FALEMINDERIT SHËNJTËR!
Me gëzim të madh mësova, pak ditë më parë, për emërimet e reja të kardinalëve nga Selia e Shenjtë. Ndërmjet atyre emrave ishte dhe Dom Ernest Simoni (Troshani), i fundit ende në jetë, mbas martirizimit të Kishës shqiptare prej regjimit komunist. Zgjedhja e atij shërbyesi të përvuajtur të Zotit, për t’a futur në numurin e pakët të Princërve të Kishës, më ka prekur në thellësi të zemrës.
Shënjtërì, më lejoni t’U quaj vëlla. Si katolik, si shqiptar dhe si njeri që ka jetuar deri në moshën 47-vjeçare në kampet e përqëndrimit e në burgjet e diktaturës komuniste, Ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime për emërimin e Kardinalit të ri Troshani. Falënderimi im, besoj edhe i bashkatdhetarëve të mij, ish të përndjekur nga diktatura, nuk i drejtohet vetëm shprehjes së fundit të dashurisë për popullin tim, vlerësimit të Kalvarit vetiak të shumë viteve të Dom Ernestit, në mbrojtjen skajore të parimeve të krishtera, edhe me flijime të dhimbëshme në vite të gjata.
Ai falënderim shtrihet në të gjitha vendimet e marra nga Selia e Shenjtë në dobi të katolikëve e të popullit shqiptar, në tre vitet e fundit. Bashkatdhetarët e mij nuk mund të harrojnë kurrë 21 shtatorin 2014, atë ditë të paharrueshme, në të cilën Juve erdhët në Shqipëri. Ishte udhëtimi i parë në Kontinentin e Vjetër, jashtë kufijve të Italisë. Ai udhëtim i u kushtua Vendit tonë, “tokës së fshikulluar nga përndjekjet”, siç e kishte përcaktuar një parardhës i ndritur i juaji, shumë i dashuri Gjon Pali II. Ajo ditë qe ndriçuese për të gjithë shqiptarët, ata që jetojnë n’atdhe dhe ata që janë të shpërndarë nëpër botë. Qe veçanërisht e gëzuar për katolikët, të cilëve i u njohën përsëri mundimet, kalvaret, martirizimi në pothuaj gjysmë shekulli të diktaturës së pamëshirëshme komuniste.
Ju faleminderit Shënjtërì për atë ditë të mrekullueshme, që na solli në kujtesën tonë një tjetër ditë të paharruar, 25 prillin e vitit 1993, kur Papa Woytila, në gjunjë puthi tokën tonë në aeroportin “Nënë Tereza”. Ishte vizita e parë e një Vikari të Krishtit në tokën shqiptare gjatë dymijë viteve. Qe një vizitë në shenjën e nderimit për dhimbjet e vuajtjet tona, por edhe të ringjalljes sonë mbas Kalvarit, të shpresës e të rilindjes së Kishës së Krishtit, mbas gjysëm shekulli errësire e katakombash.
Vizita e Juaj, veç nderimit për martirizimin e Kishës katolike, të paraqitur mjeshtërisht, nëpërmjet portreteve të Martirëve, të varur në të dy anët e shëtitores së Kryeqytetit, qe edhe në shenjën e respektit e vlerësimit për harmoninë fetare të shqiptarëve. Shumë falënderime, Shënjtërì, për vënien në dukje para gjithë botës të kësaj pasurie të paçmuar të popullit tonë. Shumë njerëz, gjatë shekujve, e kanë interpretuar tolerancën dhe harmoninë tonë fetare si shprehje të pamjafteshmërisë së besimit. Ndoshta ka një pjesë të vogël të së vërtetës historike n’ata gjykime, por un besoj se ato vlera janë një pasuri e madhe shpirtërore e popullit tonë.
Ҫfarë krenarie e përshkoi trupin tim kur dëgjova të pohonit, në fjalën Tuaj përpara qytetarëve të Tiranës :
“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, është në fakt një dhuntì e paçmuar për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është një vlerë që duhet mbrojtur e forcuar çdo ditë, nëpërmjet edukimit me respektin e ndryshimeve dhe të identiteteve të veçanta, të hapura kundrejt bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit për të mirën e të gjithëve, me ushtrimin e njohjes e të vlerësimit të njëri tjetrit. Është një dhuntì për të cilën duhet t’i lutemi Zotit gjithmonë. Le të vazhdojë Shqipëria gjithmonë në këtë rrugë, duke u bërë për shumë Vende shëmbull frymëzues ! ”
Mbas vizitës së Gjon Palit II në Shqipëri erdhi emërimi i Imzot Mikel Koliqit si Kardinal. Edhe Ai ishte një i shpëtuar i ndritur i përndjekjes që ra mbi fenë e krishterë nga regjimi ateist komunist. Ju na bëtë një tjetër dhuratë, emërimin e Dom Ernest Troshanit, Kardinalit të ri shqiptar, i pari në mijëvjeçarin e tretë, i dyti i kohëve të reja.
Mbas pak ditësh, në qytetin e lashtë të Shkodrës, në qendrën e hershme të krishterimit shqiptar, do të kryhet proçesi i Lumturimit të 38 Martirëve të periudhës 1945 – 1974. Do të jetë ngjarja e tretë e madhe e kësaj vjeshte të lavdishme për kishën shqiptare e për të gjithë Kombin tonë. Mbas Shënjtërimit të Nënës Terezë të Kalkutës, bijës më të madhe të gjakut shqiptar e shëmbull e Shenjtëreshës botërore, mbas shpalljes si kardinal të Dom Ernest Troshanit, të të mbijetuarit të fundit të martirizimit, ja edhe lumturimi i Martirëve që janë ngjitur në Qiell, duke çuar në Mbretërinë e Zotit dëshminë e tyre të fuqisë së Fesë.
Faleminderit Shënjtërì, për ndihmesën Tuaj vendimtare në këto ngjarje historike, të bekuara e të jashtzakonëshme për popullin tonë. Do të keni gjithmonë mirënjohjen e gjithë shqiptarëve që besojnë në Hyjninë dhe lusin Zotin për paqen e dashurinë mes njerëzve, mbi këtë tokë dhe shëlbimin e shpirtërave në Mbretërinë e Perëndisë.
Përshëndetjet e urimet e mija më të përzemërta e më të ngrohta, për një jetë të gjatë në shërbim të Kishës së Krishtit e të Paqes në Botë.