerësohet mesazhi përmbi vlerat estetike, në praktikë ishte vënie në jetë e tezave leniniste, sipas të cilave arti është levë dhe burmë në punën e partisë, pra, jo art, por propagandë partiake. Mbi këto baza filloi eliminimi i gjithë atyre letrarëve dhe i librave të traditës që nuk shkonin me propagandën e regjimit. Librave të padëshiruar iu ndalohej botimi, krijuesit e padëshiruar i nënshtroheshin mënjanimit të detyruar nga jeta krijuese, burgimit, internimit, dërgimeve në punë të përbuzura, ekzekutimit.
Kështu Gjergj Fishta(1871-1940), Faik Konica (1875-1942), Zef Skiroi (1865-1927), Ernest Koliqi dhe të tjerë ishin shkrimtarë të anatemuar e të përjashtuar nga botimi dhe nga përfshirja në tekstet e historisë së letërsisë shqiptare. Veç shkrimtarëve të anatemuar, kishte dhe shkrimtarë të mënjanuar si klasiku i gjallë i letërsisë së atëhershme shqipe, Lasgush Poradeci etj. Edhe shkrimtarët e tjerë botërorë apo kombëtarë, të pranuar nga regjimi, kurrë nuk botoheshin në të gjitha veprat e tyre. Botimet e tyre shoqëroheshin nga studime a parathënie ku viheshin në dukje “kufizimet ideore”. Naim Frashërit, poetit më të publikuar nga ajo kohë, asnjëherë nuk iu botuan veprat me “kufizime ideore”, si: “Qerbelaja”, “Fletore e bektashinjve” etj.
Krahas kësaj krasitjeje, filloi rekrutimi i artistëve të quajtur të rinj, i atyre që vinin nga malet dhe i atyre që në vitet tridhjetë kishin prirje nga e majta.
U ndaluan shtëpitë botuese private dhe gazetat private, u krijua Lidhja e Shkrimtarëve si organ kontrolli për shkrimtarët dhe kështu gjithë krijimtaria që publikohej iu nënshtrua vetëm një dore, dorës së shtetit.
Kritika letrare merrte porosi nga partia për veprat që do të lavdëroheshin dhe për ato që do të ndëshkoheshin.
Shkrimtarët që erdhën nga vitet ’30, e konformuan procesin krijues me regjimin, me metodën e realizmit socialist.
Organizatat e partisë në të gjitha institucionet shtetërore krijuese vigjilonin dhe ndalonin ose lejonin publikimin e librit, muzikës, pikturës a filmit. Jeta artistike u nën një këmishë force, nën një terror të ftohtë por të pandërprerë, ku shoku përgjonte shokun për të gjuajtur ndikimet e huaja, shkeljen e normave të shpallura të partishme. Përgjimet, spiunimet, kongreset, plenumet, mbledhjet, orientimet e drejtorisë së shtypit në Komitetin Qendror që merrte në analizë ndonjëherë dhe gati në çdo muaj prodhimtarinë, përbënin klimën krijuese dhe shkencore për gjatë gjithë kohës së komunizmit.
- Një parantezë
Këtu do të hap një parantezë. Prapë krijimtaria letrare dhe shkencore e krijuar nën komunizëm ka vepra që e tejkalojnë kohën e komunizmit. Arti i vërtetë del mbi kohët. Parime të rrepta krijuese të imponuara ka pasur në disa periudha historike të shoqërisë njerëzore. Edhe Molieri ka qenë një shkrimtar tipik klasicist, por veprat e tij prej atëherë e deri sot i përkasin gjithë njerëzimit. Edhe perandoria romake ka pasur shkrimtarët e saj të preferuar dhe ata të ndëshkuar. Edhe arti bizantin e mesjetar kanë pasur kanune që e kufizonin shkrimtarin, piktorin dhe muzikantin. Edhe nazistët kishin normat e tyre për artin. Por prej gjithë këtyre kohërave kanë ardhur letrarë e artistë të shquar. Letërsia, piktura, muzika mund të ngjajnë se janë krijuar që t’i shërbejnë një kohe të caktuar, por veprat e talenteve të mëdha dalin përtej kohëve që i krijuan. Kjo ka të bëjë me natyrën e brendshme të artit. Veprat e mëdha, edhe kur duket se janë të pranueshme vetëm për një kohë, në thelb janë të ndërtuara me parimet universale e të përjetshme, sipas modeleve të krijuara nga artistët e mëdhenj të të gjitha kohërave. Si të tilla, ato i mbeten thesarit të letërsisë dhe të artit botëror a kombëtar.
- Përndjekja në vitet e para
Më poshtë do të ndalem te ata shkrimtarë dhe artistë që u ndëshkuan prej komunizmit.
Përndjekja ka qenë valë-valë dhe ka përshkuar gjithë kohën e komunizmit. Në fillim u përndoqën ata që u quajtën reaksionarë me damkë dhe që “revolucionin” nuk e pranonin. Artistin në cilëndo shoqëri mund ta konsiderosh një ëngjëll, në kuptimin një qenie që punon me lëndë nga bota shpirtërore. Qenie të tilla në një komb të varfër si ky yni, ku artisti kurrë nuk arrin të shpërblehet për punën e tij, duhet të rrethohen me mirënjohje. E them këtë se shumë nga krijuesit që tradicionalisht e kanë mbajtur ndezur qiririn e artit tek ne, kanë pasur jetë tragjike. Shqipëria që nga krijimi i saj si shtet, por edhe më parë, i ka ushqyer fëmijët e saj me ndjenjat e moralit, të atdhetarisë, të së bukurës me penën e shumë shkrimtarëve të shquar që nga Budi dhe Bogdani, nga De Rada e Serembja, nga Naimi dhe Fishta, nga Konica, imzot Prenushi dhe imzot Noli, nga Asdreni dhe Gjeçovi, nga Koliqi dhe Kuteli. Por këta shkrimtarë, në të shumtën e rasteve, nuk e kanë pasur a nuk e kanë ende edhe sot një pëllëmbë dhé për varrin e tyre në këtë vend.
Artistët e shkrimtarët që u përndoqën nga komunizmi, qenë fatkeqë se i përkitën një kohe fatkeqe për ata dhe për të gjithë ata që e jetuam atë.
Të parët ndër shkrimtarët dhe intelektualët e përndjekur qenë nga ata që u përkisnin grupimeve politike që ishin të predestinuar për t’u kositur. Intelektualët që kishin bërë shtetin shqiptar në vitet tridhjetë, ata që kishin shkëlqyer në letërsi dhe në shkencë, vetëm se gjatë luftës ishin përfshirë në formacione politike të tjera, u quajtën armiq dhe me gjyqe speciale komuniste u shkuan në plumb. Ata mbase duhet të merrnin një mirënjohje shtetërore dhe një pension shtetëror se kishin shërbyer në shtet, por u shpërblyen me plumb. Disa që arritën të largohen nga ky vend, u dënuan në mungesë, u shpallën kriminelë dhe u ndaluan të kthehen në atdhe. Të tillë qenë disa nga anëtarët e Institutit të Studimeve Shqiptare, një bërthamë akademie mund ta quash, ku bënte pjesë E. Koliqi (1903-1975), M. Kruja, Karl Gurakuqi (1895-1971), Namik Resuli (1908-1985) etj. Ata, veçan politikës, kanë kontributin e tyre të pashlyer në shkencën e albanologjisë, të cilin e vazhduan dhe në emigracion. Një intelektual shumë i hollë, si Lef Nosi (1873-1945), etnograf dhe bibliofil, u pushkatua nga gjyqet speciale të viti 1945.
Sëpata si rrallë kund tjetër ra mbi atë që është quajtur qarku letrar katolik i Veriut të Shqipërisë. Varri i poetit kombëtar Gjergj Fishta u dhunua, emri i tij tashmë do të ishte i frikshëm. Do të shpallej reaksionar dhe i zi, si ai. Klerikë të tjerë, savantë të shquar do të fashiteshin nga historia e kulturës sonë përgjithmonë. Vinçenc Prenushi (1865-1949 ), një figurë prej rilindasi, arqipeshkv i Durrësit, poet i njohur, arrestohet ndër të parët, dënohet me njëzet vjet burg, vdes nga torturat më 1949. Dramaturgu Ndre Zadeja (1891-1945), poeti dhe përkthyesi Dom Lazër Shantoja (1892-1945), poeti atë Bernardin Palaj (1884-1947), patër Anton Harapi (1888-1846), publicisti Gjon Shllaku (1907-1946) arrestohen, torturohen dhe ekzekutohen. Këta janë martirët e kasaphanës së viteve të para komuniste. Me kohë teologët, mësuesit, veprimtarët e kësaj kishe, kishë prej nga kemi dhe kardinalin e parë shqiptar, imzot Mikel Koliqin (1911-1997), një muzikant krejt origjinal, do të pësojnë ndëshkime rrënuese, burgime të përjetshme dhe mizori të pandërprera. Një prift po i kësaj kishe do të shkojë në litar në vitet shtatëdhjetë vetëm se pagëzoi në fshehtësi një fëmijë në kampet e punës në Lushnje.
Pas klerikëve katolikë për nga përndjekja radhiten klerikët bektashinj me kryegjyshët e tyre të pushkatuar, por edhe kleri ortodoks me ekzekutimin e imzot arqipeshkop Visarion Xhuvanit, të peshkop Irene Banushi dhe imzot Kristofor Kisit (zhdukur në mënyrë të dyshimtë). Dënime të rënda morën klerikë të tjerë më të ulët në rang. Më 1948 do të pushkatohet në Gjirokastër Baba Ali Tomorri (1893-1948), pseudonim i Ali Abas Skëndit, poet, publicist, teoricien dhe veprimtar bektashian, autor i gjashtë librave.
Dramaturgu Kristo Floqi (1873-1951) arrestohet menjëherë pas luftës dhe vdes në burg. Të tjerë, si: folkloristi atë Donat Kurti (1903-1969), romancieri Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), përkthyesi dhe publicisti Lazër Radi (1916-1998) me mbi dyzet vjet burg dhe internim, botuesi Nebil Çika (likuiduar më 1944), botuesi Ibrahim Dalliu (1878-1952) morën përsipër vdekjen apo urrejtjen dhe përndjekjen e përjetshme të atij shteti. Themi urrejtjen e përjetshme të shtetit se emri i të ndëshkuarve si të tillë fshihej përgjithmonë nga historia e kulturës. Madje njolla e ndëshkimit politik binte si pasojë dhe mbi familjarët e trashëgimtarët. Trashëgimtarëve të tyre iu ndalohej shkollimi universitar dhe nëpunësia. Mbas lirimit prej burgut politik të hiqej e drejta e botimit. Librat, filmat e autorëve të burgosur viheshin në indeksin e veprave të ndaluara. Komunistët shqiptarë nuk e njihnin institucionin e rehabilitimit.
Këtë fat tragjik do ta kishin dhe dy shkrimtarë të tjerë, Musine Kokalari (1918-1983) dhe Ethem Haxhiademi (1902-1965).
Musine Kokalari më 1941 mbaroi “con lode”, shkëlqyeshëm, Universitetin mbretëror të Romës, u laurua Doktore në Letërsi. Botoi librat “Siç më thotë nënua plakë” (1939) dhe “Rreth vatrës” e “Sa u tund jeta” më 1944. Në vitet 1943-44 tentoi të formojë një parti socialdemokrate. Dy nga vëllezërit e saj, pronarë të një shtypshkronje, u eliminuan nga komunistët në hotel Bristol në prag të çlirimit të Tiranës. Në janar 1946 Musinenë e arrestojnë dhe e dënojnë me njëzet vjet burg me akuzën se donte të rrëzonte pushtetin. Musineja u kishte dërguar një notë përfaqësive të forcave aleate në Tiranë, ku, veç Frontit komunist, kërkonte dhe pjesëmarrjen e partive të tjera në zgjedhjet e vitit 1945. Më 1961 e lirojnë nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. E vunë të bëjë punë të rënda në ndërtim dhe në komunalen e këtij qyteti. Më 1980 iu shfaq kanceri në gji. Gati pa mjekim, e braktisur nga të gjithë, vdiq më 1983 dhe, si e ndëshkuar, u varros pa njeri nga komunalja e qytetit të Rrëshenit. 37 vjet e dënuar me punë të rëndë, në burg dhe në internim. Fat më të zi se të sajin nuk mund ta gjesh te asnjë shkrimtare tjetër e botës komuniste.
Ethem Haxhiademi një tragjedian i drejtimit të neoklasicizmit, një nga anëtarët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve, vetëm se i përkiste udhëheqjes së lartë të Ballit kombëtar, arrestohet më 1947; dënimi me vdekje iu kthye në burgimim të përjetshëm. Vdiq më 1965 në burgun e Burrelit ku u mor dhe me përkthime.
Në vitet e quajtura të Koçi Xoxes terrori mbi intelektualët do të përfshinte gjithë intelegjencën tjetër, si: mësues, shkencëtarë, historianë, pianistë, piktorë. Janë me qindra ata muzikantë, piktorë, teknikë e gazetarë të një rangu jo kaq të shquar sa emrat që përmendëm më lart, që i detyruan të lënë profesionin, u burgosen, dhe mbeten keq për bukë të gojës, nga që i degdisën në punëra të rënda krahu.
Në këtë klimë terrori shumë nga intelektualët e mbetur gjallë nga e kaluara, por që vepra u mohohej dhe u denigrohej, të tillë si Lasgush Poradeci (1899-1987), një nga poetët më të shquar të letrave shqipe, nuk u morën më me letërsi, iu kthyen përkthimit, për të nxjerrë bukën e gojës. Pas burgimeve, me përkthime u morën Mitrush Kuteli dhe poeti Kudret Kokoshi (1907-1991), i cili gjatë luftës ishte burgosur nga fashistët, por u burgos 19 vjet edhe nga komunistët.
Poeti Manush Peshkëpia (1910-1951) u burgos e më pas u pushkatua me rastin e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike.
Përkthyesi Jusuf Vrioni (1916-2002), shkrimtari M Greblleshi (1922-1986), gjuhëtari Selman Riza (1909-1988) pësuan burgime e mënjanime nga jeta krijuese.
Përndjekja do të zërë Arshi Pipën (1920-1997), një emër në kritikë, i diplomuar me “cum laude” për filozifi në universitet italiane. Vëllai i tij u pushkatua. Vitet e burgur Pipa do t’i përjetësojë në disa sonete mjaft ekspresive. Mitrush Kuteli (1907-1968), një nga shkrimtarët më mjeshtërorë të prozës shqipe, kritik i shquar dhe poet, do të degdiset burgjeve i dënuar me punë të rëndë. Prej andej ka shpëtuar paq, nga që njëri nga gardianët desh e varrosi për së gjalli. E shtyu në një kanal dhe e groposi aty derisa dheu i erdhi deri në fyt.
- Shkrimtarë komunistë të përndjekur
Komunistët, pasi i lanë hesapet me ata që i quanin reaksionarë me damkë, do t’iu ktheheshin të vetëve. Me kohë e pëson Sejfulla Malëshova (1900-1971) dhe Mark Ndoja (1912-1972), i cili pas një internimi të rëndë nuk e ngriti më kokën nga sëmundja deri sa vdiq. Vitet e fundit të jetës Mark Ndoja ia kushtoi përkthimeve nga Horaci dhe përkthimit të Ferrit të Dantes.
Sejfulla Malëshova, ish-sekretar i kryeministrit Fan Noli në vitet ’20, doktor i shkencave në filozofi dhe pedagog filozofie në Moskë, një nga krerët e lartë komunistë gjatë luftës, ministri i parë kulturës pas luftës, poet, përkthyes i shquar, leksikograf, vetëm se pikëpamjet e tij liberale ishin jo në përputhje me vijën politike të Partisë, u internua në Fier. Punoi mbi dhjetë vjet në një magazinë barakë dhe vdiq i vetmuar në spitalin e Fierit. Në grahmat e fundit, i sëmurë me kancer në stomak, i lënë pa mjekim, ai i ndaloi mjekët që të ndërhynin. Ishte vonë. E varrosi komunalja e qytetit. Fjalori rusisht-shqip i vitit 1957, një nga veprat më të mira të leksikografisë shqiptare, u botua pa emër autori, se ishte punë e Sejfulla Malëshovës. Proza e M.Gorkit, Zgalemi, për dyzet vjet botohej në antologjitë e shkollave të mesme pa emrin e përkthyesit S.Malëshova.
Edhe Kasëm Trebeshina (l.1926) është në këtë vazhdë: oficer i lartë i Sigurimit, punonjës në Ministrinë e Industrisë, student për aktor në Leningrad, aktor në Teatrin Popullor, redaktor në Lidhjen e Shkrimtarëve, burgoset rreth një vit, internohet, mësues në Gramsh, rehabilitohet në vitet ’60 dhe boton një poemë dhe një dramë… përkthyes në ndërmarrjen e botimit “Naim Frashëri”… më 1981 burgoset për së dyti. Mbase Kasëm Trebeshina u vu në mëri me shtetin dhe me vetveten, që kur e hoqën nga kariera e ushtarakut, e vetmja punë ku ai ka kërkuar të rikthehet. Të gjitha punët e tjera, edhe shkollimin, ai i ka ndërprerë prej përplasjeve me shefat. Duke i ofruar pesë-gjashtë vende pune dhe rehabilitim, diktatura atë e ka toleruar si asnjë tjetër. Pas një poeme për Stalinin në vitet ’50, pas dy veprave të realizmit socialist në vitet ’60, veprat e tjera në prozë dhe në poezi të Trebeshinës janë publikuar pas ’90-tës. Disa nga këto vepra, vepra që shërbyen si material akuze për burgimin e fundit, vetë policia ia ka kthyer në shtëpi.
Viktor Stratobërdha, ish-partizan, kineast i studiuar në akademitë më të mira të artit në Rusi, asistent regjisor i filmit Skënderbeu, regjisor i filmit të parë shqiptar “Fëmijtë tanë” (film tashmë i zhdukur), pas Konferencës së Tiranës (1956) dërgohet në Berat. Punoi në fillim si regjisor estrade, pastaj në gurore. Pas burgut, punoi në fermë. Më 1991 emigroi, vdiq 76 vjeç në Kanada më 1998.
Petro Marko (1913-1991), një antifashist ndërkombëtar, u burgos nga komunizmi më 1947, më pas iu ndaluan veprat dhe e pësoi rëndë me ndëshkime të tjera familiare. Ai mbetet në veprat e tij një krijues sa konformist aq dhe antikonformist, falë natyrës së tij rebele.
Një shkrimtar komunist me tesër dhe me zemër, si Kin Dushi (1922-1994), autor i disa novelave dhe i romanit “Një emër në mes të yjeve” vuajti gjatë në burg nga që lufta e klaneve komuniste për pushtet shpesh, për të mos thënë gjithmonë, vihej përmbi parimet e mëdha e të deklaruara të kauzës së komunizmit. M. Myftiu (l.1931) do të burgoset dhe pas viteve ’90 do të botojë një roman të ndaluar.
Ibrahim Uruçi, dramaturg i njohur në atë kohë, pas goditjes për liberalizëm në kulturë më 1973, nga kryeredaktor i gazetës “Drita”, nga sekretar i partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve u dërgua të punojë si fshesar i rrugëve në qytetin e minatorëve, në Memaliaj. Nuk e kthyen më në Tiranë. Vdiq i parehabilituar, i braktisur dhe nga familja.
- “Biografia” si shkak përndjekjeje
Martin Camaj (1925-1992) dhe Sami Repishti (l. 1924) pas përndjekjeve do t’ia dalin që të arratisen nga ky vend, për t’u bërë emër në diasporë. Këtë fat do të ndjekë më pas dhe Bilal Xhaferi (1935-1986), megjithëse vdekja e ndërpreu shpejt.
Pas këtyre përndjekjeve në vitet dyzet dhe pesëdhjetë, përndjekja prapë do të mbetet vazhdë për njerëzit e letërsisë dhe të arteve, sadoqë njerëzit mësuan të konformohen me regjimin.
Që atëherë të merreshe me letërsi e me art duhet të kishe një prejardhje familjare të pranueshme nga shteti. Atyre që konsideroheshin, siç thuhej atëherë, me biografi të keqe, nuk iu botoheshin krijimet, nuk mund të luanin muzikë apo të pikturonin. Zef Zorba (1920-2003), një poet formalist nga Shkodra, pas burgut, do të bëjë punë të rëndomta; poezitë e tij u botuan pas vitit 1991. Pas vdekjes, më 2002, botohen poezitë e tregimet e Mihal Hanxharit (vdekur më 1999), një punonjës biblioteke në kryeqytet, i cili kishte shkruar në fshehtësi. Astrit Delvina (1920-1990), kish studiuar për mjekësi në Itali, burgoset, në hetuesi deklarohej hapur se ishte kundër realizmit socialist. Pas vdekjes në internim i janë botuar disa romane, të nxjerra nga dosja hetimore që e çoi në burg. Poetit dhe publicistit Izet Shehu (l.1942), për arsye të prejardhjes familiare, libri i parë iu kthye në karton dhe u ndalua të shkruajë gjatë kohës së komunizmit. Gëzim Hajdari (l. 1957 ), me prejardhje kulakësh, tani në Shqipëri dhe në Itali ka botuar poezitë e tij në dy gjuhë dhe ka marrë çmimin Montale. Poeti dhe përkthyesi Jorgo Bllaci (1938-2002) nuk botoi më pas burgimit.
- Vitet 70
Me ndëshkimin për pikëpamje liberale në kulturë të dy anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë, të F. Paçramit (l.1922) dhe të T. Lubonjës (1923-2004), më 1973, do ta pësojnë shumë shkrimtarë, piktorë, këngëtarë, regjisorë, publicistë etj. Disa do të shkojnë në burg e të tjerë në punëra të rënda, në miniera, në kooperativa. Ndër këngëtarët operistikë do të përmendim Stavri Rafaelin dhe Lukë Kaçajn (1924-2001), një bariton që mund të kishte fat botëror për aftësitë e tij vokale dhe skenike. U burgosën dhe u flakën nga jeta krijuese. Kujtim Spahivogli (1932-1987), ish-partizan dhe komunist, pas ndëshkimit me punë të rëndë, nuk u kthye më në teatër. Ai ishte regjisor e pedagog i shquar, ishte dramaturg, teoricien i teatrit dhe poet. Vdiq i vetmuar. Mihallaq Luarasi, regjisor i shquar i viteve ’70, dhe dramaturgu Minush Jero (1932-2006) pas burgimit, do të bëjnë punë krahu. Mihallaqi dhe e shoqja, aktorja Edi Luarasi, u kthyen në skenë pas viteve ’90. Me burg u ndëshkuan piktori Ali Oseku (l. 1944), arkitekti dhe piktori M.Velo (l. 1935). Piktori i talentuar E Gjergo (1938-88) pas burgut vdiq në depresion dhe i alkolizuar. U përjashtuan për gjithmonë nga skena shpesh për një këngë të kënduar jo në përputhje me shijet zyrtare këngëtarë si: Besnik Taraneshi, Alida Hisku, Sherif Merdani, i cili vuajti edhe burgimin. Në vitin 1972 Viktor Gjoka (vdekur më 2007), aktori më i njohur komik i kohës, do të përjashtohej përgjithmonë nga skena se u nda nga gruaja dhe u martua me një më të re.
Gaspër Çiurçia (1934-1985), instumentist brilant, kompozitor, orkestrues, drejtuesi i një orkestre frymore xhazi, orkestër par excellence atëhere në Shqipëri, pas goditjeve në kulturë më 1973, u përjashtua nga Radio Tirana, punoi si elektricist, si roje objektesh. Më 1983 realizoi evolimin dhe përshtatjen për të luajtur muzikë ritmike të veglave muzikore tradicionale të tilla, si: çiftelia, lahuta, bakllamaja ejt. Krijoi familje orkestrale për secilën nga veglat më sipër sipas tipit të orkestrave të buzukut grek apo të balalajkës ruse. Kjo punë prej specialistëve iu vlerësua shumë, por iu hodh poshtë nga politika. Pas kësaj Gaspër Çiurçia ra në depresion dhe gjeti një mënyrë tjetër për të vrarë veten. U përfshi në një grup që falsifikonte bileta udhëtimi me tren. Të vetmin nga ai grup pushkatuan Gasprin, që mbase ishte fare rastësisht midis tyre. Familja e tij, gruaja dhe tre djemtë, u internua në një fshat pranë malit Tomorr deri më 1991. Gaspër Çiurçia vinte nga një familje shkodrane intelektualësh e pronarësh të shpronësuar nga komunizmi.
Në mënyrën e vet përndjekjen e kanë provuar shumë shkrimtarë me ndalime veprash, me ulje në detyrë, me vënien e emrit ndër ata që shihen shtrembër nga regjimi. Burgimin e gjatë e provuan dhe poeti Frederik Reshpja (1941-2005), poeti V. Zhiti (l. 1952), prozatori Bashkim Shehu (l.1955), Z.Morava (1946). Poeti V. Qurku (1941-1983), pas largimit nga gazeta “Drita”, ra në depresion dhe vrau veten.
Do pasur parasysh dhe kategoria e atyre që partia i ndëshkonte, duke i quajtur prapë “njerëzit tanë”. Këta ndëshkoheshin për të venë mend, për t’u bërë më të konformuar me kërkesat e propagandës në art. Si të të ndëshkuar kësisoj, ata bëheshin më të popullarizuar, më të lexuar nga publiku. Pas ndëshkimeve, shkruanin vepra më pro regjimit dhe merrnin shpërblime vlerësuese shtetërore. Ndër këta që quheshin “tanët” mund të hyjë dhe Kasëm Trebeshina. Kur Maks Velos dhe të tjerëve ua digjnin pikturat dhe romanet, Trebeshinës edhe veprat kundra regjimit ia çonin në shtëpi.
- Shteti vrasës i shkrimtarëve
Në anën tjetër, rruga në art e në letërsi është e larë me gjak gjatë gjithë kohës së komunizmit. Kjo mund të jetë e pashembullt në gjithë Lindjen. Komunizmi shqiptar i ka pushkatuar artistët që në çastin që vuri këmbët në krye të regjimit në Shqipëri dhe deri në frymën e fundit të tij. Kjo histori gjaku do të thotë shumë. Do të thotë se sa e vështirë ka qenë të ishe shkrimtar nën atë regjim. Do të thotë se sa armik i lirisë dhe i lirisë krijuese në veçanti, ishte ai shtet.
Ai shtet i shkonte në plumb dhe në litar artistët e tij. Pas të pushkatuarve të viteve 1945-50, më 1963 do të pushkatohet poeti ushtarak Trifon Xhagjika (1932-1963) nga Peshtani i Tepelenës. Vëllai i tij, Ylli, mjek, vuajti dhjetë vjet burg vetëm se gjatë dhënies së dënimit me ekzekutim bërtiti: “Mbahu, vëlla!”. Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprencka u pushkatuan në vitet ‘70. Vangjush Tushi, piktor, në këto vite vdes në burg. Megjithëse jemi në fund të viteve shtatëdhjetë, pushkatimet vazhduan. Vriten në lule të moshës dy poetët e rinj nga Bërzeshta e Librazhdit, Vilson Blloshmi (1948-1977) dhe Genc Leka (1940-1977). Kjo vazhdë e shkuarjes në plumb dhe në litar do të mbyllet në mënyrën më të përzishme në vitin 1988, gati dy vjet para se të bjerë regjimi, me varjen në litar të poetit të burgosur Havzi Nela (1934-1988).
Disa nga shkrimtarët e burgosur si: Uran Kostreci (l.1938), Visar Zhiti, Maks Velo, Fatos Lubonja tashmë kanë shkruar letërsi me tema nga burgjet. Nuk mund të mos ta përmendësh dhe Uran Kalakullën (vdekur më 2001) me librin “Njëzet vjet burg komunist”. Ky i përndjekur në pak vite, arriti të shkruajë libra, monografi shkencore dhe publicistikë. I kësaj rruge qe dhe Pjetër Abnori (1935-2006) që bëri të njohur romane dhe novela të nxjerra nga telat e burgjeve. Po ashtu Pano Taçi (l.1935) ka sjellë një poezi të pazakontë në vitet e lirisë. Padre Zefi Pllumi (1924-2007) me librat e tij sidomos me librin “Rrno vetëm për me tregue”, dëshmoi për energjinë e pashterrur të njeriut, dëshmoi ringjalljen e ndritur të traditës së katolicizmit shqiptar. Një dëshmi kjo, si dhe shumë të tjera nga ato që përmendëm më lart, se rrënjët e kulturës sonë nuk u thanë nga ngrica dhe tmerri komunist që e përfshiu gjatë këtë vend.
Më së fundi eksperimenti komunist dështoi në shkallë botërore. Dështoi një sistem që nëpërmjet inxhinerisë sociale donte të bënte një botë të re, një njeri të ri. Shkrimtarëve ky sistem iu kishte vënë mbi supe barrën që të ishin inxhinierë të shpirtrave. Detyrë që nuk arrihet asnjëherë, veç që mori më vete shumë shkrimtarë dhe artistë, i përndoqi egërsisht, i çoi në plumb dhe në litar.
Kreu VII
Shembuj të çuditshëm
Pse nuk u bë qytet fshati ynë
Një fragment nga ky tregim:
“Se nuk është gjë e vogël t’i humbasësh varrin njeriut që mban në kokë tas me brirë cjapi. U përpoqën më vonë shkronjëtarët më të zellshëm që t’i gjenin një anë asaj pune. Dhe çfarë nuk shpikën dhe nuk thanë. Sikur atje nën rrobën e kuqe të Çezarit kishin qenë eshtrat e atij që grabiste kopshtet e zarzavateve. Sikur armiqtë e fshatit tonë i kishi thyer ato kocka dhe i kishin ndarë për t’i varur në qafë. Sikur ata që do t’i varnin ato kocka nuk do të vriteshin në luftëra dhe as vdisnin kurrë.
Bre, çfarë u thanë dhe nuk u thanë vetëm e vetëm si të gjenin një domethënie për humbjen e atij varri. Po, po. Varri humbi se në fshatin tonë ua kanë ndërruar disa herë vendin atyre varreve. Mirëpo përsëri puna ngec, si ngec? Po ja. Ai që mbante brirë cjapi na u ngatërrua me një që mbante bishtra kuajsh. Sigurisht për punë të zarzavateve ose të ndonjë dhije. Se që të dy ishin të zotë shumë. U ngatërruan keq. Më në fund një nga ata të bricjapit e vrau me pushkë të gjatë bishtkalin. Gjer këtu puna nuk ka gjë të ngatërruar, se me pushkë të gjatë tjetri të vret. Por… ja ku është halli. Iku njëri, vdiq edhe tjetri. Njërit jo vetëm që nuk i humbi varri, por i ndezën qirinj për një kohë të gjatë sa nuk mbahet mend, kurse tjetrit ia thyen eshtërat e i varën në qafë. Të thuash se nuk ishin të zotë nuk e thua dot, se për punë lakrash e bostanesh shokë nuk kishin. Vetëm se më i zoti nga të gjithë ishte ai burri i botës me rrobe të gjatë. Ai shkroi një libër shumë të bukur dhe aty të gjitha llojet e zarzavateve i ktheu në njerëz dhe atij njeriu me brirë cjapi ia shtoi aq shumë luftërat me zarzavatet, sa aty u përmendën jo vetëm lakrat dhe lëpjetat e fshatit tonë, por u radhitën edhe hithërat që bëhen në klimën e nxehtë të Tinglimajmunit. Dhe sikur nuk mjaftonin gjithë ato lloje zarzavatesh, ai shkronjtari vuri aty edhe një dem të egër, që burri i botës me brirë cjapi e preu përgjysmë në vend.
Trimëria burazer është punë e madhe dhe këto të gjitha janë trimërira që i kalojnë trimëritë. Dhe prapë nuk ndihmuan që atij burri të ndjerë t’i ruhej varri. Nga kjo ka pasur dëme të mëdha fshati ynë edhe sot e kësaj dite të gjithë shkronjëtarët, me syze dhe pa syze, kanë ndeshur në vështirësi të mëdha nga një gjë e tillë.
Nuk është e lehtë ta humbësh tjetrin kur i humbet varri. Apo nuk e keni dëgjuar ju atë mallkimin që bëjnë në fshatin tonë: “Të humbtë varri!”
Nga një e keqe e tillë fshati ynë u pengua shumë që të bëhej qytet.
………………..
Shënime mbi këtë tregim
Tregimi i Kasëm Trebeshinës “ Pse nuk u bë qytet fshati ynë” që nga viti 1994 është i përfshirë në antologjinë “Maja e çelur”, tekst për shkollat e mesme, hartuar nga Gjergj Zheji ( fq.187-191).
Për të marrë vesh se me çfarë tekstesh helmohen nxënësit tanë, po japim përmbajtjen dhe disa nga idetë e këtij tregimi “antologjik”. Tregimi nëpërmjet gjuhës simbolike rreh të vërtetojë se fshati (vendi) ynë nuk u qytetërua kurrë ngaqë në gjithë historinë e tij ai është udhëhequr nga hajdutë dhe kriminelë. Tregimi është një satirë e pamëshirë dhe një tallje e ashpër me të rënët, me Skënderbeun, me Naimin Frashërin dhe me gjithë shkronjëtarët që iu kanë kënduar ngjarjeve dhe figurave kombëtare.
Ironia më e hidhur i rezervohet Skënderbeut.
Tregimi na vë përpara një fshat që ka shumë pasuri, por ato që të gjitha ua grabsin. Duke bërë aluzion për kohën e komunizmit, fshatarëve u marrin edhe dhinë apo dhe delen e vetme. Pastaj u rrafshojnë pyjet dhe shkurret. Fshatarët fillojnë luftërat me njëri-tjetrin. Komandën e merr njeriu që mbante në kokë një tas me ca brirë cjapi. Ai krijon bandën e tij dhe grabit zarzavatet e gjithë fqinjëve, shkul edhe lisin e vetëm të fshatit.
Në këtë fshat bëhet zakon që të ndërrohen herë pas here vendet e varreve (aluzion për ndërrimin e identiteteve). Edhe të rënët e rinj (lexo: dëshmorët e luftës nacionalçlirimtare) nuk e duan lavdinë, rininë e përjetshme të therorisë së tyre. Edhe këta dikur kanë qenë hajdutë fiqsh, mollësh dhe vodhëzash.
Pasi ka parodizuar “Historinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit, (me bricjapin aludohet për Skënderbeun dhe me bishtkalin për Ballabanin) autori vazhdon më tej. Në krye të fshatit ka ardhur një kryeplak që i rrihte njerëzit tri herë në ditë. Ai nis njerëz te një falltar për të shpjeguar “një ëndërr me nishan”. Falltari u thotë se duhet t’i bëjnë një varr për së gjalli Raketakes (aluzion për Enver Hoxhës) se do t’u mbetet dhe ai pa varr si ai i bricjapit. Tregimi mbyllet pa shpresë: fshati duhet të hyjë i gjithë në një pellg se kështu i thotë mendja Raketakes.
Kasëm Trebeshina mund të ketë cilëndo pikëpamje mbi historinë, por këto nuk ka pse të hyjnë në shkollat tona. Idetë fikse kundër Skënderbeut dhe kundër figurave të tjera kombëtare Trebeshina le t’i mbajë për vete. Zhgënjimet a frustimet nga komunizmi nuk duhet të na çojnë deri atje sa të urrejmë gjithë historinë tonë.
Mendime për veprën “Mekami” të Trebeshinës
Gynter Gras, në pleqërinë e tij të thellë, rrëfeu një ngjarje të rinisë së tij, ngjarje që nuk mund t’ia zbulonte dhe nuk po ia kërkonte askush. Ai e bëri këtë për t’u çliruar nga një e keqe, se ky çlirim nga e keqja fillon së pari me vetveten, para se ta kërkojmë atë tek të tjerët.
Ç’ndodh tek ne me ata që kanë bërë një karrierë nën komunizëm? E kërkojnë këta njerëz me një karrierë në atë kohë, çlirimin nga e keqja? Çlirimin duke filluar nga vetvetja.
E kundërta po ndodh. Në librat e tyre, në intervistat që japin, në dossierët e gazetave, ata vazhdojnë ta quajnë njëri-tjetrin të nderuar, vazhdojnë të shprehen me një ton nostalgjik për komunizmin, për punët dhe misionet e larta që kanë kryer. Duke qenë ajo një kohë e fatkeqësisë, fajtorët e këtyre fatkeqësive cilët janë? Duhet të ketë fajtorë? Këtu puna ngec. E shumta, për disa prej njerëzve të ish-nomenklaturës, fajtor për atë periudhë ka qenë vetëm njëri, vetëm diktatori. Fajet fillojnë dhe mbeten vetëm tek ai. Ose mbeten në erë. Te koha… te ne të gjithë…, te sistemi…
Shumë nga njerëzit e kësaj kategorie, për të mos thënë të gjithë, e fshehin të kaluarën e tyre. Disa prej tyre, komunistët që u dënuan nga komunistët, vazhdojnë ta mbrojnë veten dhe të kaluarën e tyre. Gjer në ditën që këta morën ndëshkimin prej shokëve të tyre, komunizmi ishte i mirë. Pas kësaj dite, komunizmi u bë i keq. Nuk ishte i keq atëherë kur ata siguronin privilegje duke i shërbyer me zell Komandantit dhe partisë. Dhe këto privilegje ata i siguronin në dëm të shumicës, shumicë që për ta nuk ekzistonte.
Një palë prej tyre dështimin e komunizmit duan t’ia bëjnë pajë Shqipërisë. Sipas tyre, nuk dështoi komunizmi, ajo që dështoi ishte Shqipëria. Se Shqipëria është një vend pa histori dhe shqiptarët janë popull që nuk meritojnë një vend në histori etj, etj. Mund të mendosh se këta njerëz as e kanë dashur kurrë dhe as e duan edhe sot Shqipërinë. Kanë dashur vetëm privilegjet e tyre. Që kur humbën postet, e humbën Shqipërinë. Dhe e urrejnë atë. Të tillët janë sot e gjithë ditën njerëzit e ish-nomenklaturës dhe disa prej pinjollëve të saj.
Mbetur kështu bosh, pa një të shkuar e me një të ardhme të helmuar nga e shkuara që verbërisht e kanë të mbushur plot me krime, krime që i përkrahën a që i bënë me dorën e tyre, ata e hedhin fajin jashtë vetes. Armiqtë e dikurshëm prapë mbeten armiqtë e tyre. Në librat, në publicistikë vazhdojnë të mbrojnë veten. Në këto libra nuk ka asgjë për t’u penduar.
Dhe vazhdojnë t’i bëhen krah njëri-tjetrit. Fusin në këtë valle dhe veglat e tyre të dikurshme.
Një nga ata që e ka fshehur të kaluarën e tij është Trebeshina. Një nga ata që urren diktatorin komunist është Kasëm Trebeshina. Kjo urrejtje kalon pastaj te shqiptarët, te Shqipëria, te historia e saj. Te gjithë njerëzimi dhe bota… Derisa edhe veten e shpall turk e jo shqiptar.
Trebeshina me kohë grumbulloi brenda vetes një vrer të pashembullt. Aq vrer sa nuk ka ku ta shfrejë më mirë se sa kundër vendit të vet, kundër figurave të tij. Asnjë turku të djeshëm a të sotëm nuk do t’i kishte shkuar në mendje ajo që thotë ai te libri “Mekami”: Shqipëria edhe sot është toka jonë, e turqve, se ne e blemë atë me gjakun e djemve tanë që në shekullin XVI. Kjo është me të vërtetë përtej fuqive të arsyes së njeriut.
Ky i dështuar në idealin e tij komunist, i dështuar dhe si njeri për të bërë një jetë të paqtë dhe në paqe me veten dhe me të tjerët, kullon veç vrer. Themi i dështuar për të jetuar paqësisht, se ai i ka humbur shtatë a tetë punë në komunizëm vetëm e vetëm se përplasej me shefat e tij. Këtë e thotë vetë në një intervistë të datës 25 janar 2007 në “Gazetën Shqiptare”: u përplasa në luftë me shokët e mi dhe i vrava nja dy prej tyre, u përplasa me shefat e Sigurimit, u përplasa në Beograd, u përplasa me profesorët në Leningrad, u përplasa me regjisorin në Tetrin Popullor, u përplasa në Ministrinë e Industrisë, u përplasa me shefin në Lidhjen e Shkrimtarëve, u përplasa në Ndërmarrjen e botimit… Komunizmi me të është treguar zemërgjerë. I ka dhënë kaq e kaq herë punë, edhe pse ai i shkelmonte. Pse i shkelmonte? Se donte të ishte vetë në krye të punëve. Të ishte ai shefi dhe jo njeri tjetër. Dhe po të mos i bindeshin të tjerët poshtë tij, do t’iu vinte koburen në kokë si atyre në luftë. Kushedi ç’diktator i lemerishëm do kishte dalë prej tij, po t’i kishte ecur të merrte pushtet?
Libri “Mekami” është një dëshmi e prekshme si me dorë e kësaj që thamë më lart.
Ngjarjet e librit fillojnë me prishjen e një Mekami diku në fshatrat e Ballshit. Mekami prishet në vitet ’60, kur në gjithë Shpipërinë filloi një histeri antifetare.
Nga varri i gërrmuar në truallin e Mekamit, për të cilin flitet në këtë libër, dalin tri skelete: skeleti i një burri, i një gruaje dhe i një kali. Ata që e prishën Mekamin e pësuan: një vdiq gjatë rrëzimit të çatisë, një çmendet dhe një i tretë më pas ia heq vetes.
Më tej shfaqet fantazma e një turku që tregon historinë e Mekamit. Këtu ne jemi në vendin tonë, jemi në tokën tonë, thotë ai, dhe ju që e prishët Mekamin jeni nipërit tanë. Tri skeletet i përkasin një kalorësi të ri turk, kalit të tij dhe të fejuarës së tij, Angjelinës shqiptare.
Shqiptarët paskan nderuar si të shenjta skeletet e armiqve të tyre.
Në retrospektivë vijnë ngjarjet që lidhen me tradhtinë e Beratit, ku shqiptarët nën udhëheqjen e Skënderbeut humbën dhe u mbytën në plojë e në gjak.
Turku trim dhe fisnik që rrëfen ngjarjen, është krenar për fitoren në Berat. Ky turk dhe njerëzit e tij kanë simpatinë e hapur të autorit, madje ai i glorifikon fitoret dhe virtytet e tyre. Përbuz vetëm shqiptarët fund e krye. Libri ngjan sikur është i shkruar nga një kolon turk, një kolon i mallëngjyer për gjyshërit e tij asganë, kolon që vendosjen në tokat shqiptare, të cilat edhe sot (sipas tij) janë të turqve, e ka merituar me pagën e gjakut dhe të trimërisë. Ky komandant turk mbizotërohet nga një botë lirike, nga një thellësi meditative, e trishton dhe e turbullon poetikisht kredhja në natyrë e në kujtime. Një komandant me shpirt të gjerë poetik dhe të përmalluar që patrullon nëpër Myzeqenë tej e ndanë si në shtëpinë dhe në tokën e tij. Është fisnik e paqësor në paqe dhe trim si ai në luftë ndaj shqiptarëve të fëlliqur dhe të pabesë. Trimëria dhe madhështia tragjike, sublimja janë vetëm në anën e turqve. Shqiptarëve u mbeten tradhtia dhe humbja, kredhja në gjak e në gjellë qensh.
Shqiptarët janë aq të ulët, sa iu fusin në shtrat vajzat e tyre turqve.
Veç ngjarjeve dhe heronjve ajo që e bën të pështirë këtë libër është toni fyes, fryma përçmuese për shqiptarët dhe për historinë e tyre. Kjo frymë e mbizotëron librin fund dhe krye. Në mbyllje të librit, autori gjen rast që të bëjë një sintezë të tillë historike: shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes. Janë të paaftë dhe dështakë. Kurrë nuk e meritojë një shtet të tyre. Mos ardhtë ajo ditë kur shqiptarët të kenë shtetin e tyre, të kenë në krye të shtetit një udhëheqës shqiptar. Një ditë e tillë do të jetë mallkimi më i rëndë për ta.
Ky mund të jetë libri i parë në gjuhën shqipe kundër Skënderbeut. Mbase i pari në botë si libër i zi për Skënderbeun. Skënderbeu, sipas autorit, është i dhënë vetëm pas pasurisë dhe pushtetit. Një bukëshkalë që mbështetet te napoletanët dhe te aragonasit. Turqit atij dhe aleatëve të tij u japin një mësim të mirë në Berat.
Të tillë qëndrim ndaj Skënderbeut mbajnë sot ca nga hoxhallarët tanë të tjetërsuar shpirtërisht në turq, hoxhallarë të skajeve të trojeve të sotme shqiptare. Edhe këta thonë se Skënderbeu ishte një i pabesë që iu kundërvu turqve.
Koha ka dëshmuar të kundërtën e predikimeve të tilla. Figura e Skënderbeut vazhdon të mbetet emblema që i bashkon të gjithë shqiptarët. Statuja e Skënderbeut në Tiranë, në Prishtinë po edhe në Shkup flet për atë që figura e tij është me peshë, për shqiptarët dhe për ballkanasit. Ai mbetet heroi qendror i historisë së shqiptarëve.
Fjalët e fundit të këtij libri japin mesazhin se Mekame të tilla janë të shenjta. Ata që vunë dorë mbi muret e tij, u vranë, u vetëvranë a u çmendën. Se “të vdekurit kanë jetën e tyre dhe, ka të ngjarë, që jeta e tyre të jetë shfaqja më reale e kësaj bote…”. Pra, sipas kësaj, ne realisht jemi turq, jo shqiptarë, dhe duhet të nderojmë mekamet me eshtrat e shenjta të turqve dhe të kuajve të tyre. Kjo, sipas autorit, është e vërteta në thellësinë e saj, jo ajo antihistoria që ne ia paskemi sajuar vetes.
Për Kasëm Trebeshinën dështimi i komunizmit ishte dështim i Shqipërisë, jo dështim i diktatorit, i diktaturës së ideologjisë së kuqe, dështimi botëror i një eksperimenti të tillë historik.
Është thënë se çfligarët kanë atdhe çifligjet e tyre. Kur vdesin çifligjet, vdes çifligari dhe gjithë bota. Çifligarët e kuq komunistë me vdekjen e komunizmit e të privilegjeve që vinin prej tij, shpirtërisht mbaruan me gjithsej. S’ka privilegje, s’ka atdhe, s’ka asgjë që t’ia vlejë mbi këtë dhé. Shembulli më i shpallur prej tyre, ai që jo vetëm e mohon atdheun, por dhe e urren dhe e neverit atë, është Trebeshina. Madje ky e dëshmon hidhët dhe fare hapur me letërsinë e tij.
Më poshtë po japim fragmente nga ky libër.
Kasëm Trebeshina
M E K A M I
Faqe 18
Ajo ishte koha e stërgjyshërve të mi, kur ata erdhën në vendin që ishte caktuar të bëhej Atdheu ynë për kohërat që do të vinin!… Dhe me sa jetë qe përcaktuar ta paguante familja jonë sigurimin e së drejtës për të qenë ne shtetas të këtij vendi të çuditshëm!…
– Dhe të gjitha shkuan kot!…
Unë u çudita tej mase: kishim qenë aty vetëm unë dhe nata dhe…Zot i madh! Një
zë, një zë i çuditshëm, një zë më i çuditshëm se nata po vinte nga nata!…
– Unë po të flas ty!…
Pikërisht atëherë pashë afër meje… fare pranë meje hijen e një qenieje njerëzore
që dukej si turk, hijen e një njeriu që e fliste shqipen me një theks të huaj, ndoshta me një theks që ishte i gjuhës turke. Të thuash të vërtetën, në fillim u tremba shumë, se atmosfera që ishte krijuar sillte me vete që unë t’i provoja të gjitha frikat e njohura dhe të panjohura, por turku… Sepse tashti nuk kisha asnjë dyshim që ai ishte një turk i vërtetë.
Qiell i pakufishëm! U tremba aq shumë sa nuk e kuptoja më ku isha dhe kush isha, por qetësia e turkut, se turku ishte i qetë dhe kishte një pamje të bukur dhe madhështore… Po! Ai kishte një pamje të bukur dhe madhështore dhe unë… Nuk mund të tregohet ajo që ndodhi në shpirtin tim dhe nuk mund t’i shpjegoj të gjitha ato që ndjeva në ato momente, por me siguri Turku ishte shumë i pashëm, shumë i ditur, shumë i dashur dhe… Dhe unë e ndjeva dashurinë e tij prej prindi… Edhe pse ishte natë, edhe pse ishim pështjellë nga ajo errësirë e çuditshme, edhe pse unë nuk kasha parë kurrë Turk në jetën time, e ndjeva se ai njeri ishte i afërt dhe i dashur për mua.
– Dhe të gjitha shkuan kot! -Përsëriti Turku sikur të ishte duke folur me veten e tij. Gjaku u derdh dhe me triumfin e armikut të njerëzimit, të gjitha mbaruan!
Kuptimi i fjalëve të tij ishte fare i pamundur për mua, por ndieja një farë besimi…
Po, po! Unë i besoja Turkut të panjohur dhe e pyeta:
– Ç’kuptim kanë fjalët e tua dhe pse i thatë?
Ai nuk iu përgjigj pyetjes sime dhe vazhdoi:
– Shumë keq!… shumë keq!… nuk është e njerëzishme t’u prishësh gjumin dhe paqen e përjetshme të vdekurve. Gjithë popujt e qytetëruar nuk guxojnë të ndërmarrin një veprim të tillë të urryer. Por mos ki asnjë frikë, se unë e di që ti qe i detyruar të veproje kundër vetes sate!… Ti qe i detyruar të kryeje një veprim mizor, se fyerja dhe dhunimi i varreve është një veprim shumë i turpshëm dhe ai që e kryen, i bën vetes së tij një fyerje shumë të rëndë dhe një dhunim nga më mizorët!…
E çuditshme!… Ai e kishte kuptuar që unë nuk kisha pasur ndonjë dëshirë për të fyer dhe dhunuar varret dhe në mënyrë të veçantë unë nuk doja që të fyeja një mekam! Në asnjë mënyrë nuk doja të fyeja dhe të dhunoja Mekamin e Shenjtë! Prandaj e pyeta me ndroje:
– Ti e nderon Mekamin e Shenjtë?
M’u përgjigj ai menjëherë:
– Ai është vëllai im!… Dhe ta dish, ne jemi nga i njëjti fis!
Unë u çudita aq shumë sa nuk munda të kërkoja shpjegim për atë që më kishte
thënë, se fjalët “ne jemi nga i njëjti fis” i kishte thënë në një mënyrë të atillë që nënkuptonte se ata dhe unë… Po! Se ne ishim nga i njëjti fis!… Dhe unë thirra gjithë dyshim:
– Nga i njëjti fis?… Ti dhe unë?… I kam kuptuar drejt fjalët e tua?
Ai buzëqeshi dhe tha:
– Po, i ke kuptuar ashtu siç i thashë unë. Megjithëse në mes mesh kanë hyrë pesëqind e dyzet e nëntë vjet!… Siç e shikon vetë me sytë e tu, vendi është i ndriçuar me shumë pishtarë dhe atje janë ata të gjithë!… Po na presin!… Eja me mua!
– Atje janë ata të gjithë? Pyeta unë i ngatërruar sa më s’bëhet, duke përsëritur fjalët e tij. – dhe kush janë ata që janë mbledhur atje?
Ai m’u përgjigj:
– Ata janë… Ju u keni prishur qetësinë, u keni dhunuar paqen!… Tani le të shkojmë atje! Eja!…
Dhe duke thënë këto fjalë, ai u nis poshtë në drejtim të fshatit duke prerë perms disa monopateve që nuk i kisha parë ndonjëherë më parë. Unë shkova pas tij pa pasur ndonjë farë kuptimi se ku po shkonim dhe pa mundur të gjeja pse fshati im, fshati ku kisha kaluar gjithë jetën time gjer në atë natë, ishte ndryshuar aq shumë sa të bëhej fare i panjohur për mua. Ishte me të vërtetë një gjë shumë e çuditshme që një i huaj, një Turk nga Lashtësia, ta njihte fshatin tonë aq mirë sa të gjente monopatin më të shkurtër për të dalë drejtpërsëdrejti tek Mekami i Shenjtë dhe, ajo që të linte fare pa mend në këtë punë, ishte se, kur dolëm tek sheshi i Mekamit të Shenjtë, aty nuk kishte kurrfarë Mekami të Shenjtë ose varri, nuk ishin as gërmadhat që të gjithë ne… Ose më mirë, gërmadhat që ata kishin lënë me shkatërrimin që kishin bërë një ditë më parë. Ishte vetëm sheshi, ai shesh që unë e kisha parë që kur kisha hapur sytë dhe kisha kuptuar se po vërtitesha në këtë botë dhe gjer… Tashti aty ishte vetëm sheshi!…
Përmes errësirës së zymtë të asaj nate dukej sikur sheshi ishte i shkretë. Nuk dukej frymë njeriu!…
Pastaj pak nga pak fillova të dalloja… Fillova të dalloja… Aty ishin dy kufoma!…
Po!… Aty në mes të sheshit ishin jo dy, por tri kufoma: një burrë një grua dhe një kalë!… Kështu!… Aty ishin tri kufoma të përgjakura!… Kalit i rridhte akoma gjak, kurse gjaku i dy kufomave të tjera kishte ngrirë mbi rrobat dhe mbi pjesë të trupit të tyre!
Ajo që ishte e çuditshme, dhe madje shumë e çuditshme, qëndronte në faktin se në mes të natës, nëmes të asaj nate të jashtzakonshme për atë errësirë që nuk e kisha parë ndonjëherë, unë e dalloja fare qartë të gjithë skenën. Të vdekurit edhe pse ishin mbuluar në gjak, megjithatë u kishte rënë një nur i jashtzakonshëm. Ai ishte një djalë fare i ri, shumë i pashëm dhe me leshra të verdha, kurse vajza ishte shumë e bukur dhe leshrat i kishte sterrë të zeza.
– Ki kujdes, nipçe! – tha Turku aty fare pranë meje. -Në mes teje dhe fisit tënd që po sheh të vrarë këtu qëndrojnë më shumë se pesëqind vjet. Eja me mua!
Dhe Turku çau mes errësirës dhe hyri në shtëpinë që ishte në perëndim të sheshit para Mekamit… Të sheshit që nuk kishte Mekam të Shenjtë.
Ajo ishte një shtëpi në ndërtim e sipër, me një kullë në anë të lindjes. Unë hyra në shtëpi duke shkuar pas Turkut dhe nuk kisha as një farë ideje ku isha dhe pse nuk e kisha parë më parë këtë lloj shtëpie.
Në fillim nuk po arrija të kuptoja ndonjë gjë nga ato që po më tregonte, por më vonë e kapa fillin dhe kuptova se po trajtonte disa ngjarje me të cilat ishte hapur Shekulli i Pesëmbëdhjetë, po trajtonte çfar kishte ndodhur në një vend të quajtur Saruhan dhe në kohën kur Timuri i Çalë dhe Bajazit Jillderëmi ishin mbërthyer me njëri-tjetrin në një luftë për jetë a për vdekje. Duke vazhduar tregimin e kuptova që atë luftë e kishte fituar Timuri i Çalë dhe Bajazit Jillderëmi i thyer ra në dëshpërim dhe vdiq nga që i plasi mëlçia e zezë. Në ato ngjarje të çuditshme saruhanasit dhe popuj të tjerë turq dhe të krishterë, që e shikonin me frikë ngritjen e vrullshme të fuqisë osmane, u bashkuan tërësisht me tartarët kundër Sulltanit të Ri Osman. Për një kohë të gjitha punët shkuan mirë, por menjëherë pas fitores së tartarëve dhe vdekjes së Jilldëremit vdiq edhe vetë Timuri i Çalë.
Sa kaloi tufani i tmerrshëm dhe duke e ndjerë se ishin akoma të fortë, osmanët u ngritën përsëri me të gjithë forcën e pushtetit të tyre, mposhtën të gjitha rebelimet dhe e vendosën përsëri qeverisjen që nuk mund të përmbysej. Tashti të gjithë ata që ishin ngritur kundër pushtetit osman e mësuan se çfar donte të thoshte t’i zemëroje osmanët që nuk mund të nposhteshin. Tashti të gjithë ata që kishin kundërshtuar e provuan ç’ishte zemërimi i atij populli turk. Emiri i atij vendi të Saruhanëve dhe peshkopi i atyre anëve e paguan me jetën e tyre qëndresën që u kishin bërë Osmanëve!… Dhe për Saruhanin ajo kishte qenë një kohë shumë e turbullt. Kështu kishte vazhduar gjer në kohën kur Osmanët më në fund e kishin shtruar plotësisht vendin, kishin marrë në duart e tyre qeverisjen dhe gjyshi ynë…
Po! Gjyshi ynë!… Turku im po e tregonte historinë në një mënyrë të atillë sikur ajo të ishte edhe historia ime, sikur ajo të ishte historia jonë e përbashkët! Sikur ai, unë dhe të gjithë ata turq për të cilët ai po fliste të kishin një gjysh të përbashkët dhe ai Gjyshi ynë të ishte një dikushi që quhej Durasi!… Çudi, por ai Durasi ishte stërgjyshi im dhe unë nuk e gjeta forcën e duhur që ta kundërshtoja këtë thënie të tij. Por si e vazhdoi ai më tej këtë histori?
Më tej puna shkoi… Ai stërgjyshi ynë qe internuar nga Mehmeti i Parë në vitin e Krishtit 1417 dhe u dërgua në Shqipëri si timariot.
Dhe si shkuan punët më tej?
Vazhdimi ishte po ai. I internuari, duke përfituar nga dënimi, kapi rastin për të krijuar në Shqipëri një pasuri në toka për veten dhe për familjen e tij dhe, duke u ndjerë më tepër se i sigurt në vendin e ri, thirri edhe të birin aty dhe e bëri timariot si veten e tij. Që në fillim u duk se punët e plakut Durasi do të shkonin në mënyrë të shkëlqyer, se nuk kishte si bëhej ndryshe!
Gjatë sundimit të Mehmetit të Parë dhe të Muratit të Dytë at e bir këmbyen disa Timare gjersa më në fund fshati ynë i mbeti Baliut, djalit të Durasit. Plaku kishte siguruar për veten e tij, me leje gojore nga Sanxhak Beu i Janinës, një gjysmë dyzine timare në vende ku fillojnë ultësirat e fushës së Myzeqesë. Pasuria u dha atyre mundësinë që të vendosnin për të mbetur përgjithmonë në Shqipëri. Ky vendim u muar në vitin e Krishtit 1455, gjë që kishte sjellë pakënaqësinë e madhe të Turkut me të cilin unë isha duke folur… Ose më mirë të Turkut që unë po dëgjoja. Dhe ai po më tregonte se në ato kohëre ai e kishte kundërshtuar vendosjen e familjes së tyre në Shqipëri. Ishte e qartë: atij nuk i pëlqente vendi ynë.
Dhe pse kundërshtove ti që familja juaj … jonë të vendosej në Shqipëri?… Këtu çdo gjë është e njohur për ne, e kemi tonën… Pse nuk të pëlqen ty ky vendi ynë?…
Në fillim Turku u çudit, por një moment më vonë buzëqeshi dhe, në vend që të më përgjigjej, më pyeti:
– Ku kërkon të dalësh me pyetjet e tua?
Unë kisha një dëshirë të madhe që t’i shpjegoja atij ato që instruktori kishte në kokën e tij, por duke sjellë ndër mend që ai kishte vdekur, e ndërrova drejtimin e muhabetit dhe vetëm thashë:
– Nuk e shikon? Ne këtu jemi në vendin tonë, në vendin e të parëve.
Ai e kuptoi ku doja të dilja me fjalët e mia dhe ma ktheu përgjigjen duke më thënë:
– Si mund të mos e kundërshtoja atë vendim? Unë kisha lindur në vendin e Saruhanëve dhe ishte e dhimbshme për mua që të braktisja vendlindjen time, lumin Herm… Pamjen e bukur të Izmirit atje tej në largësi… O zoti im! Sa vjet dhe vjet kanë kaluar që atëherë!… Dhe ne e humbëm për gjithmonë mundësinë për t’u kthyer atje në vendin tonë të bukur të Saruhanëve!… E humbëm… Dhe unë mbaj mallin dhe brengën e rëndë në shpirtin tim dhe e çoj nga shekulli në shekull si një bartës i mallkuar malli dhe brenge.
Më kujtohet ajo kohë sikur të ishte dje – e nisi përsëri historinë e tij të çuditshme Turku im! Ne saruhanasit në atë ditë prilli po shkonim kaluar që nga Margëlliçi në drejtim të Fushës së Myzeqesë. Unë kisha pesë vjet që isha në Shqipëri, ndërsa vëllai im më i vogël, Ergyni, kishte vetëm një vit. Pikërisht pak ditë më parë ne qemë njoftuar për vendimin e gjyshit tonë që të vendoseshim për gjithmonë në Shqipëri.Unë e kundërshtova në një farë mënyre atë vendim, por të gjitha kishin qenë të kota: ata ishin të mendjes se pas atyre që kishin ndodhur si rrjedhojë e luftës me Timurin e Çalë, mundësia për të jetuar në Saruhanin tonë ishte mbyllur përfundimisht. Ne, pasi kishim siguruar prona të gjera në Shqipëri, qemë të detyruar të vendoseshim këtu dhe ky ishte një vendim me të vërtetë i arsyeshëm… Mund të themi më i drejti.
Siç të tregova, gjatë drekës në festën e shenjtë, ne patëm rastin që të njiheshim mirë me njëri tjetrin dhe, kur u ndamë, u duk sikur miqësia jonë qe siguruar përfundimisht. Angjelina, që ishte me të vërtetë një ëngjëll i zbritur në tokë, i dha vëllait tim si dhuratë një peshqir të bukur që e kishin mbushur me stolizma të mrekullueshme disa duar padyshim lartësisht mjeshtërore. Nga përvoja e familjeve tona dhe nga ajo politikë e vendeve që kishim parë, ne e dinim se objekte të tilla ishin shumë të dashura e të shtrenjta për një vajzë, sepse ato ishin pjesë e pajës së saj… Ne, duke mos dashur të shkaktonim pakënaqësira dhe armiqësira në Shqipëri, mundoheshim të silleshim sa më mirë, që popullatën ta kishim nga ana jonë, se, një hap i pamatur yni, do t’i shtynte ata njerëz të bëheshin me Republikën e Venedikut, ose me Mbretërinë e Napolit. Një gjë e tillë edhe mund të na shkatërronte, prandaj vëllai im, sa e pa dhuratën e çmuar, u praps nga që nuk guxonte ta pranonte sendin e bukur të pajës së asaj vajze. Edhe unë u turbullova shumë nga ai fakt, sepse, të them të vërtetën, nuk i njihja aq mirë zakonet shqiptare. Por Spiro Gozua ishte në njeri shumë i shkathët dhe ndërhyri në kohë:
– Një dhuratë nuk mund të kthehet, veçanërisht kur atë e jep një vajzë!
Në këtë mënyrë ai më shkarkoi nga një barrë shumë e rëndë dhe, në shenjë mirënjohjeje, u përkula në drejtim të të zotit të shtëpisë. Vëllai im bëri siç bera unë, pastaj e mori dhuratën dhe vajza, e skuqur flakë, u çlirua përfundimisht nga ankthi i të dhënit të dhuratës dhe u largua me nxitim si një zog i trembur. I zoti i shtëpisë buzëqeshi dhe ne u tokëm me përzemërsi me bindjen e patundur në miqësinë tonë të pathyeshme. Të paktën unë dhe im vëlla besonim se miqësia jonë do të ishte e pathyeshme dhe e përjetshme.
Pastaj u ndamë dhe ne shkuam më tej për të kryer patrullimin tonë të zakonshëm përmes fushës së Myzeqesë.
Ngado që ta hidhje syrin, shihje një bukuri të pafund që tregonte paqe dhe qetësi dhe dukej sikur pushteti turk qe vendosur njëherë e përgjithmonë.
Kur patrullimi qe kryer pa asnjë ngjarje të jashtzakonshme, ne u kthyem në Klos ku kishim qendrën kryesore dhe nga ku kishim një kohë të gjatë që ishim larguar. Aty unë shpresoja të gjeja lajme të reja ose udhëzimet e rastit nga babai ynë ose gjyshi…
Gjer më sote kësaj dite nuk arrij të kuptoj se si një baba mund të shesë vajzën e tij. E di shumë mirë se paraqiten gjithfarë nevojash, interesash të larta dhe domosdoshmërisht familjare, të fisit, qoftë edhe të vetë shtetit dhe të mbretit. Të gjithë janë gati të bërtasin me sa kanë në kokë që i sakrifikuan fëmijët e tyre për mbretërit, princat ose patriarkët!..Për fisin ose për vendin e tyre të lindjes, por ne, në të gjitha veprimet tona e çfardolloj natyre që të jenë, duhet të udhëhiqemi nga qëllime dhe përfundime të moralshme, përndryshe kjo bota jonë e varfër do të popullohej me frikashë dhe maskarenj. Vajza ime është vajza ime, nderi dhe lumturia e saj janë gjithashtu të miat dhe unë nuk kam asnjë të drejtë të tregtoj me nderin dhe lumturinë e saj. Unë nuk e shes kurrë vajzën time, nuk e blej dhe as nuk e rrëmbej kurrë vajzën e tjetrit dhe ky është shkaku që ne nuk kemi gjë të përbashkët me osmanët. E di, Ata e krijuan dhe e kanë perandorinë e tyre, kurse ne nuk e kemi. E pranoj që ata meritojnë lavdërimet më të mëdha për veprën e paparë që arritën të bëjnë, por ne saruhanasit kemi mënyrën tonë të veçantë të jetesës dhe të gjitha veprimet tona janë të kushtëzuara nga morali që del nga jetesa që bëjmë ne. Osmanët mund të krahasohen historikisht vetëm me Mbretëritë Mëdha të Lashtësisë dhe me Romën e Lashtë, por ata janë shkëputur plotësisht nga jeta e të parëve të tyre turq. Ne Saruhanasit nuk mund ta harrojmë kurrë jetën tonë të thjeshtë në Stepat e Azisë, në mes të njerëzve tanë të fisit, në mes të grave tona pa ferexhe, në mes të tufëve të bagëtive tona, të lirë si vetë shtrirja e atyre stepave!…
Atje ishte jeta jonë, por furtuna e popujve na shkuli dhe na fshiu prej atij vendi dhe na hodhi tej nëpër botë, herë këtu dhe herë atje, duke na lënë që të përkundim shpresën se do të jemi tanët dhe të lirë në këto vende të reja.
Pak më parë të tregova se nuk besoja në asnjë mënyrë për një jetë më të mirë në Shqipëri. Shpirti im turk dhe grek ishte mësuar me jetën në Saruhanin tim të bukur, por të gjithë njerëzit e familjes sime e quanin Shqipërinë plotësisht të bukur dhe të mirë për të ardhshmen e familjes sime. Shqipëria do të ishte Atdheu ynë i ri dhe djepi i sigurtë për pasardhësit tanë, se me këta njerëz ne kishim shumë gjera të përbashkëta. Gratë këta këtu i trajtonin si ne!… Dhe gjyshi, duke u nisur nga sa të thashë, kishte vendosur që të mos tundeshim së këtejmi, kishte vendosur që ta mbronte gjer në fund këtë vend, prandaj ne niseshim herë pas here për patrullim përmes fushës së Myzeqesë. Donim ta siguronim veten nga ndonjë rebelim i papritur.
E di! Nuk është nevoja që të ngulësh këmbë! Shqiptarët i kishin të gjitha të drejtat që të ngriheshin kundër nes, ashtu si ne i kishim të gjitha të drejtat që të ngriheshim kundër osmanëve, por në veprimet historike njeriu duhet të jetë patjetër shumë i matur. Kur ndërmarrim veprime historike ne jemi të detyruar të vlerësojmë aftësinë për ta jetuar jetën dhe jo të llogarisim guximin dhe gatishmërinë për të bërë kryengritje. Megjithatë unë nuk do të ngul këmbë për të mbrojtur mendimet e mia. Le të ketë çdo njeri pikëpamjen e tij të veçantë. Unë këtu dua vetëm të them se nuk është njerëzore të jesh maskara. Dhe Spiro Gozua atë ditë u soll me të vërtetë si maskara. Ai vinte buzën në gaz, ai qeshte hapur, ai piu shëndete pa mbarim dhe ngriti po aq dolli me njerëzit e tij. Ai e lejoi vajzën e tij që të na shërbente sikur të ishte sherbetorja e një pijetoreje për të mos thënë edhe më keq. Ç’është e vërteta, ajo na shërbeu me gjithë zemër dhe me një gatishmëri të pakrahasueshme dhe asnjë nuk mund ta parashikonte atë që do të ndodhte më vonë. Tashti, pas asaj që ndodhi, më duket sikur i kuptoj të gjitha dhe e kam të qartë pse nuk e hodha fjalën për fejesën e Angjelinës me vëllain tim Ergynin. Në fakt unë nuk e kisha të drejtën që ta bëja një gjë të tillë pa e kërkuar lejen e prindërve të mi, por e dija shumë mirë se propozimi im do të aprovohej nga ta, nga që ishim të interesuar që të lidheshim me familjet e forta shqiptare. Familja e Spiro Gozos ishte shumë e fortë dhe me influencë dhe ne do të fitonim shumë po të lidheshim me ta me lidhje gjaku. Kjo ishte e qartë, unë e kisha dorën të lirë për një veprim të tillë politik por, të thuash të vërtetën, nuk më pëlqeu gatishmëria me të cilën Angjelina më shërbente dhe , sidomos, nuk më pëlqente si i shërbente dhe mundohej të afrohej me vëllain tim më të vogël në praninë time. Mua, nga të gjitha ato që shihja, m’u duk sikur ajo vajzë ishte mendjelehtë dhe babai i saj e shtynte hapur në atë mendjelehtësi. Më vonë arrita të kuptoj që Angjelina Gozo ishte një vajzë shumë e bukur, një flutur e paparë, më e lehtë se penda e laureshës dhe të gjitha gjërat i bënte thjesht dhe me fisnikërinë e natyrshme të zemrës së saj të mirë. Ajo kishte një zemër të madhe dhe fisnikëria e saj ishte e barabartë me karakterin e saj të fortë. Edhe murrizi i ka lulet e tij të bukura! Vetë fati i lumtur na e dha si dhuratë atë vajzë me cilësira të atilla të larta, por ne kishim sy dhe ishim të verbër, kishim veshë dhe ishim të shurdhër, kishim zemër dhe nuk ishim të zotët të ishim të drejtë! Spiro Gozua ishte duke përgatitur një kryengritje kundër nesh, por jo vajza e tij! Për qëllmet e tij ai e shiti vajzën e tij, e përdori atë për të na mashtruar, e përdori si një send të rëndomtë kundër nesh!… Ajo dhe vëllai im janë tashti atje lart në qiell pranë të Madhit Zot… pa dyshim, janë pranë të Madhit në Qiell, se ajo ishte vetë mirësia, kurse Ergyni, në botën tonë të trazuar, ishte njeriu më i drejtë që ka jetuar mbi faqen e këtij dheu!…
Ajo që pashë dhe ajo që dëgjova në Kishën e Shën Ilisë ma hoqi përfundimisht dëshirën për të hyrë në ndonjë kishë në Shqipëri. Nuk doja t’i dëgjoja më priftërinjtë e këtij vendi dhe nuk e di se si mu mbush mendja se ky popull ishte pajtuar njëherë e përgjithmonë me padijen, se vetëm në padije e ndjente veten të qetë dhe i bëhej e mundshme që të dëgjonte dhe të respektonte mashtruesit që për të përfaqësonin dijen në formën më të vërtetë
E lamë kishën me një keqardhje më shumë dhe shkuam drejt dhe te shtëpia e mikut të familjes sonë, ku na pritën me përzemërsi dhe me të gjitha të mirat. Pasi e kryem edhe atë vizitë, u nisëm poshtë fushës për patrullimin që kisha urdhëruar.
Ajo ishte një ditë e mrekullueshme maji. Ne po çanim nëpër Fushën e Myzeqesë pçranë kënetës dhe lamë pas Jagodinën, Marinzën dhe, duke ndjekur rjedhën e lumit, arritëm tek vau i Belinës. Kaluam në anën e përtejme dhe morëm fushën nën Ardenicë. Gjer nën Ardenicë patrullimi kishte shkuar si gjithnjë dhe pa ndonjë ndodhi të jashtzakonshme. Koha e bukur e ndihmonte udhëtimin tonë dhe të gjitha dukeshin sikur e kishin bekimin e qiellit…
Kështu po vazhdoja të shkoja kaluar, i humbur në ëndërrimet e mia, kur papritur ky Vendi im i Zanave u lëkund dhe u zhduk nga thirrma e dikujt. Sa e flaka atë gjumë të çuditshëm dhe ëndrrat, shikova rrotull për të kuptuar se çfar po ndodhte dhe dëgjova që thirri:
– Një kalorës! Po shkoj ta kap!
Duke shikuar tej dallova një kalorës në fushë, por nuk pata kohë të mendoja çfare po ndodhte dhe çfarë duhej bërë, se Ergyni u sul si një furtunë për ta kapur atë kalorës që nuk e dinim kush ishte. Pak momente më vonë ne pamë se si po zgjateshin përmes fushës dy re të çuditshme pluhuri.
Unë e kisha humbur dhe po qëndroja në vend si i gurosur: Ishte një gjë me të vërtetë e bukur për mua të shihja vëllain tim kaluar, qoftë edhe si një re e zgjatur pluhuri tek ndiqte një tjetër. Ishte i papërmbajtshëm ai çunaku im në raste të tilla. Ai dhe era ishin një element i vetëm. E di, në këtë botë ka pasur kalorës të ndryshëm dhe shumë të shkëlqyer, por një në mes të tyre ka qenë edhe vëllai im Ergyni. Ai, si të gjithë ata, kishte lindur për të jetuar kaluar mbi kafshën fisnike dhe për të vdekur gjithashtu kaluar dhe së bashku me kalin e tij. Unë do të doja ta shihja mot e jetë mbi kalin e tij të bukur dhe gjithmonë të lirë si vetë Gjithësia prej së cilës kishin dalë dhe ku silleshin aq natyrshëm.
– Im zot- dëgjova dikë fare pranë meje.
Ishte Karaxhai që po më fliste.
Ç’është? – e pyeta unë gjithnjë i mrekulluar nga mënyra se si shkonte kaluar im vëlla, megjthëse tashti po shikoja vetëm atë re pluhuri që zgjatej dhe hapej duke pushtuar fushën.
– Im zot – përsëriti pa nxitim Karaxhai afër meje,- A më lejoni që të shkoj pas tyre?
– Po! ti Karaxha dhe ti Gjedik, ndiqni ata të dy! Gjithë të tjerët pas meje!
Karaxhai dhe Gjediku u larguan me nxitim në drejtim të atyre dy reve prej pluhuri që zgjateshin drejt fushës, kurse unë me kalorësit e tjerë morëm një rrugë që priste shkurtër.
Për një moment të dyja retë e zgjatura u ndërprenë. Unë e kuptova: dy kalorësit kishin hyrë në një livadh. Preva arave për të dale atje. Im vëlla kishte vepruar me një shpejtësi rrufeje, sa, kur arrita unë, kalorësi i panjohur gjendej i shtrirë në livadh i mbështjellë në lakun që i kishte hedhur Ergyni. Të gjitha ishin bërë si me magji dhe im vëlla po qëndronte në mes të atij livadhi të mbuluar nga bari i blertë dhe nga lulet e verdha të zhabinokut.
– Zoti im! -u qa robi që kishte kapur Ergyni.- të lutem mos më bëj dëm. Unë do t’jua tregoj të gjitha ato që di… Se kam me të vërtetë diçka për të treguar… Disa lajme shumë të rëndësishme për ju.
Unë jam juaj! Ju nuk e dini, por Gjikë Ristiçi do të zotohet për mua! U betohem…
Ai u lëkund për një moment dhe filloi:
– Kolë Bujani arriti të mësonte se po përgatitet një kryengritje dhe, me sa më duket, një kryengritje e madhe. Im zot më dërgoi tek Gjikë Ristiçi për të mësuar gjëra më të reja dhe për t’u marrë vesh për qëndrime dhe veprime të përbashkëta. Isha tek zot Gjika dhe ai më tha se gjithashtu kishte dëgjuar për një kryengritje dhe më urdhëroi që t’i them tim zoti se ai nuk ua ka besimin dhe nuk pyet për Kastriotët dhe Napoletanët dhe në rastin më të pare do t’i njoftonte turqit për ato që po ndodhnin. Ai kishte shpresë që të takohej me zot Kolë Bujanin dhe të dy të shkonin tek turqit që të merreshin vesh për veprime të përbashkëta. Kur isha duke u kthyer nga zot Gjikë Ristiçi me përgjigjen që më dha me gojë, e solli rruga që të bie…
………………………………………………………………………………………………
Gjithë ditën e ditës ne qëndruam në pyll duke ruajtur me kujdes që të mos na shihnin dhe ne t’i kontrollonim të gjitha ato që ndodhnin rrotull nesh. Sa ra nata ne i shikuam imtësisht kuajt dhe u nisëm për të shkuar tek Gjikë Ristiçi. Që nga ai moment filloi ngjarja më e madhe e familjes sonë në Shqipëri.
Të gjitha ato që na kishte treguar njeriu që kapëm rob ishin të vërteta dhe, duke besuar në fjalën e nderit të Gjikës e lashë të lire shqiptarin që e kishim ndeshur rastësisht dhe me fat në rrugën tone.
Ndërkohë që po përgatitnin darkën ne patëm kohë më se të mjaftuesme që të këmbenim me Gjikën mendime të ndryshme rreth situates që ishte krijuar. Ai kishte të dhëna të hollësishme se aty nuk po përgatitej një kryengritje, por, Napoletanët, të ndihmuar nga Kastrioti, do të ndërmerrnin një fushatë për ta ripushtuar Kështjellën e Beratit.
Këto informata ishin më se të mjaftueshme për mua. Gjëja e parë që mendoja të bëja ishte të shkoja në shtëpi dhe, pa humbur kohë, t’ua bëja të ditur prindërve të mi se ç’po ndodhte, sipas atyre që kisha dëgjuar. Pasdreke ne u nisëm menjëherë: unë me Karaxhain dhe Umunin, morëm rrugën drejt Jugut. Të tjerët vazhduan rrugën për në Klos.
Pasi e mbyllëm në këtë mënyrë çeshtjen e familjes, unë kalova tek ajo që më shqetësonte më shumë. U thashë:
– Kam nxituar gjithë natën e natës për shkak të disa lajmeve shumë të këqia që i mësova rastësisht ndërsa po patrullonim përmes Fushës së Myzeqesë: Napoletanët do të sulmojnë Kështjellën e Beratit.
Gjyshi dhe babai mbetën të hutuar se, po të merrej ajo kështjellë, rrezikoheshin të gjitha forcat tona më në Jug dhe në drejtim të Greqisë.
– Që nga e nxjerr ti një përfundim të tillë? –pyeti gjyshi.
– Nga lajmet që mësova! –iu përgjigja. –Dhe ato lajme m’i vertetoi vetë Gjikë Ristiçi. Ai më tha se Kastrioti është vegël e tyre dhe gjithashtu do të na sulmojë me të gjithë njerëzit e tij. Siç duket, një pjesë e mirë e Myzeqesë është gati për një eshkë të ndezur që të marrë flakë!…
Babai im pa të atin. Gjyshi pyeti:
– Je i sigurt për ato që na the?
– Po. Jam shumë i sigurt!- iu përgjigja dhe në atë moment m’u kujtua i nipi i Spiro Gozos.
Pa humbur as edhe një moment të vetëm babai im u nis për Janinë dhe unë, pasi mora një sy gjumë, dhe hëngra pakëz bukë, mora rrugën e Klosit i vendosur që ta arrestoja të nipin e Spiro Gozos, por m’u desh që, sa të arrij në Klos, të ndërroja mendim, nga që të nipin e Spiro Gozos e gjeta atje duke më pritur. Po! Ai po më priste dhe më dha lajme të reja për Napoletanët dhe për Kastriotin që ishin nisur për të pushtua Beratin!… Dhe më siguroi për besnikërinë dhe miqësinë e Ungjit të tij!… Dhe më në fund e mbylli fjalën e tij duke na ftuar për një gosti të madhe.
Të gjitha dyshimet e mia u shpërndanë menjëherë. Spiro Gozua ishte një nga miqtë tanë më besnikë. E pranova ftesën dhe kur qëlloi që të patrullonim permes Fushës së Myzeqesë për kontrollin e zakonshëm, unë dhe vëllai im, me një grup të përforcuar kalorësish,përfituam nga rasti dhe i bëmë një vizitë Spiro Gozos. Gostia u dha në afërsi të një pylli të vogël, në hijen e bukur të vidhave. Aty pranë ishte një burim dhe na pëlqeu shumë mënyra se si na gostiti i zoti i atij vendi. Më në fund ne e falenderuam nga zemra Spiro Gozon dhe i kërkuam leje që të ikim. Pas përshëndetjeve të zakonshme u nisëm për udhë.
………………………………………….. ………………………………………….. ………………………..
Më e keqja ndodhi disa ditë më vonë. Ne ishim duke shkuar nga Verbasi për në Mashkullorë, kur papritur ne takuam në Margëlliç… Asnjeri nuk mund ta besonte atë gjë, por ne takuam Angjelina Gozon!… Vajza po na priste në Margëlliç!…
———————————————————————————————————Një gjë e tillë nuk më kishte ndodhur ndonjëherë!… E dija: ajo po na priste ne, por qëllimet i kishte… Si ta them atë!… Ajo kishte rënë në dashuri me vëllain tim!
– Karaxha! -thirra pa pritur më gjatë.-Merre vajzën dhe shpjere në ndërtesën tonë në Mashkullorë. Ndërkohë ju, Gjedik, Umun dhe Burak, ejani me mua!
– Po unë, -më pyeti Ergyni.
– Nuk ka asgjë të rëndësishme. Ti duhet të jesh këtu gati për çdo gjë që mund të ndodhë. Unë do të kthehem menjëherë.
Dhe me kalorësit e mi bëra me nxitim tatëpjetë. Nuk qe nevoja fare që t’i thërrisnim Spiro Gozos, se ai kishte dalë tek sheshi përpara shtëpisë së tij dhe na priti me një gjendje shumë të shqetësuar.
Ia zbrita kalit dhe e përshëndeta.
Tashti, kur e kujtoj fytyrën e tij, më duhet patjetër të shpreh gjithë admirimin tim, se ai ishte i aftë që t’ia hidhte edhe vetë djallit me brirë!… Dhe t’ia hidhte keq!…
Kishte një mënyrë të çuditshme të paraqituri që të gjithë ligësinë e shpirtit të tij ta shiste për një dashamirëi nga më të çiltrat. Nuk ishin fjalët që ai ndofta nuk i lidhe edhe aq mirë, por mënyra e të thënit që i bente aq të besueshme të gjitha dhe shiste kungullin për pjepër
– Spiro Gozo! -i thirra unë atij të mallkuari. – ne nuk kemi pasur asnjë qëllim për të të fyer duke të rrëmbyer vajzën tënde. Ajo erdhi atje pa na pyetur fare dhe kundër vullnetit e dëshirës sonë. Ne nuk i kemi dhënë asnjë shkak, nuk e kemi nxitur as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi që të braktisë të atin dhe familjen e saj!…
– Vajza ime? –tha ai shumë i çuditur.
– Po,vajza jote! –iu përgjigja unë.
-Vajza ime ka braktisur babain e saj?!…
– Po! Ajo është në ndërtesën tonë në Mashkullorë. Por e them hapur këtu para teje dhe para të gjithëve se ne nuk kemi asnjë faj dhe për ta provuar pafajsinë tonë…
————————————————————————————————————
– Për vajzën time?!… pyeti ai dhe dukej qartë se u lehtësua nga një barrë e rëndë që e mundonte gjer një moment më parë. Dhe ai vazhdoi kështu: As mos u shqetësoni për atë punë! Pa dyshim miqësia jonë vlen shumë më tepër se vajza e Spiro Gozos!… Unë, t’u them të drejtën, kisha parasysh diçka tjetër!… Një vajzë!… Një vajzë është një hiç përpara punëve të mëdha dhe të rëndësishme, për miqësinë që nuk duhet të thyhet kurrë.
………………………………………….. ………………………………………….. ………………………..E shkreta vajzë! Çfarë vështirësish përballonte natyra e saj e gëzuar në atë shekull të turbulluar që sillte gurë dhe drurë!…Dhe ajo, që i dinte të gjitha, nuk e hapi njëherë gojën, nuk vendosi ta tregonte historinë e saj, nuk vendosi të fliste për tradhtinë e babait të saj që po i shkatërronte atë lumturi të vogël që mund të ndërtohet në këtë botën tonë të vogël!.. Nuk mundi të fliste për ato të gjitha, megjthëse ishte vetë babai i saj që e shtynte me qëllim në ato punë!… Ajo i mori të gjitha në varr dhe vendosi ta tregonte vetëm me heshtjen e varrit dhëmbjen për të atin që humbi dhe për familjen që nuk mundi të krijonte!…
Si mundi ajo të heshtte gjer në fund?!… Se jam më se i sigurt që ajo i dinte të gjitha dhe gjer në vdekje qëndroi në mes të atyre dy dashurive: të dashurisë së vajzës për të atin, të asaj dashurie që përplasej tek ai që e kishte lindur, dhe të dashurisë tjetër, të dashurisë së virgjër për tim vëlla, të dashurisë që për një vajzë është sa vetë jeta!… Prandaj nuk mund të ngushëllohem kurrë në dëshpërimin tim, se në atë moment vendimtar nuk dyshova për Spiro Gozon, por vetëm deklarova në mënyren më të çiltër:
– Ne jemi miq dhe si një provë të miqësisë sonë unë do t’ua kthej vajzën duke u siguruar për nderin e saj me fjalën time të nderit si kalorës.
Spirua, i siguruar plotësisht se vajza e tij kishte ikur e shtytur nga dashuria dhe nuk kishte treguar ndonjë gjë rreth komplotit të tij me Napoletanët dhe Kastriotin, nxitoi të thoshte:
Kur është kështu, unë kap rastin për të treguar gjithashtu besnikërinë ndaj jush: vajza ime është juaja!
Kjo i kaloi të gjitha ato për të cilat isha i përgatitur dhe, pa e pasur pëlqimin e prindërve të mi, u përgjigja:
-Të lutem ty dhe gjithë familjes sate që të më lejoni ta kërkoj vajzën tuajtë na i jepni nuse për vëllain tim më të vogël.
Ai u përgjigj menjëherë:
– Unë ua jap vajzën dhe bashkë me të edhe besnikërinë time të patundur. Tashti ne jemi tanët. Ne shtrënguam duart të kënaqur sa më s’bëhet… Natyrisht secili sipas mënyrës së tij dhe sipas qëllimeve që kishte në kokë.
Pas kësaj unë thashë:
-Tashti dërgoni njerëzit për ta marrë vajzën!
– Për të marrë vajzën? –u çudit ai sa më s’bëhet.-Dhe pse ta marrim!…
– Sepse ju atë e kini vajzën tuaj! –iu përgjigja edhe unë i çuditur akoma më shumë.
– Por ajo a nuk është nusja juaj?
– Ja prita: -Ashtu është, unë e thashë fjalën dhe ne nuk e kemi zakon të hamë fjalën tonë, por ne turqit kemi zakonet tona, ashtu si edhe ju shqiptarët keni zakonet tuaja të mira. Nusja, për ne turqit, vjen në shtëpinë e dhëndrit vetëm pasi të jenë ndarë të gjitha punët e martesës. Ne nuk e kemi zakon t’i rrëmbejmë gratë.
………………………………………………………………………………………………
Pasi e mbylla në këtë mënyrë çështjen me vëllain tim, fillova të mendoj si do t’ia dilja mbanë të bindja prindërit e mi. Çfar do t’u thosha dhe si do t’ua shpjegoja krushqinë që kasha nxituar të bëja me Gozot?… Me gjyshin tim Durasi puna do të ishte më e lehtë dhe kisha bindje të plotë se do t’ia merrja pëlqimin, se ai ishte shumë i mprehtë në të kuptuarit e situatave dhe kishte një shkathtësi të madhe në politikë, por im at ndryshonte. Ai ishte një turk i vërtetë në të gjitha të dhënat e asaj race, ishte një njeri i guximshëm, një njeri i fjalës dhe i punës. Ishte shumë tolerant në çeshtjet fetare, por krejtësisht intolerant në shkeljen e traditave, qoftë të races së tij, qoftë të atyre të racave të tjera. Sipas tij të gjitha traditat ishin të mira, se e kishin kaluar proven e shekujve dhe me ato nuk mund të kishte shaka. Vajza e Spiro Goros mund të ishte një nuse shumë e mire, sipas mendimit të babait tim, por pa dashuri, pa përfolje dhe pa rrëmujë.
——————————————————————————————————Lajmet që kishim marrë bënë që ngjarjet të zhvilloheshin me një shpejtësi marramendëse. Napoletanët dhe kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Kastrioti filluan rrethimin e Beratit dhe kështu po vihej në jetë fushata për të na nxjerrë nga Ballkani. Duket, se Saruhanasit e mbetur pa Atdhe, nuk kishin më ku të shkonin!…
Të gjitha grupet e armatosura turke kishin marrë urdhër që të ishin në gjendje gatishmërie. Unë prisja ardhjen e Sanxhak beut të Janinës dhe isha i sigurt që Napletanët, pot ë qe se dote merrni një mësim të mire para Beratit, pa asnjë dyshim nuk do të guxonin më kurrë në të ardhshmen që t’i futeshin të papriturës duke ndërmarrë fushata në Shqipëri ose në Greqi. Me një fjalë, ata do t’u jepnin lamtumirën e fundit ëndrrave të tyre të bukura për një perandori të madhe mesdhetare.
Në kohën kur ne ishim duke pritur ardhjen e Sanxhak beut tone nga Janina, papritur më erdhi ftesa nga miku ynë Spiro Gozo. Ai do të jepte një gosti të madhe për të nderuar miqësinë tonë dhe për fitoren që ne do të arrinim kundër armikut tone të përbashkët. Ne nuk kishim asnjë arsye që të mos shkonim dhe unë urdhërova që të bëhehin të gjitha përgatitjet për gostinë dhe për gatishmërinë në rast se dote detyroheshim të ndërmerrnim ndonjë veprim ushtarak. Në Margëlliç unë lashë Umunin dhe disa të tjerë, ndërsa me tim vëlla dhe me pjesën më të madhe të kalorësve u nisëm për në shtëpinë e Spiro Gozos.
………………………………………………………………………………………………
Nuk mund dhe nuk duhet të trillojmë gjëra më kot pas muhabetit! Kur hymë në shtëpinë e Gozove ne nuk pamë asnjë shenjë që mund të dukej e dyshimtë. Dhe gostia filloi dhe vazhdoi me një gëzim të vrullshëm, me shëndete, dollira, këngë, valle dhe thirrje për miqësinë. Në një moment Spiro Gozua kërkoi leje se kishte diçka për të porositur dhe u ngrit e doli jashtë nga dhoma. Tanët ishin duke ngrënë e duke biseduar dhe asnjërit nuk i ra në sy se të gjithë gozot kishin ikur nga dhoma!… Edhe unë vetë nuk e dallova një gjë të tillë dhe nuk u shqetësova për ikjen e Spiros. Ajo për mua ishte një gjë e zakonshme… Dhe m’u duk sikur ra rrufeja kur në një moment hyri papritur në dhomë Angjelina Gozo dhe thirri sa mundi:
Tradhti! Dilni jashtë!
Asnjëri nuk arriti të kuptonte çfarë po thoshte ajo.
– Ç’ka ndodhur? –e pyeta unë.
Vajza më shikoi në sy si të ishte e marrosur.
– Dilni jashtë dhe menjëherë! Ju kanë tradhtuar!
Ishte një gjë e pabesueshme!… Ne të gjithë ishim sikur të na kishte goditur rrufeja dhe nuk arrinim të njihnim as vajzën që ishte për ne më se e afërt. Ajo ishte prishur aq shumë në fytyrë, sa dukej sikur sapo kishte shpëtuar nga ferri ku kërkonin ta mbanin me forcë!…
Kur goditja e parë e furtunës kaloi, fillova të mendoj për atë pamje të jashtëzakonshme të vajzës dhe m’u duk sikur e gjeta përmes çfarë mundimesh kishte kaluar ajo. Megjithatë, në moment për mua ishte e pamundur që t’i kuptoja ato që po ndodhnin. Dhe ai qe vetëm një moment, se një moment më vonë dëgjova thirrjen e Karaxhait:
Ah, ti qen!… ti qen i pabesë shqiptar!…
Dhe u dëgjua tingëllima e shpatave. Ky ishte fillimi i përleshjes.
– Te kuajt! – thirra unë sa munda.
Por ishte një gjë më se e vështirë që të përmbusheshin urdhrat në atë rrëmujë të tmerrshme që u bë.
– Dera është e mbyllur, – bërtiti Buraku.
– Te kuajt! – përsërita unë urdhrin nga që më dukej se tanët atje përjashta ishin në vështirësi.
– Një sopatë!…
– Dilni këtej! – tha Angjelina.
Unë shkova pas saj dhe të tjerët na ndoqën pa marrë ndonjë urdhër të veçantë.
………………………………………….. ………………………………………….. ………………………..
Lavdi Zotit, populli ynë e ka në gjak rregullin dhe disiplinën dhe vetëm kur t’i kesh vrarë mund t’i ndalësh!
M’u afrua Karaxhai i plagosur.
– Im zot! – më tha duke shkuar kaluar pranë meje. – Vajza është plagosur shumë rëndë!…
– Shko pranë saj dhe kujdesu për të!… Përpara djem!
Në këtë kohë Ergyni doli nga moçali dhe e sulmoi armikun nga ana tjetër. Kështu më në fund e hapëm rrugën. Duke e parë qartë se e humbën lojën, shqiptarët e lanë fushën e luftës dhe u zhdukën përtej Qafës së Shën Sotirit…
Vetëm më vonë e kuptova se ne kishim pasur një fitore të madhe si në fushën e betejës, ashtu edhe …
………………………………………….. ………………………………………….. ………………………..
Që nga maja e kodrës ku po rrija pashë të vinin në drejtimin tonë disa kalorës. Ata kaluan nga e majta dhe morën drejtimin për në Mashkullorë. Unë bëra poshtë dhe në rrugë më njoftuan se te shtëpia jonë kazermë kishte ardhur i vëllai i Spiro Goros! Kjo gjë për mua ishte fare e papritur dhe natyrisht më çuditi shumë. Megjithatë unë e dija se ky vëlla nuk nuk lozte ndonjë rol në çështjen e madhe që na kishte plasur. Spirua, që ishte shumë i rëndë në familje, as që donte të dinte për mendimet e të vëllait dhe e çmonte si një kafshë me dy këmbë.
Unë i prita mysafirët, at e bir, në atë dhomë që e përdornim si dhomë pritjeje. Ai e filloi fjalën duke kërkuar ndjesë në mënyrë të zgjatur. Më shpjegoi se i vëllai nuk pyeste fare për të dhe vazhdoi në këtë mënyrë:
– I thashë vëllait tim, Kastrioti është një njeri shumë i rrezikshëm për vendin tonë, ai është një njeri që do vetëm veten e tij dhe familjen e tij, është një njeri i pangopur për pasuri dhe pushtet dhe, për t’i arritur këto dy qëllime të tij, ai mund të bëhet me Napoletanët, me Venedikasit, me Serbët dhe me djallin vetë!…
Ia preva fjalën:
– A dije gjë ti për rebelimin?
Kisha bindje të plotë se ai do të mohonte çdo gjë, por u çudita shumë kur m’u përgjigj hapur fare:
Po, unë e dija!… Unë ua thashë hapur se nuk pajtohesha me ta!…
Çudi! Ai po më fliste thjesht dhe në një mënyrë që nuk linte asnjë dyshim për çiltërsinë e tij, një gjë që jo shumëkush e ka guximin ta bëjë! Tashti po i njihja në të vërtetë të dy vëllezërit: kush nga ata të dy mund të merrej për shqiptar më origjinal?!…Për mua puna sikur po ngatërrohej… Dhe ai po vazhdonte:
– Të gjitha ua thashë, por ai që e bëri lëmsh këtë punë, ai që na solli të gjitha këto fatkeqësi, ishte nipi… Ai nipi ynë!… Ai vagabondi që bredh si laraska gardh më gardh! Ai qeni i Kastriotëve!…
Tashti nuk mund të ngushëllohesha për atë moskujdesje që kisha treguar Ditën e Pashkës së Madhe! … Por ishte shumë vonë dhe të gjitha këto e kishin humbur rëndësinë. Për mua tashti kishte vlerë çiltëria e atij njeriu. Ajo po më çudiste pa masë dhe e ndërpreva përsëri:
– Të gjitha shpjegimet e tua i gjej me vend dhe ti me familjen tënde je i falur!
– Zoti të shpëtoftë ty dhe të tutë! … Ne jemi tanët … Ne e njohim fajin tonë! …
Ia preva: – Kjo tashti nuk ka asnjë rëndësi! Përgjersa ju kam falur, nuk do të kthehem më aty dhe ti nuk ke asnjë nevojë që të vazhdosh të përmendësh një faj të falur. Tashti më thuaj hapur: ke ndonjë kërkesë?
Ai sikur e humbi. Pas pak tha:
– Të kam prurë dy kuaj, për ty dhe për vëllain tënd … Të lutem shumë që t’i pranosh nga ana ime!…
I thashë: – Qoftë e bërë! Tani më thuaj çfarë nevoje ke?
Ma priti ai: Për hir të Zotit që është një, ki mëshirë për familjen tonë!
Mbeta ngushtë dhe i fola kështu:
– Unë ta thashë njëherë: ne nuk jemi të zemëruar me familjen tënde!
– E kam fjalën për familjen e të ndjerit zot Spiros! – tha ai si me frikë.
Iu përgjigja: edhe familja e Spiros nuk do të preket!
Ai psherëtiu dhe tha:
– Zoti ju bekoftë! … Dhe unë …
Ai deshi të shtonte diçka, por duket nuk guxoi dhe heshti. I fola:
– Mos ki frikë! Për çfarë është fjala?
Ai filloi, por si me frikë:
– E kam fjalën për vajzën, për Ngjelinën…
E pyeta: – Çfarë kërkese ke ti lidhur me vajzën?
U përgjigj ai: Po qe se më jep leje … Spirua kishte qëllime të liga …
Ia preva: – Le t’i lëmë të vdekurit të pushojnë në paqe! Ti çfarë kërkon lidhur me vajzën?
– Tha
ai: – Me lejen e zotërisë suaj, ju lutemi shumë që të na ktheni vajzën … Të kthehet çupa jonë në shtëpinë tonë …
Ia preva fjalën në mënyrë të thatë:
– Për vajzën të mos thuhet qoftë edhe një fjalë më shumë! Vajza është jona, është kunata ime, është e fejuara e vëllait tim më të vogël. Ti i di mirë një gjë të tillë! Ne jemi njerëz të ndershëm dhe i dimë rregullat e nderit të familjes dhe të mbretërisë. Fejesa u bë në mënyrë të ndershme dhe nuk mund të krijojë ndonjë shkak për pakënaqësi. Kështu mendojmë ne!
————————————————————————————————————
Kisha shpresë të madhe që vajza të shërohej dhe ndërrova plotësisht mendim për ato që kisha bërë. Komandimi kishte qenë fund e krye i saktë, i kishim dhënë Kastriotit një mësim të mirë si dhe herët e tjera dhe, pas gjithë asaj që kishte ndodhur, ne ishim përsëri në gjendje që të ndërmerrnim një patrullim të ri përmes Fushës së Myzeqesë.
————————————————————————————————————
Sanxhak beu më bëri një përshtypje shumë të madhe. Ai ishte një burrë i vjetër dhe fisnik, një njeri i mrekullueshëm, por më shumë i mençëm dhe i lindur për të qeverisur se sa për të komanduar. Unë fillova ta admiroj dhe ta dua shumë që në vështrimin tim të parë. Im vëlla u prek thellë dhe nga mallëngjimi iu përlotën sytë … se ne për herë të parë në jetën tonë kishim rastin të ishim ushtarë të një ushtrie të rregullt turke. Aty ne pamë flamujt e kuq me hënë dhe me yll të bardhë, pamë grupet e daullexhinjve, të culexhinjve dhe borizanëve. Ne tashti nuk kishim veçse të zhvishnim shpatat tona turke! Ne ishim vetëm rreth dhjetë mijë veta por, me siguri, nuk kishte forcë në botë që t’i qëndronte goditjes së kombit tonë të ri.
Dhe çfarë gëzimi na pushtoi kur mua dhe tim vëlla na urdhëruan që të çanim përpara për të zbuluar pozicionet e armikut dhe për të marrë lidhje me forcat shqiptare që mbronin grykat dhe qafat mbi Berat. Ne me kalorësit tanë marshuam me shumë nxitim dhe po atë ditë hymë në bisedime të fshehta me rojat e armikut dhe arritëm një marrëveshje që ata të kalonin në anën tonë porsa që ne t’i lajmëronim për një gjë të tillë. Për shërbimin që do të na bënin ne do t’i shpërblenim bujarisht.
————————————————————————————————————
Ishte e qartë, ata shqiptarë u kënaqën shumë për shpërblimin dhe nga që kaluan në anën tonë. Ata na dhanë njoftime të sakta për pozicionet e armikut. Shqiptarët dhe Napoletanët i kishin vendosur kampet në disa pika: në verilindje të Kështjellës, në fushë ishin forcat kryesore të armikut të komanduara nga i kunati i Kastriotit, Muzak Topia. Forcat e tjera ishin vendosur në këto pika: në lindje të Kështjellës ishin disa forca të Tanush Topisë me detyrën që t’i bënin trysni garnizonit të Kështjellës dhe të kontrollonin kalimet, grykat dhe qafat në drejtim të Jugut; në jugperëndim ishte një tjetër Muzakë i quajtur i Angjelinës, që kishte të njëjtën detyrë që kishte edhe Tanush Topia. Kastrioti vetë qëndronte më në Veri me forcat kryesore që të ishte më i lirë për të ndërmarrë sulme kundër aleatëve tanë nëpër Fushën e Myzeqesë. Nga përvoja ime personale e dija ç’ishin ato sulme të papritura.
Ky ishte rreshtimi i armikut dhe ky rreshtim bëhej shumë më i rrezikshëm për ne se në pikën kryesore, përballë portës së Kështjellës, ishin vendosur forcat e zgjedhura: dy mijë Napoletanë, forca këmbësorie me armë zjarri dhe forca artilerie. Po aty ishin edhe dy mijë shqiptarë të zgjedhur. Këto forca ishin vendosur tek ullinjtë dhe komandoheshin nga Tanush Topia dhe napoletani Palerino.
Shumë i kënaqur për njoftimet që kisha marrë, ua dhashë ditën tjetër shenjën që do t’u bëja kur duhej të kalonin në anën tonë dhe pastaj u fsheha përsëri në pyll. Menjëherë ia nisa Sanxhak beut të gjitha ato që kisha mësuar. Pastaj ne qëndruam të fshehur gjersa erdhi ushtria jonë.
———————————————————————————————————-Që nga vendi ku ishim fshehur, porsa ra nata, pamë zjarret e panumërta të armiqve tanë. Tashti ne ishim të sigurtë se ato zjarre, që po ndizeshin për disa ditë me radhë, natën tjetër nuk do të ndizeshin më. Ne ishim të sigurtë se duhej vetëm të prisnim që të zbardhte dita e re dhe çështja e Napoletanëve do të arkivohej njëherë e përgjithmonë…
Përfundim
U mor vesh: Kasëm Trebeshina nuk është heroi, as disidenti i atyre që pretendojnë të jetë i tillë.
Si fati i të gjithë atyre që vijnë nga paliria, nga mungesa e lirisë, rasti i Kasëm Trebeshinës dhe i rrethanave në të cilat ai jetoi, duhen gjykuar gjysmë për gjysmë, duhen parë dhe në ndërthurjen e rrethanave të jashtme me cilësitë e brendshme të karakterit të tij. Po t’i marrim veçmas këto gjysma, në gjysmën e parë faji të ngjan se bie i gjithi përmbi rrethanat. Ai asnjëherë nuk ka qenë i lirë. Në fillim ka ndihmuar për vendosjen e situatës së dhunës. I përjashtuar nga puna në Sigurim, më pas ai nuk e gjente dot veten asgjëkundi. Dhuna si një bumerang iu kthye e i ra mbi kokë. Në ato kushte, atij më shumë se sa të dojë, i ka volitur të urrejë, në vend që të mendojë bardhë, ka menduar zi. Nuk ka arritur të pohojë asgjë. Urrejtja e ka mbajtur më këmbë njeriun dhe shkrimtarin. Po ka qenë një urrejtje që mbetej përherë e papërmbushur, e pangushëlluar kurrë. Një urrejtje si në ato rastet kur do të hakmerrersh dhe e kupton se dëmi që ke pësuar, është aq i gjëmshëm sa asnjë hakmarrje nuk ta ngop e nuk ta ngroh më zemrën. Një njeri, rob i kushteve të tilla, me kohë rrit në zemrën e tij një përbindësh që prodhon helm. Helmi sa vjen e rritet. Bëhet më i fortë se njeriu. Rritet deri në atë masë, sa mund të hedhë në erë njeriun dhe botën rreth tij.
Kjo situatë prodhoi atë letërsi të urrejtjes dhe të neverisë për vendin dhe për njeriun.
Kështu paliria e ka tjetërsuar njeriun aq sa ai nuk e njeh më veten.
Kjo është gjysma e parë e tij, e diktuara nga rrethanat.
Gjysmën tjetër e ka të gjithën mbi shpatullat e veta. Rrethanat ishin të vështira, po edhe ai qe një rast i vështirë. Në këtë kuptim, askush nuk i ka borxhe sot Trebeshinës.
Si shkrimtar ai nuk prodhoi dot letërsi të madhe.
Si personalitet që nga fillimet ka prodhuar dhunë dhe dhunë të skajshme, kur duhej dhe duhet paqëtim. Paqëtim brenda njeriut dhe midis njeriut e shoqërisë.
Në paskomunizëm, me falsifikimin dhe idealizimin e vlerave të rrejshme, ai prapë mbeti dukuri e komunizmit. U vu në funksion të shkatërimit moral.
Secilit i duhet ta paguajë nderin e vet të shkrimtarit dhe të njeriut, jo të dredhojë nga moraliteti. Si mjeshtër dhe ushtrues i dhunës në vitet ’40-’50, ai duhet, së paku, të pendohet për fajet e veta. Në vitet e mëpasme, për t’u ruajtur, ai është përshtatur me kohën e komunizmit. Mospranimi i fakteve, për më tepër, sajimi i të paqenave, e ndotin sot letërsinë e tij me urrejtje. Ndotin dhe mjedisin kulturor me agresivitet. Secili duhet të përballet ndershmërisht me kohën dhe me veten.
Dhe është thënë: askush nuk ka aq para, sa ta blejë të kaluarën e vet.
KREU VIII
PASTHËNIE
Kur shkrova shkrimin mbi disidentët e rremë në gazetën “Panorama”, e dija se do të ndizja kundërshtime e mospëlqime nga një herë edhe tek miqtë e mi.
Një ditë në shtëpinë time do të vinte një pako nga Gjermania dhe të mitë u bënë kuriozë për të: ç’ kishte në atë pako postare. Ishte libri im “Psalm për atin” që Joakim Lankch ma kthente. Në letrën e tij thuhej: unë nuk mbaj në shtëpinë time libra nga një njeri, dora e të cilit është e ndyrë. Atë e kishte revoltuar shkrimi im në “Panorama”, ndaj ma kthente librin, ndaj dhe kishte shkruar kundër tij një reagim në gazetën “Java” të Migjen Kelmandit në Prishtinë. Nuk i dhashë rëndësi kësaj, nuk i dhashë përgjigje as zotit Lankch për reagimin e tij në gazetën “Java”. Fundja, mendova, ky është një i huaj krejt i panjohur dhe i papërfillur në vendin e tij. Askush në Gjermani nuk do t’ia dijë se ç’mendon a ç’ndien ky farë soji njeriu i quajtur Lankçh. Veç Shqipëria që ndonjëherë tregohet inferiore ndaj mendimeve të hiçërve të huaj, i dëgjon dhe i respekton të tillët. Opinioneve të tilla u kushton vëmendje niveli i amvisave shqiptare, niveli i atyre që vdesin për një picë dhe nga që harrohen pas telenovelave dhe pas faqeve argëtuese në gazeta, joshen kaq shumë pas tyre, sa harrojnë deri të gatuajnë, të lajnë e të fshijnë shtëpinë.
Por opinioni i amvisave duhet respektuar. Edhe unë kam të njohura dhe shoqe të tilla. Të tillat si mendësi i gjen edhe nëpër zyra, si nëpunëse. Ato më thonë se unë po marr kot kur shkruaj për një Kasëm Trebeshina që ka vuajtur, që ka qenë në spitale psikiatrike, po marr kot kur shkruaj për një Dhora Leka që i ka shkuar jeta në burgje dhe në internime. Për më tepër, të tillët i marrin në mbrojtje gazetat dhe TV-të. I merr në mbrojtje një Ardian Klosi që na fanepset shpesh në televizion, që është aq i lakmuar prej TV-ve, paçka se herë-herë, sipas tyre, ngjan pak spitullaq e pak si shumë zevzek. TV-të e sotme për interesat e tyre na kanë krijuar modelin e VIP-ave që janë specialistë për gjithçka. Modelin e vip-ave opinionistë që impresionojnë amvisat. Dhe të tillët, s’ke ç’u thua, mvrenjten dhe pozojnë rëndshëm para kamerave, sa ua prishin mendjen edhe cave të një niveli përmbi amvisat.
Këtë opinion amvisash të komanduar nga pulti i televizorit që nuk lexon gjë më tej, që nuk ka dije më tej nga ç’jepet në TV, nuk mund ta konkurrosh dot. Dhe le ta themi se ky është opinioni i shumicës së njerëzve të kësaj kohe, i kësaj epoke që mbizotërohet jo nga libri, por nga TV-ja.
Kur Klosi reagonte jo njëherë, në “Panorama”, në gazetën “Java” të Prishtinës, në “Shekulli”, në “Klan”, mua më thuhej edhe nga shumë shokë e dashamirë që kot jam marrë me njerëz të tillë që i kanë mediat në anën e tyre. Se sot po të nisësh një dava, të duhen lekë, të duhet nge dhe kohë.
Dhe kështu.. Njerëzit e Dhora Lekës shkonin më përpara se shkrimet e mia në gazeta. Tipat si Klosi organizonin reagime ndërkombëtare për të mbrojtur pozitat e tyre.
S’mjaftoi vala e parë e reagimeve, kur shumë ish-sigurimsa më kërcënuan me gjyqe e me fyerje, por i duhej dhe revistës “Klan” që ta rihapte sërish polemikën. Aty Klosi kishte marrë hapësirë pa kufi, në katër faqe fotot e tij shkëlqenin më tepër se në një fushatë promocionale të një stari të kinemasë. Veç këtyre ai në itervistën e tij mund të thoshte çdo sharje a fyerje që i vinte ndër mend. Shtyp i lirë?! Kështu duket. Kur shkoja në gazeta, redaktorët, pak si të bezdisur, më thoshin: po, po, edhe ti ke të drejtë të reagosh, këta të tjerët i kanë dhënë gojës pak si shumë.
Ato amvisat më thanë: ai na paska qenë çun ministri, atë nuk kishte pse ta ndiqte policia. Këta, me të cilët po merresh ti, kanë qenë çuna blloku, ata dhe të afërmit e tyre. Për djall, prapë këto amvisat! E ç’munnd t’i bësh një amvise që të të besojë? Veç t’i shfaqësh para syve ndonjë telenovelë.
Reagimet dhe sidomos jehona e tyre tavolinave, aty ku ne shqiptarët shprazemi më shumë, qenë helmuese. Dora ime e djathtë, dora me të cilën shkruaj, po ndotej më thoshin. Deri të parët e mi po fyheshin… Por, e vërteta është ndryshe… as unë, as të parët e mi nuk kemi krime mbi kurriz. Ana tjetër është e tillë. Një çetë helmuese, mund ta quash. Një çetë që duan të hiqen heronj. Që fabrikojnë heronj. Bilbil Klosi partizan firmosi për vrasjen e Ramize Gjebresë, pastaj firmosi për të vrarë pa gjyq 22 armiq të partisë. Dilaver Bengasi, ish-shef i një hetuesie, që çoi në plumb edhe bosat e saj të mëdhenj si K.Hazbiun me shokë. Lëri të tjerët. Me ta dhe L. Gjoliku, e bija e një “heroi” që ka qenë në krye të batalioneve të mbrojtjes, batalionet vrasëse të viteve 1944-1950. Me ta Trebeshina sigurims dhe vrasës i shokëve në luftë… Dh. Leka një denoncuese… Dhe Koçollarët po më sulmonin prapa krahëve, se i kam prekur me librin “Vilsoni dhe Genci”. Një çetë helmuese, çetë që do të mbrojë pozitat dhe të vrasë prapë armiqtë e kohës së diktaturës… Dje kanë bërë punët më të errëta. Nuk ka pse ta helmojnë dhe më tej të sotmen. Komunizmi i tyre ka dështuar. Ka dështuar kauza e shërbimet e tyre. Të paktën, duhet të shprehin ndjesë për sa e sa fatkeqësi që i kanë sjellë këtij vendi.
Ata bërtasin se kanë qenë heronj të luftës. Heronj të kohës së diktaturës. Askush nuk ka të drejtë ta bërtasë heroizmin. Heronjtë e Luftës nuk i shërbyen kohës që erdhi pas Luftës. E kundërta ndodhi. U bënë pjesëmarrës në krimin që quhet diktaturë. Fatkeqët heronjtë e kohës së komunizmit. Ishin vallë heronj? Heronj në shërbim të fatkeqësisë?
Heronjtë janë si gurët që ngulen thellë në tokë, ngulen në një kohë e në një hapësirë dhe nuk duhet të lëvizin prej saj. Lëvizja mund t’i dëmtojë ata, por edhe pasardhësit. Të ngulur në tokën e në kohën e tyre, ata janë më të nderuar. Deri atje dhe jo më tej. T’u vëmë lule aty ku janë ngulur. Nuk duhet të luajmë me ta.
Po ndeshesha me njerëz që spekullojnë, manipulojnë me të vërtetat, me të kaluarën. Po ndeshesha me njerëz që dinë t’i fshehin gjurmët. Me lojtarë shërbimesh të vjetra, të cilët kanë qenë gjithmonë të sofistikuar në veprime, në atë që shërbimet e tyre të ngjajnë të besueshme. Ndryshe pse janë shërbime të specializuara.
Kisha të bëja dhe me kujtesën njerëzore që lumturisht a fatkeqësisht është e shkurtër. Fatkeqësisht a lumturisht, thashë? Po. Kështu është. Në atë ambiguiditetin e saj shërues, por dhe vrasës, kur si amnezi lë jashtë gjëra që nuk duhen harruar, kujtesa është dhe e mirë, dhe e keqe.
Disa miq të vjetër, tashmë në pension, më erdhën tek pi kafen e mëngjezit. Më thanë: mos e krruaj shumë me komunistët. Ata e bëjnë kopilin dhe ta lënë në derë. Janë shumë të vjetër për të bërë çdo krim që më pas e shesin si virtyt, si nevojë historike a si luftë me armikun.
Në të vërtetë kjo po ndodhte. Mjeshtrat e krimit dinë ta shesin një krim si luftë kundër krimit.
Në Universitet një ditë, tek po kalonim nga një anë e udhës në krahun tjetër të saj, një koleg si me shaka më tha: kalo më përpara, se ti po bën armiq e, nuk i dihet, ndonjë me makinën e tij edhe mund të na shkelë, po të jemi bashkë me ty.
Ishte një shaka… Por në librat e estetikës një thënie kësisoj mund të quhet humor i zi. Më duhet ta kapërdija.
Atëherë cili është morali i gjithë kësaj historie?
Të merresh me ngjarje të mbuluara mirë, të mbuluara aq sa të duken si e kundërta e tyre, është një punë që të kushton.
Por mbase ia vlen barra qiranë që ta marrësh përsipër këtë kosto.
Njerëz të këtij kallëpi të sulmojnë me dhembë të helmuar, rrugaçërisht e agresivisht. Hapur dhe mbrapa krahëve. Për t’u mbrojtur, duhet t’u përgjigjesh me qetësi, por ndonjëherë duhet që t’u përgjigjesh me të njëjtën gjuhë, edhe se kjo nuk të shkon pas natyrës tënde.
Por detyra e letërsisë dhe e publicistikës është që të mos i harrojmë krimet. Duke i pohuar dhe denoncuar ato, ne shpëtojmë dhe shpëlahemi prej tyre. Bëjmë eksorcizmin. Homeri i lashtësisë e paraqiti Akilin ashtu siç ishte, një hero për nga aftësitë e tij luftarake, por hero i një luftë të mbrapshtë. Duke luftuar e vrarë trojanët në shtëpinë e tyre, ky hero në fund të luftës u vra nga shigjetat e perëndisë Apolon dhe u dërgua në Hades, në ferrin grek. Vdiq para kohe. Homeri u kujtoi grekëve se, sado heronj, ata kishin kryer një krim, që do t’u kushtonte.
Pse ne duhet ta harrojmë krimin? Ne nuk duhet të harrojmë që Dhora Leka, një kompozitore e luftës partizane, më pas u bë një spiune e të huajve dhe e Sigurimit shqiptar.
Nuk duhet të harrojmë se ky Kasëm Trebeshina i sotëm ka qenë në fillimet e tij një kapiten i Mbrojtjes së Popullit, i sigurimit. Batalionet e Mbrojtjes së Popullit kanë vrarë e kanë rrafshuar me gjak e hekur çdo njeri, fshat a krahinë që i kundërvihej komunizmit në vitet e para pas çlirimit. Në Mirditë të vrarë të tillë janë hedhur që t’i hanë derrat si ushqim. Po, kështu ka ndodhur. Kjo gjë duket si shumë makabre, si ato pamjet ngjethëse që shohim në filma, por ka ndodhur këtu në Shqipëri.
Shumë njerëz më thanë: pse duhet t’i kujtojmë këto. Por pse duhet që t’i harrojmë, do të ishte kundërpyetja. Një poet nobelist, italiani Salvadore Kuazimodo, thotë: ditët e kaluara sa më shumë që shkojnë, kthehen pas në zemrën e poetëve.
Pa kujtesë çdo kriminel që sot është nën thinjat e pleqërisë, ashtu si Nexhmije Hoxha, do të na dukej i respektuar dhe i pastruar vetëm për hir të moshës a të ndonë të mire që ka bërë në kalim të viteve. Kjo nuk duhet të na mashtrojë. Shumë popuj të Evropës Lindore i kanë demaskuar krimet e së shkuarës. I kanë hapur dosjet e sigurimit për ata që janë në politikë, për ata që kanë peshë në jetën mediatike e më tej. Shoqata ndërkombëtare e të persekutuarve politikë, pas rezolutës së Këshillit ë Europës për dënimin e krimeve të komunizmit, po bën thirrje për ta çuar krimin komunist në gjykatën e Hagës. Për një Nuremberg të komunizmit. Në Shqipëri jemi shumë larg nga popujt e tjerë. Në Shqipërinë ku stalinizmi ka qenë më jetëgjatë se kudo tjetër.
Shqiptarët nga natyra hyjnë ndër ata popuj që harrojnë shpejt. Kur çamët i nisnin me zjarr dhe hekur drejt kufinjve tanë, mbas tyre do të vinin dhe grekët e uritur. Shqiptarët i pritën dhe çamët dhe grekët e uritur, i mbajtën me bukë. Mirë bënë. Kur italianët pushtues mbetën rrugëve të fshatrave tona, kur nga ushtarë pushtues, u kthyen në nevojtarë për bukë dhe për strehë, shqiptarët iu dhanë strehën dhe kafshatën e tyre. Mirë bënë.
Kur komunistët si Kasëmi dhe Dhora Leka e të tjerët qanë dhe u ankuan pas 90-tës, Shqipëria i mëshiroi. Mirë bëri. Po deri këtu, jo më tej. Heronj e Nder i kombit nuk ka pse të jenë të tillët?
Krimet e cilitdo, nuk kemi pse t’i harrojmë. Një popull që nuk di ç’të dojë dhe që nuk di ç’të urrejë, është një popull që nuk respekton veten. Dhe një popull të tillë as të tjerët nuk e respektojnë.
Për këto sa thashë më lart, e solla këtë libër.