Albspirit

Media/News/Publishing

Vendimi i Britanisë për shtetasit shqiptarë që kanë marrë shtetësi britanike si kosovarë

Ministria Britanike e Drejtësisë ka dhënë dritën jeshile për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së heqjes së shtetësisë Britanike për shqiptarët që kanë përfituar nënshtetësinë duke pretenduar se janë nga Kosova.

Avokati Naim Hasani që jeton e punon në Londër ka shpjeguar se çfarë ka vendosur Britania për këtë kategori shqiptarësh.

Më në fund pas një pritje 1 vjeçare, Ministria e Drejtësisë nëpërmjet një vendimi që i ka hije një shteti ku të drejtat e individit zbatohen deri në fund dhe të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, ka vendosur të financojë betejën më të rëndësishme ligjore për shqiptarët që prej vitesh jetojnë me ankthin e heqjes apo jo të shtetësisë Britanike.

Kjo si rezultat i mashtrimit kur kanë ardhur në Britani duke thënë se ishin nga Kosova, por në fakt janë nga Shqipëria apo vise tjera të banuara nga shqiptarët.

Portali “Syri” shkruan se Ministria e Drejtësisë ka marrë një vendim shumë objektiv dhe plotësisht të pavarur në bazë të meritave, duke bërë të mundur që shqiptarët të përfaqësohen nga avokati Hasani bashke me dy avokatë të tjerë shqiptarë në Gjykatën Supreme të Britanisë se Madhe, në apelimin e shkallës më të lartë të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit, që deri tani kanë lënë në fuqi vendimet e Ministrisë se Brendshme për heqjen e shtetësisë pasi është përfituar nga shqiptarët në mënyrë false, duke pretenduar të mashtrojnë me identitetin.

Vendimet e heqjes së shtetësisë kanë pasur pasoja të rënda për shqiptarët e prekur nga ky fenomen. Gjithsesi tani Ministria e Brendshme nuk do të mund të marrë asnjë vendim me të gjitha çështjet e tjera, derisa Gjykata Supreme të marrë vendim përfundimtar dhe të formës së prerë, nëse Ministria e Brendshme (Home Office) ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore të përcaktuara në Nenin 40 të Ligjit për Shtetësinë Britanike të vitit 1981.

Zyra Duncan Lewis Solicitors nëpërmjet të cilës përfaqësohen rastet precedent Hysaj & Others, do të përfundojë të gjithë procedurën për depozitimin e peticionit në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor 28 ditë nga dita e djeshme, kur Ministria e Drejtësisë ka marrë vendimin absolutisht të rëndësishme dhe mjaft të drejtë për t’ju krijuar mundësinë shqiptarëve në rastet precedent, për të paraqitur argumentet e tyre ligjore, se përse Ministria e Brendshme mundet të ketë zbatuar procedurë të gabuar për heqjen e shtetësisë.

Të gjitha çështjet e tjera që janë pezull në Gjykatën e Larte dhe atë të Apelit, tashmë do të vazhdojnë të jenë të pezulluara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme, që do të mbyll përfundimisht siparin e betejës ligjore.

Procedura fillestare e vlerësimin të rëndësisë publike të çështjes nga Gjykata Supreme pritet të zgjasë rreth 6-7 muaj dhe nëse kalohet në seancë të plote apelimi, vendimi përfundimtar i gjykatës duhet të jepet pas më shumë se një viti. Deri atëherë beteja ligjore tashmë do zhvendoset në Gjykatën Supreme.

Vendimi i Gjykatës do të ketë një rëndësi jetike dhe përfundimisht do ti japë fund çështjes më të përfolur të heqjes së shtetësisë Britanike dhe mënyrës se si do të aplikohet në të ardhmen, ligji për shtetësinë Britanike i vitit 1981.

Kjo është padyshim një fitore, sepse Gjykata Supreme shqyrton vetëm çështje të një interesi publik të veçantë dhe çështja e heqjes së shtetësisë tashmë është zyrtarisht e tillë.

Please follow and like us: