Albspirit

Media/News/Publishing

Aleksandër Meksi: “Një anëtar, një votë”, rruga e vetme drejt demokracisë

 

 

Në momentet e vështira në të cilat ndodhet Shqipëria analiza e gjendjes, shkaqeve dhe rrugëdalja nuk duhet të kërkohen vetëm në strukturat e shtetit por dhe në ato të politikës në kuptimin më të gjerë. Për këtë arsye ne jemi thellësisht të bindur se pa u demokratizuar partitë politike, madje dhe levizjet që tërthorazi ndikojnë në jetën politike si aktorë ngacmues apo kritikë të saj, nuk do të ketë Shqipëri demokratike dhe përparim të shoqërisë shqiptare në kahje demokratike. Këto probleme kanë qenë shpeshherë temë e shkrimeve tona, pikërisht për shkak të ngecjes së mjaft proceseve demokratike, madje edhe të rrezikut që nga pseudopluralizmi ramizian të kthehemi në pseudopluralizmin e partive jo të demokratizuara, partive të individëve, apo grupeve të ngushta që i drejtojnë ato, kuptohet me doktrina (apo praktika) aspak demokratike.

Krijimi i partive të para në kapërcyellin e vitit ‘90 realizoi pluralizimin politik në Shqipëri, dukuri thelbësore e të cilit në kohën e sotme është numri i madh i partive, shumica me anëtarësi të vogël përgjithësisht të pa evidentuar, shkuarja e tyre pas dy partive të mëdha, deri tek hyrja në parlament me votat e tyre, që njëherazi dëshmon për platforma dhe sjellje politike të diktuara nga interesa jodemokratike. Sot me ecjen sidoqoftë përpara të shoqërisë në rrugën e reformimit drejt demokracisë, tregut të lirë dhe shtetit të së drejtës, për shkak të mangësive, gabimeve, çrregullimeve dhe fenomeneve të tjera negative që i shohim në deklaratat e pafundme të miqve tanë, të institucioneve ndërkombëtare dhe të vendeve apo bashkësive me zë në politikën globale, pra të atyre që na monitorojnë, janë shtuar kritikat ndaj qeverisjes dhe partive politike brenda shoqërisë shqiptare, ashtu edhe brenda partive. Këto gjykime të ndryshme nga ai i liderave (termi lidership nuk është i përshtatshëm, sepse partitë janë njehsuar me liderin e vet) dhe i “pasuesve” të tyre, po bien shpërbërjen e partive të mëdha, por mbi të gjitha kanë bërë të ngutshme institucionalizimin e mendimit ndryshe, domethënë, brenda të njëjtit program dhe statutit që trupëzon partinë, për çështje të ditës dhe ato të strategjisë, pra për qëndrime të momentit apo dhe afatgjata, të mund të paraqiten dhe shqyrtohen brenda rregullave të demokracisë propozime të ndryshme, pa etiketuar, si në kohën e diktaturës “armiq” bartësit e tyre, e pa i flakur, fyer apo mënjanuar ata nga jeta politike shqiptare.

Por, pranimi (tolerimi) i mendimit ndryshe do të ishte pa vlerë për demokracinë (ai të kujton dredhin famëkeqe të komunistëve shqiptarë në mesvitin 1990: pluralizëm i ideve), nëse nuk do të institucionalizohej mendimi ndryshe, domethënë që në parti të mundësohej jo vetëm mendimi ndryshe, por që edhe bartësit e tij të jenë të përfaqësuar në strukturat e partisë, nga baza deri në majë, sigurisht për aq sa janë mbështetësit e tyre, dmth bazuar në votat që marrin ata në parti. Rasti më skajor do të ishte formimi i korenteve, grupimeve apo fraksioneve, pra grumbullimi rreth një liste që sidoqoftë do të karakterizohej nga mendësi, programe e propozime për veprime e strategji konkrete. Por në çdo rast do të jetë ballafaqimi demokratik me vota i propozimeve dhe kontrolli i rezultateve, ai që vlerëson dhe evidenton këto mendësi, programe dhe propozime dhe që krijon shumicat brenda një partie, shumica jo të përhershme dhe që nuk përjashtojnë pakicat, sepse në një sistem shumëpartiak demokratik nuk ka vend për bolshevizëm.

Institucionalizimi i mendimit ndryshe realizohet dhe sigurohet vetëm me parimin “ Një anëtar, një votë”, pa të cilin, me mënyrat sesi votohet deri më sot, brenda partive shqiptare do të vazhdojnë të krijohen shumica që mënjanojnë përfaqësimin e pakicave, pra pluralizimin dhe demokracinë brenda partive. Nga shumica që përvehtësojnë partitë deri tek mohimi I pluralizimit rruga nuk është e gjatë dhe këtë po e shohim përditë e më tepër. Në këtë rast nga pluralizmi i partive që përfaqësojnë një spektër të gjerë, qoftë dhe bipolar, kalohet në luftë të vërtetë kundërshtarësh mohues për të mbajtur vazhdimisht nën pushtetin e tyre popullin përmes instalimit të një regjimi.

Institucionalizimi i mendimit ndryshe që realizohet përmes votimit me votë të drejtpërdrejtë të gjithë anëtarëve të partisë apo të strukturave të saj për zgjedhjen e përfaqësuesve, domethënë e atyre që marrin vendime dhe drejtojnë, nëpërmjet parimit “Një anëtar, një votë” siguron pjesëmarrjen reale dhe aktive të anëtarësisë në jetën dhe veprimtarinë e partisë, afrimin e njerëzve me të njëjtat ideale por që rrijnë në një anë, pra gjallëron jetën e partisë, duke e bërë atë një forcë reale politike dhe shton përkrahjen nga elektorati. Vetëm në këtë mënyrë, me të vërtetë demokratike, sigurohet pjesëmarrja treguese dhe përbërëse reale e demokracisë.

Ka vite që e kërkojmë pikërisht këtë demokratizim të partive në Shqipëri, madje kemi thënë shumë herë se pa parti të demokratizuara nuk do të ketë Shqipëri demokratike dhe të përparuar, nuk do të integrohemi në botën e demokracive perëndimore – NATO dhe BE. Në këtë mendim jam patundësisht i bindur. Refuzimi me kokëfortësi i këtyre parimeve, që i kanë shumica e partive të djathta dhe të majta perëndimore, na ka shtyrë deri në mendimin, mbase skajor, që liderat tanë janë të kënaqur me çka ju ka siguruar kjo lloj “demokracie specifike” dhe për arsye të ndryshme e shtyjnë sa të mundin integrimin e Shqipërisë në BE. Çuditërisht brenda një nate, të gjithë liderat pranojnë me brohori këtë parim, ndërkohë që asnjëri nuk e vë në jetë, madje e shtyjnë për vite me vonë me pseudopretekste.

Mbetet ende enigmatike për ne që të arrijmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, prandaj dhe jemi skeptikë për këto deklarime të tyre. Madje ata nuk kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi për qëndrimin e tyre deri më sot dhe as dhe të tregojnë për çfarë e kanë fjalën, sepse nuk mjafton të pranosh një parim dhe gjithëshka vetëbëhet. Në fund të fundit nëse do të dëshironin të fitonin në zgjedhjet e ardhshme më shumë vota sesa deri më sot, nëse me të vërtetë duan të demokratizojnë partitë e tyre dhe t’i hapin ato, duke afruar jo vetëm ata që janë larguar dhe rrijnë mënjanë duke mbetur demokratë, por dhe të tjerë sidomos të rinjtë, do të duhej që menjëherë t’i vinin në jetë këto rregulla dhe po të mos i dinin dhe kuptonin do pyesnin ata që i dinë dhe i kanë kuptuar me kohë. Për të realizuar këtë nuk duhen ndryshime statutore sepse rregullat për kryerjen e zgjedhjeve të forumeve i caktojnë organet e larta të zgjedhura, për to duhet vetëm të jetë krijuar bindja për nevojën e tyre dhe të kenë mendësi demokratike, të cilën për fat të keq të shqiptarëve nuk po e demonstrojnë. Ka edhe më keq kur ndonjë ish-komunist i pareformuar dhe ithtarë i liderave thotë se ky parim forcon pushtetin e njëshit (kur është krejt e kundërta), ndërkohë që vetë njëshat e kanë kundërshtuar deri më sot këtë parim. Me këtë tezë dashakeqëse duan të na thonë më mirë kështu siç jemi.

Nuk mund të mos vërejmë dhe një dukuri tjetër lidhur me pranimin e këtij parimi dhe vënien në jetë të tij. Nuk kemi parë që në mediat shqiptare ndonjë nga analisto-opininistët e shumtë të shprehet në mbështetje të kësaj kërkese dhe të atyre që përpiqen për demokratizimin e partive, po kështu dhe politikanët. Nuk besoj se kjo është një ogur i mirë po të kemi parasysh rëndësinë që ka ky parim në momentin e sotëm.

Çfarë duhet bërë, çfarë propozojmë?

Së pari, sa më parë të qartësohen opinionet partiake dhe ai publik për mekanizmat e zgjedhjes së organeve përfaqësuese të partive në botën demokratike. Pra si votohet në bazë të parimit “Një anëtar, një votë”, në të gjitha nivelet dhe në të njëjtën ditë, si formohen strukturat me të zgjedhur (dhe jo me të përzgjedhur) dhe ata “me të drejtë” apo ex-officio (deputetë, ish-a, kryetarë bashkie etj), që janë përfaqësues realë me votë të elektoratit. Bashkësia e këtyre dy grupeve siguron mbështetje më të gjerë në zgjedhjet politike dhe ato vendore, në të cilat nuk voton vetëm partia por dhe elektorati. Po kështu duhet të sqarohen se cilat janë në këto parti organet kolegjiale vendimarrëse dhe politikëhartuese, pra nuk ka parti të njëshit si ia ka qejfi ish-komunistëve. Të kuptohemi, drejtuesit i zgjedh shumica, por ajo ndryshon kur gabohet dhe dështon dhe në të kundërt (kur ata nuk japin dorëheqje) i ndryshon baza . Kjo është dhe arsyeja që pas dështimeve në zgjedhje politike ribëhen ato të partisë nga baza deri në kongres edhe kur nuk i ka ardhur koha sipas statutit. Po kështu duhet të shpjegohet që parimi i mësipërm realizohet duke i dhënë anëtarit aktiv vetëm një votë (mundet edhe disa të tjera preferenciale apo mundet 10-15 për qind të numrit të vendeve që zgjidhen ose forma të tjera, të cilat mund të huazohen në përputhje me përvojën dhe mundësitë tona). Në këtë mënyrë njësitë më të vogla të bazës (seksione, organizata) zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e tyre. Degët, të njëjtën ditë në disa qendra, zgjedhin edhe ato kryetarin dhe kryesitë e tyre (mbi bazë kandidaturash të propozuara nga baza ose me Lista korrentesh) si dhe përfaqësuesit e tyre në Këshillat Kombëtare apo KPD…dhe delegatët që iu takojnë për në Kuvend apo Kongres…, ndërsa në to bashkë me anëtarësinë në të njëjtën ditë zgjidhet Kryetari dhe miratohet programi.

Së dyti, bëjnë mirë t’ia bëjmë të njohur anëtarësisë dhe opinionit public këto mekanizma bazë të partive perëndimore me seminare, leksione, emisione televizive e deri dhe botime shëmbujsh të spikatur statutesh dhe regulloresh, për të kuptuar zgjidhjet, specifikat dhe traditat që janë marrë parasysh në hartimin e rregullave, sepse të tilla mund të kemi edhe ne. Duhet pranuar se vënia në zbatim e këtij parimi dhe rregullave që rrjedhin për pasojë, paraqesin vështirësi dhe kërkojnë kohë, por kjo nuk përbën arsye që të shtyjmë në kalendat greke demokratizimin kaq të nevojshëm të partive shqiptare. Duke qenë se jemi përpara zgjedhjeve politike të viti 2005, vetë partitë duhet të jenë të interesuara për një process të tillë dhe për këtë mund të kërkojnë edhe asistencë nga institucione të specializuara, si përsa i përket rregullave, ashtu dhe për hartimin e evidencave të sakta të anëtarësisë dhe për edukimin demokratik të bazës në këtë drejtim. Duke realizuar këto, nuk ka se si të ndodhë që parimi “Një anëtar, një votë” të shërbejë vetëm si parrullë për të mashtruar anëtarësinë, shqiptarët dhe të huajtë se po bëjmë një hap përpara në demokraci. Në qoftë se do të egzistojë vullneti dhe dëshira e mirë këto rregulla mund të vihen në jetë dhe në Shqipëri, çka do të përbënte një revolucion të vërtetë që do të përmbyste feudalizmin partiak, të vendosur këtu që në vitin 1944, dhe atëherë Shqipëria do ndryshonte për mirë dhe me shpejtësi.

 

 

Marrë nga përmbledhja “Një anëtar, një vote”, Një përmbledhje shkrimesh politike. Përgatitur nga: Dan Redford (me Katina Drenova), 2004.

Please follow and like us: