Ornela MEMUSHI: Ekonomia shqiptare e kanabisit!
Lazarati i dikurshëm e humbi hijeshinë e tij në sigurimin e qindra vendeve të punës pothuajse gjatë gjithë vitit në rritjen dhe kultivimin e kanabisit, ose hashashit, siç quhet në gjuhën e përditshme. Megjithatë, fama e tij ndërkombëtare zgjoi mendimet e skenaristëve të mëdhenj në prodhimin e një filmi me aktorët e Hollivudit posaçërisht për këtë vend. Shkëlqimi dhe rënia e tij sigurisht që ndodhi me dëshirën e politikës shqiptare, e cila ndoshta u ndikua edhe nga presioni i ndërkombëtarëve. Tashmë shkëlqimi i parcelave të mbjella me hashash shtrihet në të gjithë Shqipërinë, dhe jo vetëm në disa zona të caktuara. Fusha e male në çdo fshat janë kthyer në begatinë e tyre të hershme, kur ishin të gjitha të punuara dhe të mbjella me perime, agrume apo vreshta. Sot krenohen më shumë se më pare, sepse bima që rritet mbi to mbart një vlerë të madhe monetare. Tashmë po rriten zërat pro legalizimit të hashashit për qëllime farmaceutike, por, nga ana tjetër, janë rritur edhe sipërfaqet e mbjella me këtë bimë për qëllime tregtare jashtë vendit, si edhe përdorimi brenda vendit, duke u rritur në këtë mënyrë numri i përdoruesve të kësaj bime narkotike
Në çfarë drejtimi po shkon shoqëria shqiptare?
Gjeografia e shpërndarjes së hashashit është shtrirë nga veriu në jug. Çdo ditë ndeshemi me lajmet e korrjes së kanabisit në këtë e në atë parcelë nga forcat e policisë së shtetit, e kapjes së kësaj sasie lënde narkotike në kufi të vendit, që kishte si destinacion shtetet fqinje, e ndalimit të këtyre personave, të cilët ishin pronarë të mbjelljes së dhjetë rrënjë kanabisi në kopshtet e tyre, etj, etj… Në parcelat e mëdha nuk gjendet asnjë këmbë njeriu, thua se i ka përpirë dheu.
Shqipëria akoma nuk karakterizohet nga një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm, dhe sigurisht që njerëzit do të gjejnë alternativa për të siguruar një jetesë normale në kushtet kur ajo, si një vend kandidat për në BE, ka pagën minimale më ulët në Europë, prej 157 eurosh, sipas raportit të Eurostat-it. Madje edhe Mali i Zi, që ka vetëm dhjetë vite si shtet i pavarur, dhe me një popullsi më të vogël sesa qyteti i Tiranës, lë pas pesë shtete ballkanike në renditjen për pagën minimale.
Hashashi është alternativa më fitimprurëse në afat të shkurtër kohor, por me një risk shumë të madh si një investim, fitimet e të cilit janë më shumë se 20% e vlerës fillestare. Risqet e kësaj bime narkotike janë shumë të mëdha në aspektin social, por edhe në atë ekonomik. Përdorimi i zgjeruar i hashashit do të ketë një ndikim të rëndë dhe të konsiderueshëm në shëndetin publik, nga i cili nuk do të ketë kthim prapa. Përdorimi i hashashit sjell dëmtim të sistemit imunitar, defekte në lindje, infertilitet, sëmundje kardiovaskulare, dhe risk të lartë për prekje nga lloje të ndryshme të kancerit. Ekspozimi kronik ndaj tymit të kanabisit mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve pulmonare, pengim të frymëmarrjes, emfizemë, kancer të mushkërive pasi tymi i kanabisit ka nivele të amoniakut 20 herë më të lartë se tymi i duhanit.
Zakonisht adoleshentët dhe moshat e reja janë më të prirura ndaj konsumit të lëndëve narkotike, dhe në kushtet kur popullsia shqiptare shkon drejt plakjes, si dhe shumë të rinj po lagohen nga vendi, atëherë do të kemi një forcë punëtore me produktivitet shumë të ulët, të prirur ndaj aksidenteve në punë dhe mungesave të shumta për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Në këto kushte, kostot e bizneseve do të jenë të papërballueshme prej tyre, dhe sigurisht që do të kërkojnë mbështetje nga buxheti i shtetit. Nga ana tjetër, qeveria do të jetë e detyruar të reduktojë shpenzimet publike në arsim, infrastrukturë, bujqësi, sepse kostot në shëndetësi dhe në rendin publik do të jenë shumë të larta për shkak të sëmundjeve, aksidenteve, produktivitetit të humbur dhe krimit në rritje që rezulton nga përdorimi i drogave të paligjshme. Burgjet e mbushura plot me të dënuar janë një barrë shumë e madhe për çdo familje shqiptare, sepse një pjesë e konsiderueshme e taksave që ne paguajmë, shkojnë për shpenzimet e të burgosurve. Të rinjtë gjithmonë e më tepër do i largohen arsimit, duke u fokusuar në mbjelljen e bimëve narkotike si shpresë për të siguruar një jetesë shumë të mire, dhe në periudha afatgjata do të përballemi me mungesë të theksuar të kapitalit human në çdo sektor. Fermerët do të braktisin punën e tyre në bujqësi, edhe sikur thjesht të punojnë si punëtorë me pagesë ditore te pronarët e hashashit, dhe tregu do të përballet me një mungesë të produkteve bujqësore e blegtorale, e si pasojë indeksi i çmimeve të konsumit do të ketë rritje.
Po legalizimi i kanabisit vetëm për qëllime farmaceutike si do të ndikojë në vend?
Shteti mund të ketë përfitime ekonomike nga mbledhja e taksave për bizneset që do të kenë licencën e kultivimit të kësaj bime, dhe gjithashtu do të hapen disa vende pune, por do të jetë një situatë monopoli ose oligopoly, ku fitimet e mëdha do të përqendrohen në duart e disa biznesmenëve dhe nuk do të ketë ndonjë ndikim të konsiderueshëm në buxhetet familjare të shqiptarëve të thjeshtë. Edhe sot, në kushtet kur kanabisi nuk është i legalizuar, fitimet e mëdha përqendrohen në duart e personave të lidhur me narkotrafikantët dhe grupet kriminale, dhe jo tek punëtorët apo pronarët e vegjël të parcelave me kanabis.
Asnjë vend në të cilin ekonomia është e varur nga kultivimi i bimëve narkotike nuk ka pasur zhvillim ekonomik, përkundrazi, janë vende të prapambetura, ku varfëria, problemet shëndetësore, krimi dhe korrupsioni mbizotërojnë kudo. Vendet që e kanë mbështetur zhvillimin kryesisht tek narkotikët janë ato që kanë të ardhura vjetore të ulëta për frymë, madje më të ulëta sesa shtetet fqinje që mund të kenë të zhvilluar si sektor parësor bujqësinë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kolumbia ka të ardhura për frymë prej 6.056 dollarësh, Afganistani prej 590 dollarësh, ndërsa Filipinet janë me të ardhura prej 2.899 dollarësh, dhe me një numër shumë të madh të popullsisë në varësi të narkotikëve, e gjithashtu, në një luftë të hapur ndaj të gjithë të droguarve nga presidenti i këtij shteti.
Për ta përmbledhur gjithë mendimin e shtjelluar më lart, mendoj se kostot sociale, por edhe ato ekonomike, janë shumë herë më të larta se sa përfitimet nga kanabisi, qoftë në kushte informale, qoftë i legalizuar. Shqipëria nuk duhet lejuar të shkojë në gjurmët e këtyre shteteve, sepse kjo do të thotë degradim i shoqërisë shqiptare, imazh i keq në sytë e investitorëve të huaj, por edhe të turistëve që zgjedhin këtë vend për të pushuar. Shqipëria duhet të kthehet nga një vend konsumator në një vend prodhues, por jo si vend prodhues i bimëve narkotike. Qeveritë shqiptare duhet të subvencionojnë zhvillimin e bujqësisë me teknologjitë më të reja, zhvillimin e turizmit, zhvillimin e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese të mineraleve dhe naftës. Vetëm me burimet e naftës vendi ynë mund të ketë një zhvillim shumë të madh ekonomik, por kjo kërkon investime, mirëmenaxhim, transparence, dhe jo shpërdorime dhe përfitime kolosale vetëm nga disa kompani koncesionare të huaja dhe politikanë e biznesmenë shqiptarë. Partneriteti publik-privat duhet të jetë me shumë eficencë, dhe koncesionet me kompanitë fantazmë, të cilat vetëm sa u rëndojnë qytetarëve shqiptarë, duhen vlerësuar më mirë. Sa më pak të nxirret kapitali monetar jashtë vendit, aq më mirë është për ekonominë tonë. Politikanë, biznesmenë, qytetarë të thjeshtë, kthejini sytë nga mundësitë që ka vendi ynë për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, dhe punoni për të zhdukur varfërinë, por jo nëpërmjet hashashit, sepse dëmet në të ardhmen do të jenë të parikuperueshme, pavarësisht të ardhurave të larta momentale!