Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama çel ekspozitë në “Shtëpinë e Bardhë” të artit në New York

Për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, arti është pjesë e pandashme e jetës.

Klan Kosova ka mësuar se pikturat dhe skulpturat e Edi Ramës më 11 nëntor do t’i shfaqen publikut amerikan në galerinë e artit bashkëkohor Marian Goodman Gallery, në New York  (Komunikata për media).

Për nga fama dhe reputacioni i saj jo vetëm në Amerikë, por në botën e sotme të artit në tërësi, galeria e Marian Goodman mund të quhet me plot gojën “Shtëpia e Bardhë” e artit bashkëkohor.

Prej kësaj galerie ka kaluar rruga drejt majave të historisë së artit e plot artistëve të mëdhenj të botës, si Gerhard Richter, Tony Craig, Maurizio Cattelan, Annette Messager, William Centridge e të tjerë.

I pyetur nga Klan Kosova lidhur me këtë ekspozitë, Edi Rama nuk bëri asnjë koment, ndërkohë që ekspozita e tij është lajmëruar në website-in e galerisë prestigjoze, në të njëjtën ditë me ekspozitën e një tjetër artisti të madh amerikan, John Baldessarri.

Në njoftimin përkatës për ekspozitën e Edi Ramës, citohet kritiku i njohur amerikan Michael Fried, i cili shkruan kështu për vizatimet e tij:

“Me siguri janë vizatime, por si të një saksofonisti, improvizime të vërteta”.

Ekspozita, informon njoftimi i galerisë, do të përmbaje një seleksion vizatimesh me ngjyra mbi letrat e zyrës, të varura mbi letrën murale që është krijuar me shumë më tepër të tilla, duke sjellë muret e zyrës së Ramës në Tiranë.

Po ashtu, ajo do të përmbajë edhe skulpturat e tij të reja prej qeramike, të cilat janë të panjohura për publikun shqiptar pasi Edi Rama as i ka ekspozuar as ka folur kurrë për to.

Pjese e kësaj ekspozite do të jetë edhe një pune e përbashkët e Ramës me Anri Salën, artistin e mirënjohur shqiptar në botë.

Çelja e ekspozitës do të pasohet të nesërmen nga një bashkëbisedim publik i Edi Ramës me kritikun e mirënjohur të artit bashkëkohor Hans Ulrich Obrist dhe artistin e famshëm Rikrit Tiravanija.

Please follow and like us: