Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Myqerem Tafaj: Kryeministri Rama thotë: FAJIN E KANË MEDIA DHE ANALISTËT!

 

Kryeministri Rama thotë: FAJIN E KANË MEDIA DHE ANALISTËT!

Sot Kryeministri Rama sulmoi ashpër median e lirë dhe e falësoi atë pèr dezinformimin e qytetarëve për qeverisjen e tij! Ai thotë se gjoja qeveris mirë, por media dhe analistët e nxijnë qeverisjen e tij! Ky sulm i Kryeministrit Rama mbi median e lirë, si pushtetin e katërt në një demokraci, është i paprecedentë për një vend demokratik, për një vend antar të NATO-s, për një vend kandidat, i cili kërkon të hapë negociatat e antarësimit në BE.

Në 25 vite demokraci, vendi ynë, edhe pse me shumë vështirësi, ka arritur të krijojë hapësirë për zhvillimin e pushtetit të katërt, atë të medias së lirë. Kjo është një arritje e madhe e demokracisë shqiptare dhe është shprehje e shpirtit të demokracisë, LIRISË në tërësi dhe LIRISË së SHPREHJES.

A është e përsosur media në Shqipëri? Sigurisht që jo dhe ka shumë probleme të informalitetit, etikës, etj. A është plotësisht e cliruar media jonë nga ndikimi i pushtetit? Sigurisht Jo. Madje, thuajse cdo ditë, ka raste të ndikimit të qeverisë mbi median dhe gazetarët. Rasti i fundit i largimit nga puna i gazetares Alida Tota dhe i mbylljes së emisionit investigativ flet shumë për presionin e qeverisë mbi median.
Por, megjithë problemet që ka sot media shqiptare dhe sado të mëdha që të jenë ato, kjo nuk përligj këtë sulm denigrues të Kryeministrit Rama mbi median dhe analistët.
Ka plot raste që tregojnë se si kanë dështuar qeveritarë apo qeveri kur kanë sulmuar një media, qoftë edhe një rrjet social.

Pas këtij sulmi kaq të ashpër të Ramës mbi analistët, a mund të ketë gazetarë që të guxojnë të kritikojnë këtë qeveri? A mund të ketë media që të guxojnë t’i bëjnë oponencë kësaj qeverie?

Ku e con ky kurs autarkik i Kryeministrit Rama një vend që kërkon të hapë negociatat më BE-në? Në BE? Jo. Në grupin e vendeve ish komuniste me rregjime gjysëm demokratike ose autarkike.
Jo vetëm politika, por edhe media vërtetë e lirë dhe shoqëria jonë civile, duhet të thonë fjalën e tyre në mbrojtje të medias së lirë. Por, besoj se edhe organizmat ndërkombëtare do të thonë fjalën e tyre për këtë qasje arrogante të kësaj qeverie ndaj medias dhe fjalës së lirë.

Please follow and like us: