Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk vlen dekriminalizimi në politikë pa një dekriminalizim në media, zoti Lu!

Nuk vlen dekriminalizimi në politikë pa një dekriminalizim në media, zoti Lu !

Nga Nikoll LESI

Tre janë shtyllat kurrizore të një Shteti: pushteti parlamentar, pushteti ekzekutiv dhe pushteti i drejtësisë. Ka edhe një pushtet të katërt që quhet pushteti i medias,i cili ka rol informues për qytetarët e kontrollues mbi tre pushtetet e tjera. Media është një pushtet real edhe në Shqipëri. Por nuk luan rolin e tij parësor në shërbim të publikut. Kryesisht media është kthyer shtojcë e tre pushtetëve të tjerë ose edhe me rrezikshëm që kontrollon të tre pushtetet për llogari të interesave të vetë pronarëve të mediave dhe grupimeve politiko-financiaro-bankaro-mafioze.

Kjo ndodh në Shqipëri. Ka media që nuk iu dihet burimi i financimit pasi në raport me të ardhurat legale apo të biznesit të tyre të deklaruar nuk justifikojnë kurrsesi shpenzimet marramendëse në investime e paga, shpërblime dhe pagesa nën dorë. Ka media ku pronarët e tyre kanë pasuri kolosale që nëse kontrollohen gjysma hyjnë në burg.

Ka një shqetsim serioz për demokracinë në Shqipëri. Mediat janë kthyer në biznese dhe informacioni përpunohet dhe lajkatohet duke e deformuar në shërbim të politikës, qeverisë apo grupimeve të biznesit që bëjnë pazare me qeveritë. Nga censura e dikurshme shtetrore për mediat tashmë ka kaluar në autocensurë, pra kur pronarët e mediave për interesa biznesi e sakatojnë rolin e medias. Nuk pasqyrojnë faktet, problemet apo nuk bëjnë investigime. Gazetarët me shumë ruhen nga pronarët e tyre se sa nga shteti. Arsyeja? Ajo që thamë se një numër i madh pronarësh në media kanë hyrë jo për hir të dhënies së informacionit, publikut, por për të bërë qokën e radhës me qeveritë për të marrë privatizime, tenderime, leje ndërtimi, pasuri, etj.

Nëse parlamentin e pastroi deri diku ndërhyrja dhe vendimmarrja e ambasadorit amerikan Donald Lu me ligjin e dekriminalizimit, në media nuk ka asnjë masë ligjore për të kontrolluar burimet e financimit në media dhe për ta ndarë median nga pushtetet e radhës. Njërëzit e dijnë shumë mirë se si pronarë mediash e mbajnë mirë me pushtetin dhe e ndërrojnë pllakën sa ndërron pushteti. Por duhet pranuar se janë profesionistë të ndërrimit të pllakës aqsa më shumë vështirësi e kap publiku. Në thelb media nga roli i tij në shërbim të publikut është kthyer, me kohë, në shërbim të pronarëve-biznesmenë për pazarin e radhës me pushtetin.

SPAK-u po krijohet për korrupsionin dhe shpërdorimin e zyrtarëve të lartë, por do të ishte mirë që edhe një ndalesë kontrolli e hetimi ta bënte në media. Jo në sensin e censurës, por tek pronarët e tyre se si kanë vënë pasuritë, pazaret me zyrtarët e lartë dhe drogën e mafien që ka hyrë në media.

Këtë të mirë duhet t’ia bëjë popullit shqiptar ambasadori Lu duke bërë presion mbi politikën që të aprovojë një ligj edhe për dekriminalizimin e medias.

Nuk vlen dekriminalizimi në politikë pa një dekriminalizim në media zoti Lu.

Please follow and like us: